Altin Braka
“Duhet me i zgjidh punët pa u korit” me shkruan nje mik. I mirëkuptoj të gjithë ata që e kanë shqetësim të sinqertë këtë aspekt, sipas llogjikës së thjeshtë dhe të shëndoshë se “teshat e pista lahen në shtëpi”. Vetëm se në rastin tonë, kush bën këtë sygjerim përgjithësisht jeton shumë larg realitetit shqiptar. Për ata që e ndjekin sadopak ecurinë e KMSH-së të drejtuar nga #kuadrohizmeti, s’ka asnjë dyshim se zgjidhja e problematikave “brenda familjes” është iluzion. Megjithatë, xhemati që ka refuzuar prerazi myftiun e emëruar rishtazi nga KMSH në Berat dhe kërkon një #myftiberati e respektoi me dashamirësi parimin e këshilluar të “brenda familjes”. Dhe në fakt, përfaqësues të Këshillit të Myftinisë Berat iu paraqitën në zyrë kryetarit në KMSH për t’i shprehur mosdakordësinë dhe kërkesën e tyre; më pas, në një moment të dytë, e dërguan atë si shkresë të protokolluar, pa e bërë çështjen publike. Por në të dy rastet u përballën me shpërfillje e arrogancë.
Meraku pse druhemi t’i trajtojmë hapur problemet e bashkësisë e ka zanafillën te premisa e gabuar se kështu shfaqen dobësitë e myslimanëve. Ekzistenca e mangësive te njeriu është e natyrshme dhe nuk shkruhet gjëkundi se myslimanët janë njerëz perfektë. Ne i ftojmë njerëzit në Islam sepse e ka për burim Kuranin dhe traditën e Profetit a.s., por jo shembullin personal. Ky aspekt na bëhet edhe më i qartë kur shohim historinë: nga emevitetët e deri tek osmanët, vërejmë se pushtetarët shpesh nuk kanë qenë prej njerëzve të drejtë e të devotshëm.
Ndërkohë, të gjithë jemi të urdhëruar të përpiqemi në ndalimin e të keqes kudo që ajo shfaqet, në familje, xhemat apo shoqëri. Kjo aspiratë nuk mund – ose te paktën nuk duhet – t’i mungojë asnjë besimtari, dhe secili e përmbush sipas pozicionit, mundësisë dhe rrethanave. Përballja me të keqen e pushtetarëve është e destinuar, herët apo vonë, të bëhet haptazi. Historitë e profetëve, dijetarëve të shquar dhe reformatorëve të mëdhenj na konfirmojnë – pothuajse si rregull – se zullumi i pushtetarëve nuk është problem i zgjidhshëm me këshilla e fjalë të mira në privat.
Deri këtu mbase edhe biem dakord parimisht, por në realitet vazhdojmë të ngelemi duarkryq e gojëkyçur ndaj të keqes që shfaqet në shoqëri dhe (ose) në bashkësinë tonë. Në rastin e bashkësisë, si rrjedhojë e frikës se “mos koritemi me botën”, e kemi privuar veten nga mekanizmat parandaluese të abuzimeve me pushtetin e deleguar. Nga ana tjetër, elita kulturore e xhematit është e përfshirë në shoqëri, por kur vjen fjala te problemet e brendshme të bashkësisë së besimtarëve – siç është rasti i përfaqësisë institucionale të saj – zgjedh heshtjen.
Nëse ndalemi te KMSH, mund të konstatojmë lehtësisht se e keqja që ka zënë vend në shoqëri, zullumi i qeverisë Rama dhe ekspansioni prepotent i Hizmetit notojnë në simbiozë në të njëjtat ujëra. Vëzhguesit e vëmedshëm e kanë të qartë se Rama dhe #kuadrohizmeti përngjasojnë në shumë aspekte. Të dy palet kërkojnë të akumulojnë sa më shumë pushtet rreth vetes: kapin institucione, blejnë media të shkruara dhe audiovizive, njerëz publikë e intelektualë. Kush provon të rezistojë, neutralizohet me mjete të tjera, pa i kursyer as ndërhyrjet ekstreme. Rama dhe Hizmeti kalojnë nga njëri skandal në tjetrin me shpejtësi dhe gravitet në rritje, siç lidhen përtej Atlantikut me fije të shumëfishta, enigmatike dhe të dyshimta, duke importuar probleme për të cilat shqiptarët nuk ka pse të paguajnë kosto.
Nuk janë çudi ngjashmëri të tilla. Është fakt i njohur që diktaturat janë simetrike. Edhe zullumi nuk devijon prej këtij rendi: një shije ka, prej ngado të vijë. Ndërsa ata që i dalin ball zullumit nuk janë të njëtrajtshëm, dhe as s’ka pse të jenë. Mjafton të jenë të vetëdijshëm se e keqja në fund të fundit është një, ka të njëjtin burim në origjinë. Ndaj duhet përçapje për ta frenuar, me masë e me vend, por kurrë me hatër. Të vetëdijshëm se edhe kur të largohet Rama, shoqëria e Big Brother po aty do ngelet, siç edhe ikja e Hizmetit nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet. Por të paktën do të çlirohej institucioni nga interesat e një sipërmarrjeje që nuk i shërben bashkësisë.
Comments