KaradaviDijetarë të njohur myslimanë kritikojnë ashpër grupin islamik që ka vetëshpallur kalifatin, duke e quajtur atë si të “pavlerë” dhe “devijues”.

Shkollarët myslimanë dhe një lëvizje e gjerë nga gjithë spektri Suni i Islamit kanë refuzuar dhe janë distancuar nga thirrjet për kalifat nga grupi Islamik, të cilët janë kritikuar ashpër, jo vetëm nga liderët e mirënjohur fetar Suni, por edhe nga ata që kanë qenë mbështetës të Al-Kaedës.

Asem Barqavi, i njohur edhe si Ebu Muhamed el-Makdesi, i cili është liruar nga burgu jordanez në Korrik pasi vuajti atje dënimin sepse kishte rekrutuar vullnetarë për të luftuar në Afganistan, i quajti luftëtarët që janë mbështetës të liderit të grupit ISIS, Ebu Bekr el Bagdadi, si të “devijuar”.

Makdesi, një mbështetës i Al Kaedës i lidhur ngushtë me frontin Nusra, ka kritikuar shumë ashpër metodat e grupit ISIS. “A është ky kalifat një vend i paqshëm për të gjithë të pastrehët dhe myslimanët që migrojnë apo është një shpatë që varet mbi kokat e myslimanëve që nuk bien dakord me ta,” u shpreh Makdesi.

 

Në refuzimin e këtij kalifati, Makdesi, një selefi, e ka gjetur veten në të njëjtën anë me liderët Sufinj. Një i tillë është edhe siriani Muhamed el-Jakubi.

Gjatë një  postimi në llogarinë e tij në Twitter, sufisti i larguar tanimë nga Siria, e përshkruan grupin, i njohur si krijuesi i Shteti Islam në Irak dhe Levant (ISIL), si të “devijuar”.

“Shteti kalifor i deklaruar (ISIL) është jo legjitim,” u shpreh Jakubi. Duke shtuar se mbështetja e tij është “haram” apo e ndaluar.

Një pohim i tillë u mbështet edhe nga dijetari egjiptian që jeton në Katar, Jusuf el Kadavi, i cili shprehet se deklarimi i kalifatit ishte “i pavlerë” sipas ligjeve Islame.

“Një grup i cili deklaron kalifatin, nuk është i mjaftueshëm për të përcaktuar një kalifat,” u shpreh Karadavi në një letër të hapur të publikuar në një faqe internet të Bashkësisë së Shkollarëve Myslimanë, shoqatë e së cilës ai është kryetar.

Një distancim ka patur edhe nga partia politike pan-islamike Hizb ut Tahrir, e cila beson se është një detyrim fetar për të ndërtuar Kalifatin.

“Çështja e Kalifatit është shumë e madhe dhe e rëndësishme se sa një imazh kaq i turbullt apo një realitet i tillë i cili na tejçohet përmes një deklarate kaq ambigue,” duket se ka pohuar grupi gjatë një deklarate në faqen e tyre zyrtare.

Gjatë hytbes së ditës së premte, Rashid Ghannushi, themeluesi i Partisë Enhada, partisë kryesore Islamiste në Tunizi, iu shtua zërit të kritikave, duke e quajtur deklarimin e kalifatit nga pasuesit e Bagdadit një veprim të dëmshëm, që jep një mesazh të rremë.

“Kombet nuk ngrihen në këtë mënyrë qesharake,” iu shpreh ai pasuesve të tij.

Farid Senzai, një profesor i shkencave politike në Lindjen e Mesme në Universitetin Santa Clara, u shpreh për Al Jazeera se shumë grupe myslimane po e kuptojnë që grupi ISIS po dëmton kauzën e myslimanëve.

“Kalifati Bagdadit është dënuar nga shumica e dijetarëve myslimanë pasi ata mendojnë se ai po bëhet shkak që kauza e tyre për vendosjen e sistemit Islam përmes paqes po merr fund,” u shpreh Senzai.

Ai shtoi se luftëtarët janë diskretituar më shumë edhe nga rreptësia mes së cilës kanë implementuar sheriatin.

Sipas Senzait, ky mohim është më së shumti mes besimtarëve të thjeshtë.

“Shumë myslimanë mund të mbështesin një kalifat si një ideal, por nuk mbështesin ISIL për shkak të metodologjisë së tyre të dhunës” u shpreh ai.

Me gjithë kundërshtitë e mëdha duket se ata nuk do kenë ndonjë efekt të madh tek pasuesit e Bagdatit.

“Ata nuk pyesin për dijetarët tradicionalë apo të rëndësishëm, ata kanë interpretimin e tyre me të cilin po ngulin këmbë se kanë të drejtë dhe janë legjitimë”, u shpreh Senzai.

 

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *