Kujt i shërben Lavdrim Muhaxheri?





Lavdrim Muhaxheri

E-zani
Në mes të festës së Bajramit, dy foto makabre u shpërndanë me shpejtësi në mediat shqiptare, e prej andej edhe kudo në rrjetet sociale. Fotot tregonin ekzekutimin barbar, me thikë në fyt, të një personi civil, nga një shqiptar prej Kaçaniku, i quajtur Lavdrim Muhaxheri, i cili ka kohë që është bërë personazhi më i përfolur i shtypit shqiptar, si fytyra e shqiptarëve të përfshirë në luftën e Sirisë. Fotot morën dhenë duke prishur plotësisht atmosferën e festës, e duke provokuar urrejtje e indinjatë të thellë tek shumë njerëz.
Nuk e dimë nëse përzgjedhja e kësaj dite për publikimin e këtyre fotove ka qenë e nga vetë autori i kasaphanës apo publikimi i tyre u shty për këtë ditë nga “ustallartët” e përpunimit të stereotipeve mbi myslimanët, që gjenden me shumicë në shtypin shqiptar. U tha se fotot janë marrë nga një faqe interneti në Bosnje, teksa ishin publikuar gjithashtu edhe në facebook-un e vetë autorit që, mes krismave të një lufte sa kriminale aq edhe qesharake, gjen kohë të luajë në internet duke ekspozuar e komentuar marrëzitë e veta makabre.
Në fakt, nuk është hera e parë që këto gjëra ndodhin gjatë Bajramit. Para dy vjetësh mediat u kujtuan të rivënë në vëmendje një raport të dalë disa vite më parë nga policia e Kosovës mbi rrezikun e terrorizmit, duke shfokusuar krejtësisht vëmendjen nga festa e mesazhet njerëzore që ajo përçon, për tek frika dhe kërcënimi që vjen nga ekstremizmi. Mesa duket, për gazetat në Kosovë, e më pas edhe ato në Shqipëri (kjo ndoshta është e vetmja pikë funksionale e bashkimit kombëtar) Bajrami duhet të jetë momenti i duhur për të folur për ekstremizmin dhe terrorizmin. Lajmet shoqërohen gjithnjë me pamje nga mënyra sesi festohet në vende të tjera, kryesisht në vende të varfëra apo në luftim, duke instaluar në ekrane imazhin e mjerimit si imazh përfaqësues. Dhe si gjithnjë në të tilla raste, të gjithë rrokin pushkët dhe debati rifillon me tërë histerinë tonë ballkanike, pa asnjë argument e pa asnjë fill racionaliteti, e me të gjitha bateritë e akuzave, stereotipive, klisheve e përgjithësimeve.
Kësaj rradhe u gjet një mjet edhe më i mirë. Imazhet e Muhaxherit ishin të përkryera për të shkatërruar një festë që bart mesazhe përkushtimi dhe shprese ndaj Zotit. Ato ilustrojnë në mënyrën më të mirë, pikërisht atë stereotip që synohet të përçohet nga shumë antimyslimanë: stereotpin e dhunës, barbarisë, krimit dhe terrorit. Lavdrimi po ofron material për t’i bërë të qendrueshme këto stereotipe, të cilat pa të do të kishin mbetur dokrra gazetash. Ai po ushqen më së miri retorikën antimyslimane e cila kërkon të nxisë urrejtje ndaj Islamit. Ai vjen si me porosi për të instaluar në imazh atë çfarë kjo retorikë e ka ndërtuar verbalisht prej vitesh.
Fotot e tij u bënë qendra e vëmendjes dhe kryefjala e debatit të ditës, duke provokuar reagime agresive, që në shumë raste nuk kuptohet as se kujt i adresohen. Gazeta Express, si gjithnjë më e zellshmja në ushtrimin e këtë lloj sporti, u tregua e gatshme të botojë edhe reagimet nëpër facebook duke përfshirë këtu njerëz të njohur e të panjohur, të cilët ia shtuan turbullinë debatit. Në shumë prej tyre nuk ngurrohej të akuzohej feja si burim i akteve të tilla. Duket se gazeta po përpiqet të orientojë edhe lexuesin në interpretime tëtilla të ngjarjes.
Komentues të shumtë në shtyp e paraqitën ngjarjen si vërtetim të shqetësimeve që ata kanë ngritur vazhdimisht mbi ekzistencën e terrorizmit në Kosovë, që deri tani ka qenë i pashfaqur. Nëpërmjet efektit që prodhon imazhi, ata u përpoqën që rastin ta paraqesin si shembull, duke u përpjekur të shenjojnë me të një realitet. Në të vërtetë, askush nuk mund të thotë dot se çfarë është vërtetë ky fenomen. Vetë shtypi ka hedhur teza e informacione gjysëm-zyrtare e gysëm-anonime që thonë se Muhaxheri është njeri i shërbimeve serbe, dhe e vërteta është se Siria ka qenë një mjedis i ngarkuar shumë nga shërbimet që synojnë të instrumentalizojnë luftën. Kjo rrethohet me një sërë legjendash të tjera të cilat përdoren si garniturë për të rritur misterin rreth tij.
Sido që të jetë, përgjithësimet nuk mund të kenë arsyetim në raste të tilla. Ata që i bëjnë, jo vetëm çedojnë nga ana logjike, por konsumojnë në vetvete një akt intelektualisht kriminal, duke kategorizuar grupe të mëdha njerëzish në mënyrë të padrejtë, e duke shtuar rezonancën e terrorit në frikën e qytetarëve. Në këtë mënyrë duket se palët i shërbejnë mjaft mirë njëra-tjetrës. Muhaxherët i shërbejnë islamofobisë për të legjitimuar tezat e tyre antishqiptare, ndërsa islamofobët i shërbejnë terrorizmit duke intensifikuar efektin mediatik të kërkuar prej tij.
Kulmi i cinizmit ishte indinjata e disa personazheve nga politika e media, ndaj distancimit të shprehur në bllok nga hoxhallarë e drejtues fetarë. Veprimi i Muhaxherit, ka shkaktuar reagime të forta kryesisht në rrethin e prijësve të fesë myslimane, sidomos në Kosovë. Ata kanë dënuar me forcë krimin e ekspozuar prej tij duke u shprehur se kanë mbetur të shokuar nga fakti që këto akte, të cilat jemi mësuar t’i shohim nga organizata terroriste të huaja, mund të kryhen edhe nga shqiptarë që e mbajnë veten për besimtarë. Ata kanë dënuar gjithashtu edhe arsyetimin fetar mbi të cilin motivohen këto sjellje kriminale, duke u shprehur se nuk ka fe që toleron veprime të tilla.
Mesa duket kjo nuk i ka përlqyer Alma Lamës me shokë, e cila u shpreh e revoltuar në facebook, kundër tyre. Sipas saj, këta hoxhallarë nuk kanë gojë të flasin, sepse e kanë mbështetur terrorizmin, qoftë edhe me heshtjen e tyre. Në fakt, e vërteta është se imamët, duke përfshirë këtu edhe ata të akuzuar për radikalë në shtypin që përfaqëson Alma Lama, kanë reaguar që herët kundër pranisë së shqiptarëve në luftën civile në Siri dhe ata kanë dënuar vazhdimisht sjelljet radikale, të cilat janë në rradhë të parë në kundërshtim me fenë, para se të jenë objekt i pakënaqësisë popullore apo mediatike.
Problemi është se almat shqiptare kanë pasur sy e veshë vetëm për t’u kushtuar vëmendje muhaxherëve, e jo për të njohur e kuptuar më mirë fenomenet dhe për t’i trajtuar ato me vëmendjen e duhur. Nga ky kuptim, Alma & friends janë mbështetja më e madhe për radikalizmin në Shqipëri e Kosovë. Ajo dhe shumë të tjerë në politikë e në media si Enver Robelli, Baton Haxhiu, Blerim Latifi, Fahri Xharra & family, Imer Mushkolaj janë përgjegjës për një klimë të tensionuar armiqësore në debatin publik mbi fenë, gjë që rrit dhe prodhon radikalizëm. Radikalizmi mysliman në Shqipëri është efekt kundërveprues që vjen prej radikalizmit antimysliman i përfaqësuar nga këta persona. Ekstremizmi prodhon ekstremizëm dhe përgjegjësit për këtë klimë janë pikërisht ata që, me penën e tyre, kanë prodhuar urrejtje fetare në vend.

 

Comments

  • Nje pyetje edhe me e gjere do ishte: Kujt i sherben ISIS? Kush e udheheq kete organizate? Cila eshte filozofia e tyre? Cilet jane dijetaret fetare tek te cilet ata mbeshteten per veprimet e tyre? Si munden ata aq kollaj te deklarojne si te pafe (qafir) kedo musliman qe mendon ndryshe nga ta apo i kundershton veprimet e tyre? Si munden ata aq kollaj te vrasin muslimane te tjere, te shkaterrojne xhami, teqe, e objekte historike islame sunite, sufiste, apo Shiite? Si munden ata aq kollaj te ekzekutojne roberit dhe civilet Shiite vetem pse ata jane Shiite? Si munden te perzene nga Mosuli nje komunitet te tere te krishteresh qe ka gati 2000 vjet qe banon aty ne paqe duke bere qe per here te pare ne po kaq kohe ne Mosul te mos mbahet mesha te djelen ne kisha? Si munden ata te shperngulin nje qytet te tere, Sinxharin, vetem pse ata jane te besimit Jezidi, duke ekzekutuar qindra meshkuj e duke marre grate si roberesha lufte? Ne cilin liber te islamit gjejne ata justifikim per akte te tilla? Po keta qindra apo mijera ndjekes te tyre a jane vertete aq trushpelare sa te mendojne se po rikthejne kalifatin islam e te mendojne se mund te luftojne me kedo e kudo? C’pune kane vullnetare shqiptare te shkojne te vriten ne lufte me kurdet (apo edhe me irakenet shiite)? Nuk po kuptoj c’po ndodh dhe c’do lloj shpjegimi i mundshem nga dikush do ishte i dobishem. Flm.

  • Eshte shume interesante qe ky tipi ka punu ne bazen Amerikane ne Ferizaj dhe gjithashtu eshte shume interesante dhe se shefit te tij i kane dale fakte qe eshte stervitur nga MOSADI

  • Duke mos marrë parasysh komentet dhe propagandën, cili është me të vërtetë Lavdrim Muhaxheri?

    Falimnderit

  • Te gjitha gazetat kosovare flasin per te, por asnjera nuk ka bere nje hetim te mirefillte per ta njohur sado pak te kaluaren e tij. Ai nuk ka punuar vetem ne bazen e Ferizajt, por ka qene edhe ne Afganistan ne kuadrin e forcave çliruese. Nuk kuptohet si rekrutohen njerez te tille ne misione paqeje, prane amerikaneve, dhe si devijojne ashtu, papritmas.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *