Rreth një muaj më parë, në praninë e Kryeministrit Rama dhe të Presidentit turk Erdogan, u përurua përfundimi i punimeve restauruese në Xhaminë Ethem Beu në Tiranë. Një përurim i mëhershëm, më shumë për të shënuar fundin e punimeve, ndodhi në prill të vitit që shkoi, diçka para zgjedhjeve të përgjithshme, në prani të Kryeministrit Rama, Ministres Margariti si dhe të kryetarit të KMSh, Spahiu. Xhamia ishte hapur për besimtarët diku nga muaji shtator i vitit që shkoi, por përurimi u krye duke shfrytëzuar praninë e presidentit turk në vend, meqë financimi i saj ishte kryer nga një agjensi shtetërore turke. Punimet filluan në fund të vitit 2017, kur dhe u mbyll për besimtarët, me një afat dy vjeçar. Por në të vërtetë, pa u shpjeguar asnjëherë, punimet zgjatën më shumë se katër vjet, me një vonesë shumë mujore nga inspektimi i lartëpërmendur i mbylljes së punimeve, deri tek hapja e dyerve për besimtarët.

Në Xhaminë e Ethem Beut tashmë duket qartë se janë rifreskuar afresket murale të dëmtuar sidomos në sipërfaqjet pranë kubesë. Vetë materiali i plumbit që mbulonte kubenë u zëvendësua, pasi siç dukej ishte amortizuar prej kohësh çka sillte dhe depërtimin e lagështirës në muret e sallës kryesore të lutjeve. Është vendosur sërish vetrata e xhamtë që mbulonte hapësirën e hajatit, duke e ruajtur sipërfaqjen e jashtme të afreskëve të mos ndotet nga pluhuri apo agjentë të tjerë. Ndërkohë është ruajtur sipërfaqja e brendshme murale nga ngarkesa e tepërt dhe pa kriter me lehva të printuara, korniza gjithshfarësh e qilimtha të vegjël. Gjithashtu, si material i drunjtë, është restauruar dhe konservuar kënaqshëm mimberi, duke nxerrë në pah teknikat e kohës dhe dekorimet e pikturuara. Ndërkohë, në këndin juglindor, të vret sytë një kursi e ndërtuar me materiale komerciale duke zëvendësuar kursinë e vjetër, që ishte aq elegante, sa nuk vihej re.

Për cilësinë e punimeve restauruese dhe konservuese në Xhaminë e Ethem Beut, duhet të flasin kritikë specialistë, pasi ata mund të vërejnë me kompetencë cilësinë e punimeve aty. Deri kur dikush nga komuniteti i specialistëve restaurues, apo i njohësve të arkitekturës dhe i arteve të aplikuara në xhami, të marrë hapin për të shtjelluar profesionalisht punën e kryer aty, me sukseset dhe mangësitë, ne po ngremë zërin për këtë anomali konkrete, e cila nuk duhej të ndodhte. Futja e elementit kompesatë, apo emtiev në mobilimin e një objekti dyqind vjeçar, ku janë shpenzuar qindra mijëra euro, është një shaka e turpshme. Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për përdorimin e një materiali të papërshtatshëm për restaurime, por kemi të bëjmë me zëvendësimin e një objekti.
Kursia origjinale është e kohës para ndryshimit të rregjimit, ndryshim që mundësoi hapjen e objekteve të kultit. Me siguri që prania e saj duhet të jetë e shënuar në procesverbalet e institucionit të Monumenteve të Kulturës. Pas mbylljes gjatë diktaturës, Xhamia e Ethem Beut i është nënshtruar restaurimeve të pjesshme disa herë si monument kulture, nga specialistët e shumtë që kishte ky institucion. Kujtojmë këtu ish-kryeministrin Aleksandër Meksi, i cili në vitet 80’ ka publikuar edhe një punim shkencor mbi arkitekturën dhe historikun e xhamisë në revistën “Monumentet”. Inventarizimi i kursisë, si një nga elementët kyçe të një objekti sakral, shënon dhe një moshë të përafërt të saj. Kursia është një vend i posaçëm, në rastin e Xhamisë së Ethem Beut, në kënd të mihrabit, vendit nga ku drejtohet lutja rituale, ku mbërrihet duke u ngjitur disa shkallë, dhe prej ku predikon hoxha para namazit të xhumasë apo në raste të tjera. Ky lloj predikimi njihet si vazë, dhe predikuesi si vaiz.

Zëvendësimi i dyshimtë i kursisë ngjall dyshimin se edhe në aspekte të tjera, punimet apo materialet e përdorura mund të mos jenë njëmend ato që janë në dispozicion të restauratorëve profesionistë. Dikujt mund t’i kujtohet një debat shterpë në rrjetet sociale, i cili u amplifikua edhe në media, për ruajtjen apo jo të një copëze murale ku është vizatuar ylli që dikush e quante të Davidit, por që në fakt simbolizon Yllin e Solomonit. Fatkeqësisht, debati për cilësinë e punimeve restauruese dhe të konservimit të objekteve dekoruese e mbërriti kulmin e tij në ruajtjen apo jo të një simboli, që bashkëlidhet edhe me një traditë tjetër fetare. Sigurisht që ylli, aty në një skaj të pavërejtshëm është në vendin e tij, por mungesa e kursisë, që është si “trau në sy”, nuk u vu re nga “specialistët” e internetit. Mungesa e kursisë, ose më saktë, prania e një replike butaforike prej kompesate llamburitëse nga shkëlqimi nuk i ra në sy as Kryeministrit Rama në dy vizitat e tij në xhami, sëbashku me ministren dhe me një dyzinë burokratësh.

Ndërsa funksionarët e KMSh as që mendohet që ta kënë venë re mungesën e kursisë. Në një intervistë të afro një viti më parë të Myftiut Luli, ai lavdëron cilësinë e punimeve dhe “mungesën e tjetërsimeve “, por harron se objekti ku duhet të qëndrojë për të ligjëruar, ai apo ndonjë kolegu tij, nuk është më ai origjinali por diçka e kontrabanduar. Le ta lëmë të flasë vetë ai për produktin përfundimtar të punimeve, që edhe pse titullar, flet siç duket, pa pasur paraprakisht një relacion të përfundimit të punimeve.
Në një prononcim për ATSH-në Myftiu i Tiranës, Lauren Luli deklaronte: “Pjesa më e madhe e xhamisë është e mbuluar me shkrime të Kur’anit, 99 emrat e Zotit ndodhen në kubenë e xhamisë. Edhe mbi dritare ka shkrime të rëndësishme dhe thënie profetike. Simbolikë tjetër e rëndësishme është edhe foltorja ku kleriku mban çdo të premte shërbesën fetare. Në brendësi të objektit është edhe ballkoni i faltores së grave, që edhe kjo sikurse foltorja, janë prej druri dhe është ruajtur me shumë kujdes i njëjti material pa u tjetërsuar. Ka pasur shumë dëmtime, deri në degradim, dhe janë hequr disa shtresa të lyera me bojë dhe nga lyerja me gëlqere të bardhë tashmë është kthyer ngjyra kafe, sikurse ka qenë edhe ngjyra origjinale. Kjo xhami është ringjallur me gjithë origjinalitetin e vet”.
Comments