Me gjasë kjo anekdotë që po e sjellim këtu, origjinën e ka nga kultura urbane e metropoleve osmane. Kjo jo vetëm sepse në përmbledhje të tilla, prej nga ku e kemi marrë, janë të mirënjohura tekstet që korespondojnë me të ngjashme të tjera publikuar në turqisht, sa për të përmendur prof. Kaleshin, por edhe sepse nga këto mjedise buronin dendur narrativa që mpleksin shkujdesshëm pushtetin, fenë, autoritetet e tyre, etj. Shpesh si instrumenta të përhapjes së këtyre narrativave kanë qenë vetë hoxhallarët, ose persona të tjerë të formuar, në kontakt të rregullt me qendrat e mëdha të Perandorisë Osmane. Interesant në rastin tonë është gjurma e shqipes popullore në një tekst të thjeshtë, një përshtatje në një sintaksë të mjaftueshme dhe komunikative brenda komunitetit ku ka qarkulluar narrativa. Nuk përjashtohet dhe ndikimi i mëvonshëm i zhvillimeve gjuhësore, dhe sa për ta ilustruar, në tekst publikuesi i saj ka përfshirë fjalën “bravo”, një prurje relativisht e vonë e gjuhëve neolatine. Gjithashtu interes shfaq dhe fakti i liberalizmit në trajtimin e çështjeve fetare, në kontrast shpesh me një përfytyrim të pasaktë në lidhje me natyrën fetare të shoqërisë osmane. Duhet thënë se këto lloj anekdotash përfshijnë vetëm figura klerikale myslimane, duke konfirmuar që autoironia ka qenë dhe mbetet një tipar kostant kulturore brenda kësaj bashkësie fetare . Përfshirja e kategorisë së “imanit”, në një situatë groteske, në një farë mënyre shërben edhe si një konfirmim teologjik tek masat popullore, për të kundërtën e domethënies së kësaj përmase besimi fetar, një lloj katekizmi i kthyer përmbys, ku bashkë me qyfyrin, preket edhe metafizika .
Ish kanë ni myderriz, zingjin, por mas ni kohe u fik. N’at kohë mreti i kish pas njerzit e caktuem sa me jau dhanë sadakin nàje. Kur ni ditë, ju shtue njà, se shkoi myderrizi e hini edhe aj n’sadak. E veti mreti:
–He, po ti shka je?
– He, padishah, une jam kanë ni myderriz e zengjin i madh po sod jam fikë edhe jam ardhë e jam hi n’rresht t’sadakxhijve.
Mreti ati kurrgja s’i dha vetëm i tha:
– Banu usta e ha pilaf.
I duel t’nesrit apet n’sadak. Mreti apet gja s’i dha e apet i tha:
– Banu usta e ha pilaf.
Tri dit qashtu. U kujtue myderrizi çka me ba e duel n’ni qetër vilajet e shkoi e u ba pop. Ku u banë tre vjet, u ba ma pasanik sa qi ke përpara. Masi qi e bani pasuninë, ni ditë t’dille shkoi e ra n’kokërr t’shpinës para sabahi n’kishë. Kur erdhën poplli aty, e panë se ish shtri n’kishë edhe ju sollën rreth. Nejti njizet e katër sahat e nuk livriti hiç. Kur u çue, tha:
– M’hini imani n’gojë.
– Qysh t’hini imani n’gojë?
– U munova m’u mbrojtë po m’hini, s’pata ku me shkue ma anejna.
U hap fjala n’popull se filan popit i ka hi imani n’gojë. Njeu edhe mreti. Çoi e e thirri. I tha:
– A je ti filan popi?
– Po.
– A ty t’ka hi imani n’gojë?
– Po.
– Po qysh?
– U bana usta e hangra pilaf.
– Bravo t’koftë – i tha mreti se e muer vesh qi ish qaj myderrizi i parë.
*Marrë nga Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, Rilindja
Comments