Gerdi Demneri
O ju që keni besuar! Jini mbajtës të drejtësisë, dëshmitarë për Allahun, qoftë edhe kundër veteve tuaja, prindërve apo të afërmve! (En-Nisa, 135)
Kujto qëAllahu mori premtimin prej atyre që ju është dhënë Libri, se do t’jua bëni atë(Librin) të qartë njerëzve dhe nuk do ta fshihni! Por ata e hodhën premtimin pas shpinës së tye dhe e këmbyen atë me një vlerë të vogël! E keqe është ajo që morën në këmbim!(Ali Imran, 187)
Ndërtimi i Xhamisë së Madhe të Tiranës në vendin e quajtur Namazgja është një peripeci 20-vjeçare, që kur guri i parë u vendos në atë vend në vitin 1993. Për të përmbushur nevojat e KMSH për hapësira të mjaftueshme lutjeje për besimtarët u desh një marrëveshje me pronarët e parcelës kufitare për nxjerrjen e një lejeje ndërtimi të përbashkët. Qeveria e re e krijuar pas zgjedhjeve të vitit 2013 e anulloi këtë leje dhe vendosi të shpronësonte pronarët e tokës kufitare me qëllim ndërtimin e xhamisë dhe muzeut të bashkëjetesës fetare. Ky shpronësim nuk është pranuar nga pronarët e truallit, sepse çmimi i vlerësimit të tokës është konsideruar më i vogël se çmimi i tregut për vendin ku ndodhet prona. Ndërkohë, për besimtarët myslimanë një problem i ri është ngritur: problemi i ligjshmërisë dhe moralitetit sipas jurisprudencës islame. A është e vlefshme që një pjesë e xhamisë të ndërtohet pjesërisht mbi një truall të marrë pa pëlqimin e pronarëve?
Për besimtarët është e domosdoshme që autoritetet fetare të vendit të përcaktojnë vlefshmërinë nga aspekti fetar të shpronësimit dhe përdorimit të kompleksit të xhamisë për kryerjen e namazeve dhe veprimtarive të tjera në të. Siç do të shihet në vijim, saktësia dhe vlefshmëria sipas jurisprudencës islame e mënyrës së shpronësimit të tokës kufitare, mbi një pjesë të së cilës do shtrihet pjesërisht xhamia, përcakton edhe ligjshmërinë e përdorimit të tokës për ndërtimin e saj, ashtu sikundër lejueshmërinë, madje dhe vlefshmërinë, e vetë riteve që do kryhen brenda saj.
Nga ana e KMSH, imamllarëve të xhamive dhe hoxhallarëve nuk ka patur një qëndrim publik nëse mënyra e shpronësimit të tokës dhe dhurimi i mëpasshëm i saj nga ana eqeverisë, ka qenë apo jo në përputhje me dispozitat fetare. Kjo heshtje e shtoi amullinë në lidhje me këtë çështje dhe i hapi shteg një mori debatesh dhe këndvështrimesh ndërmjet besimtarëve.
Rreshtat që vijojnë janë një përpjekje për të sjellë trajtimin e juristëve myslimanë të kushtit thelbësor që duhet të plotësojë çmimi me të cilin mund të shpronësohet pasuria individuale për interes publik, si dhe të efekteve që pasojnë kur ai nuk e plotëson atë.
Shpronësimi për interes publik në historinë islame
Shpronësimi për interes publik është një praktikë e mirënjohur në historinë islame, shembuj të së cilës Dr. Bekr bin Abdullah ebu Zejd i ka sjellë në një punim të tijin të botuar nga revista e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam. Mes këtyre shembujve ai përmend:
– Zgjerimi i xhamisë së Profetit dhe xhamisë së Qabes nga Umer bin Khatabi. Në rastin e xhamisë së Qabes, Umeri urdhëroi prishjen shtëpive të atyre që kishin refuzuar të shisnin shtëpitë e tyre dhe ua kompensoi vlerat e tyre nga thesari i shtetit. Në të gjitha shpronësimet, pronat, ose dhuroheshin, ose zhdëmtoheshin kundrejt një kompensimi të drejtë.
– Zgjerimi i xhamisë së Profetit nga Uthman bin Afani.
– Zgjerimi i xhamisë së Qabes nga Ibën Zubejri.
– Zgjerimi i xhamisë së Profetit kur guvernator i saj ishte Umer bin Abdul-Azizi, i cili i vlerësoi pasuritë me çmim të drejtë dhe u pagoi pronarëve vlerën përkatëse. [1]
Çmimi i drejtë si kusht i domosdoshëm i shpronësimit për interes publik
Ashtu sikurse juristët myslimanë kanë rënë në konsensus për lejimin e shpronësimit të pronës individuale në interes të dobisë publike, po ashtu kanë rënë në konsensus për domosdoshmërinë e vlerësimit të pronës me çmim të drejtë, të cilin e përcaktojnë ekspertët e fushës.
Në diskutimin e dispozitave mbi pronësinë, Enciklopedia e Fikh-ut shprehet se “juristët janë të mendimit se, kur njerëzit janë në numër më të madh se sa kapaciteti që nxe xhamia, lejohet zgjerimi i saj në kurriz të pronave të zotëruara nga individët, dhe po kështu, kur nevojitet hapja e rrugëve publike, apo zgjerimi i tyre dhe raste të ngjashme me këto, por me kusht që pronarët të kompensohen në mënyrë të drejtë sipas vlerësimit të kryer nga njerëz me ekspertizë.” [2]
Dr. Bekr ebu Zejd thekson në punimin e tij:
“Dhënia përparësi dobisë së përgjithshëm në rastin e shpronësimeve për interes publik duhet të kryhet pa dëmtuar interesin individual. Kusht për këtë është që shpronësimi të shoqërohet me një kompensim të drejtë, të pagueshëm në çast. E drejta e ushtrimit të pronësisë mbi pronën individuale është nga çështjet e mirëqena në sheriat, dhe si e tillë, ajo nuk transferohet nga pronari, përveçse me konsensusin dhe aprovimin e tij. Nuk i takon askujt ta përvetësojë pronën, apo një pjesë të saj, pa dëshirën e pronarit, përveç kur është e domosdoshme, siç është rasti i shpronësimit për interes publik, ku dobia e përgjithshme ka përparësi ndaj interesit individual. Në këtë rast, pronari duhet të aprovojë shitjen e pronës së tij me vullnet të lirë, për sa kohë kjo shitje bëhet përkundrejt një kompensimi të drejtë që paguhet menjëherë. Nëse pronari refuzon ta shesë, pengimi i tij është i kundërligjshëm dhe shteti e bën të detyrueshëm shpronësimin, përkundrejt kompensimit të drejtë që paguhet menjëherë, në mënyrë që të realizohet interesi publik.” [3]
Prona e shpronësuar me çmim jo të drejtë konsiderohet një pronë e grabitur
Në vazhdim të diskutimit të tij, dr. Bekr ebu Zejd shprehet:
“Është e ditur prej sheriatit domosdoshmëria e pacënueshmërisë së pasurisë, dhe që askush përveç pronarit të saj nuk ka pushtet mbi të. Prandaj shpronësimi me forcë kufizohet me kushte dhe kritere, të cilat duhen plotësuar në mënyrë që ai të jetë i rregullt, përndryshe ai është i pavlefshëm dhe konsiderohet shtrëngim pa të drejtë.” [4]
Gjithashtu, Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam është shprehur se, prej kushteve të domosdoshme të shpronësimit për interes publik është “shoqërimi i tij me kompensim të drejtë dhe të pagueshëm menjëherë, i cili duhet të jetë i përcaktuar nga specialistët, dhe jo më pak se vlera e tregut e një prone të tillë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, atëherë shpronësimi konsiderohet prej padrejtësive në Tokë, dhe prej grabitjeve të cilat i ka ndaluar Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij.” [5]
Sipas trajtimit të mësipërm, nëse shpronësimi nga ana e shtetit i tokës së vënë në dispozicion tëKMSH për ndërtimin e xhamisë së namazgjasë është kryer me çmim jo të drejtë, atëhere në bazë të jursiprudencës islame ajo tokë konsiderohet një pronë e grabitur.
Nëse toka është grabitur prej shtetit, a ndikon kjo në vlefshmërinë e dhurimit të kësaj toke nga ana e shtetit për ndërtimin e xhamisë? A është konflikti për vlerën e drejtë të shpronësimit vetëm një çështje për t’u zgjidhur mes pronarëve të tokës dhe shtetit? A prek ai, nga këndvështrimi islam, ligjshmërinë e pronësisë së shtetit mbi tokën, e si rrjedhojë edhe legjitimitetin e dhurimit?
Vlerësimi juridik i veprimeve me pronën pas grabitjes së saj
I pyetur për dispozitat juridike të veprimeve të mëpasshme me pronën grabitur, shejkh Muhamed el-Munexhid është përgjigjur se ”të gjitha veprimet e grabitësit janë juridikisht të pavlefshme, për shkak të mungesës së aprovimit nga pronari legjitim. Nëse grabitësi ndërton ose mbjell diçka mbi tokën e grabitur, ai është i detyruar ta prishë ndërtimin, apo t’i shkulë të mbjellat, si dhe të ndreqë pasojat e tyre, nëse pronari ia kërkon këtë gjë. Gjithashtu juristët kanë thënëse, nëse prona e grabitur kalon nga grabitësi te një person tjetër nëpërmjet shitjes, dhënies për tregtim, dhënies me qera ose në përdorim, etj, personi të cilit i është transferuar prona e grabitur, është përgjegjës për garantimin e vlerës së prishjes së pronës nëse ajo dëmtohet. Kjo në rastin kur personi i dytë ka dijeni se personi që i ka kaluar pronën është grabitës, për shkak të tejkalimit të së drejtës në kryerjen e veprimeve me pronën, ndërkohë që ekziston dija për mungesën e autorizimit nga pronari i saj. Nëse nuk ka dijeni për situatën reale, atëhere përgjegjësia bie vetëm mbi grabitësin e parë.” [6]
Pavlefshmëria e dhurimit (lënies si vakuf) të pronës së grabiturpër ndërtim xhamie
I pyetur për vlefshmërinë e ndërtimit xhamisë mbi një pronë të grabitur, Institucioni i dhënies së Fetvave në Egjipt ka dhënë këtë përgjigje:
“Juristët e të katër shkollave juridike islame kanë rënë në konsensus që një prej kushteve të saktësisë dhe vlefshmërisë së dhurimit është: të qenurit e pronës së dhuruar në pronësinë e pakundërshtueshme të dhuruesit në momentin e dhurimit. Nisur nga ky parim ata kanë dalë në përfundimin se grabitësit nuk i lejohet dhe nuk i njihet dhurimi i një toke të grabitur dhe të cënuar, për shkak të mungesës së pronësisë mbi të në momentin e dhurimit. Për këtë arsye, xhamia e ndërtuar mbi pronën e grabitur nuk ka pacënueshmërinë dhe paprekshmërinë që ka xhamia në Islam, dhe pronari legjitim ka të drejtë ta prishë atë.” [7]
Dispozita për namazin që falet në pronën e grabitur
Juristët myslimanë kanë përcaktuar se faljae namazit në një xhami të ndërtuar mbi tokë të grabitur është e ndaluar.
Shirazi nga shkolla juridike shafite ka thënë:
“Nuk lejohet falja e namazit në tokën e grabitur, sepse kur ndalohet qëndrimi në të jashtë namazit, aq më tepër ndalohet gjatë kryerjes së tij.”
Ndërsa Neueuiju ka thënë në shpjegimin e librit të Shirazit:
“Falja e namazit në tokën e grabitur është e ndaluar (haram) sipas konsensusit të dijetarëve. Një namaz i tillë është i vlefshëm [8] sipas mendimit të shumicës së juristëve, dhe konsiderohet i pavlefshëm sipas Ahmed i bën Hanbel-it.” [9]
Duke komentuar arsyen e pavlefshmërisë së këtij namazi në shkollën juridike hanbelite, Ibën Kudameh shkruan:
“Namazi i falur në tokë të grabitur është adhurim i kryer sipas një aspekti të palejuar, prandaj është i pavlefshëm, ashtu si namazi dhe agjërimi i gruas me perioda, sepse palejueshmëria nënkupton ndalimin e veprimit dhe ngarkimin me mëkat për kryerjen e tij. Si mund të jetë atëhere duke kryer obligimin një njeri ndërkohë që kryen një veprim të ndaluar, apo si mund t’i afrohet Allahut me diçka që e largon?” [10]
Përfundime
Bazuar në diskutimin e lartpërmendur, nxirren këto përfundime në lidhje me trajtimin sipas jurisprudencës islame të shpronësimit të tokës për xhaminë e namazgjasë:
– Shpronësimi nga ana e shtetit i pronës individuale për ndërtimin e xhamisë duhet të kryhet me çmim të drejtë
– Çmimin e drejtë e përcaktojnë ekspertët e fushës, ai duhet të mos jetë më i vogël se çmimi i tregut dhe duhet të paguhet menjëherë
– Nëse nuk plotësohet kushti i çmimit të drejtë, toka e shpronësuar konsiderohet pronë e grabitur nga ana e shtetit
Duke marrë si të mirëqenë pretendimin e pronarëve të tokës për vlerësim me çmim jo të drejtë të pronës së tyre, mund të thuhet se:
– Veprimet juridike të shtetit me tokën e shpronësuar janë juridikisht të pavlefshme për shkak të mungesës së aprovimit nga pronari legjitim
– Shteti nuk ka të drejtë ta dhurojë (vërë në dispozicion) për ndërtimin e xhamisë tokën e shpronësuar, sepse ai nuk zotëron pronësinë e saj
– Kryerja e namazit në tokë të grabitur është e ndaluar sipas konsensusit të dijetarëve. Një namaz i tillë madje konsiderohet i pavlefshëm sipas shkollës juridike hanbelite.
Mbetet për t’i dhënë përgjigje dy çështjeve të mëposhtme, dhe të tjerave si këto që mund të dalin:
– Sa larg nga prona kufitare e shpronësuar do duhej të ndërtohej xhamia në mënyrë që të zbatoheshin rregullat urbanistike në fuqi? Çfarë dispozite ka sipërfaqja e zënë nga xhamia, e cila do duhej të shërbente si hapësirë ndarëse midis dy pronave? Si dhe sa do ndikonte kjo distancë në projektin aktual të xhamisë?
– Ndalimi i faljes së namazit kufizohet vetëm në sipërfaqen e tokës së grabitur që do jetë pjesë e xhamisë, apo shtrihet në gjithë territorin e saj?
Pas trajtimit të aspektit juridik islam të çështjes, është me vend të thuhet se KMSH dhe pronarët e truallit mund të jenë befasuar kur qeveria e re anulloi lejen e ndërtimit të përbashkët, ashtu siç KMSH mund të jetë gjendur para një fakti të kryer kur qeveria ka vendosur t’i dhurojë pjesë nga trualli që shpronësoi për ndërtimin e xhamisë.
Ashtu si leja për ndërtimin e xhamisë është kompetencë e organeve përkatëse shtetërore, po ashtu nuk ekziston asnjë akt ligjor në fuqi që të detyrojë institucionet fetare,cilatdo qofshin ato, për mënyrën, vendin dhe kushtet e ndërtimit të objekteve të tyre te kultit.
KMSH duhet të bëjë transparencë dhe të sqarojë besimtarët nëse ka qenë me vullnet të lirë apo e shtrënguar kur e ka pranuar pjesën e tokës së shpronësuar, dhe nëse ka bërë gjithë përpjekjet e duhura që të marrë mirëkuptimin e pronarëve të tokës për situatën në të cilën është vënë.
Të dëshmosh të drejtën dhe të vërtetën është hapi i parë në çdo çështje. Në një moment të dytë do të duhej të shihej ndërtimi i xhamisë në tërësinë e tij. Nëse vendimmarrja fetare është për pavlefshmërinë e xhamisë mbi tokën e shpronësuar, do pyetur: ç’mund të bëhet më tej? A mund të kthehen palët në gjendjen e mëparshme, apo e gjendur para një fakti të kryer KMSH nuk ka rrugëzgjidhje vetëm se të ndërtojë xhaminë e nisur, dhe njëkohësisht e ka të pamundur të kompensojë nga ana e saj pronarët e dëmtuar? Përveç kësaj, a mund t’i jipet prioritet ndërtimit përkundër një dëmtimi faktik të pronarëve të tokës? Në rast moskompensimi të drejtë dhe pamundësie reale për të zhbërë çdo lloj dëmi, të paktën pronarëve të tokës iu duhet njohur qoftë edhe gojarisht e drejta, iu duhet kërkuar hallalli, me shpresën se një ditë ky hallall do të jepet prej tyre.
Në fund, dhe gjithmonë, Zoti e di më së miri. Është interesi ynë i përbashkët si besimtarë, që çdo vepër, si dhe rruga për të mbërritur tek ajo, të jenë sipas asaj që Zoti ka dëshiruar dhe urdhëron. Asnjë xhami, qoftë edhe skaji më i largët i saj, nuk mund të qëndrojë mbi interesa të ligjshme të shkelura.
________________________
[1] Bekr bin Abdullah ebu Zejd, El-Muthameneh fil-‘Akar lil-Meslehah el-‘Ameh, http://shamela.ws/browse.php/book-8356/page-3366
2 Uizarah el-Eukaf ue esh-Shuun el-Islamijeh – el-Kuuejt, El-Meusu’ah el-Fikhijeh, vol. 39, fq. 45
3 Bekr bin Abdullah ebu Zejd, El-Muthameneh fil-‘Akar lil-Meslehah el-‘Ameh, http://shamela.ws/browse.php/book-8356/page-3366
4 Po aty
5 Mexhme’ el-Fikh el-Islami ed-Deuli, Intiza’ el-Milkijeh lil-Meslehah el’Ameh, http://www.fiqhacademy.org.sa/qrarat/4-4.htm#_ftn1
6 Muhamed Salih el-Munexhid, Bab fi Ehkam el-Ghasb, http://islamqa.info/ar/10323
7 Dar el-Ifta el-Misrijeh, Ikametu Mesxhidin ‘ala Erdin Meghsubeh, http://www.dar-alifta.org/ViewFatwa.aspx?ID=6665&LangID=1
8 Do të thotë se personi që fal një namaz të detyrueshëm në tokë të grabitur konsiderohet që e ka shlyer obligimin e kryerjes së atij namazi, ndërkohë që është ngarkuar me mëkat për shkak të të qenurit e ndaluar falja e tij mbi të
9 Jahja bin Sharaf en-Neueuij, El-Mexhmu’ Sharh el-Muhedheb, http://library.islamweb.net/newlibrary/display_book.php?flag=1&bk_no=14&ID=1557
10 Ahmed bin Kudameh, El-Mughni, http://library.islamweb.net/newlibrary/display_book.php?flag=1&bk_no=15&ID=791
Comments
Allahu e shperblefte Gerdin per kete trajtim pak a shume shterues, por edhe nje gje duhet ta dime, se kallomi i gjate nuk po ju le shteg ktyne te KMSH.
Shkrimi ka thene te verteten … nuk behet harami hallall dhe hallalli haram .
Hoxhallaret dhe ato qe kane pergjegjesi te flasin jane shejtan te heshtur asgje me shume. TURP TURP TURP.
Nuk e di cfare ngelet nga moraliteti islam nese ai barazohet me moralin laik
Nje shkrim i arrire, shpresojme qe mos te kete ndonje gje nen rrogoze, pasi nisja e nderteses private nen hijen e xhamise ne lejen e pare ishte totalisht jo serioze, asnjehere nuk u deklaruar kjo ndertese dhe qeveria Rama e nxorri ne pah…
nje pyetje ngrihet ne kete rast:
cmimet e tregut si percaktohen dhe a jane te gjitha njelloj kudo?
Pra ka cdo toke nje cmimim apo ka ndarje ne toke buke, truall, toke lulishte etj…?
Qeveria e sotme pretendon se ajo eshte toke jo ne zhvillim pra ajo do te kishte mbetur lulishte keshtu qe shteti e shproneson ate me cmim lulishteje, nderkohe pronari kerkon me cmimim ndertim pallati.
ai bazohet tek ajo qe beri qeveria Berisha, por prap ngelet ngerci se edhe ne ate kohe a kishte ajo toke kete cmim? pra cmimi ndertimi, nderkohe qe shteti ne ate kohe nuk beri shpronesim por beri ndermjetesin mes KMSH dhe pronareve derisa ata vete gjeten nje formule te perbashket dhe shteti per hater te xhamise u dha atyre leje ndertimi edhe pse ai vend nuk ishte toke per ndertim pallati! tani si eshte kjo pune se toka aty konsiderohet si toke lulishte apo toke per ndertim, nderkohe qe ato sipas cmimit te tregut nuk e kane njelloj vleren??? Normal qe pronari do te kerkoj me cmim ndertimi se eshte me shume por shteti do te thote se jo, kush ka te drejte? Kush e zgjidh kete ceshtje?
Nje pyetje kisha per ty si pyetes, me thuaj pak sa lek eshte nje meter katror per lulishte ne treg? 😛
12 milion euro lali, ka kërkuar për shpronësimin e 700 metrave.
me sa di unë deri gjysmën qenë gati tia jepnin, por ata nuk pranuan.
familja kruja ka kerkuar si konpesim 12 mulion euro per ate toke, pra per rreth 700 m, KMSH ka ofruar deri gjysmen por ata skane pranuar.
Publikisht, nuk kemi degjuar nje shifer prej 12 milione eurosh. Vesh me vesh, thuhet edhe se ne Gjermani kane hapur dyert te presin refugjate nga Shqiperia, por ata qe shkojne atje perballen me nje genjeshter. Ajo qe kemi degjuar publikisht ne emisionin “Opinion” nga Alban Bala, si perfaqesues i familjes Kruja, eshte se familja ne fjale, si demshperblim, pranon vetem ate qe parashikon ligji, qe eshte: çmimi i tregut per meter katror, plus 10% e vleres. Kaq. Nese kjo vlere, pastaj, ben vaki e i bie te jete 12 milione euro, ky s’eshte problemi i familjes, por i atyre qe moren persiper te cenojne projektin e pare, qe e zgjidhte problemin e familjes me leje ndertimi dhe pa asnje kacidhe nga parate publike.
Urime eZani-t, per sjelljen ne vemendje te temave te perditshmerise.
Urime edhe per autorin, per ate qe ka sjelle, dhe si e ka servirur.
Do doja, qe autori te ishte ndalur me gjate tek pika e shpronesimit per interes publik. A eshte kjo xhami, ne interesin publik te shqiptareve? Sjellja si shembull e zgjerimit te xhamise ne Meke, eshte interes publik sepse eshte interesi I Haxhit, dhe Jo sepse eshte thjesht xhami. Ne kete kuptim, sado e larte te jete perqindja e muslimaneve, per nje qeveri ateiste, xhamia nuk eshte interes publik.
Eshte qarte qe rroli kyc ne kete histori I perket KMSH. Flirtimi I vazhdueshem, duke vene ne pazar integritetin moral, e ka bere te pashijshme corben, sido te perfundoje kjo histori.
Besimtaret, duhet te ndjekin shembullin e protestuesve ndaj qeverise psh per armet kimike, dhe te detyrojne KMSH te jete e hapur, e sinqerte dhe te marre persiper ate qe perfaqeson ne letra.
Une nuk jam ndalur ne qenien apo jo te xhamise veper me interes publik ngaqe shteti dhe pronaret e tokes e pranojne xhamine si te tille dhe jane dakort ne parim qe toka te shpronesohet per ndertimin e xhamise.
Per me teper qe legjislacioni shqiptar i njeh objektet e kultit si vepra per interes publik. Paragrafi 46 i Rregullores se Urbanistikes, e cila shoqeron Ligjin nr.8405, dt.17.09.1998 “Per Urbanistiken” shprehet se studimi urbanistik pjesor permban, mes te tjerash, edhe “hapësirat për veprat me interes publik (shkolla, objekte tregtare, objekte kulti, parqe publike, objekte sportive, objekte publike, ndërtesa me karakter rekreativ e kulturor, objekte shëndetësore, etj,) me kushtëzimet urbanistike dhe arkitektonike për secilën prej tyre.”
Duke qene se une, kete proces e quaj me shume se nje grabitje toke, gati gati perdhosje e te shenjtes, do me pelqente trajtimi fetar I cdo elementi. Keshtu psh per interesin publik te xhamise se re, do doja qe shkrimi te permbante sheriatikisht kur, si dhe pse behet nje xhami e re. Nga ana tjeter duke qene se njolla e turpit bie kryesisht mbi KMSH, them se presioni shoqeror duhet te behet mbi te gjitha pikat, ku KMSH ka shkelur sheriatin, qofte edhe minimalisht. KMSH duhet te pergjigjet me transparence max, per cdo element qe lidhet me problemet qe ajo menaxhon.
Ky punim ka nevoje te lexohet dhe te kuptohet statusi juridik islam i xhamise qe pritet te ndertohet, dhe jo te hapen tema te tjera dhe debat i pavend. Kush deshiron te kuptoje, le te kete parasysh se perfjegjesia perpara Zotit eshte personale dhe nuk mund te shmanget.
hoxhallaret kane 2 muaj qe e kane nxjerre sesi veprohet ne keto raste.. dhe nuk ka ndonje ndryshim nga qendrimi i artikullshkruesit..e nxorren dhe e rinxorren disa here , ashtu si edhe e nxorren ne faqet personale te tyre hoxhallaret.. nese e ke fjalen per KMSH, ajo po qe nuk ka fol deri me sot..
“hoxhallaret” eshte shumesi i fjales “hoxhe”. Kush jane hoxhallaret qe e ben kete gje, se pati te tjere qe vajten ne mbledhjen e KMSH-se dhe nuk hapen gojen e nuk thane asgje ose thjesht perseriten refrenin e “interesit publik.”
Lidhja e Hoxhallareve perktheu dhe publikoi te websajti i saj dhe ne facebook qendrimin e Akademise se Fikhut per raste te tilla.
Dhe cili ishte konkluzioni i Lidhjes se Hoxhallareve, ne baze te qendrimit te Akademise se Fikhut, per rastin ne fjale te xhamise se namazgjase?
Shkrimi eshte shume I qarte, KMSH e beri kopilin dhe na e la ne dere. Pyetja eshte ca do bejme, do bejme ndonje proteste para zyrave te KMSH ? Do bejme ndonje komision transparence si kur u shit vakfi ? Apo ta hajme Turpin me buke, se cudia me e madhe 3 dite zgjat?
Proteste? Pse? Nuk po them detyrimisht jo, por me cfare qellimi, cfare shpresohet te arrihet? Nuk ndjej se po hame as buke e as turp ne kete mes. Kane ndertuar edhe ahmedite xhamite po nuk kam ndermend te falem ndonjehere atje. Njerzia nuk ka pse falet aty ku nuk beson se duhet te falet dhe ben pozicionin e vet te ditur.
cfare te besh? – ik e futi nje akullare
Ja qendrimi i LHSH:
http://www.lidhjahoxhallareve.com/l/shpronesimi-prones-per-interesa-publike/
Justinian Topulli
2014-11-27 · Përpunuar ·
Si funksionon procedura e fetvasë dhe rasti i Namazgjasë?
Fetvaja është një verdikt fetar që dijetarët apo hoxhallarët e japin në emër të fesë së Zotit, nisur nga dija që ata kanë nga kjo fe. Natyrisht që fetvaja jepet vetëm nga njerëzit e përgatitur dhe ka vlerë udhëzuese dhe morale për besimtarët. Fetvaja është një proces pyetje-përgjigje ku i interesuari kërkon sqarime sesi duhet të veproj apo cili është gjykimi për problemin ose çështjen që ai pyet, p.sh, për abdesin, namazin, zekatin etj. Fetvaja individuale bazohet në informacionin e dhënë nga vetë i interesuari, atij ose atyre që japin fetva nuk i lejohet të paragjykojnë nëse ai që e kërkon fetvanë e jep të saktë informacionin e nevojshëm për të gjykuar për të apo jo. Por, kjo nuk do të thotë se ai apo ata që japin fetva të mos jenë dyshues, nëse ka elementë që të bëjnë të dyshosh, dhe të kërkojnë më shumë informacion apo edhe të rezervohen në dhënien e fetvasë, kur mendojnë se ka elementë paqartësie. Gjithsesi, për çështje që janë individuale dhe nuk përfshihen persona të tjerë, fetvaja jepet në bazë të asaj që thotë i interesuari, i cili mban edhe përgjegjësinë para Zotit, nëse ka gënjyer ose është treguar i pasaktë. Fetvaja e bazuar në të dhëna të gabuara nuk e bën atë që ke Allahu është haram, hallall dhe as e kundërta, e gjithë përgjegjësia para Zotit në këtë rast bie mbi personin e interesuar, nëse ai apo ata që kanë dhënë fetvanë kanë bërë më të mirën e mundshme duke plotësuar çdo kriter që kërkon fetvaja. Në rastet kur kemi të bëjmë me konflikte ndërmjet palëve, si në rastin e tokës ku kërkohet të ndërtohet xhamia e Namazgjasë, kërkohet gjykim, apo arbitrazh, pra kërkohet pjesëmarrje nga të gjitha palëve në konflikt, të cilat duhet të bihen dakord të pranojnë këtë gjykim apo akt arbitrazhi të dhënë nga dijetari, hoxha apo një grup i tillë njerëzish të ditur fetar. Kështu që ankesat dhe kërkesat që LHSH apo hoxhallarët të dalin me një qëndrim konkret për çështjen konkrete të tokës ku do të bëhet xhamia, nuk janë objektive. Për rastin konkret ne nuk na është kërkuar nga askush të bëjmë gjykim apo arbitrazh dhe rasti konkret është rast konflikti, siç e përmenda, dhe kërkon gjykim mes palëve. Pra çështja është se për të dhënë fetva ose më saktë gjykim, për rastin konkret, në mënyrë specifike, duhet gjykuar me objektivitet dhe për këtë duhet informacion i detajuar nga të gjitha palët dhe provat përkatëse, sepse çështja është shumë e ndjeshme dhe delikate, ndaj nuk mund të jepet një fetva specifike për këtë rast ekskluziv nëse nuk disponohet çdo e dhënë. Askush nuk na e ka kërkuar këtë gjë dhe nuk na ka vënë në dispozicion informacionet e detajuara për të. Përderisa palët i janë drejtuar negociatave mes tyre dhe më pas gjyqit të shtetit shqiptar, atëherë i vetmi detyrim moral që ne kishim ishte të jepnin në parim se si qëndron fetarisht çështja e shpronësimit dhe këtë e bëmë duke publikuar që më 13 tetor të këtij viti një fetva në parim dhe të përgjithshme, të Akademisë më të madhe të Fikhut Islam në botë, e cila sqaronte në parim sesi kryhet shpronësimi i pronës private, për interes publik, sipas kritereve fetare. Nëse në rastin konkret nuk janë zbatuar kriteret e përmendura në këtë fetva, atëherë kemi të bëjmë me shkelje, nëse jo, jo. Gjithçka pra varet sesi qëndron realiteti për të cilin pak jemi të informuar dhe nuk dimë përtej asaj që thuhet në media dhe në rrjete sociale.
Ky nuk eshte qendrim, por thjesht nje sqarim pozicioni. Vete kryetari i Lidhjes thote se nuk po jep fetva, sepse nuk eshte njohur ne detaje per procesin. Fetvaja qe jepet mbi rregullat Islame te shpronesimit nuk ka lidhje me kete qe na nevojitet ne. Ne duam te dime e kemi apo jo hallall ndertimin e xhamise ne ate truall. Pra, fetvaja qe kerkohet nuk ka lidhje me ate cfare duhet te beje shteti, por cfare duhet te bejme ne si muslimane: KMSH-ja pike se pari, dhe besimtaret, ne rastin kur KMSH-ja pranon ta ndertoje objektin ne toke haram.
Pra, prej ketej del se nuk kemi reagim nga hoxhallaret. I vetmi reagim ishte ky, qe ne fakt nuk ishte reagim, por thjesht nje sqarim pozicioni. Sigurisht, ky prononcim eshte me mire se asgje, por gjithsesi nuk mjafton.
Hoxhallaret ne pergjithesi (jo thejsht Lidhja) jane fajtore sepse nuk kane informuar xhematin dhe nuk kane reaguar mbi kete ceshtje qe na prek te gjitheve. Nese na behet haram te falemi ne ate xhami, kush mban pergjegjesi?
Pergjigjesia ne fakt duhet te jete e pershkallezuar:
Fajin kryesor, pa dyshim e ka KMSH-ja, qe as ka kuraje te refuzoje nje dhurate te njollosur, qe (te pakten te themi) eshte e dyshimte, e pervec kesaj nuk informon njerezit mbi vleren fetare te veprimit te vet. Nese Lidhja e Hoxhallareve ankohet se nuk ka informacion per kete ceshtje, kjo do te thote se KMSH-a i ka kryer punet ne diskrecion te plote dhe kjo tregon mungese transparence.
Se dyti, faji bie mbi imamet, te cilet jane hallka lidhese midis xhematit dhe KMSH-se. Ata duhet fillimisht te kishin informuar xhematin mbi ate cfare eshte bere, te kishin dhene qendrimin e tyre fetar, te kishin ngritur zerin per ate qe eshte bere gabim etj. Por perkundrazi, shume prej tyre kane pranuar dhe bekuar vendimin e KMSH-se dhe kete e kane bere ne kundershtim me mesimet qe i kane dhene historikisht xhematit.
Se treti, ne nje shkalle me te vogel, pergjegjesia bie edhe mbi hoxhallaret qe nuk kane pergjegjesi drejtuese ne KMSH, te cilet nuk kane ngritur zerin si duhet per kete problem dhe nuk kane denoncuar mungesen e transparences.
Fundja sigurisht qe Zoti nuk eshte i padrejte dhe belate nuk u zbresin njerezve kot!
Zoti na ruajt dhe na falte te gjitheve!
Ke te drejte qe qendrimi i LHSH nuk eshte denoncim i hapet dhe fetva konkrete, por gjithsesi e shpall qarte parimin mbi bazen e te cilit mund te gjykohet mbi truallin e dhene per ndertimin e Xhamise se re.
I nderuar gazetar, sic e keni zakon ju flisni shume e s’thoni asgje. Nese keni patur qellim percarje nder muslimanet ja keni arritur pasi qe sugjestionimi ne kete artikull eshte i arrire. Eshte interesante se si keto norma dhe dispozita qe shpalosni sugjerojne paligjshmerine ne ndertimin e xhamise njekohesisht vertetojne dhe ligjshmerine e saj. Per ta permbledhur argumentin po citoj nga artikulli:
1-Shpronësimi për interes publik është një praktikë e mirënjohur në historinë islame;
2-Umeri urdhëroi prishjen shtëpive të atyre që kishin refuzuar të shisnin shtëpitë dhe ua kompensoi vlerat nga thesari i shtetit;
3-kur njerëzit janë në numër më të madh se sa kapaciteti që nxe xhamia, lejohet zgjerimi i saj në kurriz të pronave të zotëruara nga individët;
4-Nëse pronari refuzon ta shesë, pengimi i tij është i kundërligjshëm dhe shteti e bën të detyrueshëm shpronësimin, përkundrejt kompensimit të drejtë që paguhet menjëherë, në mënyrë që të realizohet interesi publik;
E gjithe pergjegjesia bie mbi ekspertet e shkrete te vleresimit te pronave. Nese vleresimi nuk eshte i drejte atehere sipas artikullit, me islam, xhamia eshte e jashteligjshme dhe nuk lejohet te kryen ritualet ne te e shume implikime te tjera. Per fat te keq ky artikull nuk na ofron te dhena se cfare eshte nje “vleresim i drejte pronesie” apo sic thone dijetaret “kompensim i drejtë dhe i pagueshëm menjëherë” ,cilat jane kriteret e pranuara apo procedurat per kete dhe ne rastin konkret si eshte vepruar. Sipas artikullit perseri , fakti qe pronaret nuk kane pranuar cmimim nuk perbeka paligjshmeri prandaj derisa nuk vertohet e kunderta une do shkoj te falem ne ate xhami dhe ftoj te gjithe te mos paragjykojne nga vetja e tyre apo me keq nxitur nga te tjere qe nuk kane autoritet juridik islamik sepse me aq sa kam degjuar une gjygji ne islam duhet te behet nga persona qe permbushim “kritere specifike” qe perzgjidhen ne “rrethana specifike” me “procedura specifike”. Eshte shume e rende moralisht qe te bejme gjygje lart e poshte si ne kohen e proletariatit. Eshte e pamundur ne kete bote te vendoset drejtesi absolute e cila eshte parashikuar te vendoset ne diten e gjykimit hyjnor dhe pikerisht per kete gjithkush do vleresohet sipas qellimit sepse shpesh here nuk mund ta dime nese jemi ne te drejte apo jo. Sot muslimanet kane shume percarje dhe duhet ti peshojme mire fjalet dhe veprimet nese nuk duam ti thellojme ato. Nese ka patur njerez ne KMSH qe kane bere korrupsion e padrejtesi pa kurrfare dyshimi do ta gjejne cfare meritojne por nuk i takon masave te gjykojne. Bashkohuni vllezer me paqe dhe butesi.Selam