Kanuni i Frrokut që bëhet Azem





Aiga_customsHaris Omari

Nga fenomenet më tipizuese të shqiptarit të pas 1990 ka qenë ‘ndryshimi i identitetit’, shpesh herë i konceptuar si ndryshim gardërobe. Një palë dokumente janë luksi i shpresuar që Mehdiun e bëjnë me vrap Mihailos. Sigurimi i shkollës me drekë për fëmijët është arsye e mjaftueshme që një nënë e papunë dhe e pambështetje të pranojë në heshtje kirurgjinë identitare të motrave edukatore në mes të Italisë së shek. XXI. Mundësia për lejeqëndrim ka kthyer në Azem kontingjente të vërshuara në Europën e mirëqenë nga zona të Shqipërisë veriore, që segmente elitare i përdorin si kavie për të vërtetuar pastërtinë e gjakut, tipologjinë e shqiptarit 24 karatësh, ruajtjen e vlerave, identitetit, mbrojtjen e fesë e me radhë.

Emri Azem, i cili mundëson eldoradon, i përket rezervuarit antroponimik islam e kosovar. Zgjedhja e tij është garanci, sepse i tillë është imazhi që vendet pritës – letra bërës – kanë për Kosovën, ndryshe nga emrat Berat e Lush, fjala bie, që rrisin mundësinë e dyshimeve nga autoritetet filtruese. Duhet të dinë diçka Frrokët e bërë Azem dhe Liman përse nuk morën emrin Anton, meqë Çeta është ikonë kosovare, apo nuk mbajtën origjinalin duke ndryshuar thjesht mbiemrin në Krasniqi. Teksa në Kosovë akuzohet futbollisti Mavraj me stigma fetare të kalibrit islam, Europa i pranon Frrokët, për kosovarë, në gjirin e saj, sapo bëhen Azemë.

Vështirë të qarkullojë nëpër media ky vektor emër-ndërrimesh, siç është e pamundur të informohet publiku shqiptar për hallexhinjtë bashkatdhetarë të Italisë, që për t’i shpëtuar ngarkesave të jabanxhiut – ‘presionit ekonomik’, siç jemi mësuar ta dëgjojmë nga “ekspertet” tanë të islamizimit shqiptar – përqafojnë pa problem teknikën e lulediellit. Këta janë të destinuar të mbesin anonimë, sepse nuk janë si Entela e bërë Terezë. Raste të ngjashme, të vërejtura me bollëk në Greqi, janë ilustruar herë pas herë nga media shqiptare, me fajësimin direkt ose indirekt të politikës greke apo Kishës ortodokse. Synimi nuk duhet të jetë aq shumë shqetësimi për fatin e shqiptarëve apo evidentimi i plagës së ‘detyrimit’, meqenëse përbën lajm vetëm kur na e bën greku ose na i merr femrat për nuse fshatari serb.

Edhe faqet e shkruara për Frrokun e kosovarizuar përmes islamizimit nuk kanë aspak për synim fenomenin. Rasti merr famë sepse para Frroku-t ka një Mark që është deputet. Këtu ngrihet sipari dhe fillon estrada. Qëllimi është të vërtetohet se deputeti ka qenë në Belgjikë, jo edhe aq fakti se kemi përfaqësues të shtetit një Azem kosovar të deputetizuar me emrin Mark. Një herë që foli në Kuvend, deputeti e pranoi vetë se kishte investuar të bëhej edhe Azem.

Marku, që nga versioni i Luc Besson-it ndryshon vetëm sepse te varrezat e traditës familjare nuk ka hoxhë, ia komplikon më tej imazhin vetes kur në shfaqjen e tij fton Zotin, ligjet e ‘burrnisë’ dhe të ‘malcorit’, të sistemuara nga Kanuni. Deklaron se i zgjidh çështjet sipas traditës krahinore, me Kanun, me pleqësi. Askush nga të shqetësuarit se Edi Rama po diskriminon Veriun nuk e këshillon Markun që referenca ndaj traditës dhe krahinës, për këtë ngjarje, është në vetvete fëlliqje e tyre. Çdo gjë ka natyrë folkloristike, sidomos kur përdoret karta e besës dhe burrnisë. S’vlen më regjistri i burrnisë kur është pranuar kalimi në Azem për dokumente, kur është shfrytëzuar tragjedia kosovare për t’iu hequr atyre mundësinë e ndihmës europiane dhe për të mashtruar bamirësin. Nuk vlen as Zoti, sepse urdhëresa thotë shprehimisht “mos vidh”, ndërsa këtu vidhet kosovari dhe belgu.

Askush nga ata që garojnë t’i hedhin në faqen e parë deklaruesit e “nuk duam avokatë, na mbron Allahu” nuk reflektojnë, as kalimthi, mbi deklaratat me Zot dhe prift të një deputeti, të Kuvendit e jo të kullave të periferisë, të Republikës së Shqipërisë e jo të Sirisë. Më e renda është se institucionet dhe media, i ashtuquajturi “pushtet i katërt”, anashkalojnë tërësisht sesi një deputet, në një Republikë parlamentare, me kushtetutë e me ligje, i zgjidh publikisht problemet me normat e Kanunit. Vetëm fakti se flitet për vrasje të zgjidhur, ose të pretenduar si të zgjidhur, me një shpurë dëshmitarësh betimi, në numër 24-26, mes të cilëve edhe dy klerikë, është mjaftueshëm rrëqethës. Pastaj korruptimi i tyre dhe mashtrim janë pjesë e korporatës se normalitetit shqiptar, përndryshe do të mjaftonte deklarata në Kuvend e deputetit se ka “mashtruar autoritetet belge” për t’i kushtuar, së paku, një qëndrim institucional.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *