Mielli hua selefi





Elton Hatibi

Nuk do të shkruaja për askënd që në anonimat anatemon apo kritikon ndonjë shkrim timin, sikur të mos merrej një tekst hua dhe t’i ripropozohej publikut nga njerëz me një farë stature publike. Pas evidentimit të thyerjeve pa zhurmë të do “tabuve” të selefizmit, dhe pas zallamahisë me shishe e me gota birre që iu thyen mes këmbëve nga shtypi online, nuk kishte se si të mos tërhiqte vëmendjen e imamit të “rrugës së Kavajës” titulli i shkrimit tim tek “e-zani i naltë” që bënte thirrje për normalizimin e jetës fetare tek myslimanët.

Ato pak paragrafë të huazuar duhet më parë t’i lexonte se mbase kish dhe gjëra që nuk merren vesh, si përshembull fjalia e parë ku përmendet termi “tabu”. Ashtu siç është formuluar fjalia të lë të kuptohet se kemi të bëjmë me tabute (arka mortore), sepse nuk di si ta kuptoj se si thyerja e tij të bëhet me gunga?! Thyerja e diçkaje, send apo koncept qoftë, për ta qartësuar procesin, mund të pasurohet me një mbiemër, por kurrsesi me një emër sepse do të kishim një anomali logjike. Unë ndryshe nuk mund ta kuptoj thyerjen me gunga të diçkaje, vetëm nëse këto të fundit të gjenden paraprakisht në objektin që thyehet, apo si pasojë e veprimit mbi objekt. Ka një përafrim në fakt mes tabutit dhe tabusë sepse në manualet e historisë së religjionit, shembulli më i përhapur që përkufizon termin është ai e sjelljes me të vdekurin. Tabu, pra, për religjonet arkaike, është prekja e të vdekurit, përmendja apo qoftë dhe shikimi i tij, dhe që t’i rikthehemi argumentit; selefinjtë tanë sillen ndaj tasavufit si paganët ndaj vdekjes.

bajrami-tirane-1-170715_9322Anonimi bën një spekulim të pafalshëm dhe disi konfuz në parashtrimin teorik të kundërshtimit të tij ndaj tasavufit. “Ekziston shejtani, ky është ligji kozmik i Zotit, ndërsa kundërshtimi i tij është ligji teologjik i Zotit” thotë ai. Më pas thotë se teqet dhe tarikatet duhet të legjitimohen me argumente fetare dhe jo historike. Nëse do të vepronin kështu atëherë i bie që ne (?) të argumentonim me argumentin kozmologjik dhe jo me argumentin teologjik. Anonimi tenton tërthorazi që sufizmin dhe tarikatet t’i paraqese si një realitet të rendit kozmik, pra që janë pjellë e shejtanit. Sipas fantazisë së tij tasavufi është një nga mënyrat me të cilat shejtani largon njeriun nga ligji i Zotit. Refuzimin ndaj tyre, anonimi e paraqet si ligj teologjik të Zotit, që “duhet kuptuar nga kushdo”. Ndërsa unë do të shtoja se para së gjithash, fariseizmi (fshehja apo shtesa në tekstet fetare) është punë e shejtanit, ndërsa sufizmi dhe tarikatet e mbështetura në traditë janë punë e myslimanit. Ekskomunikimi fetar tërthorazi, si në këtë lojën me shejtan, është pjellë e ekstremizmit fetar, i cili piksëpari përçmon traditën, dhe si rrjedhojë tejçmon mendjen e ngurtë të fanatikut.

Në asnjë rresht të shkrimit tim nuk kam përmendur asnjë praktikë të tarikateve, aq më tepër shpuarjen me thika që anonimi i huazuar e klasifikon si ritual satanist. Me të vërtetë i jam referuar historisë për të evidentuar traditën e hershme të tarikateve në viset tona, dhe s’ka se si ndryshe, por kjo nuk është përligjja teologjike. Historia ndihmon për të njohur fenomenet apo evoluimin e ideve sepse përmes tyre njerëz apo grupe njerëzish kanë ndryshuar botën. Kështu mund ta kuptoj unë faktin që Mehmet Fatihu, ai që përmes inspirimit gjeti eshtrat e sahabit të nderuar, dhe me ushrinë e tij plot me sufinj që u binin daulleve, erdhi dhe përhapi Islamin në viset tona[i]. Është detyrë e specialistëve për të detajuar se cili tarikat i tejkaloi apo modifikoi mësimet dhe praktikat e veta, në cilin vend, e në cilën kohë. Kjo futja në një thes e të gjithë sufizmit dhe degdisja e saj në portat e ferrit është e papranueshme. Xhamitë me emrin e Fatihut nga Prishtina e deri në Elbasan nuk besoj se kanë qene xhami sataniste, edhe pse diku pranë tyre dikush nga xhemati hidhte valle dhikri, e dikush tjetër shponte faqet.

Logjika historike nuk është logjikë fataliste. Idetë dhe praktikat njerëzore që janë dokumentuar përgjatë historisë, dhe që kanë ardhur deri në ditët tona, siç janë praktikat e tarikateve, duhen parë e të studiohen me sinqeritet nga specialistë e të mos paraqiten si gogol përmes imazheve të ngulitura nga produktet e realizmit socialist[ii]. Barsoletat me dervishë injorantë dhe batutat e filmave me hoxhallarët armiq t’i lëmë mënjan dhe t’i përvishemi seriozisht punëve për të ruajtur dhe forcuar traditën e tarikateve. E kam thënë dhe në shkrimin e mëparshëm; përafrimi i teqeve në sheriat është detyrë e atyre që njohin sheriatin, refuzimi kategorik është sa i pakuptimtë aq dhe rrezikshëm. Braktisja e këtij misioni do t’i ekspozonte tarikatet drejt sfidave që në më të mirën e rasteve do të rezultonin në shiizëm të institucionalizuar, e në më ekstremen e tij, në forma religjioze New Age, aq në modë këtu në Perëndim.

Sa për ihsanin që artikullshkruesi kërkon ta përkufizojë, vetë “përkufizimi” i tij në hadithin e Xhibrilit a.s i jep liri besimtarit që ta gjejë vetë realitetin. Nuk këmbëngul që çdokush duhet ta shohë në këtë prizëm këtë dimension të Islamit, por gjithashtu refuzohet kategorikisht që dikush të detyrojë dikë tjetër që të mësojë një përkufizimin statik për ihsanin. Meqë shkruesi anonim e mbështet kryesisht mësimin e selefizmit të tij tek shkolla e imam Ahmed ibn Hambelit, dua t’i kujtoj se nga literatura na ka ardhur mjaftueshëm informacion që ky kolos i umetit ka qenë një nga dashamirësit e sinqertë të mësimeve të sufinjve, dhe shumë juristë të medhhebit të tij kanë qenë shehlerë sufi. Antiintelektualizmi ku mbështeten kryesisht selefitët, një simbiozë e hershme kjo e provincializmit vendas dhe e papërgjegjshmërisë së arabëve që na dërguan, gjë që u mundëson edhe sot një sektarizëm solid, duhet të braktiset një herë e mirë. Prekja e çdo teksti fetar që mundëson njohjen duhet të jetë alternativa ndaj fletores së shkruar kuturu, dikur në kurset e Institutut të Cërrikut.

 

[i] Fjala është për daullet që frymëzuan Mozartin të kompozonte “Marshin Turk”.

[ii] Në filmin me Bimbashin, ceremonia e dhikrit nuk ka mundësi të jetë e Tarikatit Tixhani. Ngjarjet e filmit përshkruajn episode nga aktiviteti i çetës së Çerçiz Topullit që kulmojnë me vrasjen e Bimbashit ne Gjirokastër në 1908. Tarikati Tixhani, sipas Nathalie Clayer, është përhapur në Shqipëri nga Sheh Muhamed Shaban Domnori (v. 1934), pasi mori dorë nga një sheh në Meke ku kishte shkuar për në Haxhillëk, diku mes viteve 1910-11. Tarikati u përhap kryesisht në Shkoder. Dhikri i tixhanive kryhet në xhami, pa thika, dhe jo siç “dëshmon” filmi, në një holl, diku në një një rrugicë.

Comments

  • Nuk e kuptoj perse duhet qe sufizmi te ngaterrohet patjeter me praktikat e kendimit dhe vallezimit? A eshte e domosdoshme per nje besimtar qe te beje ushtrime te tilla per te rritur gradat e veta shpirterore? A nuk mjafton praktika e tarikatit muhamedan, sic e ka shpjeguar imam Bergeviu dhe e ka pekthyer hafiz Ibrahim Dalliu?

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *