“Harta e ligjërimit” dhe më tej*





Roald A. Hysa

Dalja së fundmi e librit “Harta e Ligjërimit Islam bashkëkohor tek Shqiptarët” është edhe prurja më e fundit mbi të cilin tashmë kanë nisur diskutimet rreth kësaj teme. Hoxha Sabahudin Jashari ka hapur me këtë libër një temë shumë të vështirë për vetë faktin se si libër është botim i parë në këtë fushë, ku autori jo vetëm që flet si hoxhë i përgatitur, por edhe pas një përvoje shumëvjeçare në fushën e davetit. Ajo çka pretendohet nga autori në titull dhe në faqet e këtij libri mund të themi se ia ka dalë të vendosi gjurmët e një harte të vërtetë të këtij ligjërimi, qysh nga titujt dhe nëntitujt me të cilët ai i ka trajtuar problemet, që ka hasur gjatë rrugës. Në pjesën e parë S.J. është marrë me platformën konceptuale dhe i ka kushtuar një vëmendje të veçantë karakteristikave të civilizimit bashkëkohor dhe prioriteteve të nevojshme apo të domosdoshme, ku i ka kushtuar pak rreshta edhe domosdoshmërisë së kultivimit të atdhedashurisë në trojet tona. Me sa shohim nga formulimi dhe ndërtimi vërejmë se me shumë dashamirësi S.J. ka vendosur piketat e nevojshme, gjithnjë sipas autorit, të rrugës apo gjurmëve për të ndjekur. Pra, secila prej tyre mund të merret dhe të zgjerohet, si p.sh. fjala vjen te “Globalizmi dhe atdhedashuria”, që e sheh si prioritet dhe zhvillon po në këtë syth më shumë globalizmin dhe më pak thjesht në një fjali atdhedashurinë. Por këtë të fundit e zhvillon më tej edhe në rreshtat në vijim, por mendoj që duhej ta kishte zgjeruar më tej gjerë e gjatë këtë temë. Pra, S.J., duke qenë se na ka sjellë një gamë të gjerë problemesh është munduar t’i përmbledhi dhe t’i sistematizojë duke iu përmbajtur metodologjisë së ndjekur nga dijetarët islamë.

Kjo duket edhe në bibliografinë e pasur e vendosur në fund të librit dhe titujt të cilëve iu është referuar. Referencat nëpër sythe janë vendosur dhe me sa shihet S.J., i cili ecën në gjurmët e traditës së hoxhallarëve klasikë i ka vendosur me kujdes sidomos referencat e haditheve dhe të ajeteve kuranore për të pasur një bazë të mirë të këtij punimi e më pas të vazhdojë më tej.

Një kapitull i veçantë i është kushtuar prioriteteve të përkohshme, apo mund të themi të gjithë atyre problemeve shqetësuese, ku duhet të mbizotërojë “urdhërimi për mirë e ndalimi nga e keqja”. Mund të përmendim këtu devijimet morale, lakuriqësia, hashashi, homoseksualiteti, fenomene për të cilat duhet treguar një vëmendje e posaçme.

Po ashtu e gjithë platforma e ngritur në këtë libër është pikërisht ajo e vendosjes së gjurmëve ku është ecur më herët me rrugën e Profetit Muhamed Alejhi selam, sahabet e ndritur, imamin e madh Ebu Hanifen, Ghazaliun e deri te Hafiz Ali Korça një nga dijetarët më frymëzues për të gjithë brezat pas tij. Pra, me pak fjalë autori i ka përfshirë të gjitha temat e mundshme për t’u përfshirë në këtë libër dhe i ka qëndruar besnik synimeve të tij. I gjithë libri është i vendosur në kuadrin e një këndvështrimi social, i cili ka në qendër të vëmendjes ligjëruesin dhe temat ku duhet të vendosi mendimin dhe artikulimin e tij ky ligjërues. Gama e temave është shumë e gjerë si nga pikëpamja kohore, po ashtu edhe mënyra e qasjes. Ajo çka do të bëja vërejtje është që na duhet të kemi parasysh terrenin dhe vendin ku punojmë dhe për këtë do të ndaloja pak më shumë në pikat në vijim

Ligjërimi dhe mendimi politik islam

Ndërkaq do të doja të bëja disa vërejtje apo sugjerime më mirë në këtë drejtim dhe jo thjesht për librin që kemi në duar, por gjëra që duhen patur parasysh edhe nga studiuesit e hoxhallarët në të ardhmen. Ligjërimi Islam në trojet tona është i hershëm, qoftë për çështjet e mendimit politik nacionalist, apo të debatit politik, duke nisur me Rilindjen Kombëtare e duke vazhduar deri më 1944 kohë kur komunizmi e merr tashmë pushtetin de facto e de jure së bashku. Janë disa hafizlerë që e kanë mbajtur gjallë debatin me shoqërinë dhe jo vetëm në revistën Zani i Naltë dhe Kultura Islame siç është artikuluar rëndom. Hafiz Dalliu është njëri prej tyre me gazetën Xhoka dhe pastaj Dajti, ku te kjo e fundit gjejmë jo vetëm Dalliun, por edhe emrat e Behxhet Shapatit dhe të Hafiz Ali Krajës, të cilët kanë pasur shkrime të rregullta, së bashku me Hafiz Dalliun për probleme të ndryshme. Në vitin 1923 hapet në Parlamentin Shqiptar problemi i ndalimit të mbulesës së grave muslimane nga deputeti Ali bej Këlcyra, dhe që u kundërshtua gjerësisht nga deputetë të tjerë, ku ndër to dallon Fan Noli. Po ashtu dallojnë shkrimet e dr. Behxhet Shapatit mbi ligjin e krahasuar dhe ku nxjerr në pah që në Francë gruaja ka probleme në trashëgimi, ndërkohë që në ligjin islam jo. Në këtë periudhë kemi titujt “Bolshevizma  a çkatërim i njerëzimit”, “Shtatë endrrat e Shqipërisë” të Hafiz Aliut, po ashtu poemat satirike Grenzat e Kuqe, Dokrrat e Hinit të Hafiz Dalliut, e më pas po prej tij kemi “Patriotizma në Tiranë” një doracak me info të rëndësishme për Lëvizjen Kombëtare. Në vitet 1930 del edhe libri “A e pengon feja bashkimin kombëtar” të Hafiz Ali Krajës, e po ashtu Zani i Naltë nëpërmjet debateve dhe qëndrimeve të veta kthehet në burimin themelor të Ligjërimit Islam dhe të mendimit politik konservator. Një studim të mirëfilltë deri tashti nuk ka në këtë drejtim, me gjithë përpjekjet që janë bërë për të nxjerrë në pah figurat e Hafiz Ali Korçës dhe të Hafiz Dalliut.

Kontributi me shkrime dhe mendime vazhdon edhe revistën Kultura Islame, por edhe me revistën Njeriu (drejtor Sherif Putra), e cila përfaqësonte për kohën që doli një grup tarikatesh, porse që u mundua të sjelli një mesazh të ri, duke përfshirë edhe pena si poeti e filozofi Ferid Vokopola, shkrimtari Haki Stërmilli, avokati e poeti Kristo Floqi, studiuesi Vasfi Sami Visoka, prof. Vexhi Demiraj, Filip Ndocaj, Beqir Haçi, Vexhi Buharaja etj. Në faqet e saj u botuan edhe shkrime të Fan Nolit, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Lumo Skëndos etj.

Revistat Xhoka (Hafiz Dalliu, Haxhi Jusuf Banka), Udha e s’Vërtetës (Hoxha Kadri Prishtina) e Reforma (Baba Ali Tomori) qenë jetëshkurtra dhe nuk patën ndonjë impakt të ndjeshëm në publikun shqiptar. Ka edhe më për të shkruar në këtë temë, por shembujt besoj se mjaftojnë, për t’i pasur sadopak parasysh.

Instrumentalizimi i Tarikatit

Të flasësh për tarikatin apo frymën e parë të tij sufizmin është një histori e gjatë jo vetëm nga ana doktrinore apo edhe e zhvillimit të tij. Historia e Islamit në Rumeli është e lidhur ngushtë edhe me tarikatet, të cilët në atë kohë përfaqësonin shumë mirë edhe një pjesë të madhe të jetës kolektive e sociale, ku Kadiritë kishin nën kujdestari shpirtërore esnafin e Tabakëve, dhe Bektashinjtë kishin nën kujdestari oxhakun e Jeniçerëve, dhe një nga tarikatet më të përhapura në Perandorinë Osmane ka qenë edhe ai Halveti, me disa nga degë të vetat edhe në trojet shqiptare. E përbashkëta e sufizmit si frymë e tarikatit dhe e zhvillimit të tarikateve janë praktikat sufite të dhikrit kolektiv, ilahitë kushtuar udhëheqësve (Pirëve) të tarikatit, vallja mistike (semaja) dhe muzika sufi. Nëpërmjet tyre shejhët dhe dervishët sufi impononin vijat morale dhe rrugët e trasuara nga të parët e tyre, si Haxhi Bektash Veliu, Omer Halvetiu, Abdul-Kadër Gjejlaniu, Saadiu etj. Ndërsa te pjesa e hoxhallarëve sufi kemi zhvillimin e Mevludit qysh herët në Perandorinë Osmane, por edhe në trojet tona, ku trashëgojmë një seri Mevludesh nga disa hoxhallarë të hershëm e deri tek Hafiz Ali Korça e Hafiz Dalliu etj. E gjitha kjo u përkthye në tradita të ndryshme muslimane sipas vendit, ku ndër to bëjmë pjesë edhe ne shqiptarët me gjithë peripecitë historike nga pavarësia e këndej. Aderimi në tarikat ka qenë një tipar i kohës dhe i periudhës së sundimit osman edhe në trojet tona.

Instrumentalizimi politik i tarikateve në Shqipëri u vërejt shumë gjatë Luftës II Botërore dhe do të shohim përfaqësues të tyre së bashku edhe me disa hoxhallarë kaluan në krahun e FNÇ. Hafiz Musa Ali Basha si dhe shumë të tjerë asokohe u ndikuan shumë nga fryma e progresivizmit e futur gjerësisht qysh në epokën e monarkisë shqiptare nga lëvizja komuniste vendase me Ali Kelmendin, Behxhet Barbutën, Riza Cerovën, Kosta Çekrezin etj., ku kjo lëvizje më pas do të kalonte nën kontrollin e emisarëve komunistë jugosllavë Miladin Popoviçi (alias Ali Gostivari) dhe Dushan Mugosha (alias Sali Murati) e më pas do të vinin të tjerë emisarë.

Tashmë është një fakt historik që në krah të tyre u vendosën edhe figura të tarikatit bektashi si Baba Faja (Mustafa Xhani) e baba Fejza, si dhe ish-kryegjyshi Dede Myftar Ahmeti, i cili kishte qenë në radhët e partizanëve, të cilët u vunë në shërbim pa kushte të komunistëve, si gjatë Luftës por edhe pas mbarimit të saj. Teqja Rifaije e Gjinishëve në Peqin u vu në shërbim të FNÇ, po ashtu edhe Teqja Saadije e Pezës. Teqja e Çorrushit në Mallakastër me sheh Ismailin babain e Mehmet Shehut dhe asnjëri prej tyre nuk e mendonte, se po përkrahte armiqtë më të egjër të fesë dhe të njeriut, serbo-sllavët dhe ideologjinë marksiste-leniniste shkatërrimtare për fenë. Ata mendonin se po e bënin për atdheun dhe përparimin e vendit. Po ashtu kemi edhe në krahun tjetër të politikës nacionaliste edhe hoxhallarë e baballarë tarikatesh, që ishin antikomunistë dhe luftuan kundër ideologjisë bolshevike. Pasojat e këtij instrumentalizimi politik pa kushte nga shejhët e tarikatit dhe nga disa hoxhallarë janë të prekshme edhe sot. Në disa zona të thella të vendit tarikatet nuk përfaqësojnë asgjë më shumë sot, se sa kultin e vendeve të mira dhe të tyrbeve apo varreve, për këtë mund të përmend Teqen e Buzmadhes-Kukës, apo dhe tyrbe nëpër mjaft fshatra të zonës së Tropojës dhe Kukësit (Ibrahim Kadri Malaj- Besimet fetare në Tropojë, dhe Shefqet Hoxha mbi ndarjet fetare në Lumë), po ashtu edhe në jug të vendit Teqen e Dede Reshat Bardhit në Sarandë, apo të Kuzum Babait në Vlorë. Pra, tarikatet sufije në këto momente në Shqipëri edhe diçka më gjerë në trojet shqiptare, nuk janë fare në atë lartësi që ka qenë, për shkak edhe të ndryshimeve që ka sjellë moderniteti, qoftë nga ana doktrinore apo edhe praktike.

Njeriu i ri dhe komunizmi

Sipas S.J. regjimi komunist ndoqi në procesin e krijimit të njeriut të ri dy nënprocese, atë të demonizimit dhe shenjtërimit, që më shumë janë frymë përcjellëse se sa mekanizma të një zbërthimi social. Demonizimi dhe shenjtërimi shkojnë së bashku dora dorës, dhe shërbyen më tepër për të krijuar kartën e superioritetit moral për të gjithë aktivistët komunistë (e njohur edhe si skema bardhë e zi-ku ideologjia markiste-leniniste me anëtarët e partisë komuniste ishin e bardha dhe të gjithë të tjerët ishin për pasojë armiqtë e popullit- e zeza), që u morën me ndërtimin e shoqërisë së re, që do ta karakterizonte të gjithë Lindjen Komuniste pa dallime kufijsh apo etnish. Etiketa më e rëndomtë në këtë zbërthim social i bazuar në një program të mirëfilltë ishin “armik i popullit” dhe “klasat e përmbysura”, ku këtu futeshin pa dallim të gjithë klerikët e komuniteteve fetare. Këto dy terma u përdorën gjerësisht gjatë të gjithë periudhës së regjimit komunist. Për ta zhvilluar më tej zbërthimin mekanik të popullsisë me të ashtuquajturën “luftë e klasave” u përdor platforma e “luftës kundër zakoneve prapanike” dhe “emancipimi i gruas”. Përça e sundo- ka qenë një nga marifetet më të zakonshme për të gjithë shoqërinë shqiptare, e dominuar nga lufta e klasave. Lufta kundër fesë islame dhe institucionit të saj kryesor, u bë në mënyrë të padeklaruar fillimisht deri sa do të degradohej ky institucion së bashku me të gjithë rrjetin e xhamive dhe të Medreseve. Një pjesë e madhe e hoxhallarëve u dënuan nën akuzat, se kishin bashkëpunuar me armiqtë e popullit dhe regjimet e mëparshme reaksionare. Shtresa e hoxhallarëve (po ashtu si edhe e baballarëve dhe e priftërinjve) demonizohej si reaksionare, si armike e përparimit, si ruajtëse të traditave të vjetra dhe dëmtuese. Gruaja muslimane u sulmua ashpërsisht pikërisht për mbulesën e saj, dhe shumë të tjera, si emancipimi në veshjen e jetës së përditshme etj. Zhdukja e fesë shkoi gradualisht sipas një procesit të mirëdrejtuar dhe i gjithë aparati ndëshkimor dhe i propagandës komuniste u vu në shërbim të këtij procesi, që do të kulmonte në vitin 1967 me ndalimin përfundimtar të fesë pas 23 vitesh në pushtet të regjimit komunist dhe ky proces shndërrimi identitar dhe fetar do të vazhdonte edhe për 27 vite të tjera në kushte terrori psikologjik e shpirtëror nën kërcënimin e nenit të famshëm 55 të agjitacion e propagandës dhe të ndëshkimit me burgje e internime.

Historia nuk mbyllet me kaq, porse ka shumë për të folur dhe shkruar në këto që u munduam të japim më sipër, sidomos me pjesën e post-demokracisë, e cila kërkon një studim më vete. Kjo për arsyen se ata që morën përsipër barrën e ligjërimit islam patën shumë vështirësi, sidomos duke mos ditur se si do të përthyheshin mësimet islame të trashëguara. Një pjesë e tyre ecën me kuptimin e ngrirë në ato momente kur dolën nga klasat e fundit të medresesë, por që e zhvilluan personalitetin e tyre gjatë kohës së regjimit komunist, duke kaluar nga medreseja në arsimin atesit që iu jepej në shkollat e shtetit të gjithë popullit shqiptar. Besoj se mjafton me kaq për momentin.

*Titull redaksional. Titulli origjinal: “Harta e ligjërimit dhe çfarë na kërkohet më tepër se sa hartës!”

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *