Myslimanë europianë





Papa Francesku

H. Omari

Kur kryeministri Rama deklaroi se ‘Shqipëria nuk është vend mysliman, por europian’, la më tepër shijen e një demagogjie politike, të ngjashme me perlat e paraardhësit, që këtej nga anët tona është bërë tashmë model i prezantimit të pushtetarëve në sallonet europiane. Mirëpo përdorimi i të njëjtës optikë nga Papa Françesku, ende pa zbritur nga avioni që po e kthente nga Tiranë në Romë, i jep frazës një dimension tjetër: 

“[1] Ju thatë: “Është vend me shumicë myslimane”, po, por nuk është vend mysliman. Është vend evropian […]. [2] Shqipëria është vend evropian, pikërisht përsa i përket kulturës, kulturës së bashkëjetesës, e edhe për kulturën historike, që ka pasur”.

Jo pa qëllim e kam ndarë fragmentin në dy pjesë interesante. Tek e para merret i mirëqenë raporti demofetar në vend, dhe kjo nuk është pak nëse kemi parasysh spekulimet me shifrat apo sikletin e elitave tona politike e intelektuale ndaj faktit evident. Ajo çka tërheq vëmendjen më së tepërmi është një raport tjetër: ai mes përkatësisë fetare dhe kulturës. Në botëkuptimin e Papës ka vende evropiane, por ka edhe vende fetarisht të identifikueshme, si myslimane apo, supozojmë, si të një feje tjetër. Thënë ndryshe, përkatësia nuk vendoset nga tipologjia e shifrave dominuese se sa nga karakteristikat kulturore. Pra në qoftë se Europa ka një kulturë specifike, kjo nuk varet nga prania dominuese e krishtërimit në shekuj, me gjithë tkurrjen progresive të regjistruar që nga shekulli i kaluar, por nga disa vlera të konsideruara si europiane. Kjo është më se e vërtetë, pa çka se në realitetin elitar e mediatik shqiptar mendime të tilla tingëllojnë si herezi, e jo më kot – për t’u vetëshpallur europianë – vrapojmë të krenohemi me ‘Atletin e Krishtit’, që gati rastësisht ia vendosim Papës mbi shpatullën e djathtë në pullën më të fundit të postës shqiptare (laike në mos gaboj).

Pikërisht këtë shpjegon pjesa e dytë e fragmentit të cituar nga intervista me Papën. Elementi i parë që Françesku I dallon si europian në kulturën shqiptare është bashkëjetesa, kurse elementi i dytë është historia. Meqenëse jemi në temën e historisë, për respekt të saj duhet thënë se ndër shumë shpikje që i atribuohen Europës ajo e “luftës fetare” pa dyshim meriton një pozicion të dukshëm në vitrinën e shekujve. Krishtërizmi me forcë, brenda kontinentit dhe sidomos i eksportuar në Amerikë, Kryqëzatat, Inkuizicioni, konflikti i gjatë dhe dramatik me Protestantizmin, getizimi i hebrenjve, tentativa e shfarosjes sistematike dhe konsiderimi i tyre si ‘vrasësit e Zotit’ (deri në vitet ‘60), janë disa nga faqet emblematike të një historie të ndërtuar aspak mbi parimin e bashkëjetesës dhe të ‘faqes tjetër’. Historikisht Europa ka tentuar sheshimin e pakicave nga shumicat. Po kështu, as lufta në përgjithësi, si fenomen përtej ngjyresave fetare, nuk i ka munguar historisë europiane deri në shekullin e kaluar, dhe mjaft vende të tjera të globit përjetojnë sot konflikte të montuara nga diktati i trashëguar i fuqive europiane.

Në thelb pra, nëse në Shqipëri ekziston një bashkëjetesë, ajo nuk mund të jetë rezultat i imitimit të historisë europiane. Aq më tepër që në Europë bashkëjetesa ka ardhur pas një fazë shekullore konfliktualiteti e ndjekur nga idetë iluministe, avancimi i shekullarizmit, lindja e shtetit modern dhe e nevojave të reja të shekujve të globalizimit (i kaluari dhe aktuali). Ndryshe nga kontinenti, Shqipëria i ka njohur këto zhvillime pa kaluar përmes konflikteve të brendshme me justifikime fetare.

Elementi i dytë, që ka të bëjë me ‘kulturën historike’, është edhe më larg “uniformitetit” europian, sepse kultura dhe kompleksi i traditave të sotme shqiptare janë derivate të shumë influencave, ku padyshim spikat Orienti bizantin-osman, në të cilin shkrihen edhe meltin pot-e të tjera akoma me pak europiane. Për ironi, elementet me europiane të shekullit të kaluar, të cilat modifikuan rrënjësisht shoqërinë shqiptare, kanë qenë monarkia-parlamentare dhe komunizmi i shqiptarizuar. Ky i fundit, më shumë së asgjë tjetër, ndikoi në europianizimin e shqiptarëve, në kuptimin që i japin Papa dhe kryeministri ynë, pra në drejtim të de-islamizimit ose – duke mos iu larguar termave – të de-myslimanizimit të shoqërisë shqiptare.

Më shumë se nga bashkëjetesa, Papa konstatoi se Shqipëria nuk është vend mysliman duke mos parë asnjë gjurmë islame përgjatë udhëtimit të tij në rrugët plot e përplot me policë, madje më tepër se me pemë. Nëse përjashtojmë xhaminë e Et’hem Beut, të eklipsuar nga flamujt dhe sfondi i pallateve të shëmtuara – që dje një “famulli” mediatike e quante tregues «të origjinës së një fshati otoman» – nga kultura “myslimane” Papa nuk duhet të këtë vënë re ndonjë gjë tjetër. Aeroporti ku zbriti, rrugët nga ku erdhi, sheshi nga ku foli nuk deshmojnë për gjurmë të tilla. Maksimumi nga plateja e meshës mund të vëreheshin dy katedralet, një turmë kurioze dhe e terë klasa politike e veshur me të zeza, në një ekstazë pendestari. Kryetari i bashkisë i dhuroi një kullë sahati; Presidenti i ofroi një portret pape; Kryeministri, pasi i dhuroi një grusht dhé, vrapoi t’ia bekonte të birin; institucioni përfaqësues i myslimanëve nuk shkoi përtej një panorame artizanale me kishë; një deputete propozoi shpalljen e 21 shtatorit si festë kombëtare; ka male për kryqe, por nuk ka hapësira për xhami; ka kryqe për shqiponjën, por jo simbole kombëtare për myslimanët.

Nga ky këndvështrim, po, i yni nuk është vend mysliman e as shtet i myslimanëve, por as vend europian, se në këtë kontinent është e pamundur të regjistrohet (madje historikisht) diçka e ngjashme. Ndërsa raporti që Papa krijon mes fesë, kulturës dhe vlerave, nënkupton se mund të jesh kulturalisht europian edhe duke qenë mysliman. Pikërisht e kundërta e asaj që detyrohemi të lexojmë e dëgjojmë çdo ditë.

Comments

  • Shkrim i qendisur par excellence!

    p.s. per kulturen e leximit te kryeministrit: Europa ka nje histori dhe asgje tjeter, si gjithe vendet e tjera te botes
    http://www.espacestemps.net/articles/lrsquoeurope-a-une-histoire-et-rien-drsquoautre-comme-tous-les-lieux-du-monde/

    Pertej mitit Europian singular qendron Europa qe thuhet ne menyra te shumta e me nje histori te shumefishte. Europa nuk mund te ekzistoje pa mendimin e tjetrit.
    « L’Europe en revanche traduit. La traduction fait partie de la spécificité de son auto-création. Peut-être même que la langue de l’Europe est la traduction » (p. 205)3.”
    http://www.espacestemps.net/articles/le-spectre-qui-hante-leurope-la-democratie/

  • Simbolika e pritjes se papuit ( ndjemeni per termin, por eshte I forte ndikimi identitar i pjeseve te para te emrit) eshte fantastike. Europianizimi I shqipove ( nga arnaute ne albanesi) qe nisi me varjen reale te klerikeve, U mbyll me varjen figurative te nje pjese te tyre.
    Muhabet varja…

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *