Prej shenjave të atyre që janë të kthyer me pendim tek Zoti është ndjenja e përbuzjes/përçmimit për ata njerëz që tregohen neglizhent (gafil ndaj urdhëresave të Zotit), madje të frikësuarit për ta (d.m.th. per fundin e tyre). Ndërsa mbajmë njëkohësisht hapur derën e shpresës për veten, duke shpresuar mëshirë për veten dhe duke iu frikësuar ndëshkimit për neglizhentët e urdhërave të Zotit, por njëkohësisht duke shpresuar për mëshirën (e Zotit) ndaj tyre dhe drojen për ndëshkimin e Zotit ndaj nesh. Nëse në momentin kur zbulon gjendjen e gjynahqarëve dhe kur sheh se cfarë ata bëjnë nuk arrin dot të përmbash përbuzjen dhe zemërimin kundrejt tyre, atëherë duhet të tregoshesh madje edhe më përbuzës ndaj nefsit (shpirtit) tënd dhe të kesh më shumë shpresë në mëshirën e Zotit kundrejt tyre se sa kundrejt teje.
Një nga paraardhësit e devotshëm (selef) ka thanë: “Ti nuk e ke arritur vërtet kuptimin (e fesë) derisa të ndjesh përbuzje/përcmim për ata njerëz që nuk i binden Zotit dhe më pas të kthesh (vëmendjen) drejt vetes tënde dhe të ndjesh një përbuzje akoma më të madhe për të”. Ky pohim nuk mund të kuptohet përveç se nga ai i cili vërtet e kupton fenë e Zotit të Lartësuar. Ai që ka parë realitetin e krijimit, pafuqinë e krijesave, dobësitë, mangësitë, dështimet, deficitet e tyre në respektimin e të drejtave të Zotit, kërkimin e ndihmës tek dikush tjetër përveç Tij, shitjen e hises së tyre tek Zoti në shkëmbin të gjërave të më ulta, më jetëshkurtra, më kalimtare, nuk mund të mos ndjejë neveri/mospëlqim ndaj tyre. Ai nuk mund ta shmangë një ndjenjë të tillë. Megjthëkëtë, kur ai e kthen vështrimin tek shpirti i tij, gjendja dhe mangësitë e tij, dhe nëse vërtet ai zotëron aftësi depërtuese [për të shqyrtuar shpirtin e tij] atëherë ai do të ndjejë neveri dhe përbuzje akoma më të madhe ndaj vetvetes. Ky është përsoni që zotëron kuptim në fe.
Për sa i përket hetimit në detaje të adhurimit tënd, një gjë e tillë kërkon shqyrtimin e mënyrës se si adhurimi korruptohet nga dëshirat e nefsit. Po ashtu një gjë e tillë kërkon që të ndahet çfarë është për Zotin dhe çfarë është për veten. Është krejtësisht e mundur që në mënyrë të pavetëdijshme shumica, për të mos të thënë të gjitha, prej veprave tona të devotshmërisë të bëhen për të kënaqur dëshirat personale. Pasha Zotin, përveç të cilit nuk ka Zot tjetër të denjë për tu adhuruar, sa të shumtë janë ata shpirtra që vuajnë nga sëmundjet dhe dëshirat e fshehta të cilat e bëjnë të pamundur që veprat e tyre të jenë pastërtisht dhe vetëm për Zotin dhe që i pengojnë veprat që të arrinë tek Zoti [d.m.th. të pranohen prej Tij].
Një njeri mund shumë mirë të veprojë drejt ndërsa është në vetmi dhe i padiktuar nga askush dhe përsëri veprimi i ij të jetë jo i pastër dhe jo i kryer ekskluzivisht vetëm për Zotin. Po ashtu, një njeri mund të veproj drejt duke qenë ndërkohë nën shikimin lëvdues të njerëzve dhe vepra e tij mund shumë mirë të jetë ekskluzivisht vetëm për hir të Zotit.
Midis veprimit dhe zemrës ekziston një rrugë e gjatë në të cilën gjenden banditë të cilët e pengojnë veprën që të arrijë zemrën. Mund të ndodhë shumë mirë që veprat e mira të një njeriu të jenë të shumta, por as dashuria, droja, shpresa, asketizmi apo dëshira për botën tjetër nuk arrijnë në zemrën e tij. Nëse efekti i veprave të tij do të kishte mundësinë të arrinte në zemrën e tij, atëherë ai do ta mbushte atë me dritë dhe do ta ndriçonte në mënyrë të atillë që ai do të ishte në gjendje të dallonte të drejtën nga e gabuara dhe të shquante miqtë e Zotit nga armiqtë e Tij si edhe përjetimi i shumë gjendjeve shpirtërore do të bëhej i mundur për të.
Një rrugë e gjatë ekziston, gjithashtu, edhe ndërmjet zemrës dhe Zotit. Edhe në të ekzistojnë banditë që i pengojnë veprat për të arrirë tek Zoti, [banditë] të tillë si arroganca, admirimi i vetes, mburrja, harresa e mirësive të Zotit dhe shumë e shumë të meta të tjera më pak të diktueshme. Është thjesht për shkak të mirësisë së Zotit që këto të meta mbeten të padiktueshme për shumicën e kryerësve të veprave. Sepse, nëse këto të meta do të bëheshin të dukshme, atëherë kryerësit e veprave ndoshta do të binin në diçka edhe më të keqe, si p.sh. dëshpërim, ndjenjë të pafuqisë, brejtjeje të ndërgjegjes, braktisje të veprimit, dobësim të vullnetit dhe zbehje të vendosmërisë.
Kjo është arsyeja përse kur libri i Harith el-Muhasibit “Ruajtja e të drejtave të Zotit” u shfaq për herë të parë dhe adhuruesit filluan të angazhoheshin me të, xhamitë që zakonisht mbusheshin me adhurues u boshatisën. Një mjek me përvojë e di se si t’i shërojë shpirtrat në mënyrë të atillë që të mos shkatërrohet një qytet për të ndërtuar një pallat mbretëror.
Përktheu: Rezart Beka
Fragment i shkëputur nga libri i Ibn Kajim el-Xheuzijeh, “Medarixh el-Salikin”, (Dar el-Kutub el-Ilmijeh), f. 273-274.
Comments