imagesAlan Strathern/ Oxford University

BBC

Nga gjithë parimet morale të instaluara te murgjit budistë, premtimi për të mos vrarë vjen i pari, dhe parimi i mospërdorimit të dhunës mendohet që është më qendror te budistët sesa te besimet fetare të tjera. Kështu që pse murgjit kanë përdorur gjuhë urrejtje kundër myslimanëve dhe iu janë bashkuar turmave që kanë vrarë me dyzina?

Kjo ka ndodhur në dy vende të ndara nga mbi 1000 milje të Oqeanit Idian – Birmani dhe Sri Lanka. Është e habitshme sepse asnjë nga këto vende nuk përballet me kërcënime të militantëve islamikë. Myslimanët në të dyja vendet janë përgjithësisht paqësorë dhe pakicë.

Në Sri Lanka, shkëndija ndezëse ka qenë çështja e therjeve hallall. Të udhëhequr nga murgjit, anëtarët e Bodu Bala Sena – Brigada Budiste – kanë organizuar protesta, kanë bërë thirrje për veprime direkte dhe për bojkotimin e bizneseve myslimane, si dhe ankohen për madhësinë e familjeve myslimane.

Ndërsa në Sri Lanka myslimanët nuk janë vrarë, në Birmani gjendje është shumë më serioze. Antagonizmi këtu drejtohet nga grupi 969, i udhëhequr nga një murg, Ashin Wirathu, i cili u burgo më 2003 për përhapje të urrejtjes fetare. I liruar në 2012, çuditërisht ai e quan veten “Bin Ladeni birmanez.”

Në mars pati një shpërthim të dhunës së turmave kundër myslimanëve në qytetin Meiktila, në qendër të Birmanisë, ku mbetën të vrarë 40 persona.

Për ironi, dhuna nisi në një dyqan floriri. Lëvizjet në të dyja vendet shfrytëzojnë një ndjenjë pakënaqësish ekonomike – një pakicë fetare përdoret si kokë turku për aspiratat e zemëruara të shumicës.

Të martën, turmat budiste sulmuan një xhami dhe dogjën 70 shtëpi në Oakkan, në veri të Rangoon, pasi një vajzë myslimane me biçikletë u përplas me një murg. Një person vdiq dhe nëntë u plagosën.

Po a nuk besohet që murgjit budistë janë personazhet pozitive të fesë?

Mendimet agresive janë armiqësore për gjithë mësimet budiste. Madje budizmi është i pajisur me një mënyrë praktike për eliminimin e tyre. Përmes meditimi dallimi mes ndjenjave të tua dhe të të tjerëve duhet të nisë të shpërbëhet, ndërsa keqardhja për gjithë qeniet e gjalla rritet.

Sigurisht, edhe në mësimet e krishtera ka një linjë të fortë pacifizmi: “Duaji armiqtë e tu dhe lutuni për ata që ju persekutojnë,” ishin fjalët e Krishtit në meshën në Mal.

Por, cilado qoftë nisja e besimi fetar, herët a vonë hyn në një pakt faustian me politikën shtetërore. Murgjit budistë kthyen sytë nga mbretërit, përdoruesit e fundmë të dhunës, për mbështetje, mbrojtje dhe rregull që vetëm ata mund ta ofronin. Mbretërit kërkuan te murgjit legjitimitetin popullor që vetëm një vizion moral kaq i lartë mund ta jepte.

Rezultati mund të duket ironik. Nëse ke një ndjenjë të fortë për superioritetin moral të këndvështrimit tënd mbi botën, atëherë nevoja për ta mbrojtur dhe zgjeruar mund të duket detyra më e rëndësishme nga të gjitha.

Kryqtarët e krishterë, militantët islamikë, ose liderët e “shteteve në dashuri me lirinë”, të gjithë e justifikojnë atë që e shikojnë si dhunë të nevojshme në emër të të mirës së epërme. Sunduesit dhe murgjit budistë nuk kanë bërë përjashtim.

Pra, historikisht, budizmi nuk ka qenë një fe më paqësore se krishterimi.

Një nga mbretërit më të famshëm në historinë e Sri Lankës ka qenë Dutugamanu dhe bashkimi i ishullit prej tij në shekullin e dytë para Krishtit është i lidhur me një kronikë të rëndësishme, Mahavamsa-n.

Ajo thotë që ai vendosi një relike budiste në heshtën e tij dhe mori me vete 500 murgj në luftën kundër një mbreti jo budist.

Ai i shkatërroi kundërshtarët e tij. Pas gjakderdhjes, disa mendjendritur e ngushëlluan se armiqtë “ishin si kafshë; ju do ta bëni gjakun e besimit të Budës të shkëlqejë.”

Sundimtarët birmanezë, të njohur si “mbretërit e të drejtës”, i justifikuan luftërat në emër të asaj që e quanin doktrina budiste e vërtetë.

Në Japoni, shumë samuraj besonin në budizmin Zen dhe shumë argumente i mbrojtën ata – për shembull, vrasja e një njeriu që përgatitej të kryente një krim të tmerrshëm ishte akt mëshire. Një arsyetim i tillë doli përsëri në sipërfaqe kur Japonia u mobilizua për Luftën e Dytë Botërore.

Budizmi mori rol udhëheqës në lëvizjet nacionaliste që u shfaqën në Birmani dhe Sri Lanka për të larguar sundimin e Mbretërisë Britanike. Shpesh kjo u kthye në dhunë. Në Rangoon-in e viteve 30, mes thirrjeve për aksion, murgjit vranë me thika katër evropianë.

Më e rëndësishme, shumë prej tyre filluan të mendojnë që budizmi ishte pjesë integrale e identitetit të tyre kombëtar – dhe pozicioni i minoriteteve në këto shtete të sapo krijuara ishte i parehatshëm.

Më 1983, tensionet etnike në Sri Lanka shpërthyen në luftë civile. Grupet tamile në veri dhe lindje të ishullit kërkuan që të ndaheshin nga qeveria e shumicës sinhalizë.

Gjatë luftës, dhuna më e madhe kundër myslimanëve të Sri Lankës ishte nga rebelët tamilë. Por pasi lufta e përgjakshme përfundoi me humbjen e rebelëve më 2009, duket se pasionet e shumicës kanë gjetur një shënjestër tjetër te pakica myslimane.

Në Birmani, murgjit përdorën autoritetin moral për të sfiduar juntën ushtarake dhe debatonin për demokraci në revolucionin Safron më 2007. protesta paqësore ishte arma kryesore e zgjedhur këtë herë, dhe murgjit e paguan me jetën e tyre.

Tani disa murgj e përdorin autoritetin e tyre moral për t’i shërbyer një qëllimi tjetër. Ata mund të jenë pakicë, por masa e 500 000 murgjve, kur përfshihen shumë fëmijë në manastire si fëmijë që i largohen varfërisë ose jetimë, sigurisht që ka pjesën e saj të të rinjve të zemëruar.

Natyra e saktë marrëdhënies mes budistëve ekstremistë dhe partive në pushtet në të dy vendet është e paqartë.

Ministri i Mbrojtjes së Sri Lankës Gotabhaya Rajapaksa ishte i ftuar nderi në një takim në një shkollë trajnimi të Brigadës Budiste, dhe iu referua murgjve si ata që “mbrojnë vendin, fenë dhe racën tonë.”

Por mesazhi kundër myslimanëve duket se i ka pëlqyer një pjese të popullsisë. Megjithëse ata përbëjnë shumicë në të dy vendet, shumë budistë mendojnë se vendi i tyre duhet të bashkohet dhe se feja e tyre është e kërcënuar.

Klima globale është kyç. Njerëzit mendojnë se islami radikal është qendra e shumë konflikteve të dhunshme në gjithë botën. Ata mendojnë se gjenden në anën e kundërt të këtyre shkëmbimeve të nxitura nga besimet shumë më monoteiste. Dhe ata mendojnë se, nëse grupet e tjera fetare do të përdorin forcën, atëherë ata bëjnë mirë t’i ndjekin.

 

http://www.bbc.com/news/magazine-22356306

Comments

Your email address will not be published.