E-zani
Në Arabinë Saudite ka lindur një debat fetar. Ish kreu i policisë fetare, apo sic njihet në Saudi, Komiteti i Promovimit të Virtytit dhe Parandalimit të Mëkatit, në Mekë, Ahmed El Gamdi, deklaroi se nikabi, apo mbulimi i fytyrës për femrat, nuk është i detyrueshëm në Islam. Më pas ai dha një intervistë në krah të së shoqes, e cila nuk e kishte fytyrën të mbuluar. Vetë Muftiu i Arabisë Saudite, Sheh Abdul Aziz el Sheih, u përfshi duke i bërë thirrje El Gamdit të pendohet dhe pas sarkazmës se ai kish turpëruar gruan e tij duke e nxjerë në televizion me fytyrë të zbuluar, u lut për El Gmadin që Zoti ta udhëzojë.
Ka arsye përtej këtij debati që do nevojitej të rreshtohen që të kuptonim kontekstin e këtij shkëmbimi mes figurash të larta të klerit saudit. Mbretëria saudite ka ndërmarë programe qeveritare modernizuese që bëjnë konservatorët të ndihen të sulmuar në vlerat e tyre. Sot ka plot femra saudite që nuk mbajnë më shaminë e jo më nikabin dhe sërish kjo është shprehje e korrenteve që po ndodhin në Saudi. Si i tillë, ky është një debat saudit pa ndonjë interes të vecantë për ne këtu.
Por do donim të tërhiqnim vëmendjen në dy pika. Së pari, vini re se qëndrimi i El Gamdit, i cili nuk është ndonjë liberal me axhendë reformatore, nuk është një qëndrim i ri, por i mirënjohur për shumicën e traditës skolastike të Islamit suni. Teksa shkolla hanbeli, shkolla dominante e fikhut në Saudi, e njeh si të detyrueshëm nikabin (vaxhib), hanbelizmi është historikisht shkolla me më pak pasues brenda traditës sunite.
Por një princip i mirënjohur i Sunizmit është që nuk deklarohen si qëndrime të dënueshme, si mëkate, qëndrimet e mirënjohura të shkollave të tjera, edhe nëse nuk bie dakort me to. Kjo ka siguruar që sunizmi të jetë historikisht një traditë multi-vokale, me disa qëndrime e debate për të cilat bashkësia e dijetarëve ka rënë dakort se do ketë qëndrime e mendime të ndryshme për cështje të ndryshme e ato do respektohen. Vini re se Muftiu saudit deklaron qëndrimin e shkollave më të mëdha të Islamit, si Hanefi apo Maliki, si mëkat. Teksa pretendohet se qëndrimet fetare të dijetarëve të saudisë janë konservatore, tradicionale, ato në fakt janë një risi në traditën e sunizmit, një bidat, sepse nuk respektojnë këtë princip të mirënjohur dhe themeltar suni.
Së dyti, teksa këto debate reflektojnë zhvillime specifike në shoqërinë saudite, establishmenti klerikal saudit e ka prezantuar dhe investuar veten si përfaqsuese të ‘Islamit të vërtetë’ dhe qëndrimet e saj si qëndrime që duhen pasuar nga të gjithë muslimanët që synojnë të pasojnë mësimin profetik kudo në botë.
Një element i fetarizmit saudit dhe pasuesve të tyre është se nuk kanë kohë të adresojnë probleme të drejtësisë në shoqëri, por fokusojnë sulmet e tyre në shenjestra të kollajta si femrat. Mjafton të shikohet një volum i zakonshëm fetvash të dijetarëve sauditë ku shumica e fetvave janë në lidhje me femrat dhe shpalosin qëndrime ultrakonservatore që synojnë të përforcojnë dhe institucializojnë kontrollin gjinor. Ky debat për nikabin është ilustrim i qartë.
Shoqëria saudite do i adresojë këto debate në mënyrën e vet, por ajo që duhet të theksohet këtu është nevoja të sfidohet ky pretendim se qëndrimet fetare të saudisë janë qëndrime për gjithë muslimanët në botë. Këto qëndrime, jo vetëm nuk mund të ndihmojnë muslimanët në adresimin e dilemave të tyre të vërteta në jetën e përditshme, por janë në të njëjtën kohë larg frymës tradicionale të Islamit suni që respekton diferencat skolastike të mendimit.
Comments
MashaAllah, respekte E-Zani, nje Artikull i qelluar dhe efektiv, ketu sqarohet shkurt e shqip, se: pakica deshiron te dominoj (manipuloj) mbi shumicen, ju lumte vetem perpara, me Selame.
Winds of change are blowing over the Saudi deserts?
KE QUANI REFORME JU TE HIQET MBULESA APO TE HIQET SHERIATI
Shkrimi e thote qarte, te lihen njerezit te zgjedhin ate mendim qe iu duket me prane te vertetes dhe te mos imponohet me dhune nje hukm per te cilin shumica e dijetareve kane tjeter qendrim nga ai i Arabise Saudite.
Nuk ishte e veshtire per t’u kuptuar!