Besnik Sinani

Ftesë e hapur

Në javët e kaluara kjo faqe i ka dhënë hapsirë një sërë debatesh, së pari me Rudian Zekthin mbi festat dhe të shenjtën, e më së fundmi mbi librin e sapobotuar të Sabaudin Jasharit, me fokus mënyrën se si është adresuar tradita e Sufizmit dhe organizimet e tarikateve të Sufive. Në këtë mënyrë, kjo faqe kërkon të vazhdojë atë traditë që kërkoi të ndërtonte më shumë se 15 vjet më parë kur u nis si projekt: të krijonte një hapsirë ku silleshin, debatoheshin, e analizoheshin zërat, qëndrimet e qasjet e ndryshme brenda bashkësisë myslimane. Kjo faqe mirëpriti dhe u hapi dyert edhe atyre me të cilët moderatorët e saj nuk binin dakort, gjetën në të hapsirë edhe ata që e akuzuan faqen si të devijuar fetarisht, edhe zëra minoritarë brenda bashkësisë, edhe ata që kundërshtonin qëndrimet e saj përballë zhvillimeve politike. Të gjithë ishin të mirëpritur për sa kohë sillnin një qasje të artikuluar mirë dhe respektueshëm.

Kjo faqe dështoi në kthimin e këtij modeli në një model atraktiv edhe për myslimanë të tjerë. Portalet që janë hapur më tej nuk kanë demonstruar të njëjtin entuziazëm për ata që nuk i përkasin grupit dhe qëndrimeve të organizatorëve. Kjo faqe dështoi edhe në modelin e vet-reflektimit kritik. Në këtë lloj aktiviteti disa-vjeçar artikulohen edhe qëndrime për të cilat edhe mund të bëhesh pishman. Personalisht nuk di për ndonjë faqe tjetër myslimanësh shqiptarë që të ketë tërhequr qëndrimet e veta publikisht e po publikisht të ketë kërkuar ndonjëherë falje për ato që ka konsideruar si shkelje etike. Do të gëzohesha nëse dikush do të më njoftonte për ndonjë rast për të cilin nuk kam dijeni. Këtë tërheqje dhe kërkesë faljeje e kemi bërë këtu edhe me njerëz me të cilët nuk kemi rënë dakort. Por ama – jo pa ironi – s’na mbetet veç të na bëhet qefi kur shohim që të gjithë kontribuesit e tjerë në diskutime brenda bashkësisë myslimane kanë qenë përherë drejtë dhe nuk kanë patur asnjëherë nevojë të reflektojnë në mënyrë kritike apo të tërheqin mbrapshtë qëndrimet e tyre. Edhe Imam Shafiu konsideroi mundësinë që edhe mund ta kishte ndonjëherë gabim, por myslimanët shqiptarë – mashAllah – duken të jenë përherë drejtë.

Ky angazhim ka qenë shprehje e besimit tek nevoja e debatit, e reflektimit, dhe e etikës. Kemi kundërshtuar ata që kanë pretenduar se feja jonë kërkon që kritika të kryhet vetëm në privat, sepse historia jonë intelektuale na dëshmon të kundërtën; kemi kundërshtuar klerizimin e predikuesve fetarë, sepse është në thelb anti-Suni, dhe kemi rrefuzuar pretendimin se diferencat e qëndrimeve kërcënojnë unitetin e bashkësisë, duke besuar se kur dallimet adresohen me etikë, ato vitalizojnë bashkësinë. Kjo faqe, edhe pse pa të njëjtin intensitet, mbetet e vendosur të ofrojë këtë lloj hapsire edhe pse shohim gjithnjë e më tepër që grupe nga më të ndryshmet i trajtojnë hapsirat fetare si “tokë e zanun”, shënojnë sinoret, e në këtë proces trajtojnë sferën fetare si treg që duhet kontrolluar.

Duke besuar në rëndësinë e një kulture ndryshe, ftesa në këtë hapsirë të vockël virtuale mbetet sërishmi e hapur: Bujrum. Kushdo që ka diçka për të ofruar, ku reflekton përpjekjen e vet me lexime e mendim, dhe etikën bazike të respektit për të tjerët është i mirëpritur. Me këtë rast jemi mirënjohës që edhe Profesor Rudian Zekthi, edhe hoxhallarët Eduart Shefkiu e Sabaudin Jashari e panë me vend të kontribuojnë në debate të nisura në këtë faqe duke i sjellë shkrimet e tyre këtu. Motoja e kësaj faqeje, siç kam shkruar vite më parë, reflekton vargun e Mevlana Rumit – Zoti ja ndriçoftë shpirtin: “Eja, Eja, Kushdo që të jesh / I joni nuk është karvan i dëshpërimit.”

Në përsëritje të kësaj ftese, e cila ka qenë e hapur qysh në zanafillë të kësaj faqeje, po marr shkas të reflektoj mbi disa nevoja bazike qasjeje, apo metodologjie, me shpresë se mund t’i shërbejnë edhe të tjerëve. Po kufizohem në tre sugjerime të tilla.

Qasje

  • Mos shpik rrotën nga e para.

Kjo shprehje amerikane ‘do not reinvent the wheel’ shoqërohet nganjëherë me një shprehje pasuese, ‘mundohu të ndërtosh makinën mbi rrotat që kanë shpikur të tjerët para teje.’ Kjo na tërheq vëmendjen ndaj disa aspeketeve të rëndësishme. Mbi të gjitha nevojën për të reflektuar, për të njohur vlerën, e më pas për t’u angazhuar në mënyrë kritike me çfarë kanë shkruar të tjerët para nesh rreth çështjes të cilën po adresojmë. Kështu i tregojmë lexuesit seriozitetin e përpjekjes tonë, burimet ku jemi bazuar, çfarë na ka frymëzuar si dhe idetë që mendojmë se duhen kritikuar, riparuar, apo përforcuar. Kjo do të shprehte dhe një nivel të domosdoshëm përulsie ndaj dijes së të tjerëve që na ka ndihmuar në procesin tonë të mendimit.

  • Merr me vete çantën e veglave të punës.

Po huazoj këtu një shprehje të përdorur prej një pedagoges time, me të cilën ajo ka parasysh ofrimin e përkufizmit të termave. Kur flasim për terma konceptualë, ato kanë nevojë të përkufizohen, në mënyrë që t’i tregojmë lexuesit se çfarë kumtesh po përpiqemi të transmetojmë. Terma konceptualë, apo të tilla që përpiqen të shënojnë procese komplekse historike e kulturore shpesh mbartin përkufizime të ndryshme në bazë të cilësisë që autorë të ndryshëm kanë dashur të vënë në dukje. Duke mos e bërë këtë jo vetëm nuk i ofrojmë lexuesit qartësi mendimi, por edhe rrezikojmë të biem në dogmatizëm. Duke ofruar përkufizime të tilla të nevojshme, ato na kthehen në veglat me të cilat ndërtojmë argumentin tonë.

  • Islami është fe e dhunës

Me të drejtë myslimanët indinjohen kur shohin në lajme tituj e mesazhe të tilla. Ata që i promovojnë mund të nxjerrin si ilustrim myslimanë të dhunshëm, por të tjerët ankohen se është abuzive të reduktosh një fe të tërë me një miliardë pasues në karikaturën e krijuar nga një grup i vogël. Me të drejtë myslimanët ankohen se raste problematike gjenden në secilën bashkësi fetare dhe veçimi i myslimanëve në ligjërimin mediatik e politik tregon mungesë objektiviteti dhe përpjekje për të denigruar një bashkësi të tërë fetare. Por myslimanët vetë duhet të evitojnë përdorimin e të njëjta lloj karikaturash, sikur flasin për fe të tjera, ashtu si edhe kur flasin për grupe me qëndrime të ndryshme nga ai i tyre. Kur themi “filan” grup është i tillë apo i atillë, a jemi të sigurtë që cilësia që po i mveshim është cilësi qendrore e dominante e atij grupi fetar, apo thjesht po reflektojmë anësitë tona ideologjike? Do të ishte e rëndësishme që nëse përpiqemi të jemi objektivë dhe analitikë të evitojmë këtë lloj dogmatizmi, reduktimi e karikature, e të përpiqemi në të kundërt që me bujari të synojmë të vëmë në dukje kompleksitetin e nuancat e qëndrimeve të ndryshme nga tonat.

Përpara mbylljes, po shtoj edhe një sugjerim që besoj se kolektivisht duhet ta konsiderojmë si ‘mos’ apo ‘xix’ – siç u themi fëmijve kur duam t’i largojmë nga ndonjë objekt i nxehtë apo i rrezikshëm.

Xix

  • Thirrja “të kthehemi tek Kurani dhe Syneti”

Kjo është një nga parrullat më të përhapura të ligjërimit fetar qysh nga rënia e komunizmit, që sigurisht e kemi të importuar. Zakonisht ai që bën thirrje që “të kthehemi tek  Kurani dhe syneti” e thotë këtë duke nënkuptuar se ai vetë si individ apo grup është duke pasuar besnikërisht Kuranin dhe synetin dhe i bën këtë thirrje atyre që kanë mangësi në këtë drejtim. Ngjan si thirrje legjitime – e kush mysliman do të ishte kundra kësaj thirrje – por në të vërtetë përdoret për të ngritur pidestale për veten dhe për të sulmuar të tjerët. Në fakt myslimanët suni kolektivisht janë në dakordim për nevojën e vendosjes së Kuranit dhe synetit si burime themeltare që informojnë botëkuptimin e tyre fetar. Themi ‘suni’ pasi është bashkësia më e madhe në vend dhe ka dhe konsensus mbi atë se cilat janë burimet tekstuale të synetit. Sunitë pra nuk kanë ndonjë mosmarrëveshje në tekstet themeltare të Kuranit dhe synetit, por në interpretimet e tyre. Kjo ka qenë kështu historikisht dhe do të vazhdojë të jetë po kështu. Sunizmi historik ka arritur të ndërtojë formulime, institutcione, dhe mekanizma për të akomoduar diferencat e interpretimeve. Sunizmi është traditë pluraliste, nuk ka një shkollë të vetme as në fikh, as në teologji, e as në suluk. Ndoshta sfida e parelizuar e bashkësisë së myslimanëve shqiptarë deri më sot ka qenë përqafimi i kësaj fryme pluraliste dhe akomoduese të sunizmit historik. Do të ishte mirë pra që mos të përdoret një parim kaq i nderuar si ‘kthimi tek Kurani dhe syneti’ si vegël sulmi sektar, e si glorifikim i vetes apo grupit. Ne jemi fe që besojmë në luftën kudër egos, jo në glorifikimin e saj.

Në Mbyllje

Pata fatin që debatin e nisur në këtë faqe me Rudian Zekthin ta ndiqja edhe në një sesion në Zoom. Po i jap vetes lirinë ta perifrazoj këtu në fjalët para mbylljes së bisedës, kur tha se më e rëndësishme se rënia dakort është vazhdimi i bisedës dhe i debateve. Nuk besoj se rënia dakort duhet të jetë qëllim në vetvete. Sociologjikisht, dakordimi kolektiv është synim i sekteve, ndërsa bashkësitë janë në mënyrë të natyrshme diverse. Tërë historia e Islamit është dëshmi e suksesit të unitetit në diversitet dhe i dështimit të çdo modeli që ka kërkuar të imponojë veten mbi të gjithë të tjerët. Imam Malik e rrefuzoi mundësinë për të formuluar një qëndrim për të gjithë umetin, e nëse ai e konsideroi veten të padenjë, kjo duhet tu vërë fre edhe të tjerëve. Le të përfshihemi pra në një muhabet të matur mirë me njëri-tjetrin dhe me bujari për njëri-tjetrin. Vetë fjala ‘muhabet’ ka brenda vetes kuptimin e dashurisë – ‘mahaba’. E kush vjen për muhabet pra, bujrum.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *