6784Dahlia Scheindlin

The Guardian

Një konsulent politik më tregoi një herë si kishte ngrënë drekë me Benjamin Netanjahun, i cili porositi një hamburger me patate të skuqura. Ai nuk duhej të hante ushqime të tilla – urdhër i doktorit. Ndërsa ata po mbaronin, hyri gruaja e Netanjahut, Sara, pa faktet dhe u zemërua. Netanjahu e shikoi atë drejt e në sy dhe tha se nuk kishte ngrënë një hamburger të tillë. Rrëfyesi i ngjarjes tha se ai ishte bindur që atë moment vetë Netanjahu besonte që nuk kishte ngrënë hamburger.

Nëse është legjendë, është shumë e gjetur. Netanjahu përqafon rregullisht ide të këqija ose dhe gënjeshtra në mënyrë aq të plotë sa ai bind veten se ka të drejtë. Pastaj fillojnë t’i besojnë dhe të tjerët. Ideja e tij e çuditshme, e theksuar në një fjalim, ishte që Hitleri do të kishte qenë i kënaqur me dëbimin e çifutëve, nëse një palestinez, asokohe myftiu i madh i Jerusalemit, nuk do t’i kishte sugjeruar zhdukjen e tyre. Dhe këto të gjitha kanë një qëllim. Në çdo fazë të karrierës së tij, Netanjahu ka pasur një fabul që e imponon me aq agresivitet saqë i çmend qytetarët. Por ato janë të pëlqyera nga publiku dhe ato prodhojnë lajme me vëmendjen vetëm tek ai, duke e kthyer në mbretin e çështjes.

Kur mori deyrën për herë të dytë më 2009, ai filloi të thoshte “delegjitimim” kundër çdo kritike të mundshme. Izraelitët e kanë të vështirë shqiptimin e kësaj fjale angleze, por ishte një deklaratë aq e fuqishme dhe e gjetur: ne s’po bëjmë asgjë të gabuar, ata thjesht na urrejnë. Jemi ne kundër botës. Ai fitoi mandatin e tretë. Në mandatin e tretë, Netanjahu  e ngriti në qiell volumin kundër Iranit.

Të gjitha këto sjellje të Netanjahut iu përgjigjën një qëllimi politik të caktuar. Delegjitimimi ishte përgjigja e tij dhe shumë shpejt përgjigja e Izraelit ndaj zemërimit global me luftën e parë, nga tre, të Izraelit në Gaza dhe incidentin e Mavi Marmara në të cilin Izraeli goditi një anije që u përpoq të çante rrethimin e Gazas, dhe vrau nëntë qytetarë turq. Ndërkohë, Irani ishte çështja që Netanjahu përdori për të kaluar në hije çdo lloj diskutimi për palestinezët dhe pushtimin.

Nuk është koincidencë që këto fabula janë rrënjosur në kërcënim ekzistencial. Ai e di që është në rezonancë me qëndrimin publikut izraelit.

Por kësaj radhe e ka mbushur kupën, thonë kritikët e tij. Ai ka hapur fletët e holokaustit, i cili është i shenjtë për çifutët, mbushur me pasaktësi historike absurde. Edhe përkrahësit e tij do të lëkunden përballë këtij deformimi të hapur të historisë, dakord? Ndoshta jo. Netanjahu e di se çfarë thotë e po kështu e di dhe publiku izraelit. Kjo s’ka të bëjë me Hitlerin ose Haxhi Aminin [myftiu]. Ky është zemërimi – për melodinë e mandatit të katërt të Netanjahut.

Në këtë melodi, zemërimi palestinez, i cili ekziston realisht, është arsyeja e vetme për shtimin e dhunës së fundit. Kjo e asgjë tjetër. As kufizimet relative të flakura në fytyrën e  Jerusalemit Lindor përditë. Jo drejtësia relative – palestinezi që plagosi me thikë një çifut u vra në vendngjarje direkt, kurse terroristët çifutë që dogjën familjen Dauabshe ndërsa ishin në gjumë nuk janë fajësuar. As pushtimi prej pesë dekadash. Vetëm zemërimi.

“Zemërimi palestinez” funksionon për Netanjahun në tre mënyra. Një, siç u përmend, shpjegon dhunën më të fundit për kënaqësinë e pjesës më të madhe të publikut izraelit dhe justifikon reagimin e Izraelit: gjithçka është vetëmbrojtje. Dy, përmban kërcënimin ekzistencial që është thelbi i gjithë temave. Zemërimi palestinez tani është lidhur me shkatërrimin fizik më të madh me të cilin çifutët janë përballur ndonjëherë. Hebrenjte në Izrael dhe kudo që janë duhet përherë të kenë frikë shkatërrimin ekzistencial; kjo justifikon politikat e Izraelit dhe ndihmon Netanjahun të fitojë zgjedhjet.

Tre, dhe më shqetësuesja: diku nga fundi viteve 2000, u bë e pranueshme të jesh haptazi racist në diskursin politik. Më 2009, Avigdor Lieberman bëri fushatë duke sulmuar popullsinë arabe të Izraelit. Një nga sloganet sarkastike ishte: “Vetëm Liberman flet arabisht!” Racizmi i hapur u bë i prnaueshëm për sloganet politike.

Likud konkurroi menjëherë, përfaqësuesit e saj në parlament sponsorizuan ligje kundër arabëve, si ligji i betimit për besnikëri. Pastaj më 2012 Likud e mbushi listën e deputetëve me ekstremistë që përqafuan temën e ksenofobisë.

Në lojë u fut Naftali Bennett. Partia e tij Shtëpia Hebreje merr nga elektorati i djathtë i Lukud-it të Netanjahut, pjesërisht pse shton retorikën kundër arabëve. Një nga anëtarët e partisë së tij, Orit Strock, u tha parlamentarëve arabë se ata (arabët në përgjithësi) ishin “egërsira”.

Fjalët e tij s’kishin dalë ende nga goja kur historianë izraelitë reaguan; një i mbijetuar i holokaustit shkroi kundër komenteve të tij dhe kancelaria gjermane këmbënguli në fajësinë e Gjermanisë për vrasjen në masë dhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA foli tërthorazi për “retorikë zjarrvënëse”. Ndoshta këtë herë Netanjahu e ka tepruar vërtetë. Ai menjëherë nxitoi të qartësonte.

Bazuar në kohët e fundit ndoshta ai do t’ia hedhë pa u dëmtuar. Në nivel ndërkombëtar, Netanjahu i zbriti marrëdhëniet amerikano-izraelite në një nivel të ulët të ri dhe ende vazhdon të qëndrojë. Ai i trembi izraelitët çifutë që qytetarët e tij, arabët, po shkonin të votonin në turma, duke shkaktuar zemërim jashtë vendit – por ja ku është.

Në Izrael, një ditë pas deklaratës bombë për Hitlerin, portali lajmeve më i lexuar izraelit Ynet nuk botoi asnjë opinion kundër kësaj çështjeje. Faqja elektronike e djathtë Arutz 7 botoi një artikull të zv/ministrit të jashtëm izraelit që kishte folur në Fox News për zemërimin palestinez. Dhe një tjetër portal mainstream, Nrg, botoi dy komente në mbështetje të idesë që palestinezët dhe myftiu kishin inkurajuar gjenocidin. Pse jo?

Shpjegimi i Netanjahut për qartësim ishte ky: “Nuk doja të shfajësoja Hitlerin nga përgjegjësia, por të tregoja se babai i kombit palestinez donte shkatërrimin e çifutëve pa i pushtuar fare.”

Netanjahu e dinte çfarë thoshte dhe me kë fliste. Ai di si të mbushë boshllëqet ndërsa i shkel syrin një segmenti të madh të izraelitëve çifutë që kanë nevojë të dëgjojnë fabulën e tij. Vetëm Netanjahu, me sa duket, flet izraelisht.

 

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *