Eduart Shefkiu
Libri i fundit i hoxhë Sabahudin Jasharit, Hartë e Ligjërimit Islam Bashkohor tek Shqiptarët, siç është vënë në dukje tashmë, përfshin edhe disa faqe ku adreson Sufizmin dhe tarikatet. Në fakt ky punim pason një tjetër libër të botuar po nga shoqata Ardhmëria, ku hoxha Sabahudin Jashari aderon, i titulluar Kuptimi i Islamit nën hijen e 20 parimeve, të ish-nënkryetarit të Lëvizjes Vëllazëria Myslimane, Xhuma Emin Abdul Aziz (v. 2015), ku trajtohen parimet e themeluesit të kësaj lëvizjeje, Hasan el-Benas. Edhe në këtë libër, në mënyrë shumë të ngjashme, trajtohen Sufizmi dhe tarikatet. Këto botime i shtohen edhe artikujve të postuar në faqen e internetit online të shoqatës, të cilat përfaqsojnë të njëjtën frymë. Në këtë mënyrë, së paku në aspektin e trajtimit të Sufizmit, këto libra i ofrohen lexuesit si zgjatime kuptimore të njëra-tjetërës. Fatkeqsisht, ato ofrojnë vazhdimësi të variantit të retushuar dhe denigrues të Sufizmit që ka mbizotërur në ligjërimin vehabi mbi Sufizmin në Shqipëri. Në to Sufizmi është reduktuar si devijim, duke përforcuar ligjërimin me nota të forta negative që i është ofruar publikut mysliman shqiptar qysh nga rënia e komunizmit. Së bashku pra, ato shihen si kontribute nga i njëjti burim që shton keqinformimin, negativitetin, dhe armiqësinë ndaj Sufizmit mes myslimanëve shqiptarë. Në këtë shkrim dua të ofroj për lexuesin vetëm një dritare se si ky lloj botkuptimi është sfiduar edhe vetë brenda qarqeve të Vëllazërisë Myslimane.
Qëllimisht në këtë shkrim të shkurtër nuk po sjell opinionet e dijetarëve të periudhës klasike. Duke qenë se tashmë për lexuesin shqiptar kjo qasje intelektuale e Islamit vjen nga lëvizje bashkëkohore islame, dëshiroj që edhe referencat e mia teologjike t’ia kundrejtoj këtij botimi po me të njejtat referenca, në mënyrë që t’i qasemi problemit aty ku realisht ai ka buruar dhe ka gjetur zgjidhje. E them këtë për arsye se zëra eminentë brenda levizjes së Vëllazerisë Myslimane i jane qasur intelektualisht Sufizmit duke e qartësuar, jo duke e reduktuar apo fashitur, ndryshe nga çfarë në fakt na sjellin së fundmi botimet e përmendura më sipër.
Sheh Seid Haua (v. 1989), rahmet pastë, ka qenë një figurë eminente në debatet ideologjike, dhe teologjike brenda Vëllazërisë Myslimane. Është një prej figurave që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm arsimor, edukativ, akademik, ideor si dijetar dhe udhëheqës në Lëvizjen “Vëllazëria Myslimane” në Siri. Mund edhe të thuhet se po të ishte gjallë do mund të kishte autoritet të ngjashëm për lëvizjen si dhe sheh Jusuf el-Kardaui.
Njohës shumë i mirë i teologjisë, Sheh Seid Haua ka patur njohuri të thelluara në shkencat islame, përfshi edhe rreth Sufizmit dhe tarikateve, gjë që e dallon atë nga komentuesi i librit “20 parimet”. Ai i ka kushtuar një rëndësi të veçantë Sufizmit, me qëllim për ta bërë atë më të kuptueshëm dhe për ta mbrojtur atë nga akuzat, reduktimet, retushimet që në periudhën në të cilën ai jetoi ishin të shumta. Shehu ofronte në këtë mënyrë një trajektore tjetër nga trendi që do të njihej më vonë si “selefizimi i vëllazërisë”. Duhet shtuar se ai njihte mirë edhe kritikat e vehabizmit ndaj Sufizmit, pasi jetoi edhe në rrethet fetare në Arabi Saudite, kur u detyrua të largohej nga Siria, regjimit politik të të cilit ai i kishte shpallur kundërshti. Në librin e tij “Xheulatun fil Fik’hajni el-Kebiri ue-l-Ekber ue Usuluhuma”- Udhëtime në nivelet e kuptimit të fesë dhe bazat e saj – Seid Haua sqaron tre nivelet e Islamit pa të cilat, sipas tij, anëtarët e Vëllazërisë Myslimane do të konsideroheshin të paplotësuar në formimin e tyre fetar. Në faqen 18 të librit ai thotë:
“vërejmë një retorike e cila na habit! … Ata duan që ne të lëshojmë shkollat teologjike te ehli synetit në çështjet e besimit (akide), në fikh dhe në sufizëm të konturuar sipas argumentit. Por për çfarë? Pse? – Gjatë shekujve të kaluar myslimanët janë bazuar në pasimin e imamëve të tyre në çështjet e besimit, fikhut dhe sufizmit, bashkë me rrugëtimin shpirtëror drejt Zotit të Madhëruar. Imamët e tyre në akide janë Ebu El-Hasen El-Eshari dhe Ebu Mensur El-Maturidi, imamët e tyre në fikh jane Ebu Hanife, Shafiu, Maliku, Ahmed Ibn Hanbeli, dhe imamët e tyre në sufizëm Imam Xhunejd El Bagdadi, etj. Të gjithë këta imamë janë të vërtetuar se burimi i tyre është i qartë dhe me bazë transmetimi. Ata prezantuan kuptimin më të mirë të Kuranit dhe Synetit të Profetit a.s. I gjithë ymeti ka rënë dakort në pasimin e tyre, në këtë botë ku trazirat ideologjike ishin dhe janë të shumta”.
Në librin “Kuptimi i islamit nen hijen e 20 parimeve”, në faqen 16, autori, Xhuma Emin Abdul Aziz citon se simptomat më të përhapura dhe më banale janë devijimet sufiste si: frymezimi, inspirimet, përfytyrime, zbulesa, ëndrra… “
Seid Haua me qëllim për të parandaluar keqkuptimet lidhur me temat teologjike dhe lidhjen që shkencat islame kanë me njera tjetrën, siç janë akideja, fikhu dhe sufizmi, botoi një libër tjetër me titull “Terbijetuna el-Ruhije” – Trajnimi jone shpirtëror. Në këtë libër është ezauruar trajtimi i sufizmit dhe i tarikateve, rregullat e tij dhe kushtet sesi duhet një mysliman t’i qaset Kuranit, synetit, shehut të tij, dhikrit, ilahive (semasë) etj, me qëllim – sipas autorit – për të formuar personalitetin mysliman të aftë për të përballuar sfidat e kohës dhe për t’i shërbyer fesë. Ne këtë kapitull adresohet rregullimi i marrëdhënies me këto dukuri, të cilat hasen nga besimtari mysliman dhe në veçanti nga Sufitë, apo udhëtarët për tek Zoti i Madhëruar (saliku). Shiko, për shembull, faqen 162, kapitulli – Ëndrra, Shpalosja, Inspirimi, Kerameti sipas fesë së Zotit.
Në librin “Kuptimi i islamit nen hijen e 20 parimeve”, ne kapitullin “disa ekzagjerime te sufisteve” faqe 113 – autori thotë duke ironizuar: “në tokë jane shtatë ebdale (gjoja shenjtorë që ruajne kontinentet)…
Pa patur mundësinë të ofrojmë këtu një sqarim shterues, duam të vëmë në dukje për lexuesin se ekzistenca e ebdalëve është temë që është trajtuar në librat e teologjise. Do ishte e mjaftueshme per lexuesin dhe për promovuesit e këtij libri, meqënëse vërejmë se referenca më e shpeshte në librat e tyre është Ibn Tejmije r.a, t’i referohen librit Akide el-Uasitije. Në të shehu në fund të tekstit sjell në vëmendje ekzistencën e ebdaleve. Ai thotë, “ prej ymetit të Muhamedit ka të devotshem, mirëbërës, ebdalë etj.”
Në librin “Kuptimi i islamit nën hijen e 20 parimeve” në kapitullin “përshtypje të gabuara”, faqe 119, gjendet përsëri ky prezantim i Sufizmit si i devijuar, e duke vendosur paralelizëm ndërmjet Sufizmit të devijuar dhe tundjeve, rrotullimeve, kërcimeve etj – “a të gjithe sufistet i përkasin kësaj kategorie dhe ndjekin këtë rruge? – a të gjithe rrotullohen, kërcejnë nëpër kuvende dhikri”. Jehona e këtyre përshkrimeve gjendet edhe tek “Harta e Ligjërimit” të Sabahudin Jasharit.
Sheh Seid Haua, në librin e tij Trajnimi Jonë Shpirtëror, në diskutimin për brendësinë e Sufizmit dhe rregullave te tij, në kapitullin e quajtur “Semaja” – dëgjimi që nënkupton ilahitë (me dajre) – sqaron rregullat e formës dhe mënyrës së dëgjimit të ilahive, pra të poezive të sufive. Ai shton se “tundja dhe shkundja” konsiderohen si dobësi emocionale. Si të tilla, këto dukuri që ndodhin gjatë dëgjimit – semasë – te ilahive nuk cilësohen si shfaqje apo dukuri devijimi, sikurse paraqiten në dy botimet, në “20 Parimet” dhe “Hartë e Ligjërimit”. Shiko për më shumë Terbijetuna Ruhije, kapitulli i etikës së Semasë, faqe 227.
Në librin e hoxhës Sabahudin Jashari, kapitulli “ligjerimi islam dhe tarikatet” – ai shkruan se “një nga problemet madhore të sufizmit bashkohor është hierarkia sufiste, e në mënyrë të veçantë gradimi i individit sufist… si dhe marrëdhënia mes shejhut dhe muridit”.
Meqënëse hoxha Sabahudin Jashari e ka prekur këtë temë, ai në parathënien që i ka bërë librit “Kuptimi i islamit nen hijen e 20 parimeve” ka përmendur për fat të mirë edhe shehun e nderuar, Seid Hauanë r.a, duke na lënë të mendojmë se librat e tij do të kenë lënë mbresa pozitive.
Do të shpresoja që ai të ndalej dhe të rilexonte me maturi dhe qetësi librin e Seid Hauasë, “Trajnimi jone shpirteror” kapitulli “çeshtja e shehut dhe bejati (besa)”. Në të sqarohet në mënyrë të bazuar në tekste, forma dhe domosdoshmeria e të pasurit nje sheh të përplotë në rrugën drejt Zotit të Madhëruar, i cili do të ndriçonte rrugën e kësaj bote dhe të ahiretit. Shiko për më tepër faqe 182.
Shpresoj se këto qasje intelektuale dhe profesionale të Seid Hauase r.a, veçanërisht tek libri “Trajnimi jone shpirteror” dhe libri “Xheulatun fi-l-Fik’hajni el-Kebiri ue-l-Ekber ue Usuluhuma” do gjejnë jehonë në mendimin dhe botëkuptimin e autorëve që ndjekin të njëjtin linjë mendimi fetar. Janë dy libra që ofrojnë hartën e ligjërimit dhe të teologjisë Islame. Libri i parë e shikon Sufizmin si domosdoshmëri, duke nxjerre në pah vlerat, dhe duke sqaruar metoden dhe praktikat e Sufizmit nën dritën e ehli synetit. Ndërsa libri tjetër sqaron dhe hedh dritë për teologjinë e ehli synetit, shkencat islame dhe nëndegët e saj, duke i integruar në ligjerimin tonë bashkëkohor.
Mbi të gjitha, shpresojmë që të ketë reflektim dhe ndalje ndaj literaturës që vazhdon të nxisë një mënyrë të shtrembëruar të kuptimit të Sufizmit, të cilat vazhdojnë nxisin përçarje dhe armiqësi mes besimtarëve. Këtu kemi dhënë vetëm shembuj minimalë për ata që frymëzohen nga mendimet e Hasan el-Benës dhe pasuesve të tij, apo edhe Ibn Tejmijes, se ndoshta duhet të ndalin për një moment hovin dhe të reflektojnë vetë burimet e shkollës së tyre.
Comments