Hafizi Shiraziu





Sheh Muharrem Mitrovica

Hafizi Shiraziu ka qenë i pagëzuem Hoxha Shemsuddin Muhamed dhe ka jetue në kohnat e sundimit të dinastisë Ali Muzaffer (1294-1392). Ai mbasi mbaroi ditunitë e mesme dhe të nalta në Shiraz, u muer me dhanje mësimesh të sa e sa nxansve, si një hafizi Kur-an dhe theollog i famshëm, në medresen qi kishte ngrehun postafat për tè Kryeministër i Shahu Shuxhaaut, Kivamuddin Hasani, i cili Hafizin e kishte rritun dhe e sipathizonte së tepërmi.

Hafizi, si dijetar i thellë në Hadith dhe Tefsir ka pas bamun nji “Hashije” (not marginale) Tefsirit të Kazi Bajzaviut, nji raport të përsosun “Qesh-shafi Zemahsheriut” dhe sa e sa vepra të tjera. Buja dhe dinjiteti i Hafizi Shiraziut u përhap n’an’e kand të botës, sa qi emni i tij përmendesh me simpathi të madhe prej të gjithve.

Në ditët ma të shkëlqyshme të kohnave, kur Hafizi ndodhesh në krye të shërbimit tue dhanë mësime, vdiq Shahu i Semarkandit dhe si trashigimtare la të bijën e vetme qi ishte tepër e bukur dhe e hijshme. Hafizi, këtë lajmë e kishte ndigjuë prej udhtarve t’ardhun nga Semarkandi të cilët aqë shum e smadhojshin bukurin e princeshës trashigimtare, sa qi ky në absans e ndjeu zemrën e tij të prekun e të pushtuëm me dashunin e asaj bukureshës së pa shoqe!

Një kohë të gjatë ai vujti së tepërmi nën brengën e mallëngjimit e të dashurisë qi mbëshefte në kandet ma të thella të zemrës së tij, por ma në fund nuk mundi të durojë dhe vendosi t’a takojë, t’a shofi me syt e ballit perëndeshën e andërrueme. Nji dit prej ditësh, kur ishte tue dhanë mësimet e zakonshme në Medrese, u mendue shum dhe në mjesnatë mbasi ndroi petkat, veshi një hërkë në trup, vuni nji qylah në krye, si nji kalender dhe hiku prej Shirazit tue u nis në kambë drejt rrugës së Semarkandit. Populli i Shirazit ngel i habitun dhe gjith bota asokohe, u çudit nga humbëja misterioze e këtij dijetari të shquem.

Në Divanin e tij ka shum vjersha qi shpjegojnë këto ndodhina plotvuajtje, por neve këtu do të mjaftojmë vetëm me përkthimin e do pjesve qi po botojmë ma poshtë:

Ej ba gami Tu mara pejvendi lajezali,

Kad daa fi hevaqe ymri ve laubali.

Ez abi dide jara, shyd razem ashiqara,

Irham ala dumui, ja men alimte hali.

Men terqi din-u dynja qerdem zi arzujet,

Xhaveztu fi hevaqe an hybbi xhah ve mali

Hafiz egjer bimired ber khaqi asitanet,

Kad sare dha hajatin qanet bila zevali.

             Qi don të thotë:

O Ti qi me brengën t’ande kemi lidhje né përjetë!

Me ashkun t’and na shkriu jeta dhe nuk themi çka na gjetë

Sirri tem u duk O jar! prej ujit qi më rjedh nga sytë,

Mëshiroji lotët e mi, ti e dij qi jam i Ytë.

Dinin lash edhe dynjanë, nga qi Ty të dashuronjë,

Ç’jan’ Ofiq’ e pasunina, as nuk du’ t’i mendonjë.

Mbi dhenë, qi shkel kamba jote sikur të vdesë Hafizi shkretë,

Me të vërtet jetën e jetve, ai at-herë e ka gjetë.

Mbas nji udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, ai mundi të mbërijë natën mbi një kodër, në s’kanjë kryeqytetit Semarkand, prej ku shiftelehtë nëpër rrezet e dritave xhixhëlluese, panoramën e qytetit. Ashtu, si ishte në kambë, i hodhi nji vështrim e përnjiherësh i tërhoqi vrejtjen nji pallat madhështor, ndriçimi i shkëlqyeshëm i të cilit shpërthëntë nër të katër anët. Rrezet e fenerave të mëdhej depërtojshin edhe skutat ma të strukuna. Oborri i gjanë përmblidhte lloj lloj lulesh plot me erna të kandshme. I zhytun ndër mendime filluen t’a shtyjnë kambët për tëposhtë, e tue kalue për mes shtëpiash të denduna, po i afrohesh pallatit mbretnuer, pranë të cilit i duhesh me doemos të vendosej. Ai tue u largue pak, ndeshi në nji rrugicë, qi të çonte në nji pyllishte të braktisun, ku nji drit e venitun magjike delte nëpër nji dritore të vogël të nji ndërtese të vjetër. I afrohet dhe me njiherë e kupton se nuk ishte e banueshme, por nji Tyrbe, vorr i ndonji shéjti , qi dikur do të kishte bamun mrekullina ndër këto vende legjendare e prrallore.

Çeli portën, me ngadal, hyni mbrenda me përuljet e zakonshëme dhe mbasi fali dy reqat nemaz, iu lut shpirtit të shénjtit qi t’i mbarojë qëllimin dhe t’i plotsojë dëshiren e zemrës. U ngrit herjet, pastroi e fshini an’ e kand Tyrben, dhe bujti tre net në këtë vend të bekuem. Çdo nat me lutje e falje kërkonte përmbushjen e qëllimit dhe dëshirës q’e kishte shtynun me ardhë deri në këto vise të panjohuna…

Të tretën natë, afër agimit i u shfaq në andërr shénjti i Tyrbes tue i thanë: Hafiz, ndigjomë! Baj si bane në Tyrben t’eme, shko fshi e pastro rrugët para pallatit tre net rreshtë e ke me pà at-here qi do të plotsohet qëllimi ytë.

Hafizi u quhe menjiherë plot gzimë, në zemër ndinte të rrafuna enthusjazmi. Në këtë gjendje ai kaloi tan ditën tue pritë me padurim. Me gjith qi hante me pakicë nga gjanat ushqimore, qi kishte marrë me vehte, nuk donte me dijtë as pak për këtë vujtje trupore. Ai priti natën plot shpresë dhe në të thyme të sajë duel nga Tyrbeja, shkoi pranë Pallatit të Princeshës trashigimtare, fshini me kujdes rrugët q’e rrethonin, hyni edhe mbrenda dhe pastoi oborrin e Pallatit.

Në mëngjes kur personeli i pallatit u zgjuen nga gjumi pà me habi të madhe se oborri ishte fshi e pastrue, si me thanë prej xhindve. Ata, për herën e parë nuk i dhanë randësi, por kur panë se kjo ngjarje e pa pritun edhe e pa shpjegueme u përsërit natën e dytë, atëherë Ministri i Oborrit Mbretnuer i a raportoi çashtjen Princeshës Trashigimtare e Fronit.

Princesha u çudit nga kjo ngjarje, sa magjike aq edhe fantastike, dhe desh me marrë vesht qëllimin e njëkohësisht m’e shti në dorë vepruesin misterioz. Ajo u dha urdhna kategorike rojeve të Pallatit, qi me doemos t’a kapin fantazmën e natës dhe pa shikue kohë ose orar t’ia çojshin me njiherë përpara asaj.

..vijon

Revista “Njeriu” nr.12, 1944

Comments

Your email address will not be published.