Maskarada kundër Imamit të Xhamisë së Kokonozit nuk ka të ndalur. Një histeri masive ka vërshuar në rrjetet sociale, kryesisht nga besimtarë që pretendojnë të jenë selefinj, të cilët po derdhin një sërë akuzash e fyerjesh kundër tij. Në mënyrën më tinzare nga një dorë ngatërrestarësh, parashtrohen fakte të shkëptura që serviren në atë mënyrë që të duket sikur po kërcënohet feja, duke krijuar sensibilitet në rrethet e tyre.
Ai që po përbaltet me sulme të tilla të ulta është në fakt një nga imamët më të mirë që ka kryeqyteti. Imam Sajmiri ka mbajtur gjithmonë qendrimet më kurajoze e burrërore, jo vetëm ndaj shumë çështjesh për të cilat kolegët e tij, në përgjithësi janë luhatur, por edhe ndaj eprorëve të tij në Komunitetin Mysliman, në momente të vështira kur pakkush e ka bërë (për të mos thënë askush). Hidhet baltë ndaj një imami që ka qenë gjithmonë i papërfshirë në fitnet, përplasjet e grupacionet e brendshme midis hoxhallarëve e njerëzve rreth tyre. Hidhet baltë mbi një imam që nuk ka bërë kurrë rolin e protagonistit dhe nuk e ka përlyer kurrë emrin e vet me asgjë kompromentuese, por ka punuar përherë me modesti e fisnikëri, duke predikuar devotshmërinë, edukatën e mirë dhe bamirësinë mes njerëzve. Fatkeqësisht historia na tregon gjithmonë se të pastërit përbalten me shumë!
Cili është faji i tij?
Faji i pafalshëm i Imam Sajmirit na qenka se ka një shok, me të cilin ka studiuar në Siri, të cilin ai e vlereson për diturinë dhe modestinë qe reflekton. “E keqja” është se miku i tij ka qëlluar sufist. Natyrisht, jo sufist grupesh të devijuara, por sufist suni. Por për injorantët që të vetmin mjet që dijnë të përdorin në këtë botë është balta, nuk ka dallim midis sufizmit suni dhe atij të devijuar. Për “bela” të vet, hoxhë Sajmiri, shkon të marrë pjesë në disa takime në shtëpinë e një besimtari, ku miku i tij mban ligjërata për fe, si dhe këndohen ilahi me salavate për Profetin a.s.
Gjithkush do të thotë se, deri këtu nuk ka asgjë. Por nuk është aspak kështu. Për turmat histerike që kanë marrë flamurin e luftës kundër bidatit kjo është gjithçka. Kaq mjafton për ta quajtur imamin të devijuar, sufist të maskuar, teqeli, tarikatçi, të humbur e të prishur. Kori i baltës thotë edhe se ilahitë e kënduara në këto takime kanë shprehur kufër, pasi në një varg aty thuhet se Muhamedi a.s. është “dritë e Allahut”, paçka se e njëjta gjë thuhet edhe në Kuran (kush ka kohë ti kthehet Librit të Allahut për të gjykuar?!). Kjo e ben imamin konsumues të shirkut. Të tjerë, më të “devotshëm”, ngrihen e thonë se do ta përzenë nga xhamia, madje ndërmerren edhe nisma në internet ku hartohen peticione për ti kërkuar Komunitetit Mysliman ta pezullojë nga detyra.
Në fakt, nuk kemi askund asnjë prononcim apo shenjë nga imami se ai është Sufi. Ai vetëm ka marrë pjesë në një ligjëratë, ku ligjëruesi ka qenë sufi. Por hallku i ka muhabetet e shkurtra. Po shkove tek sufiu, je sufi.
Ndërkohe, çfarë bëjnë hoxhallarët? Sehir, fillimisht. Pastaj kur qelbi merr udhët e nuk ka të ndalur, fillojnë disa prononcime, madje pas orë të tëra pleqërimi, hartohet edhe një deklaratë zyrtare e Lidhjes së Hoxhallarëve (e cila në fakt shfaqet më shumë si Lidhje e Hoxhallarëve Ultraselefinj), me një qëndrim të balancuar, për merak, mbi palët, ku dënohet vajtja në teqe, por kërkohet nga ana tjetër të ruhet etika e gjakftohtësia në trajtimin e çështjes. Asnjë fjalë për padrejtësinë që po i bëhet kolegut të tyre, asnjë vërejtje për fitnen e krijuar nga përbaltësit e tij. Pra, sipas kësaj deklarate, i bie që Imam Sajmiri qenkësh vërtetë ca i devijuar, por gjithsesi është devijant që duhet të trajtohet me kujdes. Madje nga disa statuse në facebook prej tyre, shprehet hapur ose tërthorazi se duhet ta marrim me të mirë imamin që të pendohet e të rikthehet në rrugën e drejtë.
Në të vërtetë kjo jo vetëm që nuk e denon fitnen, por vetëm sa legjitimon atë, pavarësisht se ndoshta pa e patur këtë për qëllim.
Më falni! A mund të më thotë dikush, në çfarë çmendine jetojmë?!
A ka fjalë tjetër për të përkufizuar gjithë këtë situatë përveç fitnes dhe a i ka hije hoxhallarëve të mbajnë qëndrim të lëkundur ndaj saj? A ka logjikë të mbahet një qendrim i balancuar midis të përbalturit dhe përbaltësve? A ka logjikë t’iu kërkosh fitnexhinjve që të jenë më të përmbajtur kur bëjnë fitne? A ka kuptim të flitet për gabime të mundshme të hoxhës, ndërkohë që ai po linçohet në mënyrën më të fëlliqur nga nxënësit e tyre?
Një gjë është e dukshme, hoxhallarët kanë frikë nga xhemati i tyre. Për 25 vjet e kanë ushqyer këtë xhemat me doktrina nga më ekstremet dhe sot u ka dalë duarsh. E kur disa prej tyre kane filluar të kthjellohen e të kuptojnë se disa gjëra nuk janë ashtu siç i kanë menduar për vite me rradhë, është xhemati që nuk i lejon të reflektojnë, sepse i shantazhon me mjete të tilla. Prandaj jemi në këtë situatë ku në xhamitë tona ushtrohet diktati i vulgut dhe vendimet kushtëzohen nga histeria e turmave që qëllojnë me baltë e gurë këdo që del nga vija e kuqe e ekstremizmit të tyre. Hoxhallarët mbeten peng të xhematit të tyre, mësuesit, peng të nxënësve, barinjtë peng të deleve. Mekanizmi që përcakton kufinjtë e fesë është shantazhi i turmave. Nuk di çfarë fatkeqësie më e madhe mund ti ndodhë një bashkësie njerëzish.
Duhet kutpuar se kjo situatë është një dramë e vërtetë e cila rrezikon të shpjerë drejt rrënimit total. Nëse turmat histerike bëhen prodhuesit dhe imponuesit e realitetit, do shkojmë drejt një gremine ku besimtarët do të thërrmohen katërqind copash, njëra me ekstremiste se tjetra, të cilat do të bëjnë tekfir njëra-tjetrën. Atëherë do na mbetet vetëm një alternativë: Hixhreti.
Deri atëherë, ajo që duhet të kuptojmë të gjithë, është se nuk ka bir nëne që ka të drejtën ti imponojë tjetrit mendimin e vet. Qëndrimi se një pjesë e mirë e sufizmit është brenda ehli sunnetit dhe se ka mbështetje të kënaqshme në Kuran dhe Sunnet është i mirënjohur në rradhët e fukahave gjatë gjithë historisë së kësaj feje, për të mos thënë dominues. Nga kjo qasje, sufizmi është, të paktën parimisht, po aq legjitim sa selefizmi (për këtë të dytin ka shumë më pak mbështetje nga dijetarët e sotëm). Për sa kohë hoxha jonë mbështetet në dijetarë të mëdhenj eminentë e të pakontestueshëm të dijes fetare, nuk ka askush gojë të shprehë gjysëm fjale për të. Askush nuk ka të drejtën të flasë e marrë vendime në emër të fesë, dhe gjykimin e vet mbi shumë çështje fetare ta paraqesë si vendim përfundimtar të fesë.
Nëse nuk respektojmë të drejtën e gjithësecilit të zgjedhë qasjet dhe qendrimet që ia ngrohin zemrën dhe ia rehatojnë më shumë arsyen, nuk kemi për të pasur kurrë vëllazëri. Ai që nuk kupton se njeriu ka të drejten e vet absolute të ndjekë vullnetin e vet në bindjet fetare, tregon se thellë në zemrën dhe mendjen e tij vuan nga mendësi totalitare që nuk janë gjë tjetër vetëm se zullum e fitne.
Comments
shkrim i mire. vetem se me duket e tepert zgjatja ne prezantimin cv e imamit te perfolur. Sepse indirekt i bie, qe nqs nuk do i kishte keto cilesi, ose nuk do ishte i dashur per ne, atehere kjo fushate denigruese do te ishte e perligjur. Ndersa ne fakt, duhet qe edukata, permbajtja dhe adresimi ndaj tjetrit me friken e Zotit ne zemer, te ishte/ jete, tipar dallues i yni, edhe kur flasim per njerez/fenomene qe i neverisim ose i urrejme