Sabahudin Jashari

Me emrin e të Madhit Allah, të Urtit e të Drejtit… .

Paqa qoftë mbi Imamin e Etkijave dhe Evlijave, Muhamed Mustafanë, i cili na ka lënë me argumentin e qartë e totalisht të ndriçuar.

Arsyeja se pse po marr mundimin t’i shkruaj këto tre këshilla, për veten time dhe për Vëllezërit e mi Sufinjë, dhe jo vetëm, nuk është pasioni për t’u marrë me sufizmin, as ndonjë bindje e imja se kjo temë përbën ndonjë prioritet të veçantë e akut e për rrjedhojë duhet sqaruar, por as dëshira apo pasioni për t’u bërë pjesë e polemikave të ndryshme. Por ja që nganjëherë njeriu duheshka të përfshihet edhe në ato raste kur nuk do e nuk e sheh të arsyeshme, pra kundër arsyes së tij, edhe pse duket paradoksale.

Pra arsyet janë dy:

Arsyeja e parë: E ndjeva veten të detyruar moralisht të shkruaj këto dy këshilla për të vlerësuar sado pak respektin që dy vëllezër të nderuar e të respektuar  i kanë bërë, përmes kritikave të tyre të respektuara, dy librave të fundit që ka nxjerrë në dritë Shoqata Ardhmëria: “Hartë e ligjërimit islam bashkëkohor tek shqiptarët” me autor shkronjësin e këtyre tre këshillave dhe “Të kuptuarit e Islamit nën hijen e 20 parimeve” me autor Xhumua Emin Abdulaziz dhe përkthim të vëllait dhe bashkëudhëtarit të dijshëm e të palodhur, studiuesit, Shejh Rushit ( Abidin) Mosallari.

Arsyeja e dytë: Mbase, u bë e nevojshme të shtoj dy gjëra të tjera të cilat i kurseva tek libri  “Hartë…”, në pjesën e posaçëruar për tarikatet duke i qëndruar korrekt deri në fund metodologjisë së hartimit të librit, metodologji e cila konsiston në vizatimin e hartës metodologjike në bazë të së cilës besoj se duhet të trajtohet në aktualitetin tonë çdo temë e inkuadruar në këtë libër.

Para se të futem më konkretisht tek tre këshillat, u tërheq vëmendjen Vëllezërve të mi Sufinjë në veçanti dhe të gjithë vëllezërve dhe motrave lexues në përgjithësi, se edhe në këto tre këshilla do t’i qëndroj besnik metodologjisë së respektuar në libër, pra metodologjisë vizatuese të një harte dhe jo asaj detajizuese dhe shteruese, dhe kjo për disa arsye; e para; për të ruajtur harmoninë me metodologjinë e librit, e dyta; nuk besoj se angazhimi me detajet e kësaj teme është prej prioriteteve të ligjërimit islam bashkëkohor në përgjithësi e për rrjedhojë as të miat në veçanti, e treta ,dhe për pasojë; personalisht nuk kam kohën dhe komoditetin e mjaftueshëm për t’u marrë me shterimin e kësaj teme.

Prandaj iu kërkoj ndjesë dhe hallallëk, që në këtë moment, vëllezërve dhe motrave lexues në përgjithësi dhe Vëllezërve Sufinjë në veçanti, për faktin se unë do të mjaftohem vetëm me këto tre këshilla e nuk do të kem mundësi me u angazhu të shkruaj sërish në raste të kritikave të tjera, siç iu kërkoj hallallëk edhe një herë, për faktin se edhe këshillat do të jenë me karakter metodologjik, pra nuk do të hyj në detajet e kritikave për arsyet e lartpërmendura.

Këshilla e pare

Një nga parimet bazë të zhvillimit të një kritike të plotë e të drejtë ndaj një libri, punimi akademik apo kërkimi shkencor është marrja në konsideratë e metodologjisë studimore apo kërkuese që vetë autori i atij libri apo kërkimi i ka besuar. Kjo është një paradigmë, respektimi i së cilës mundëson vlerësimin e drejtë dhe objektiv të librit duke mos i mveshur atij atë që nuk i takon e duke mos i zhveshur atë që është e tij.

Pas një leximi dhe rileximi të dy kritikave që dy Vëllezërit e mi Sufinjë u kanë bërë librave,  konstatova se një kriter i tillë nuk është respektuar aq sa duhet. E them këtë sepse në temën e tarikateve, tek libri ” Hartë…” e gjithë qasja ka të bëjë me metodologjinë mbi bazën e së cilës mund dhe duhet të trajtohen tarikatet dhe nuk ka të bëjë me detajet e zhvilluara në dy kritikat. Pra minimumi që prisja nga dy Vëllezërit e mi Sufinjë, ishte angazhimi me metodologjinë e propozuar ose për ta restauruar, ose për ta hedhur poshtë duke propozuar një metodologji më të plotë, duke besuar se kjo është ajo për të cilën kanë nevojë të ngutshme faktorët e ndryshëm të ligjërimit islam shqiptar.

Sa për ilustrim, instrumentalizimin, si pasojë e parashikuar, në rastin e injorimit dhe të bashkëveprimit jo të duhur me faktin e tarikateve ndër shqiptarët, e kam përmendur në kuadër të trajtimit të arsyeve se pse na duhet të vizatojmë një metodologji të tillë dhe qasja nuk ka për qëllim ta trajtojë si temë më vete, siç nuk ka lidhje si çështje me sufizmin si thelb dhe si koncept. E megjithatë për të vërtetuar se sa evident është ky rrezik mjafton të meditojmë pak se si po trajtohet çështja e sektit bektashian në Shqipëri, duke e trajtuar si fe më vete, si dhe në pasojat kombëtare që ka në perspektivë ky lloj trajtimi. A ka të bëjë ky rrezik vetëm me tarikatet?! Jo, absolutisht. Mjafton të sillet ndërmend fakti i fundit në Maqedoni, ai i themelimit të komunitetit të ri fetar, darul-hadith.

Për të theksuar rëndësinë e vëmendjes ndaj këtij fakti qasja argumenton edhe me traditën e Hoxhallarëve të fillim shekullit xx, veçanërisht me rastin e themelimit të kongresit islam në 1923.

Normalisht se ka shumë fakte të tjera nga historia e largët dhe e afërt që vërtetojnë se sa evident është rreziku, por nuk është ky qëllimi i librit. Megjithatë unë i siguroj Kritikuesit e nderuar, po ashtu edhe lexuesit se në rastin e rishikimit të librit do ta zgjeroj edhe më shumë këtë temë për ta sqaruar edhe me më shumë fakte dhe argumente.

E njëjta gjë, pra mosrespektimi aq sa duhet i metodologjisë mbi të cilën ngrihet libri, vërehet tek kritika e bërë ndaj librit;” Të kuptuarit e Islamit nën hijen e 20 parimeve”.

Autori i nderuar i kritikës lë mënjanë totalisht qasjen briliante e objektive që bën autori ndaj sufizmit në përgjithësi, qasje që autori  e ka bërë jo vetëm tek parimi ku është ndalur Kritikuesi i nderuar por edhe tek disa parime të tjera. Por mesa duket Kritikuesi i nderuar nuk e ka lexuar të gjithë librin. Normalisht e arsyetoj Kritikuesin sinqerisht. Ai është një libër voluminoz dhe kërkon jo pak përqëndrim. Por unë e them me bindje se nëse Vëllai im Kritikues do të arrinte ta lexonte plotësisht librin në fjalë do të ndalej tek gjëra të tjera me shumë vlerë e rëndësi. Ai libër përmban 20 piketa konceptuale madhore mbi të cilat me të drejtë ngrihet të kuptuarit e drejtë të Islamit. Megjithatë kjo nuk cënon aspak të drejtën e çdokujt të ndalet ku t’ia ketë qejfi. Por këtu po flasim për një kritikë që vjen si pasojë e një angazhimi serioz. Shejh Abdulhalik Sherif më ka thënë se Shejhu i tij Abfulfetah Fet’hallah Seidi i ka thënë;”Libri nuk ta jep sekretin e tij derisa t’ia lexosh edhe shkronjën e fundit”

Këshilla e dytë

(Dashuria që vret)

Sufizmi, dhe jo vetëm ( theksoj; jo vetëm, por meqë jemi tek sufizmi), është dëmtuar historikisht nga dy pozicionime ekstreme ndaj tij, nga dashuria e verbër dhe pa kushte ndaj tij si dhe nga urrejtja e verbër dhe pa kushte ndaj tij. Të dy këto qëndrime kanë bërë në shumë raste që thelbi dhe substanca jetike e sufizmit, i cili është thelb dhe substancë e Islamit, të mbulohet me skorrjet dhe mbetjet e fanatizmit ekstrem të dy kahshëm.

Ndërkohë ajo që duhet pranuar është fakti se edhe sufizmi, ashtu si dhe shkollat e tjera juridike dhe akaidike, në praktikë janë produkt njerëzor e për rrjedhojë ka shumë mundësi që në disa aspekte, pak apo shumë, të ketë nevojë të rishikohet dhe të vlerësohet nën hijen e standardit të burimeve absolute hyjnore.

A nuk bëri pikërisht këtë gjë njëri prej Imamllarëve të myslimanëve, në dije dhe në sufizëm, Imam Gazaliu?! Ai, Allahu e mëshiroftë, në një moment, të karakterit gurë kilometrik i tha vetes së tij: “O Gazali, shumë prej këtyre dijeve dhe praktikave janë produkt njerëzor, pra duhet me i fut në sitën hyjnore për të parë se çfarë vlen e çfarë jo. Prandaj si fillim do t’i pezullosh marrëdhëniet me të gjitha këto dije për t’i futur në laboratorin e burimeve hyjnore, Kuranit dhe Sunetit të vërtetë, e për pasojë merr të vlefshmen dhe flak të pavlefshmen”. Këtë metodologji dyshuese thuhet, sipas disa studiuesëve, se kopjoi dhe Dekarti nga Gazaliu, pra nga Gazaliu i cili u fsheh për 10 vjet resht kur kuptoi apo nuhati se pushteti politik i asaj kohe po përpiqej ta instrumentalizonte, siç thonë stusiuesit.

Pra, ne kemi nevojë për këtë metodologji Gazaliane, kritike dhe burimore, për t’iu qasur jo vetëm sufizmit por të gjitha dijeve islame dhe joislame, si ato fetare dhe ato pozitiviste, e kështu do të jemi më të drejtë me veten por edhe me brezat që vijnë siç do të bëjmë të mundur përfitimin maksimal nga e dobishmja dhe mbrojtjen nga e pasakta dhe e dëmshmja.

Këshilla e tretë

Drejtuar jo vetëm vëllezërve Sufi, por të gjithë vëllezërve hoxhallarë e hoxhesha, ftues dhe ftuese, edukues dhe edukuese, pra, veçanërisht atyre që kanë mbartur mbi supe misionin e dijes islame dhe ftesës për tek Zoti dhe feja e Tij, si dhe mbartësve të misionin të edukimit të brezit të ndryshimeve thelbësore.

Vëllezër dhe motra, kolegë dhe kolege, ne jemi  brezi i parë i edukur me Islam në këtë 30 vjeçar postkomunist. Sakaq na ka rënë mbi supe si privilegj dhe përgjegjësi dy misione të mëdha: të jemi model i Islamit për njerëzinë e brezit tonë dhe të edukojmë brezin pas nesh për rolin që e pret.

Vëllezër dhe motra, unë personalisht besoj thellë se brezi pas nesh do të jetë, inshallah, brezi i ndryshimeve thelbësore pozitive në shoqërinë shqiptare, brezi i shpëtimit të njerëzisë shqiptare nga humnera e mohimit të Zotit dhe degradimit moral dhe human, brezi i kthimit të lavdisë së vlerave hyjnore në faqe të dheut shqiptar, brezi i shpëtimit të njerëzisë shqiptare nga pusi i thellë i konfuzionit, inferioritetit dhe keqperceptimit e keqvlerësimit për veten shqiptare. Mirëpo përgatitja e këtij brezi kërkon punë të madhe, të vazhdueshme e të palodhur, e ngritur, kjo punë, mbi themelet e thella e të fuqishme të lidhjeve të forta me Zotin, të vizionit që pushton horizontet, të shpresës që pushton të gjithë zemrën dhe të optimizmit të pafund e vullnetit të paepur. Mirëpo duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se mundësitë i kemi të kufizuara dhe koha ikën pa na dhënë llogari neve. Pra jemi në sfidë me misionin tonë por edhe me kohën dhe kapacitetet tonë. E në finish të këtij misioni arrin vetëm ai që e ka rrugën e qartë dhe energjitë e mjaftueshme . E nëse ti vëlla e motër nuk je dakord me atë Hartë që jemi munduar të vizatojmë për të realizuar këtë mision të cilit i besojmë thellësisht, të këshilloj shumë sinqerisht, me Zotin dëshmitar, të marrësh mundimin për të vizatuar një hartë tjetër që na mundëson të arrijmë bashkarisht faqebardhë në finish.

Pra, ky është misioni jonë realizimi i të cilit do na nxjerr faqebardhë para Allahut të Madh dhe do të përjetësojë kujtimin tonë pozitiv në dynja, sa të jetë dynjaja, në të kundërt kam frikë se hesapin para Allahut do ta kemi shumë të rëndë. Allahu e pranoftë mundin e shkruajtësve, kritikuesëve dhe komentuesëve dhe më në veçanti të punuesëve.

Me shumë respekt dhe konsideratë për vëllezërit e mi Sufinjë, dhe jo vetëm.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *