Bisedë me Rezart Bekën





Stadi i studimeve islame në shqip, e pyetje të tjera…

Kohët e fundit, nga Qendra Studimore “Erasmus” është botuar një vepër klasike që prek çështjet e jurisprudencës islame, përkthyer dhe komentuar nga Rezart Beka. Nisur nga kjo ngjarje, si dhe të interesuar për situatën e botimeve me karakter fetar ndër myslimanët shqiptar, Besnik Sinani bisedoi me studiuesin Rezart Beka, i cili prej kohësh është angazhuar për të sjellë për publikun shqiptar tituj të rëndësishëm nga literatura fetare dhe studime për fenë.

Rezart Beka është doktorant në Universitetin Georgetown në Washington, DC i specializuar në studimin e Islamit. Përpara fillimit të studimeve ai kreu një master në Katar dhe një master përpara tij në Universitetin Gregoriana të Romës. Ai ka diplomuar gjithashtu për psikologji në Universitetin e Tiranës. Gjatë studimeve të tij universitare ai ka vazhduar studimet në shkencat tradicionale islame me dijetarë të ndryshëm dhe botimi i tij i fundit është produkt i kësaj pune studimore.

 Besnik Sinani është doktorant i specializur në studimin e Islamit në Frei Universitat të Berlinit. Përpara fillimit të studimeve në Berlin ai kreu një master në Studimet e Lindjes së Afërt në Universitetin e New York-ut si dhe studioi Studime Ndërkombëtare dhe Histori po në New York.

 

B.S: Para pak kohe doli në shqip libri “Manual i Fikhut Hanefi i juristit të njohur të shekullit të 12të, Burhanedin Al-Marginani i përkthyer dhe komentuar nga ju. Por përpara këtij libri ju botuat “Halifatullah: Njeriu si Mëkëmbës. Çfarë ishte shtysa për librin tuaj të parë?

Shtysa kryesore pas botimit të librave në fjalë ka qene ajo e ofrimit të teksteve fetare bazë të cilat i përgjigjen pikëpyetjeve, shqetësimeve dhe nevojave të bashkësisë myslimane shqiptare. Librat e shumtë myslimanë të përkthyer në periudhën post-komuniste shpesh reflektojnë psikologjinë, konstekstin shoqëror dhe problematikat fetare të vendeve myslimane ku ato janë shkruar. Shpesh, problematikat e shqyrtuara në këto libra si edhe forma e ligjërimit dhe e argumentimit të çështjeve fetare nuk përputhen me nevojat komunitare, kulturën, përfytyrimin dhe format e ligjërimit të bashkësisë myslimane shqiptare. Çdo shoqëri është unike në konfigurimin e saj fetar, format e ligjërimit, metodat e komunikimit si edhe në kontekstin shoqëror brenda të cilit zhvillohet dinamika fetare. Çdo libër reflekton pashmangshmërisht të gjitha këto elemente dhe të tjerë të ngjashëm me to. Problemi me literaturën myslimane të përkthyer në shqip qendron në faktin se librat e përkthyer janë ideuar dhe organizuar në bazë të nevojave specifike të bashkësive përkatëse që ata i adresohen si edhe reflektojnë proceset komunikative mbizotëruese të shoqërive për të cilat janë shkruar. Kjo ka sjellë si pasojë që këto tekste të mos adresojnë disa prej problematikave kyçe që preokupojnë bashkësinë myslimane të sotme shqiptare, madje shpesh ato përmbajnë analiza socio-politike dhe fetare të cilat jo vetëm janë të parakohshme për kontekstin shqiptar por ndonjëherë mund të jenë edhe të dëmshme për zhvillimin e duhur të ligjërimit fetar në shqipëri. Format e huaja të ligjërimit dhe të metodave komunikative që ekzistojnë në këto tekste bëjnë që përmbajtja e tyre të perceptohet si e huaj nga lexuesi, i cili e ka të vështirë të brendësoj forma ligjërimi të skicuara për një kulturë tjetër apo të identifikohet me problematikat socio-politike dhe fetare që gjenden në këto tekste. Librat e mi janë një përpjekje modeste për të zgjidhur disa prej problematikave të lartpërmendura. Ato përbëjnë një tentative për të ndërtuar një ligjërim fetar autokton i cili buron nga vetë bashkësia shqiptare dhe synon të nisë diskutimin për disa prej problematikave kryesore që karakterizojnë bashkësinë fetare shqiptare. E gjitha kjo në një gjuhë dhe forma argumentative që i përgjigjen dhe janë pjesë e kulturës dhe shoqërisë shqiptare.

B.S: Si e shihni fushën e botimeve fetare në shqip, kush janë arritjet, problemet, sfidat që mendon se duhen adresuar? Çfarë mund të komentoni për standartet dhe risitë? A mendon se ka nevojë për një formë kodifikimi të terminologjisë e transkriptimit në përkthime, dhe kush mund të jenë institucionet që mund ta bëjnë këtë?

Kohët e fundit, fusha e botimeve fetare myslimane në gjuhën shqipe ka shënuar disa përparime të rëndësishme. Përgjithësisht, cilësia materiale librave (letra, faqosja, kopertina) është rritur ndjeshëm dhe deri diku edhe larmishmëria e përzgjedhjes së tematikave apo autorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje. Megjithëkëtë, problemi kryesor i botimeve fetare myslimane në gjuhën shqipe mbetet fakti se përgjithësisht librat botohen pa plan dhe pa një strategji të caktuar. Përzgjedhja e librave për t’u përkthyer udhëhiqet më shumë nga kërkesa e tregut apo nga parapëlqimet personale të drejtuesve të shtëpive botuese apo përkthyesve. Rrallëherë librat e përkthyer janë pjesë e ndonjë projekti të paramenduar për të themeluar ndonjë shkollë të caktuar mendimi fetar e cila më pas mishërohet në qendra studimore apo think tank-e që i dalin për zot shkollës së mendimit në fjalë dhe e përthyejnë atë në platforma konkrete veprimi që synojnë themelimin e një diskursi kredibël mysliman në shoqëri. Kjo bën që përkthimi i librave të rëndësishëm fetar të mos kenë impaktin e duhur në bashkësi si edhe tezat e hedhura në këto libra të mospërthyhen në platforma konkrete mendimi të bazuar mbi kornizën konceptuale të librave në fjalë. Një tjetër problem është edhe fakti se ndonëse bashkësia myslimane boton më shumë libra fetarë se çdo bashkësi tjetër, megjithëkëtë, bashkësitë e tjera e tejkalojnë atë myslimane për sa i përket cilësisë së gjuhës shqipe në botimet e tyre. Literature fetare myslimane lë shumë për të dëshiruar në aspektin gjuhësor. Shumica e përkthyesve të librave fetarë, veçanërisht ata nga gjuha arabe në atë shqipe, shpesh zotërojnë njohuri të mira të gjuhës arabe por rrallëherë janë po aq njohës të mirë të gjuhës shqipe. Formimi fetar i shumë përkthyesve të librave myslimanë në gjuhën shqipe nuk është paraprirë apo ndjekur nga një formim solid në gjuhë-letërsi shqipe. Rrallëherë, përkthyesit e librave myslimanë në gjuhën shqipe punojnë si përkthyes me kohë të plotë. Kjo bën që nxitja për të zotëruar kualifikime në sferën e përkthimeve të jetë shumë e pakët. Paga e ulët dhe mosvazhdimësia e punës bën që shumë prej përkthyesve të librave fetar në gjuhën shqipe ta shohin procesin e përkthimit si një angazhim me kohë të pjesshme ose si një akt personal bamirëse (për hir të Zotit). E gjithë kjo ndikon në cilësinë e përkthimeve fetare myslimane në gjuhën shqipe.

Një tjetër problem është ekzistenca e gabimeve të shumta në përcjelljen e përmbajtjes së librave. Shumë prej përkthyesve nuk janë ekspertë të disiplinave fetare të librave që përkthejnë. Në botë, përgjithësisht, tekstet akademike përkthehen nga akademikë të fushës në fjalë. Sepse navigimi i koncepteve të ndërlikuara të çdo disipline mund të kryhet vetëm nga një ekspert i disiplinës. Kjo bën që shpesh përkthyesi të mos jetë i aftë kuptojë përmbajtjen dhe kornizën konceptuale të librave që është duke përkthyer. Kësisoj, gabime të shumta përmbajtësore, të dëmshme dhe të padëmshme, shfaqen në versionin përfundimtar të librave. Kur kësaj i shtohet edhe vështirësia për të gjetur ekuivalent në gjuhën shqipe të nocioneve të shumta fetare, atëherë problemi bëhet edhe më serioz.  Megjithatë, duhet të shtoj se një përpjekje e mirë në raport me përkthimin në gjuhën shqipe do të ishte që libri të përkthehej qoftë edhe nga përkthyes që nuk kanë ekspertizën e plotë shkencore, por ama përpara botimit të shtohej procesi i editimit nga ekspertë të fushave përkatëse, dhe në harkun kohor të 25 viteve të fundit kjo mënyrë e të punuarit ka qenë më frytdhënësja në drejtimin e botimeve me përmbajtje fetare.

Më duhet të them se personalisht jam kundër kodifikimit të terminologjisë fetare apo metodave të transkriptimit të termave fetar nga ndonjë institucion i caktuar. Kjo më ngjan me periudhën komuniste dhe përpjekjen për të kontrolluar artikulimin letraro-artistik në vend. Deri diku, problemi i terminologjisë do të zgjidhet në momentin kur bashkësia myslimane shqiptare do të jetë e aftë të prodhoj dijetarë myslimanë autoktonë apo institucione serioze kërkimore. Pra, gjykoj se do të ketë një zgjidhje të natyrshme të kësaj problematike. Suksesi i ligjërimit fetar të specialistëve vendas dhe botimeve të tyre fetare do të bëj që terminologjia e gjendur në to të marrë një përhapje të gjerë dhe të brendësohet nga bashkësia myslimane. Kjo do të sjellë si pasojë që botimet e mëvonshme do të përpiqen të ndjekin shembullin e botimeve të suksesshme të mëparshme. Kësisoj, një traditë e tërë e sjelljes së termave në gjuhën shqipe do të marrë jetë dhe do të pasohet nga një uniformizim gjithnjë e në rritje të përkthimit të termave fetarë në gjuhën shqipe. Gjithsesi, uniformizimi i plotë i përkthimit të termave fetar në gjuhën shqipe është i paarritshëm dhe i padëshirueshëm.

B.S: Çfarë ju motivoi të punonit për përkthimin dhe komentimit e këtij libri, cfarë nevoje mendon se adreson në dijet fetare në shqip? Dihet që në shekullin e 20të pati një sfidë të fuqishme në gjithë botën islame ndaj autoritetit të shkollave tradicionale juridike. Më së fundmi këto shkolla kanë marë një dimension politik ku për shembull shkolla Hanefi propozohet si mbartëse e vlerave të tolerancës në kundërvënie të ekstremizmit fetar. Në një ligjërim global të “muslimanëve të mirë” kundra “muslimanëve të këqinj”, siç e quan antropologu Mahmoud Mamdan, aderimi në shkollën hanefite trumpetohet si shenjues i “muslimanit të mirë”. Si e shihni botimin tuaj në marëdhënie me këto debate?

 Siç e kam theksuar edhe në parathënien e librit, vitet e fundit në gjuhën shqipe janë publikuar libra dhe manuale hanefite të ndryshme, sidoqoftë numri i tyre mbetet i kufizuar dhe botimet karakterizohen nga mangësi të shumta. Shpesh, niveli i përkthimit lë shumë për të dëshiruar dhe tekstet e përzgjedhura për përkthim karakterizohen nga një gjuhë tejet polemike kundrejt rrymave antagoniste ndaj medhhebit hanefi. Në disa raste tekstet e përkthyera janë ose tejet të detajuara dhe të fokusuara në çështje specifike, ose shumë të shkurtra dhe të përgjithshme. Në shumë botime, librat e përzgjedhur për përkthim nuk janë prej burimeve parësore të medhhebit hanefi, por i përkasin kryesisht literaturës dytësore. Këto mangësi dhe të tjera të ngjashme me to më kanë shtyrë që të nis punën për përkthimin e një manuali bazë të medhhebit hanefi. Synimi im ka qenë sjellja në një gjuhë sa më të pastër shqipe e një manuali kryesor në medhhebin hanefi. Po ashtu, jam kujdesur që rezultati përfundimtar të jetë një tekst i cili përfshin në mënyrë të plotë dhe të renditur çështjet që trajton, pa qenë as tej mase i detajuar dhe as shumë i shkurtër. Gjuha e përdorur në tekst është mbajtur larg toneve polemike dhe shpesh herë në të janë përmendur me respekt edhe mendimet e shkollave të tjera juridike. Përmes komenteve dhe futnotave jam përpjekur që të ndërtoj një kornizë ligjërimore, ku nocionet dhe shembujt klasikë të çështjeve juridike të përthyhen në një gjuhë të përshtatshme për kulturën dhe shoqërinë shqiptare. Së fundmi, teksti është ideuar që të jetë i dobishëm si për ata që sapo hedhin hapat e para në fenë islame, ashtu edhe për të gjithë ata që, ndonëse praktikojnë Islamin prej vitesh, gjithsesi ndjejnë mungesën e një teksti i cili do t’u japë mundësinë të organizojnë në mënyrë të renditur dhe të argumentuar saktë dijet që zotërojnë.

Përzgjedhja për të përkthyer pjesë nga një manual i mirënjohur hanefi ka ardhur si pasojë e faktit se gjatë studimeve të mia kam pasur rastin ta studioj fikhun hanefi me dijetarë të ndryshëm myslimanë si edhe sepse medhhebi hanefi është pjesë e trashëgimisë ligjore myslimane në Shqipëri. Kësisoj, lëvrimin e trashëgimisë juridike hanefite në gjuhën shqipe e kam parë si pjesë të një përpjekje të rëndësishmë për të krijuar një vazhdimësi historike dhe ditunore me kontributin intelektual të brezave të mëparshëm myslimanë shqiptarë.  Personalisht mendoj se veçimi i medhebit hanefi si një medhheb i “moderuar” dhe përshkrimi i medhhebeve të tjera si “fundamentaliste” apo “konservatore” është tejet problematik. Pikësëpari një qasje e tillë kriminalizon pjesën dërrmuese të trashëgimisë juridike myslimane duke e paraqitur Islamin si të lig, apo problematik në vetvete. Ajo i privon myslimanët bashkëkohorë nga mundësia për të përzgjedhur nga rezervuari i pasur i trashëgimisë juridike myslimane ato nocione juridike që më së miri i përshtaten kontekstit modern dhe që mundësojnë përmbushjen sa më autentik të qëllimeve dhe objektivave të Sheriatit. Diskursi juridik bashkëkohorë mysliman karakterizohet nga një qasje ndërmedhhebore ku në veprimtaritë e tyre juridike, dijetarët myslimanë bashkëkohorë ofrojnë mendime juridike (ixhtihad) për çështje jetësore të bashkësisë myslimane duke përzgjedhur (tekhjir) apo përzier (telfik) parime dhe vendime juridike nga medhhebe të ndryshme. Së paku që nga fillimi i shekullit të XX projektet juridike për përditësim apo aplikimin sa më të mirë të Sheriatit për kohët moderne pothuajse asnjëhere nuk janë bazuar në metodologjinë apo vendimet juridike të një medhhebi të vetëm. Tendenca moderne, që mbizotëron në disa qarqe politike dhe kulturore, për të varfëruar hapësirën konceptuale juridike myslimane përmes “shenjtërimit” të një medhhebi dhe “anatemimit” të medhhebeve të tjera jo vetëm që i pamundëson myslimanëve që të ndërtojnë një diskurs fetar relevant për kohën tone, por edhe i hap rrugën ngurtërsimit të ligjërimit fetar dhe burokratizimit të elitës fetare. Një qasje e tillë përkrahet edhe nga tendenca e shtetit-komb për të kontrolluar dhe uniformizuar diskursin fetar duke e kufizuar atë në dorën e një elite përfaqësuesish zyrtar fetarë dhe duke e bërë më të lehtë, në këtë mënyrë, nënshtrimin e sferës fetare ndaj inxhinjerimit social të shtetit-komb. Duke krijuar dhe mbështetur një diskurs të caktuar fetar, sfera politike deligjitimon të gjitha ato diskurse fetare “alternative” që nuk përputhen me vizionin e sferës politike për fene, dhe i detyron ato drejt margjinalizmit dhe zhdukjes përfundimtare. Në këtë mënyrë, sfera politike mundëson, pa ndërhyrë formalisht drejtpërsëdrejti në çështjet fetare, përmbushjen e projektit të inxhinjerimit social shtetëror në lidhje me rolin dhe funksionin e fesë në shoqëri.

B.S: Një nga diskutimet e njohura në lidhje me përkthimet nga tradita skolastike islame ka të bëjë faktin se teksti i sillet lexuesit jo vetëm nga një gjuhë tjetër, por edhe nga një kohë e realitet historik e social tjetër. Një botim i ngjashëm në anglisht i jurisprudencës Shafi, për shembull, nga N. Keller, ka lënë pa përkthyer disa fragmente, që do ishin të vështira për tu kuptuar nga lexuesit sot. A ju shqetëson leximi i njerëzve pa bagazhin për ta bërë këtë lexim përtej kohor? Kujt i adresohet ky libër? Nëse janë imamët, a nuk supozohet që imamët të jenë të mundur ta lexojnë në origjinal? Nëse është bashkësia e besimtarëve, a nuk supozon autoriteti i shkollave që libri juaj promovon, që besimtarët pa specializim në jurisprudencën islame të drejtohen tek hoxhallarët?

 Është e vërtetë që librat Islam të periudhës klasike shfaqin pashmangshmërisht rrethanat kohore dhe sociale të kohës në të cilën janë shkruar. Po ashtu edhe gjykimet ligjore që gjenden në këto tekste shpesh janë rezultat i rrethanave socio-politike të shoqërive në të cilat autorët kanë jetuar. Duke pasur parasysh ndryshimet rrënjësore që moderniteti solli në stilin e jetës dhe në konfigurimin social, shumë dijetarë bashkëkohorë kanë përdorur mendimin e tyre të pavarur juridik (ixhtihad) për të rishikuar vendimet juridike tradicionale nën dritën e konstekstit bashkëkohor. Manuali hanefi që kam përkthyer dhe komentuar i përket sferës së adhurimeve (ibadat) e cila ndryshe nga sfera e transaksioneve (muamelat) apo politikave të Sheriatit (sijaseh shereijeh) është përgjithësisht e bazuar mbi parime universale dhe gjithëkohore. Në ato pak raste ku distance kohore ndërmjet nesh dhe autorit të librit lë hapësirë për moskuptim apo keqkuptim të tekstit, jam munduar, përmes komentit të tekstit, të ofroj një panoramë kontekstuale të tekstit në fjalë dhe të shpjegoj mënyrën se si përmbajtja tekstuale e manualit kuptohet dhe aplikohet në kontekstin bashkëkohor. Një nga arsyet përse vendosa që në vend se të përkthej ndonjë komentar klasik e të mirënjohur të manualit në fjalë ta pajis tekstin me një komentar timin ka qenë pikërisht hapësira që një veprim i tillë krijon për të përzgjedhur dhe përthyer ligjërimin juridik klasik mysliman në një format bashkëkohor, të kuptueshëm dhe lehtësisht të aksesueshëm. Teksti është ideuar të jetë një manual bazë që mund të shërbejë si një tekst mësimor për medresetë apo për mësimdhënien e fikhut hanefi nga imamët e xhamive. Po ashtu teksti është shkruar në formë të atillë që të mund të jetë lehtësisht i kuptueshëm edhe nga lexuesi jo i specializuar. Ndonëse forma ideale e mësimit të jurisprudencës islame është ajo e studimit të një manuali nën mbikëqyrjen e një mësuesi/dijetari të çertifikuar dhe të specializuar, në praktikë, në ditët tona literature fetare konsumohet kryesisht në mëyrë individuale. Në përkthimin dhe komentimin e tekstit të manualit jam munduar të marrë parasysh këtë realitet të pashmangshëm dhe ta ndërtoj komentin e manualit në formë të atillë që mund të jetë i dobishëm për të gjithë lexuesit jo të specializuar që dëshirojnë të thellojnë dijet e tyre fetare përmes studimit personal të teksteve juridike bazë.

B.S: Së fundmi, kush është projekti juaj i ardhshëm? Ju keni qenë mbrapa përpjekjes për përkthimin e një kolane në tekste studimore islame. Si ka avancuar ky projekt dhe çfarë kërkon të përmbushë?

Për momentin jam fokusuar në tezën time të doktoraturës e cila do të vërtitet rreth temës së jurisprudence të realitetit (fiqh al-waqi’) në mendimin bashkëkohor mysliman. Teza synon të hedhë dritë mbi projektet e ndryshme juridike, të propozuara nga shkollarët bashkëkohorë myslimanë, që synojnë të integrojnë realitetin kontekstual me parimet juridike universale msylimane. Unë jam i interesuar të kuptoj teoritë mbi realitetin të hedhura nga shkollarët bashkëkohor myslimanë dhe mekanizmat ligjor të identifikuar nga ata që mendohet se bëjnë të mundur aktualizimin e parimeve universale dhe tejkohore Islame në rrafshin e realitetit empirik, i cili karakterizohet nga fluiditeti dhe kushtëzimet hapësiro-kohore. Për sa i përket projektit të nisur nga qendra jonë “Erasmus” për të sjellë në shqip një kolanë me manuale bazë studimore Islame në disiplinat kryesore të trashëgimisë Islame, derimëtani kemi botuar dy tekste të tilla: 1) “Akidja e Imam Tahaviut” përktheu dhe komentoi Hamza Yusuf, si edhe 2); Imam Merghinani, “Manual i fikhut hanefi”, përktheu dhe komentoi Rezart Beka. Po ashtu, tashmë kemi bërë gati edhe tre manuale të tjerë në sferën e hadithit, etikës Islame dhe shkencave kuranore. Këto manuale i kemi përzgjedhur në mënyrë të atillë që të mbushin disa nga boshllëqet në literaturën fetare në gjuhën shqipe për të cilat folëm pak më lart. Ndonëse manualet janë bërë gati, ato nuk kanë parë ende dritën e botimit për shkak të mungesës së fondeve. Qendra jonë “Erasmus” si edhe faqja jonë e interntetit www.erasmusi.org kanë punuar ndër vite mbi baza kryesisht vullnetare. Derimëtani nuk kemi qenë në gjendje të sigurojmë fondet e nevojshme për të kryer shumë prej projekteve që kemi ndërmend. Ndonëse puna me baza vullnetare ka dobinë e saj në aspektin individual dhe atë fetar, gjithsesi mungesa e fondeve bën që projektet të mos realizohen me shpejtësinë dhe cilësinë që do të kishim dëshiruar. Gjithsesi, këtë muaj qendra “Erasmus” planifikon të botoj librin e mirënjohur të Norman Daniel, “Islami dhe Perëndimi: Ndërtimi i një përfytyrimi”. Libri është një tekst klasik në të cilin autori shpjegon mënyrën se si mendimi, kryesish negativ ndaj Islamit, u formua në Perëndim duke nisur nga shekulli i dhjetë e deri në ditët tona. Në këtë libër të shkëlqyer autori nxjerr në pah se si ligjërimi negative për Islamin ishte dhe vazhdon të jetë i motivuar nga arsye politike dhe nga padituria për Islamin, më shumë se sa nga ndonjë studim serioz, kritik e i paanshëm i trashëgimisë Islame. Duke pasur parasysh klimën bashkëkohore dhe rritjen e ndjenjave antimyslimane në sferën globale, shpresojmë se ky libër do të shërbej si një kontribut i vyer në shpjegimin e zanafillës historike dhe burimeve epistemologjike të kësaj tendence antimyslimane në Perëndim si edhe do të shërbej si një udhëzues për të mos përsëritur të njëjtat gabime si në të kaluarën.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *