Feja si Anti-Festë





Besnik Sinani

Prej vitesh në hapësirat mediatike shqiptare janë ngritur zëra alarmantë që problematizojnë refuzimin e disa myslimanëve për të festuar vitin e ri. Ky refuzim është shënuar me llagapin e njohur të ekstremizmit, dhe bën thirrje për vëmendjen e publikut ndaj rëndësisë së supozuar identitare dhe gjeopolitike të refuzimit. Në thelb, kjo nuk është as më pak e as më shumë se tejzgjatja politike e monizmit si përpjekje politike, e shprehur në insistimin për të imponuar uniformitet kulturor të popullsisë. Në pamundësi për të përdorur teknologjitë imponuese të diktaturës, këta alarmantë kërkojnë të bëjnë shantazh publik duke i apeluar frikës së shpërdoruar të ekstremizmit. Shqiptarët sot mëtojnë të jetojnë në sisteme politike demokratike, që njohin të drejtat e individëve dhe bashkësive të festojnë apo të refuzojnë çfarëdo feste që ata dëshirojnë.

Por ky debat meriton të diskutohet mes vetë myslimanëve dhe kjo sepse festimi i Vitit të Ri ka marrë në mendjet e disa myslimanëve përmasa absurde, duke u prezantuar si një lloj testi teologjik kredoje. Gjykimi mbi Vitin e Ri prezantohet si matësi i asaj se ku fillon besimi e mosbesimi, ku dallohet shenjtërimi i së vërtetës transhendente nga gjëja e rreme, falsiteti, dhe e kota. Këto pretendime nuk shfaqjen vetëm në postera groteskë, ku një mjekrosh plot muskuj grushton Babadimrin mbi një pidestal shkronjash që deklarojnë: MOS FESTO!!!, por edhe në forma diskursive të cilat fatkeqësisht promovohen edhe nga hoxhallarë, njerëz të cilët në bazë të edukimit të tyre duhet të dinin fare mirë që kemi të bëjmë me ngatërrim problematik kategorish të dijeve fetare.

Poster antivitiri

Nuk është qëllimi im të ndalem gjatë këtu e do të shpresoja që këtë punë ta bënin njerëz me formimin e duhur teologjik, por le të përmendim shkurtimisht se festimi apo mosfestimi i Vitit të Ri, si çështje fikhu, nuk mund të përdoret për të determinuar besim apo mosbesim. Ky lloj kaosi kriteresh është refuzuar gjerësisht nga tradita skolastike sunite, sepse është e mirënjohur që historikisht ka prodhuar skizma e devijime.

Në librat klasikë të fikhut, për shembull, përmenden opinionet e shkollave të ndryshme rreth festimit të Atirës në muajin Rexhep të kalendarit hënor. Shkolla Malikite e konsideronin mekruh (jo haram) apo të papëlqyeshme pjesmarrjen dhe ngrënien e mishit që sakrifikohej për këtë festë, ndërkohë që juristët hanbelitë e konsideronin të lejuar, për shkak se nuk ka tekst që e ndalon.

Sa thamë më sipër nuk ka për qëllim vetëm të tregojë që ka diferenca në mendimin e dijetarëve për festa të tjera përveç Bajramit, por edhe për të theksuar terminologjinë e përdorur. Dijetarët kanë folur për ‘e papëlqyer’ apo ‘e lejuar’, terminologji kjo – theksojmë edhe një herë – fikhu e jo kredoje – akideje, fusha e dijes që kategorizon besimin dhe mosbesimin. Por është edhe e rëndësishme të nënvizojmë se këto ligjërime mes disa muslimanëve shqiptarë kanë si veti dalluese monizmin teologjik, që kërkon të injorojë dhe t’i mbivendoset larmisë së mendimit skolastik. Kjo bëhet e qartë në rastin e më sipërm, ku për festa që nuk janë pjesë e mirëfilltë e traditës fetare si Bajramet, ka një shumësi opinionesh e qëndrimesh. Ky është tregues se ligjërime si ato që kemi parë për festat dëshmojnë një nga cilësitë më negative të qasjes fetare mes shqiptarëve, përpjekjen për të shuar multivokalitetin dhe pluralizmin e natyrshëm suni në përpjekje për të imponuar monizëm teologjik. Kjo është jo vetëm në kundërshti me natyrën thelbësore pluraliste të sunizmit, por edhe përpjekje e dëshmuar historikisht si e destinuara të dështojë.

Festimi i Vitit të Ri në Lindjen e Mesme

Rasti i mësipërm, i Atirës në muajin Rexhep, është përdorur nga dijetarë të njohur usulistë bashkohorë si Abdullah bin Beja për të gjykuar si të lejuara edhe festa të tjera, si festimi i pavarsisë së vendit – fjala vjen. Por duhet vënë re se në rastin e mësipërm, fakti se nuk kishte tekst ndalues për festën e Atirës bëri që fukahatë hanbeli ta deklaronin të lejuar. Nëse i kushtohet vëmendje fetvave që përdoren për të ndaluar festa të tjera përveç Bajrameve, ato përdorin mungesën e tekstit si bazë ndalimi. Kjo tregon qartazi që kemi të bëjmë me një qasje të caktuar ndaj teksteve që synon përherë të prodhojë ngushtësi qëndrimesh. Duhet theksuar gjithashtu se edhe pse vete Abdullah bin Beja është maliki, ai ka dhënë fetvanë në bazë të qëndrimit më lehtësues të hanbelitëve, duke anuar nga qëndrimet që lehtësojnë, zgjerojnë, dhe hapin mundësitë e njerëzve, e jo t’i ngushtojnë ato.

Në librin e tij të fundit, Traveling Home (Udhëtimi drejt vatrës), sheh Abdel Hakim Murad (Tim Winter) flet për tenfirin, apo qasjen e disa myslimanëve për të shtyrë të tjerët larg fesë, për të tkurrur hapsirën e mundshme të të qenit mysliman, një zell përjashtues që përzë në vend që të ftojë, që gjykon në vend se të justifikojë, që ngushton në vend që të zgjerojë. Kjo vihet re edhe në përpjekjen absurde për të sjellë debate të ngarkuara me terminologji fetare përballë një publiku normalisht të pa familjarizuar me problematikën e me terminologjinë. Hazreti Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, thuhet se ndaloi dikë t’u fliste njerëzve për kaderin (predestinimin), sepse ajo mund t’i shtynte të mohonin mesazhin e Profetit, paqja qoftë mbi të. Ngulmimi për të sjellë debate mbi festimin apo mosfestimin përballë një publiku më së shumti të sterilizuar nga dekada komunizmi, të huajzuar nga një pjesë e mirë e ndjeshmërive e traditave fetare, është mirëfilli tenfirizëm. A ka nevojë të sqarohet se prirja normale është përherë drejt pohimit e jo mohimit të festës? Por tenfiristët nuk preokupohen fare, sepse sa më shumë qëndrimet e tyre formalizohen si të refuzuara nga shumica, kjo shndërrohet në provën se kanë përqafuar “rrugën e drejtë”.

Të gjitha shoqëritë njerëzore kanë gjetur forma për të shënuar stade të jetës, dhe ato mbartin peshë e domethënie të ndryshme, që nga shënimi i stinëve, i lindjeve, vdekjeve, të hapave të rëndësishme në jetë etj. Një vëzhgues i Islamit prej dekadash, Prof. Kevin Reinhart, thekson në librin e tij të fundit, Lived Islam (Islami i Jetuar), se në dallim nga tradita të tjera fetare, kalendari mysliman i festave është i pakët. Ka studiues, thotë ai, që e kanë konsideruar këtë si mangësi të Islamit, por unë e konsideroj atë si pjesë e forcës së tij. Arsyeja për këtë, vazhdon profesori, është se kjo i ka dhënë mundësi myslimanëve të përqafojnë festa të tjera, e nëpërmjet kësaj të ndërveprojnë me kulturat ku Islami është përhapur. Kjo ka ndikuar në procesin e krijimit të një Islami të jetuar që ka profile të ndryshme kulturore në hapsira të ndryshme gjeografike.

Festa si Nevruzi, fjala vjen, një festë me origjinë zoroastriane, është islamizuar totalisht, dhe në përhapjen e vet nga gadishulli Indian deri në Ballkan ka marrë forma shprehjeje kulturore të larmishme. Myslimanët në territore të ndryshme janë ndikuar nga kulturat me të cilat kanë bashkëjetuar dhe kjo nuk është vetëm normale, por edhe tregues i gjenisë së Islamit. Rapsodët e Malit (griotët) në Afrikë e kanë shprehur këtë duke thënë: Islami është si uji i lumit, uji është i kthjellët, por lumi merr ngjyrën e shtratit ku kalon. Historikisht është treguar se përhapja e Islamit në Indonezi, vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë, ka qenë rrjedhojë e përqafimit nga ana e predikuesve të parë myslimanë të kulturës së teatrit indonezian, traditë kulturore me origjinë hindu, por nëpërmjet të cilit myslimanët popullarizuan mësimet e fesë së tyre.

Kjo qasje tenfiri që demonstrohet në rastin e debatit për festimin e Vitit të Ri është në kundërshti me këtë tendencë historike të Islamit të jetuar dhe mënyrës se si ai është bërë një fe globale. Kjo qasje bie gjithashtu në kundërshti me dallimet e mirënjohura të gjykimeve mbi aktet, si festimi e mosfestimi si kategori fikhu e jo si tregues besimi apo mosbesimi. Nuk është ndoshta për t’u habitur që qëndrimet që pretendojnë të jenë më të sertat fetarisht, mbartin çoroditje të kritereve të njohura të lëmive të dijes. Përcaktimi i festimit apo mosfestimit si test besimi apo mosbesimi është për më tepër shprehje e tenfirit, ndërkohë që modeli profetik është ftues dhe jo që përzë. Së fundmi, këto ligjërime janë shprehje të kësaj qasjeje që fatkeqsisht ka kapluar shumë myslimanë shqiptarë, një qasje që kërkon të shuajë dhe heshtë pluralizmin e natyrshëm të skolastikës islame duke pretenduar ekskluzivitet e monopolizim të së vërtetës fetare. Kjo është një qasje prej së cilës myslimanët do të duhet të çlirohen sa më parë nëse do të duan që feja e tyre të jetë fe e jetuar në marrëdhënie të natyrshme me habitatin ku gjenden. Synimi i shprehjes fetare do të duhej të jetë një prezantim pozitiv për atë që është, e jo negativ për atë se çfarë nuk është: një fe si anti-festë.

Siç është thënë qysh në fillim, debati këtu nuk është në zgjedhjen për të festuar apo mosfestuar. Komercializimi i festave është një tjetër dimension që do të duhej të shqetësonte njerëz me ndjeshmëri fetare. Ajo që jam përpjekur të kundërshtoj këtu është deklarimi i qëndrimit ndaj festimit apo mosfestimit të Vitit të Ri si kriter determinues i asaj çfarë myslimanët konsiderojnë të shenjtë apo të vërtetë, qëndrim që injoron në çoroditjen e vet larminë e mendimit skolastik, dhe vendos gardhe përjashtuese.

Së fundmi, atyre që u lodhën duke lexuar gjer në fund, ju uroj gëzuar Vitin e Ri. Qoftë vit i mbarë e përplot mirësi për ju e të dashurit tuaj. Gëzuar!

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *