Besnik Sinani
‘Nun. Betohem për penën dhe për atë që ata shkruajnë’ – Kuran, 68:1
Kur myslimanët shqiptarë flasin për “hoxhallarët e traditës” gati në mënyrë ekskluzive i referohen brezave të hoxhallarëve fill para ndalimit të fesë nga komunizmi. Informacioni apo qoftë edhe kureshtja për jetën fetare përgjatë shekujve më të hershëm të prezencës islame në trojet shqiptare është gati e munguar. Edhe historianët shqiptarë të periudhës osmane janë përqendruar në aspekte administrative, por rrallë i kushtojnë vëmendje studimit të jetës intelektuale të myslimanëve shqiptarë apo veçanërisht ulemave. Është domethënëse se edhe midis atyre pak historianëve të cilët janë angazhuar me burime osmane nuk është parë me interes studimi i arabishtes, një domosdoshmëri kjo për studimin e jetës intelektuale në përgjithësi dhe jetës fetare në periudhën osmane në veçanti në katër shekuj të historisë së shqiptarëve. Edhe ndër myslimanët që kanë studiuar arabishten pas viteve ‘90 nuk ka patur prej tyre që të jenë specializuar në filologji apo si historianë të mesjetës, të specializuar pra me dijen dhe metodologjinë e studimit të burimeve për jetën fetare në Shqipërinë osmane. Interesi ka qenë gati tërësisht i munguar. Edhe angazhime të rralla si ai i hoxhë Saimir Ismailit në mbledhjen e manuskripteve apo dokumente me rëndësi historike ka qenë iniciativë personale, një përjashtim pra që vetëm sa thekson trendin e përgjithshëm. Ndërkohë, edhe Universiteti Bedër, i cili supozohej të shërbente për institucionalizimin e dijeve fetare islame në Shqipëri, përfshi dijet për trashigiminë, ka qenë tërësisht i mangët në këtë lëmi.
Ky artikull kërkon në mënyrë preliminare dhe modeste të tërheqë vëmendjen drejt kësaj fushe të neglizhuar studimi, duke hapur paksa dritaren drejt burimeve të mundshme për këtë lloj ndërmarjeje. E bëjmë këtë duke shfletuar katalogun e manuskripteve apo dorëshkrimeve orientale të Biliotekës Kombëtare në Tiranë. Në dallim nga librat e shtypur, manuskriptet ishin detyrimisht më të kushtueshëm, më të rrallë, dhe porositeshin nga elita politike, administrative, dhe e ulemave. Çfarë tekstesh porosisnin këto elita, çfarë tesktesh përdoreshin nga ulematë për mësimdhënie, dhe çfarë na kumtohet nga këto tekste?
Informacione të Përgjithshme Mbi Dorëshkrimet Orientale në Bibliotekën Kombëtare
Në fondin e Bibliotekës Kombëtare gjenden aktualisht 370 dorëshkrime në arabisht, 132 në Turqisht, 38 në Persisht dhe 61 janë me kombinime midis këtyre gjuhëve. Midis këtyre, dy manuskripte i përkasin shek. të 11të, dy nga shek. 14të, 21 nga shek. 15të, 31 nga shek. 16të, 47 nga shek. 17të, 111 nga shek. 18të dhe 65 nga shek. 19të. Të tjerave u mungon data. Ndër manuskriptet e fundit të shek. 18të dhe fillimit të shek. 19të gjenden manuskripte të mbledhura nga vezirët e Shkodrës, Kara Mahmut Pashë Bushatlliu (v. 1796) dhe Mustafa Pashë Bushatlliu (v. 1860). Midis këtyre manuskripteve gjenden prej tyre me lidhje e ilustrime artistike dhe kaligrafi. Ato indikojnë kultivimin e një tradite të mjeshtrave të trevave shqiptare në artin e lidhjes, kopimit, dhe ruajtjes së manuskripteve. Shumica në mos të tëra tekstet në Arabisht janë shkruar sipas fontit naskh të arabishtes.
Përmbajtja e teksteve është e larmishme. Shumë prej tyre janë tekste fetare në fushat e tefsirit, hadithit, mevludit, fikhut, sufizmit, akides etj. Më poshtë do të ndalemi pak më gjatë në këto tekste, të cilat përbëjnë edhe fokusin e këtij artikulli. Tekste të tjera janë në fushat e filozofisë, ku dallon libri i Ibn Sina (v. 1037) Kitab el-Isharat. Po në filozofi gjenden tekste të Ismail el-Halabi, Ibn Malik etj. Gjenden edhe libra gjuhësie, të shkencave natyrore e sigurisht disa volume poezie nga klasikët e poezisë perse, e ndër to të mirënjohurat Bustan, Gulistan, Baharistan, Mexhnun ve Layla, Ḥadikat al-Suada dhe shumë Divane të autorëve si Sadi, Adib Tiflisi, Kasim Anvari, etj.

Midis teksteve specifikisht të dijeve fetare por edhe të tjera gjenden një seri komentarësh, sharh edhe hashija. Sharh nënkupton ndarjen e tekstit në pjesë më të vogla me qëllim analizën dhe shpjegimin më të mirë të kuptimit. Hashija ka gjithashtu kuptimin e shpjegimit, por është më e lidhur me kulturën e dorëshkrimit, pasi nënkupton shënime më të shkurtra informative dhe interpretative në anë të tekstit kryesor. Kjo formë komentari vjen në historinë e skolastikës islame më vonë se tekstet e komentarëve më të zgjeruar, e për rjedhojë u shtohet atyre, dhe lidhet konceptualisht me një gjeneratë më të vonë dijetarësh.
Këto tekste kanë origjina nga vende nga më të ndryshmet, nga Andalusia (apo Spanja e somte) e Veriu i Afrikës, në territoret Osmane, në Levant e gjer në Azinë Qendrore, përgjatë asaj që quhet Rruga e Mëndafshtë (The Silk Road). Disa nga këto tekste janë të dixhitalizuara dhe mund të aksesohen online.
Tekstet Fetare
Disa studiues bashkohorë (si i ndjeri Shahab Ahmed) kanë problematizuar ndarjen e teksteve, kulturës materiale, apo artit të periudhës para-moderne të myslimanëve në fetare edhe jo-fetare. Edhe aspekte të kulturës, artit, arkitekturës, muzikës etj. nuk mund të kuptohen pa ju referuar etosit shpirtëror të Islamit. Një sërë studimesh tregojnë se arkitektura klasike islame tregon njëkohësisht ndërveprim me ambjentin dhe kulturat ku është zhvilluar, por edhe shpreh botëkuptimin mysliman rreth teuhidit, apo monoteizmit. Poezi që u mësohen nxënësve në shkolla, të shkëputura nga konteksti fetar, fjala vjen ‘Fjalët e Qiririt’ të Naim Frashërit, nuk mund të kuptohen të plota jashtë aureolës të simbolikës shpirtërore, ku metafora e qiririt është përdorur. Në këtë artikull kemi dalluar tekstet fetare vetëm në kuptimin e teksteve të përdorur në mësimdhënie, jetën devocionale, apo formulimin e kredos. Ndër të tilla dorëshkrime, disa prej tyre janë të dixhitalizuara në Bibliotekën Kombëtare. Midis tyre gjenden tekste të mirënjohura, si komentari i Sahih el-Buharit, Ripërtëritja e Dijeve Fetare (Ihja ulum el-din) e Gazalit (v. 1111), por edhe tekste më të shkurtëra bazike rreth Islamit, të cilat përdoreshin si bazë mësimdhënieje për tu komentuar nga mësuesit (matn).
Të gjitha përmbledhjet e fetvave apo në përgjithësi tekstet e fikhut reflektojnë pasimin e shkollës Hanefi. Gjenden disa dorëshkrime në fushën e tefsirit, ndër to Tefsiri i mirënjohur i Bajdauit (v. 1319), cili sillte një revizionizëm Suni të tefsirit me ndikime mutazelite të Zamaksharit. Në koleksion gjendet edhe Tefsir el-Xhalalejn i Mahalit dhe Sujutit. Nga Sujuti (v. 1505) gjendet edhe Xhamia el-Segir. Ndër tekstet e akides që gjenden në katalog dominojnë komentarë të tekstit të një prej përmbledhjeje më të njohura të kredos islame në periudhën klasike, akida el-nasafija, apo kredoja e [Nexhmedin] Nesefiut (v. 1142), nga Uzbekistani i sotëm. Gjenden nëntë dorëshkrime të komëntarëve të akides nasafije nga autorë të ndryshëm. Midis tyre gjendet edhe komentari i Imam Taftazanit (1390), i cili përbën formulimin e simbiozës të shkollave më të mëdha të kredos në Islamin Suni, ato të shkollës Maturidi dhe Eshari, simbiozë që u kthye në kredon e pjesës dërmuese të myslimanëve për pjesën më të madhe të historisë së Islamit. Ndër tekstet e dijetarëve të tjerë të mirënjohur të kredos, të cilët sollën këtë harmonizim të diferencave mes shkollave të Esharive dhe Maturidive gjendet edhe ai i teologut, historianit dhe kadiut të mirënjohur osman, Kemal Pasha Zade (v. 1536). Në katalog gjejmë edhe poema të njohura të Sufizmit, si Burda e Busirit (v. 1294) (për një përkthim të një fragmenti të kësaj poeme nga Ferid Vokopola kliko këtu), përfshirë edhe komentarë të poemës. Gjejmë tekste të tjera të njohura të Sufizmi si Lutjet për Profetin Muhamed të Ibn Mashish (v. 1227) dhe Dalail el-Hajrat të Imam el-Xhezulit (v. 1465) (kjo e fundit e dixhitalizuar). Të tre këta autorë nga Afrika Veriore.
Gjeografi, Përfshirje dhe Ortodoksi
Në bazë të këtij vështrimi të shpejtë në katalog, çfarë mund të themi në mënyrë preliminare për natyrën e dijeve fetare në Shqipërinë Osmane? Tekstet e përmendura më sipër, por jo vetëm, i përkasin një shtrirjeje territoriale nga Evropa Perëndimore (Andaluzia/Spanjë) e Afrika Veriore, përgjatë Levantit e Anadollit, gjer në territoret perse të Azisë Qendrore. Historiani Richard Bulliet ka treguar se si, veçanërisht nga shek. 9 gjer në shek. 12, shumë nga dijetarët më në zë të tokave perse, ku u shkruajtën edhe disa nga tekstet bazë të Sunizmit (përmbledhjet e haditheve, fikhut, akides, tefsirit etj.) udhëtuan dhe u punësuan në kolegjet e universitetet kryesore të Levantit (Siri, Palestinë), dhe Mesdheut jugor (Egjipt, Tunizi, Marok). Ata sollën me vete edhe librat e shkruar në territoret perse, çfarë shpjegon edhe familjarizimin dhe përqafimin fjala vjen e teksteve si Ihja-ja e Gazalit në gjithë botën islame, në një kohë kur nuk kishte internet dhe avionë. Historiania spanjole, Maribel Fiero, ka vënë në dukje edhe rëndësinë e udhëtimit në krah të kundërt. Ajo vë re se jo vetëm për ulematë, por edhe për sundimtarët e dinastive që sunduan Spanjën dhe Afrikën Veriore pritej që t’i dedikoheshin dijes duke udhëtuar për të studiuar në territoret lindore si Bagdadi e Damasku. Edhe këta u bënë pjesë e këtij shkëmbimi tekstesh e dorëshkrimesh. Kjo solli që në shkollat kryesore të botës islame dijetarët të ishin të njohur me tekstet themeltare të dijeve fetare që studionin e lexonin kolegët e tyre në anën tjetër të botës. Kjo, thekson Bulliet, solli formimin e një unitetit kulturor të mendimit fetar në një territor tejet të gjerë, në një kohë kur mungonin teknologjitë e globalizmit modern. Dorëshkrimet e gjendura në Bibliotekën Kombëtare na tregojnë se ulematë shqiptarë ishin të inkuadruar kulturalisht në këtë shkëmbim dijesh nga Lindja në Perëndim, pjesë e një eko-sistemi kulturor global shumë shekuj para globalizmit modern. Edhe një poet i vonët si Naim Frashëri, fjala vjen, i cili shkroi librin e tij të parë me poezi (Ëndërrimet) në persisht, mund të lexohej dhe kuptohej nga elitat e edukuara të asaj kohe në territore përgjatë Rrugës së Mëndafshtë (The Silk Road) gjer në Tashkent. Kjo sepse elitat e edukuara të kohës jo vetëm dinin persisht, gjuha e oborrit në Perandoritë Osmane, Safavide, dhe Mogule, por edhe ishin të njohur me aluzionet dhe simbolikat e përdorura nga Naim Frashëri, të cilat origjinën e kanë në poezinë klasike perse.
Së dyti, për kundër pretendimit të përsëritur shpesh pas rënies së komunizmit, se myslimanët shqiptarë kanë qenë ndryshe nga myslimanët e tjerë, apo jo tamam myslimanë, tekstet e katalogut na tregojnë se ata ishin tërësisht të inkuadruar në formulimin skolastik të ortodoksisë sunite të periudhës para-moderne. Kjo përkon edhe me periudhën e shek. 16 dhe 17, kur veçanërisht si reagim i konsolidimit të shi’izmit në ish-territoret synite perse, si pasojë e përqafimit të shi’izmit nga dinastia safavide, Perandoria Osmane filloi energjikisht promovimin e dijeve të Sunizmit. Ky program i afirmimit të Sunizmit reflektonte formulimin gazalian të dijeve thelbësore të Islamit: akide, fikh, sufizëm, si unitet i mendjes, trupit, dhe shpirtit. Edhe në këtë aspekt, tekstet e dorëshkrimeve të gjendura në Bibliotekën Kombëtare indikojnë një gjeografi masive të shtrirjes së umetit, dhe integrim të ulemave të Shqipërisë Osmane në akiden e simbiozës Eshari/Maturidi, në shkollën më të madhe të Sunizmit, atë Hanefi, dhe të teksteve më të përhapura të Sufizmit, si Dalail el-Hajrat apo Burda Sherif. Përkundër pretendimit, pra, të eksluzivitetit, apo ‘Islamit të holluar’ të shqiptarëve, shohim se ulemate ishin të inkuadruar në gjuhët, dijet, vlerat dhe kredon e një bashkësie globale të kuptimit të Sunizmit.
Përtej Bibliotekës Kombëtare
Studimi i trashigimisë skolastike islame të periudhës osmane do të kërkonte shqyrtimin edhe të bibliotekave të tjera, edhe përtej Shqipërisë londineze, me qëllim për të gjurmuar, ruajtur, e studiuar çfarë ka mbetur nga shkatërrimi dhe dhuna mbi myslimanët shqiptarë qysh nga rënia e perandorisë osmane, spastrimi i tyre etnik, shkatërrimi dhe vjedhja e kulturës materiale, e cila vazhdon gjer më sot. Vetëm medresesë Isa Beg në Shkup, kur u themelua në 1468, ju dhuruan nga themeluesi gati aq volume sa ka sot gjithë Bilioteka Kombëtare në Tiranë – 332 volume. Mbas mbylljes për një farë kohe të kësaj medreseje nuk kemi dijeni se çfarë ka ndodhur me dorëshkrimet. Një punë e mundshme kërkimore do të kërkonte sigurisht edhe studimin në arkiva dhe bibliotekat e tjera të Ballkanit, dedikimin për mësimin e gjuhëve studimore, arabisht, osmanisht, persisht, por edhe një rivlersim nga myslimanët shqiptarë të trashigimisë së tyre fetare.
Comments