Pas sulmit kundra dy xhamive në Zelandën e Re ku humbën jetën 50 muslimanë, më i riu tre vjeç, ka patur një tentativë për të tërhequr vëmendjen ndaj pranisë së të njëjtës ideologji urrejtjeje në hapsirat shqiptare, kjo e amplifikuar edhe nga vendosja e emrave të Skënderbeut (dhe Gjergj Arianitit) në armën e krimit, si heronj të kriminelit. Transhendenca e Skenderbeut gjer në Zelandën e Re nuk është e rastësishme, por rezultat i pranisë shqiptare në rrjetet ndërkombëtare të urrejtjes anti-muslimane online, prezencë për të cilën kemi tërhequr vëmendjen nga viti 2011. Gjykojmë se kjo përpjekje ka qenë më së shumti e pasukseshme si vazhdim i një politike qeveritare si dhe mediatike e kulturore për të neglizhuar nxitjen e urrejtjes anti-muslimane si dhe për ta normalizuar atë. Në këtë vazhdë po sjellim përpjekjen tonë modeste për ta arkivuar e dokumentuar atë në vite, përpjekje që tregon se gjuha e ekstremit dhe mainstream-it në Shqipëri janë të njëjta në trajtimin e Islamit e muslimanëve. Kuptojmë rëndesën e sjelljes së gjuhës grafike nga gjirizet e internetit, por bëhet me qëllim të demonstrohet se kjo urrejtje është po aq reale sa thirrjet për dhunë kundra muslimanëve.

Tellallët e Urrejtjes Ndërshqiptare – 31/07/2011

Linku: https://www.e-zani.org/2011/07/31/tellallet-e-urrejtjes-ndershqiptare/

Teksa mentorët ideologjikë të Breivik si Robert Spencer dhe Pamela Gellner u distancuan prej tij, në Shqipëri, siç kemi njoftuar më parë, akti i tij terrorist u nderua nga disa si “anti-terrorist”, ndërsa viktimat e tij, më së shumti adoleshentë e ndër të cilët dhe një shqiptare, u damkosën si terroristë. Duhet vënë në dukje që ky terrorizëm publicistik në penën e famkeqit Kastriot Myftaraj, nuk habiti kënd nga ata që kanë ndjekur zhvillimin e retorikës së supremacistëve dhe fundamentalistëve të krishterë në gjirizet e website-ve të urrejtjes ndërshqiptare. Por nuk është për t’u habitur, gjithashtu, që shkrime e K. Myftaraj për “de-islamizimin e Kosovës” gjenden dhe në blog-un Gates of Viena, një nga blogjet e frekuentuar nga kalorësi kryqtar Breivik. Artikulli është përkthyer nga një kontribues i zellshëm i këtij blogu, një shqiptar pro-serb dhe fundamentalist i krishterë, Ilia Toli, gjithashtu edhe doktor i shkencave në matematikë.

Ndërkohë, në një prej këtyre gjirizeve të urrejtjes ndërshqiptare, në website-in Zemra Shqiptare, Ilir Dardanit i duhet të distancohet ndaj dhunës së Breinvik, por nuk mund të tërhiqet nga idetë e Breivik.

Akti i pabesueshem i një të krishteri nuk i heq asnjë presje Ideologjisë Islame. Myslimanet le të “gëzohen” sepse është traditë e tyre të na shfaqen si viktima. Ata shqiptarë që mendojnë se islami ka fituar janë vetëm hipokritë anadollakë. Islami nuk i dha arsye Breivik-ut të shkalloje dhe të vrase dhjetra njerëz të pafajshem, por Islami i ofroi Neverinë ndaj tij dhe si pasoje e humbi harbutërisht kontrollin.

Nëse do të sulmonte terroristët islamikë ne Afganistan, Kosovë, Bosnjë, Maqedoni (shqiptaro-turqit), Shqipëri, Iran, Pakistan, Pakistan, Siri dhe në vendet e tjera islamike, do të ishte një hero i Qytetërimit Europian dhe atij Botëror

Deri në momentin që u bë monstër ishte vizionar i madh. E përsëris: Vizionar i Madh.”

Liria Kundra Birres – 16/09/2016

Linku: https://www.e-zani.org/2016/09/16/liria-kundra-birres/

Dilema nëse Mustafa Nano është i keqinformuar apo kërkon të keqinformojë në thelb është dilemë morale, por kjo mund të zgjidhet vetëm prej tij. Në një artikull të gjatë (shumë të gjatë) botuar tek Panorama e më pas tek Tema ai ngre pretendimin se ‘problemi me Islamin’ nuk qëndron tek militantët e ISIS që prejnë kryet e pengjeve të tyre, por me muslimanët e zakonshëm, të cilëve Nano u mvesh kolektivisht një sërë qëndrimesh, bindjesh, axhendash që shkojnë nga misogjinizmi, mungesa e higjenës, armiqësia ndaj demokracisë, vetë-izolimin në geto etj, etj, etj. ( I bëj thirrje ndonjë lexuesi kurioz të lexojë rreth akuzave që ngriheshin kundra hebrenjve në prag të Luftës së Dytë Botërore)… Ato që Nano shkruan për ‘emigrantët’ në Europë, shumë prej të cilëve nuk janë hiç emigrantë por të lindur e të rritur në Evropë, nuk sjellin asgjë të re, janë përsëritje të lodhura nga retorika raciste në Evropën e sotme. Nuk është çudi brohoritja në artikull për Trump, i cili paska shkatërruar korrektësinë politike. Problemi real qëndron se pasi ngre pretendimin se ‘problemi i vërtetë’ janë muslimanët e zakonshëm që nuk therin e presin, se është vetë feja dhe teksti kuranor që furnizon mesazhet e dhunshme, Nano kalon tek muslimanët shqiptarë, duke përçuar mesazhin se ata janë problemi, kërcënimi ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë dhe do vazhdojnë të jenë të tillë për sa kohë që nuk bien dakort me mënyrën se si Nano kërkon që ata ta kuptojnë fenë!!!

Skenderbeu Hero Fetar – 12/03/2014

Linku: https://www.e-zani.org/2014/03/12/skenderbeu-hero-fetar/

…është pasoja e parashikuar e një fetarizimi katolik të heroit kombëtar pas rënies së komunizmit. Fillimisht është eksperimentuar në Shqipëri nga analizat me karakter historik të Ismail Kadaresë, Aurel Plasarit, Ardian Ndrecës, më pas të prapavijës që justifikohet me këto analiza – Polovina, Gjekmarkaj, Nano, Marku etj. – dhe një mori përçuesish anonim me funksione publike. Në Kosovë kulmon me shkeljen e laicitetit nga ana a klerit katolik, i cili ndërhyn brutalisht në kungimin e figurave dhe simbologjisë kombëtare shqiptare.

Etiketat “Mbrojtësi i Krishtërimit” dhe “Atleti i Krishtit”, të tregtuara krahas dhe në mbivendosje me veprimtarinë kombëtare, betimet në emër të Krishtit përpara veprimeve ushtarake e politike, ekzaltimi i raporteve fetare me Papatin në vend të arsyetimit politik, interpretimi i konfliktit me osmanët mbi baza fetare dhe përmes këndvështrimit të përplasjes së qytetërimeve rigorozisht fetare, “njësimi” i heroit me figura ekskluzivisht fetare – Nënë Tereza, Pjetër Bogdani e deri Don Bosko –, janë vetëm disa nga mekanizmat e fetarizimit të Skënderbeut.

Maks Velo flet troç por mendon si toç – 07/09/2014

Linku: https://www.e-zani.org/2014/09/07/maks-velo-flet-troc-por-mendon-si-toc/

Gazeta MAPO ka kohë që është vitrinë e të gjithë mediokritetit të shtypit shqiptar. Ajo grumbullon të gjithë kënetën e penave vulgare dhe urrejtjen e të gjithë shpirtrave të helmatisur të gazetarisë shqiptare, duke derdhur vrer me faqet e saj. Thjesht po përpiqet të sjellë në Shqipëri modelin e gazetës Express, modelin më të shëmtuar të përhapjes së urrejtjes fetare në vend. Teksa rreket të konkurrojë 55-n e Fahri Balliut, duke ia rrëmbyer statusin e përfaqësimit të katolikocentrizmit, duket se ia ka dalë të ekstremizojë edhe më shumë diskursin antikombëtar të promovimit të ekstremizmit ndërfetar, e shtyrë nga mendësia sipas të cilës urrejtja është mjeti më i mirë për t’u bërë më katolik se Papa.

Një intervistë e Maks Velos dhënë ndaj Alfred Lelës – i cili mund të thuhet se paraqet profilin më përfaqësues të gazetës MAPO, më shumë madje se edhe vetë pronari Henri Çili, emblema e shëmtisë intelektuale shqiptare dhe e përdorimit në mënyrën më të paskrupullt të fjalës dhe mendimit në pazaret e batakut politik – neveriti të gjithë opinionin publik me shpërfaqjen e një retorike radikale fashiste. Përveç myslimanëve urrejtja kësaj here përfshinte edhe racizmin krahinarist duke shpërthyer në fyerje e paragjykime kundër veriut të Shqipërisë…

“Po, jam antimysliman. Jam prej 500 vitesh. Kam qenë luftëtar krahas Skënderbeut dhe jam vrarë nga hordhitë osmane. Islami nuk ka ardhur si fe apostolike, paqësore në tokat e Arbërisë. Islami është fe që është përhapur me dhunë. Islamin e sollën Hordhitë osmane. E shënova me H të madhe se ato ishin hordhi të padëgjuara. Europa kish dëgjuar për hordhitë e Cingis Hanit, po ishin më të dëgjuar. Këta donin të gjunjëzonin kontinentin e vjetër, kulturën më të përparuar. Dëmi i tyre është kolosal. Dhe veçanërisht i yni. Osmanët për 500 vjet vetëm na shkatërruan dhe shkretuan. Prandaj jemi sot kështu që nuk po e marrim dot veten. Islami edhe sot është e vetmja fe e dhunës. Nga Afganistani në Libi. Gjithë ajo hapësirë nuk gjen dot paqe. Dhe po tmerron botën. Xhihadistët kosovarë na kanë poshtëruar si asnjë tjetër me Skënderbeun monstër. Këtë nuk ua fal dot kurrë. Kanë 500 vjet që e urrejnë Heroin tonë. Por nuk do të ngrihen kurrë dot mbi të. Nuk do të ndajnë kurrë dot prej tij. Sepse ai është garancia që na bashkon me Europën, me krishterimin. Prandaj ata duan ta presin këtë lidhje. Ata urrejnë dhe fyejnë Nënë Terezën, që është shenjtorja jonë, filozofja më e madhe që ka nxjerrë Ballkani. Ata duan shkatërrimin e çdo trashëgimie të krishtere. Po mos ishin ata, shqipja nuk do të ish një nga 5 gjuhët (e vetmja gjuhë e një populli të vogël) në përkthimin e deklaratës për formimin e Kalifatit. Nuk ka fyerje më të madhe për ne dhe për shqipen. Ata pretendojnë se Shqipëria është pjesë e Kalifatit.”

Ekstremistët e Medias Shqiptare – 01/06/2012

Linku: https://www.e-zani.org/2012/06/01/ekstremistet-e-medias-shqiptare/

Kemi vënë në dukje më parë këtu tek EZN se tek faqja ResPublica janë promovuar – jo njerëz gati anonim – por politikanë prominentë që haptazi shpallin qëndrime neo-kryqtare me konotacione të qarta raciste. Administratori i faqes ResPublica, z. M. Nano, një nga gazetarët më të njohur shqiptarë, si intevistues i neo-kryqtarëve si znj. Ledi Shamku apo Mark Marku, nuk e pa të arsyeshme të sfidonte këto qëndrime haptazi ekstremiste e raciste. Në të njëjtën kohë, si intervistues i një funkstionari shtetëror të kulturës si z. Aurel Plasari, nuk sheh arsye të zhbirojë me pyetje apo qoftë të komentojë kur promovon në faqen e vetë intervista që quajnë shqiptarët “tradhtarë të Jezu Krishtit” dhe që bëjnë thirrje për një situatë “ideale, një komb, një gjuhë, një fe.”

***

Shembujt e sjellë më sipër fatkeqsisht nuk janë të vetëm e as të rrallë. Ato janë zgjedhur në një grumbull artikujsh të ngjashëm që mund të gjenden lehtë në kërkimin brenda blogut E-Zani i Nalte, i cili nuk është e vetmja platformë apo botim ku ky lloj fenomeni është dokumentuar. Teksa media shqiptare me tone gati triumfuese raportoi emrat e Serbëve që gjendeshin në armën e terroristit në Zelandën e Re, ato ose injoruan ose e raportuan pa ndonjë përpjekje për të analizuar domethënien e emrave të Skënderbeut apo Gjergj Arianitit në të. Kjo është, ndër të tjera, një përpjekje për të demonstruar se si hero i terroristit në Zelandën e Re, Skënderbeu është produkt i kontributit të disa shqiptarëve në diskursin global të urrejtjes anti-muslimane, diskurs që reflektohet rregullisht në mediat kryesore shqiptare.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *