Meulana Xhelalyd-dini Rumi





 

Sheh Muharrem Mitrovica*

Emni i tij asht Muham-med e mbiemni Xhelalyd-dini, dhe epitetin Rumi e ka marrë mbasi vizitoj Konje’n. Ky asht prej zotnivet të dallueshëm të tarikatit. Fama e tij asht e përhapun në të tanë botën islame. Zotësija në lamën e letërsisë e të poezisë dhe vyrtytet e tija shkojnë baras me dijenit e tija mistike e për këtë u quejt Meulana. Nji tok veprash qi la mbas e sidomos Methnevija e Divani Qebir (Divan i madh) i tij enden dorë më dorë dhe lexohen kudo me vrejtje e nderim që meritojnë.

I ndritshmi Meulana asht prej Harasani dhe ka lindun në Belhë më 6 Rebiulev-vel 604 (1207). I ati asht prej nji familje qi në Belhë quhet Hatib-Ogullari dhe njihet me emnin Behayd-din Veled, i biri i Hysejn Hatibit, i mbithirrun “Sulltanyl-Ulema” (Mbret i Dijetarvet). Dhe nana e tij quhej Mu-mine Hatun, bija e Ruqnyd-dinit, Sundimtar i Belhit. Behayd-dini, ma i njoftuni dietar e mistik i Havarizimvet, merrej me vaze e mësime dhe në kuvendet e tij merrshin pjesë ma të mëdhajt e kohës e bash edhe vetë Sundimtari. Kushrini i Bahayd-dinit. Fahryd-dini Raziu, dhe tjetri Reshidyd-dini Fenaiu ia smiruen famën dhe dashunin a nxansave të tij, dhe kështu në medis të tyne u çfaq nji antagonizmë, që e ushqeu deri diku dhe Shahu i Harasanit Muhammed Havarizimshahi.

Si mbas nji versioni tjetër, Muhammed Havarizimshahi e shtrëngoj me lanë Belhin me gjith familje të tij, pse dresht prej influencës morale qi kishte fitue në popull. Dhe kështu në nji ditë të hane u nis për Nishabur me treqind nxanës të vet e me disa deve ngarkue me libra.

Në kohën e emigrimit të babës së vet Meulanaja ishte 5 (pes) vjeç e vëllau i tij Alaud-dini Çelebiu 7 (shtat) vjeç. Mistiku i madh Faridyd-din At-tari qi ishte në Nishabur diktoj nji zëgjim e talent të madh në Meulananë dhe e simpatizoj shum e i dha bekimet e veta, tue i dhurue dhe veprën e tij të randësishme, e titullueme “Esrarname”. Porsa u muar vesh se Bahaud-dini do t’udhtojë për Bagdad, Shejh Shehabyd-dini Suherverdiu i Bagdadit i duel para në kambë me gjith të mëdhaj e të vegjël të vendit për t’a nderue, dhe e përbujti në Medresen e famshme qi kishte emnin Mustansarij-je. Bahaud-dini nisi me i predikue popullit dhe me tregue edhe këtu zotsin e tij dijtunore. Nji kohë shkoj në Hexhaz, e mbasi kreu haxhillekun këthcu në Sham, ku takoj me Muhjid’dini Arabin.

Meulana Xhelalyd-dini i vogël, qi gjithkund udhtonte mbas t’et, fitoj në Sham edhe simpatin e fillozofit të madhë islam, Myhjid-dini Arabiut. Emiri i Shamit, Meliqi- Eshrefi, e priti me nderime të mëdhaqja Bahaud-dinin. Prej aty shkoi në Halep e në Mallatja e nëpër këtë udhë në Erzenxhan e n’Ak-Shehir t’Erzenxhanit. Mbasi ndej për nji kohë në Medresen e ndërtueme prej së shoqës të Meliki Fahryd-dinit, erdhi në Larende (Karaman), ku Sundimtari i këtij vendi Musaj, ngehi n’emën të tij nji Medrese. Këtu ndej shtat vjet. Ende janë tepricat e kësaj Medreseje.  Meulanaja kur ishte n’udhtim me t’an, u martue me Xhevhere Hatunin, bije e Lala Sherefyd-dini Semerkandiut, i cili e kishte rrit e shëtit ndër krahët e vet dhe ishte besniku ma i flakt i babës së tij.

Prej këtij bashkimi lindën Muhammed Bahaud-din Veled e Muhammed Alaud-dini. Mbretit të dijetarëve i vdiq e shoqja edhe nji djalë. Mbi ftimin qi i bani sundimtari i Konje’s, Sulltan Alaud-din Selçukiu, i cili e kishte ftue edhe ma përpara e qi për të ndijnte së largut nji nderim e dashuri, edhi prap në Konje, dhe në vitin 625 (1227) e përbujti në Medresen e qujtin “Alltun-Pa”. Tash u vendos në Konjë me gjith familje. Sundimtari e përkrahi me nderimet ma të mdhaja. Më 18 Rabiyl-Ahar 628 (1230) ditën e Premte në kohë dreke vdiq në Konjë.

Kur pat ardhë në Konjë i ati e çoi Meulanan bashk me Lala Sherifyd-dinin në Halep në Medresen Halevije dhe ia besoi atje myderrisit Qemalyd-din i biri i Ademit i njoftun për zotsin e tij në Fëkëh, në Hadith e në Tefsir. Përftimi menduer e shpirtnuer i Meulanas prej këtij dijetari qe shum i madh. Edhe në Sham u dha mbas mësimevet gati tri vjet për me plotsue dijtunit e tija. Në Sham ndiqte Medresen e thirrun “Mukimin” dhe në anën tjetër merrte mësime mbi Fëkëh. Këtu hyni në marrëdhanje të ngusht me Muhjid-din Arabin e me tjerë mistikë të mëdhaj. Ma vonë kthej në Konjë. Meulanaja, qi kishte njizet e katër vjeç kur i vdiq i ati, kishte mrritun në nji shkallë të nalt në Fëkëh e në Tesavyf, sa me u thirrë eruditë i kohës. Kurr nuk ngopej me mësime; sa ma thellohej ndër dituni aq ma tepër i shtohej etja për me mësue. Në Konjë erdhi nji dijetar e nxanës i babës së tij, Burhanyd-din Muhak-kiki Termidhiu dhe takoi me Meulanan, te i cili pau nji zotsi e perfekcjonim virtutesh, aq sa nuk u nda prej tij nandë vjet rresht dhe të dy s’bashku u dhanë mbas studimevet e mësimevet të dijenivet të ndryshme.

Mandej Burnyd-dini kthej në Kajsari. Maulanaja në kët kohë këndoi prej të famshmit Sadryd-dini Koneviut veprën zamadhe “Xhamiul-Usul fi Ehadithi-Resul” t’ibni Ethirit. Tashti zani i Meulanas kishte marr dhèn në botën dijtunore islame. Ndër Medreset të ndryshme jepte mësime. Në këtë kohë morri lajmin e vdekjes të Burnayd-dinit, mësuesit të vet, nga dija e të cilit kishte përfitue nandë vjet rresht dhe kështu u nis me njëherë në Kajseri. Në kthim prej këndej solli me vedi në Konjë nji tok librash me vleftë. Hazreti Meulanaja kishte marrë sugjerime devoçmenije prej Burhanyd-dinit. Tamam në këtë kohë, në vitin 642 (1244) mbas urdhrit të Shejh Ruqnyd-din Zerqubiut kishte ardhë në Konjë Shemsyd-dini Tebriziu dhe kish ra në hanin “Sheqer Riz”. Hetoi mbi virtutet qi stolisshin Hazreti Meulanan dhe kulturën qi pajiste këtë, dhe nuk i gjet as nji të metë përveç asaj qi urrente dervishët kalendera dhe lakuriq. Shemsyd-dini Tebriziu hyni nji ditë në kijafet kalenderi dhe i doli në udhë përpara Meulanas, i kapi frejt e kalit qi kishte hypun dhe me nji kreni të çuditshme e këqyri në fytyrë, tue i ba nji pytje. Si pati përgjigjjen qi donte Shemsyd-dini Tebriziut i ra të fiktët dhe ra për dhè me fjalën “All-llah” në goj. N’at çast në zë zemër të Meulanas u çfaq nji dritë e perëndijshme dhe me njiherë zbriti prej kalit dhe i ra ndër kambë Shemsyd-dinit, të cilin mbasi u esullue e i shkoi të fiktit, e morri në shtëpi të vet.

Mbas kësaj ngjarje Hazreti Shemsyd-dini ndej edhe nja gjasht muej prana Hazreti Meulanas në vetmi e i veçuem prej botës, tue pranue n’intimitetin e tyne për shërbime të nevojshme djalin Sulltan Veled.

Disa smirzez përhapen andej këndej fjalë se Shemsyd-dini qe shkaktarë me lanë mësimet Meulanaja dhe tu qenë se këto fjalë nisen ma ba përshtypje në publik, Shemsyd-dini Tebriziut i u desht mëshehtas e pa lajmue kend me u largu prej Konjë e me shkue në Sham. Kjo ndamje e pa pritun e mërziti shum Meulanan. Hazreti Meulanaja mbasi kishte hjek dorë fare prej shprehjeve dhe dhanjes të mësimeve u muerr me ushtrime trupore hyjshmënie dhe me çdo lloj vepra muzikës shpirtnore. Pasi kaluen disa kohë Meulanaja çoi djalin e vet Sulltan Veledin për t’a kërkue Shemsyd-dini Tebrizin dhe m’i a tregue e shprehë mjerimin qi kish shkaktue në te ndamja e tij, tue e ftue njikohësisht për me ardhë rishtazi në Konjë. Mbi këtë ftesë erdhi prap Hazreti Shemsyd-dini në Konjë, tue e gëzue kështu për së tepërmi Hazreti Meulanan. Shoqnimi i këtyne njerzvet të mdhaj, në vetmi e të ndam prej botës vijoj prap me ritmin e përparshëm, gja qi filloi me shkaktue përshpëritjet e para në publik. Hazreti Shemsyd-dini u zhduk prap. Këtë herë mjerimi i Hazreti Meulanas i u shtue sa qi s’mund t’a duronte, u çue vet me kërkue Hazreti Shemsyd-dinin dhe u nis me disa nxansa të vet për Sham, e, siç thuhet edhe në qytetin Tebriz, por nuk e gjeti kurkund.

Deri në vdekje e kërkoi dhe pyeti për te. I dedikoj vjersha dashunije e afekcioni. Filloi të ndijë se ditët e vdekjes i afrohen. I shprehi këto ndija dhe me vjersha. Së fundmi u smue e vdiq, me gjithë kujdesin qi diftuen për te dy mjek të famshëm të kohës, Meulana Eqmelyd-din e Meulana Gazanfer. Vdiq në Konjë 69 vjeç 5 xhemazul-Ahar 672 (1274) dhe u shti në dhè pran t’et. Hazreti Meulanaja pati nji trup të mesëm, sy të mdhaj e në ngjyrë të qellit të hapët; fytyrë si të zbehtë e vetullat të hapta e në formë gjysmë-hane. Mjekrën në ngjyrë gështejë me qime të shkurta kah tamthat. Mustaqet i kishte të plota. Shkrio Methnevin, qi zen vend të nalt në letërsi dhe asht e vetmja në llojin e saj si vepër mistike, dhe shum poezina të tjera ku përshkruhet në nji mënyrë shum elokvente dashunija qi ndinte për të Madhin Zot. Si Methnevija e vjershat tjera të tija kapen në 47000 strofa dyrreshtse. Methnevin e filloi në 659 (1260) dhe e sosi në 666 (1267), Divani Qebiri i tij rishkruem në vitin 768-770 (1366-1368) kapen në 95927 vjersha dyrreshtza dhe sot ruhet në muzen e Konjës.

Veprat e tij, mund të përmblidhen ndër këto: “Methnevi”, “Divani Qebir”, Fihi ma fihi”, “Mexhalisi Seb’a”, “Muraselat”, “Habname”, “Hërkai Qamil”,  e “Trashname”. Djali i tij Sulltan Veledi shkroi jetshkrimin e t’et dhe caktoi rregullat e Tarikatit Mevlevi. Stërnipat e tij rrojnë ende në Konjë dhe djemët e mdhaj thirren me titullin Çelebi dhe xan postin e Meulanas. Me hypjen në fron të Sulltanve Otoman, këta kishin nderen e privilegjueme me u ngjesh shpatën atyne. Meulanaja tu qenë edhe shum i ri, qe i stolisun prej nji zotsije dijtunore fort të thellë e sidomos qe i vetmi i kohës në Tasavuf e në Fëkëh. Merrej shum edhe me Kimi e Astrollogji. Zotnonte nji fuqi të madhe me depërtue ndër sende ma të ndërlikueme. Asht për tu habit se me nji aftësi intuicioni ban fjalë në nji vjershë të tij për mikrobet, tue i cilsue këto “ si atome me gojë të hapun”

Dher-reha didem dihanishan xhymle baz

Gjer bigjujem hordheshan qerded diraz

Qi don me than:

Pash rreze gojë-çelun shum të vogla në shtatë

Qi mbi to po të flas kuvendi shkon i gjatë.

Meulanaja asht nji poet i ndijshëm. Vjershat e tija mund të shëmbllehen me nji lum qi shkon tue rrjedhë gjatë shtratit të vet, herë me murmurime të lehta e herë shungullime të randa. Me vjershat e tija të flakta qi e hudhin njerin në ekstaz, me inteligjencën e dijtunin e tij të gjanë e me mendimet e bindjet mistike, la gjurmë të pa shlyeshme në botën islame. Veç Turqishtes, Persishtes e Arabishtes ai njihte mirë dhe greqishten e vjetër e ebranishten. Prej vjershave të kandshme qi fillon Methnevija e tij përmendim vetëm këte:

Bishnev ez naj, çyn hiqajet, miqyned,

Ez xhydajiha shiqajet, miqyned;

Qez nejestan, ta mera bibyride-end,

Ez nefirem, merdu zen nalide-end;

Sine hahem, sherha sherha, ez firak

Ta bigjujem, sherhi derhi ishtijak;

Ateshest in, banq’naji, nist bad,

Herqi in atesh nedared, nist bad

Qi don me than:

Pa digjo fyllin se ç’thotë

Nga mërgimet qahet sot

Prej fyllishtes kur më ndanë

Burra, gra nga mua qanë;

Kraharorin e kam me vrima,

Prej të ndamit plot pshertima;

Zani t’im asht zjarr jo erë

Mos qoft kur, kush s’ka ndjerë.

 Prej vjershave të Divani Qebirit të tij përmendim këto qi kan fjalëgreqishte:

Nim sheb ma’ shuki ma, dani çi migjujed horos

Hiz shebra zinde dar ve ruz-rushen nystrikos

O horosest der harush, ve tu hemi der hab’ hosh,

Nami ora tajr hani, nami hodra Antropos

Qi don të thotë:

Në mes të natës O i dashun, a e di ç’thot aji horos, [i]

Ngrehu! Natën mbae gjall, ditën ji në nystrikos [ii]

Aj gjel tue qenë asht i gjall e ti fle gjum,

Dhe i thue atij zog vehtes t’ande Antropos; [iii]

Prap po i përmendim këto vjersha qi kanë nji rresht Persishte e tjetrën Turqishte dhe të trazueme nga të dy gjuhtë:

Mahest nemidanem hurshidi ruhat ja ne,

Bu ajrillëk uduna nixhe xhigerëm jane;

Myrdem zi firaki tu, myrdem qi heme danend,

Ashk udu, nihan ollmaz janar dyshixhek xhane;

Sad tire zened, ber dil, an tyrqi qeman ebru,

Fitneli ela gjyzler, çyn ujkudan ujane;

Ej Shahi Shexhaud-din shemsyl-hak Tebrizi,

Rahmetten egjer nolla bir katre bize tane.

Qi don me than:

Mos asht vall’ ajo hanë rreflekti i faqes s’ate?

Mushkrit m’i dogji ndarja, më thuaj me mua ç’pate;

Nga ndarja jote vdiqa… këte të gjith e dinë!

Qi zjarr i ashkut s’pshihet, shpirtin kur përshinë.

Fytyra e Lejlasë: gjithnji qëllimi im!…

Bërtas posi Mexhnuni, pa mend e pa gjykim!

Shigjeta m’arin mbi zembër ng’aji hark i vetllës-shkruarë

Nga syt e tu të bukër, prej gjumi më të zgjuarë;

O mbreti Shexhaud-din, Djell i Hakut Tebriziu!

Ç’ndodh? Sikur nji pik’ mëshire të më çosh.. po pres i ziu!

 

Men jari ba vefajem ber men xhefa këllarsën

Gjer tu zi men nepyrsi men hod seni sorarmin;

Ruj çu mah dari men sade dil ez anem

Zan sheqer lebanet bir ypqine dilermin

Mahi çu Shemsi Tebrizi gajbet nemud ve gjyfta,

Ez men digjer mepyrsid men syjledëm jazarmin;

Qi don të thotë:

Un jam nji shok me besë por ti më ep mundim,

Për mue ti nuk pyetë, un të pres papushim!

Si hana ke fytytën andaj un’të gjurmurojë,

Në buzë aq të ëmbla të t’puth dëshirojë;

Si Shems Tebriziu, më than hane, kur shkojë,

Mos pyet për mua më, i thash do të shkrojë.

 

*Marrë nga revista “Njeriu” numri 6, Dhjetor 1943

 

 

[i] gjel

[ii] agjenim

[iii] njeri

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *