Nga hil’at te hilalléku





Elton Hatibi

Në kulturën osmane hil’at, ose ndryshe “rroba e nderit”, është institucioni i dhurimit të rrobave të kushtueshme nga sulltani kundrejt dinjitareve të ndryshëm, që kryesisht ndodhte në raste ceremoniale. Bëhet fjalë për rroba luksoze prej mëndafshi, kadife apo stofra të shtrenjtë, shpesh të ndërthurura me ar apo argjend dhe të punuara me motive të larmishme, kryesisht floreale. Këto veshje prodhoheshin në punishte të mëdha vetëm për nevojat e oborrit osman, për realizimin e të cilave rekrutoheshin zejtarët më të zotë të kryeqytetit. Përveç dinjitarëve të rangjeve të larta, apo dhe ulemasë, hilati i dhurohej dhe ambasadorëve të ndryshëm kur priteshin në audiencë të sulltanit. Kur inagurohej princi i Transilvanisë, si shenjë e një marrëdhënie vasaliteti, dinjitarëve lokal u dhurohej nga sulltani ose sadrazemi kaftanë të cilësive të ndryshme. Në këtë rrethanë, aristokracia hungareze duke i vlerësuar shumë këto rroba, i vishte këto kaftanë vetëm në raste ceremoniale, dhe kjo veshje konsiderohej pjesë e pasurisë së familjes. Kaq reputacion ka patur kaftani si rrobë, saqë përveç gjuhëve të Ballkanit dhe Europës Qendrore ku osmanët kishin ndikim të drejtpërdrejtë, ajo ka depërtuar edhe në gjermanisht, anglisht etj.

Kjo është një praktikë që në ceremonialitetin islamik e gjejmë në oborrin Abasit ku shpura e kalifit njihej si, ashab al hil’a, “ata që veshin hil’at-in”. Në këtë periudhë, prezantimi i “rrobës së nderit” ishte shenjë e gradimit në funksione të larta të titullarëve si, princ kurore, vezir dhe guvernator. Siç shënojnë historianët, dhurimi i hil’at-it apo i gjërave të tjera të çmuara ndaj të përzgjedhurve, ishte rast për krijime poetike, çka do të thotë se ngjarja zgjonte kuriozitete urbane dhe ndërlikime politike. Kjo praktikë e institucionalizuar u trashëgua nga të gjitha shtetet myslimane të mëvonshme, nga Mamlukët e Egjiptit, Safavitët e Iranit e deri tek Mogulët e Indisë. Te Mamluket kjo praktikë ishte e zakonshme mes burokracisë, ushtarakëve dhe ulemasë, megjithëse, në rastet kur dhurohej një rrobë e veshur më parë nga sulltani, ceremonia e shndërruar në ritual kishte një domethënie të fortë simbolike. Praktika ka një konotacion të fortë fetar, që më pas i ka dhënë kuptim një delegimi autoriteti bashkangjitur me prestigjin që mbart shfaqja rituale por dhe vetë rroba luksoze. Themi se ka një konotacion fetar sepse mendohet se hil’at-i është një praktikë që i shëmbëllen aktit të profetit Muhamed, kur i dhuroi mantelin e tij poetit Ka’b ibn Zuheir.

Dorzimi i flamurit, dekretit, kalit, hil’at-it dhe shpatës Levendollusë (Levendoğlu). Marrë nga Nusretname, viti 1584, Libraria e pallatit “Topkapi”

Kaftani, i cili duhet thënë që nuk prodhohej nga zejtarët shqiptarë, sugjeron një veshje, që sëbashku me prejardhjen e saj nga metropoli, mbarte dhe hijen e pushtetit perandorak. Tahir Dizdari përmend si shenja apo privilegje perandorake këllëçin dhe kaftanin që u jepej herët komandantëve osmanë. Edhe pse nuk kemi referencë të drejtpërdrejtë për këtë marrëdhënie oborri në kontekstin shqiptar, gjurmë të hil’at-it i hasim në letërsinë e kultivuar apo në atë popullore kur përmenden rroba të veçanta si kaftani, qyrku apo dollama. Ali Asllani në pak vargje vizaton një atmosferë autoriteti, përmes disa elementëve, ku kaftani të tërheq vëmendjen drejt hil’at-it. “Përmbi supe një kaftan/ Gjith inxhi e gjith merxhan/ Hipur kalit quhelan”. Tahir Dizdari citon një shpjegim të “Valët e Detit”, ku të dërguarit e mbretit, me qesëndi i quanin “kaftane”, për shkak të rrobës që vishnin. Sërisht Ali Asllani, në një vend tjetër përmend qyrkun po në kontekstin e “aseteve” të një dinjitari lokal: “Vula dhe sahati, varur për mbi gryk’/ Dhe mbi supe hedhur, atë goxha qyrk”. Këtu me qyrk mbase autori sërish na orienton nga kaftani ose diçka e ngjashme, pasi në fjalor “qyrk” ka një domethënie disi ambigue; edhe “pallto prej gëzofi”, dhe e “veshur me gëzof përbrenda”. Në fakt qyrkxhinjtë në Shqipëri, me kuptimin “gëzoftar” sipas Zija Shkodrës, ishin një esnaf i përbërë tërësisht nga komuniteti i krishterë, që vështirë të prodhonin veshje të posaçme për shtresën qeverisëse lokale. Këtu duhet bërë diferenca ndërmjet qyrkut tradicional i bërë prej lëkurëve dhe gëzofit të kafshëve të egra, dhe një qyrku me kuptim më të gjerë, një veshje që përmban edhe gëzof në pjesë të veçanta të tij. Që qyrk ka një kuptim më të gjerë se një “pallto prej gëzofi” na e tregon fjalori ku me “kaftan” jep:” rrobë e gjatë prej kumashi të kuq dhe me gëzof përbrenda; e vishnin burrat në të kremte të mëdha dhe në dit të shënuara”. Me kremte të mëdha kemi parasysh festën e Bajramit dhe festime të ngjashme. Këtë gjerësi kuptimi e gjejmë dhe në disa vargje të një këngë popullore: “Cili kè o Hamzë Kazazi/ Q’aj qi ju pri hapseve ma i pari/ Tirq të zez, qyrkun prej ari”. Me “qyrk prej ari” duhet të kuptojmë një rrobë luksoze, por dhe dinjitoze, që i atribuohet një personazh me autoritet në Shkodër si Hamzë Kazazi. Duke qëndruar te ari, kaftan me kopsa ari dhe fije argjendi vishnin funksionarët më të lartë të perandorisë si sadrazemi, vezirët etj. Ky lloj kaftani i kadifenjtë, në dimër mbështillej me gëzof kafshësh, pra me një qyrk.

Hamza Kazazi, foto e Pietro Marubit e mesit të shek XIX

Qyrkun në kontekstin e hil’at-it e përmend dhe Hafiz Ali Korça në një histori ku një europian (frëng), i dhuron një “qyrk” një dijetari osman, për shërbimin e kryer ndaj tij. “Qyrkut”, Korça i referohet në frengjisht si “robe d’ honneur”, dhe më pas si “hilati fahire”, një term që është një nga llojet e hil’at. “Hil’at fahire”, literalisht “rroba e lavdërimit”, sipas rregulloreve të kohës së Sulltan Mehmet Fatihut i jepej një herë në vit disa funksionarëvë të pallatit si agait të yzengjive (rikab-i humayun) si dhe llogaritarit të të ardhrave dhe shpenzimeve. Megjithatë, në harkun e disa shekujve, “hil’at-i fahire” të cilin përmend Korça, është një përgjithësim për një hil’at të një cilësie të lartë, pavarësisht se kujt titullari i jepej.

Për shkak të prestigjit dhe reputacionit të saj, në harkun e disa shekujve, hila’at-i ka pësuar ndryshime të vazhdueshme. Kjo veshje trashëgohej apo shkëmbehej me mallra apo monedha. Duke pasur prejardhje nga oborri mbretëror, familjarë të funksionarëve të vdekur, shpesh rrobat hil’at i shisnin si të tilla apo i shkëmbenin me diçka tjetër ose me privilegje të tjera. Në vargjet e Eposit të Kreshnikëve gjejmë ekon e kësaj tradite, kur nëna e kreshnikut i bën të ditur djalit për trashëgiminë e të atit ku bën pjesë dhe një veshje si “dollama e kuqe”: “Ani, toj t’ka lanë dollamën e kuqe”, rrobë të cilën kreshniku do ta veshë sepse do të shkojë të vizitojë Kralin. Dollama është kaftani që vishej nga jeniçerët. Për shkak se jeniçerët kur marshonin, kindet e kaftanit i përvishnin në brez për të mos u penguar (dolaşmamak), për këtë arsye ky kaftan i tyre është quajtur dollama.

Përveç hil’at–it si rrobë nderi, shpesh si dhuratë ajo përbëhej edhe nga takëmet apo pajimet luksoze të kalit si: shala të zbukuruara, yzengji të punuar me metale dhe gurë të çmuar, frerë dhe mbrojëse të kuajve apo coha mëndafshi që vendosen poshtë shalës. Duke u identifikuar me objekte të ndryshme, hil’at–i është përdorur si term dhe për objekte tepër të veçanta në kontekste të tjera të traditës qytetare. Në Epos hasim në disa raste “kapuçin me pare”, duke nënkuptuar një lloj kësule të zbukuruar me monedha ari, që e vendosin gratë në kokë gjatë të kremteve të mëdha. Në disa këngë hasen vargje që tregojë veshjen festive të një gruaje full regalia: “Veshë ja ka kmishën prej munashi/ veshë ja ka mitanin kadife/ i ka vnue kapuçin me pare/ plot hallhalla durt’ ja ka mushë/ja ka vesh dimitë me shara”.

Në një këngë tjetër, vajza që ka qenë robëreshë në Krajli, i kërkon krajlicës, “kapuçin me pare” që më shumë si shpagim për vitet e saj të robërisë, kërkon një shpagim moral, një rimarrje të krenarisë. Vajza kërkon që të dalë nga robëria e veshur si nuse: “Oj Krajlicë, – i ka thanë-/pa ma dhanë kapuçin me pare,/ un rrugën s’muj m’e marrë”. Por çfarë është “kapuçi me pare” që e hasim në këngët e Eposit. Kapuçi me pare është një përshkrim vizual i hilallékut, një stoli luksoze që merrnin në pajë vajzat myslimane të qytetit të Shkodrës. Ja vlen të ndalemi pak te shpjegimi që i jep Tahir Dizdari termit hilallék:

“Shkodër: kapuç si kokrush në trajtë koni, i qindisun përsipër me ar, i veshun gjithkah me inxhi të gërshetun, me tre deri në pesë manda përpara, me flori të mëdhaj e të vogjël (mahmudi e menduhi), të qepun nëpër brimë në varg të inxhive rreth e përqark si dhe ndër mandat që qindrojshin të vartun. Kjo stoli kreje që ka kushtue prej 40 deri në 60-70 nap. ari…ka vazhdue t’u jepet nga shtëpia e t’et vashave muslimane të qytetit, si stolia ma e randësishme, nemos e domosdoshme (shpesh herë e kondicionueme, kjo) e pajës…”. Është e qartë se këtu kemi të bëjmë me hil’at-in, me një transformim sa gjuhësor gjithaq edhe të praktikës. Mirëpo Dizdari hilallékun etimologjikisht e ka të paqartë. Ai jep dy versione, tek e para, që ai e sheh dhe më të sigurtë, hamendëson “të jetë nji sajim i së folmes së Shkodrës, nga tur. hilàlhanëz e re”…me sufiksin-llëk”, ndërsa për të dytin me shumë rezervë thotë se mund të derivojë nga helaldhanti për t’u da me hallall ndaj shërbimin e vashënisë ose pjesës së trashëgimisë”. Duket se Dizdari është ngatërruar tek varianti që mbështet më fort i hilal, sepse siç shënon ai, si pjesë e ornamenteve të hilallèkut  ka qenë zakon që t’i varej vajzës në ballë një gjysëmhënë (gjymës hanëze) argjendi ose ari. Duke u nisur nga hilal-i, kërkimi i tij është përqendruar tek germa ه e alfabetit arab, që korespondon me هلال hilal, nderkohë hil’at shkruhet arabisht خلعه, dhe kjo besoj se është arsyeja që Dizdari thotë: “Fjalorët kët fjalë të vështrimit material, s’e kanë”.

Hilallékun si term e përmend dhe autori Hamdi Bushati te vepra e tij monumentale “Shkodra dhe Motet”. Sipas tij hilalléku, si aksesor i pajës, ishte pjesë përbërëse e kostumit kombëtar, që familja i jepte vajzës. “Petku kombëtar” përbëhej nga: “përveç hilallékut, prej një këmishe harkate të qëndisun, një jeleku me ar, një shalli të mëndafshtë e barnavekë harkati të bardhë”. Për ta patur më të qartë këtë traditë qytetare, sërisht na vjen në ndihmë Tahir Dizdari: “Natyrisht, ato shtëpi që jepshin kët stoli, ishin në gjendje të mirë dhe të rrangut të qenun a të mesëm të popullsisë. Nuk kan qenë të pakta rasat, kur prindja që u numronte nga rangjet e thanuna, por të rame nga vakti, arrinte të shiste deri shtëpinë e banimit për t’a plotsue me hilallék e hali, me dy fl’ pajë e bakërishte (kryesore këto) pajën e vajzës së fejueme në vendin e përshtatshëm. Ka pas edhe aso rasash që ana e dhandrit, sado e pasun të ketë qenë, në marrëveshjen e fejesës, ka kondicionue prumjen e hilallékut nga ana e nuses, tue e konsiderue si nji punë honori e përfillje (karshi botës)- por dhe mburrje në paraqitjen e nuses – se sa për vleftën materiale. Me gjith këte, e kish edhe si ni farë depozite për nji ditë të vështirë të papritun. Shum herë bile, nuk kanë mungue edhe prishjet e traktativave të fejesës, saldé pse nuk u binte në godi për kët stoli. Hilalléku njiherit, ka luejtë rrol edhe në vetë personalitetin e nuses e cila kur e kish të vetin, kish nji farë mburrje legjitime, për të mos thanë krenarije, e, kur s’e kishte, rrinte si e pime dhe e vorfnueme karshi botës, e sidomos karshi shoqeve që ngërfoseshin ndër kremte, dasma, e mexhlise…Hilalléku shpesh herë u ka vu kapak edhe mungesave në plaçkat e arkës, e nga nji herë edhe të fizikut e të pashmënisë”. Megjithëse i transformuar, siç shihet në këtë përmbledhje të Dizdarit, hilalléku në thelb përmbush funksionin e hil’at-it klasik, sigurisht në kontekste dhe rrethana të tjera. Prestigji, mburrja, rregullimi i raporteve ndërfamiljare si dhe garancia financiare janë në thelb të kësaj praktike dhe nuk ndryshojnë shumë nga praktika e huazuar. Dy janë ndryshimet e kësaj praktike, e para ajo e karakterit institucional dhe të traditës e cila lidhej me mirënjohjen, ripërsëritjen dhe delegimin e autoritetit politik nga monarku kundrejt titullarëve shtetëror brenda një ceremonialiteti të protokolluar, dhe e dyta që është më e veçanta, kalimi si emërtim i kësaj praktike qytetare te gjinia femërore. Duke u lidhur me ngjarjen mbase më të rëndësishme të jetës së një gruaje, hilalléku në atmosferën e një dasme qytetare merr kuptimin e një “rrobe nderi” në raport me statusin social të rrethit familjar dhe solemnitetin e ditës së dasmës. Edhe pse është e paqartë se si ka hyrë termi në të folurën e Shkodrës, përderisa praktika e hil’at–it klasik është konsumuar diku gjetkë, arrijmë të imagjinojmë ekon e kësaj praktike në një qytet që kishte lidhje të forta me qendrën e perandorisë. Në ditët e sotme termi ende mbijeton, paçka se për arsye të kuptueshme nuk bën pjesë në pajën e nuses. Gjithashtu përbërja e saj është me karakter simbolik, monedhat e florinjta dhe materiale të tjera janë imitime të hilallékut të dikurshëm që kishte vlera të konsiderueshme. Si në çdo veshje popullore që e ka humbur funksionin origjinal dhe është shndërruar në një objekt shumë më pak ceremonial dhe më shumë muzeal, edhe hilalléku është thjeshtë pjesë përbërëse e disa kostumeve kombëtare të grave, aq më tepër që nuk thotë asgjë për prestigjin e traditës prej nga është huazuar.

Bibliografi:

Asllani, Ali, Hanko Halla, Kristo Luarasi, Tiranë, 1942

Bushati, Hamdi, Shkodra dhe Motet, vol. I, Shkodër 1998

Dizdari, Tahir, Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Tiranë, 2004

Eposi i Kreshnikëve (Has, Lumë, Malzi), përg. Sh. Hoxha, Klubi i Poezisë, Tiranë, 2017

Fjalori i Gjuhës Shqipe, Instituti i Shkencave, Tiranë, 1954

Krasniqi, Salih e Feriz, (përg. M. Gashi), Këngë Popullore, vol. I, Faik Konica, Prishtinë, 2007

Korça, Hafiz Ali, Letrë e Hapët, Zani i Naltë, nr. 8, Tiranë, 1924

Mahir, Banu, Türk Minyaturlerinde Hil’at Merasimleri, Belleten, nr. 63, 1999

Pakalın, Mehmet Zeki, Osmanlı Tarih Deyimleri ve Terimleri Sözlüğü, vol. I, II, III, M. E. B, İstanbul, 1993

Pàsztor, Emese, Fashion ala Porte: Was There a Turkish Fashion Trend in Hungarian Aristocratics Homes During the Sixteenth and Seventeenth Centuries?, në Identity and Culture in Ottoman Hungary, përg. Pàl Acs dhe Pàl Fodor, De Gruyter, 2017

Phillips, Amanda, Ottoman Hil’at: Between commodity and carisma, në: Frontiers of the Ottoman Imagination: Studies in honour of Rhoads Murphey, përg. Marios Hadjianastasis. Brill. 2014

Stillman, Norman Arthur, Khil’a, Encyclopaedia of Islam, New Edition, Vol. 5, Brill, 1986

Shkodra, Zija, Esnafet shqiptare , shek. XV-XX, Instituti i Historisë, Tiranë, 1973

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *