Elton Hatibi
Vargu që kam vendosur si titull është i fundit në kronogramin e Xhamisë së Et’hem Beut, murosur në objekt siç e kërkonte tradita, nga porositësi pas përfundimit të saj në fillim të shek XIX. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, pasi vetë ndërtesa e xhamisë si projekt mori një kohë shumë të gjatë, u ndërtua në dy faza, për të rezultuar në përfundim si xhamia më elegante e qytetit. Aq më tepër kur mjeshtërit që e pikturuan, mes kompozimeve të shumta floreale, qendërzuan në muret e saj imazhe fantastike të xhamive perandorake, si për t’i përcjellë publikut lokal përfytyrimin e qyteteve madhështore zbukuruar me xhami, ku Shën Sofia e Stambollit njihej për famën e saj të padiskutueshme. Megjithëse xhamia qëndrore e qytetit deri në shkatërrimin e saj gjatë komunizmit mbeti ajo e Sulejman Pashës, Xhamia e Et’hem Beut, e vetmja në qytet e mbuluar me kupolë plumbi, duket se prej këtyre veçantive krijoi njëfarë rivaliteti tejestetik me atë të vjetrën që ndodhej dhjetra metra më tutje.

Studiuesi i njohur i arkitekturës osmane Machiel Kiel e konsideron Xhamine e Et’hem Beut “një vepër të cilësisë së shkëlqyer”. Duke u ndërtuar në dy faza, siç edhe e përmendëm, ndërtesa ia doli të përfundonte si një monument unik, plotësisht origjinal. Asnjë prej studiuesve që janë marrë me arkitekturën e Xhamisë së Et’hem Beut nuk na thotë nëse projekti kishte një fillesë dhe u realizua në dy faza për arsye të ndryshme, apo projektin e nisi Molla Beu duke e lënë të papërfunduar, dhe i biri, Et’hem Beu, punësoi mjeshtër të rinj, disa dhjetëvjeçarë më pas, duke i përshtatur sallës së lutjeve hajatin krejtësisht origjinal që kemi sot, si dhe minaren. Siç dihet këto të dhëna të përgjithshme i kemi nga kronogramet që shënojnë dy fazat e ndërtimit të mbërthyera në muret e xhamisë, publikuar të plota nga Machiel Kiel, dhe në mungesë të dokumentave apo dëshmive të tjera, janë pothuajse të vetmet informacione mbi historikun e xhamisë.
Interes për veçantinë arkitektonike dhe kulturore të xhamisë është dëshmuar herët. Léon Rey dhe Hasan Ceka publikuan një artikull titulluar “La mosquee de Ethem Beu” në “Albania” në vitin 1935. Mbase ky “ndërkombëtarizim”, sëbashku me imponimin monumental, identitar për qytetin, e ruajti Xhaminë e Et’hem Beut nga vala shkatërrimtare që rrënoi shumicën e objekteve të kultit në Shqipërinë komuniste. Si një monument kulture, xhamia iu nënshtrua restaurimeve të ndryshme gjatë periudhës së komunizmit, duke u shndërruar ngadalë, si pasojë e rrënimit dhe reduktimit të mjedisit përreth saj, në një objekt akontekstual dhe enigmatik, sidomos për brezat e të rinjve të formuar me edukim ateist. Ndërkohë përshkrimin më të mirë dhe harmonik mbi vlerat dhe veçantitë e këtij monumenti, si dhe kontekstin historik dhe kulturor kur u ndërtua ajo, e sjell si kontribut studiuesi Machiel Kiel. Edhe studiuesi Aleksandër Meksi i kushton një vëmendje me ndjeshmëri profesionale Xhamisë së Et’hem Beut. Është e tepërt të theksojmë në detaje vlerat dhe veçantitë e xhamisë kur kemi renditur disa autoritete që janë marrë me këtë objekt arkitektonik, por për ta përmbyllur këtë pjesë të shkrimit do të përmendim sërisht Kiel, i cili dëshmon ndikimin e fortë lokal në kompozimin e hajatit kur thotë se, kapitelet dhe qemerët e saj, të cilat i japin objektit pjesën e luanit si monument, nuk janë të traditës ndërtimore osmane.

Në kompleksitetin e saj arkitektonik, Xhamia e Et’hem Beut është një nga shembujt më emblematik të traditës arkitektonike dhe kulturore osmane tek shqiptarët. Origjinaliteti i saj i cili ndërthur veçantitë lokale, sidomos tek dekorimi, si dhe simetrinë dhe volumet e salles kryesore, si dhe të minares, që vijnë nga konteksti i përgjithshëm osman në ndërtimtari, është trashigimia e gjallë e kësaj periudhe historike në mesin tonë. Megjithatë prej pothuajse dy vjetësh Xhamia e Et’hem Beut qëndron e mbyllur duke shtuar dyshimet mbi fatin e punimeve si dhe për cilësinë e tyre. Sakaq, mungesa e gjatë e frekuentuesve i ka zbehur xhamisë një pjesë të “magjisë” të cilën e bashkëndajnë detyrimisht besimtarët dhe një objekt kulti i tillë. Xhamia e Et’hem Beut nuk është një xhami dosido, pra nuk është vetëm një sallë lutjesh funksionale për besimtarët, ajo fsheh në misterin e saj frymën dhe begatinë e mijera njerëzve që nga brezi i themeluesit të saj deri tek ata të ditëve tona. Pra në një dimension më material Xhamia e Et’hem Beut është ndërtesa që ka pritur më shumë njerëz në Tiranë pavarsisht funksionit të saj. E megjithatë ajo është e mbyllur dhe nuk ka një shpjegim se kur do të jetë sërisht funksionale për publikun si objekt kulti dhe si dëshmi e gjallë kulturore.

Duke qenë kështu ndertesa publike, gjithashtu edhe monumentale, më e vjetra në Tiranë, “profetësia” e Et’hem Beut që xhamia e tij do ta zbukurojë qytetin është përmbushur pothuajse plotësisht. Ashtu sikundër në Stambollin ku dominonte madhështore Shën Sofia, xhamitë më të reja me risitë e gjithanshme arkitektonike nuk ja zbehën famën apo edhe sharmin që i vinte nga e kaluara shumë e hershme e saj. Pikërisht Beu i Tiranës si shembull, apo mbase edhe për shkak të ebxhedit, zgjodhi Shën Sofinë për të pagëzuar xhaminë e tij dhe jo një nga xhamitë e tjera perandorake të Stambollit. Pas një jete më shumë se dyqindvjeçare, kur ndërtesat e tjera përreth apo kudo në Tiranë janë zhdukur, sëbashku me transformimin e padefinuar urban që po traumatizon qytetin, ashtu si në Stamboll shoqja e saj Shën Sofia qëndron më e vjetra dhe ndër më madhështorët si monument, gjithashtu Tirana e betonarmesë dhe demencës, fsheh në gjirin e saj një xhevahir si Et’hem Beu, që zbukuron atë pak qytet që ka mbetur.
Comments