Duke lexuar një intervistë të fundit të Ismail Kadaresë, nga ato klishetë me turq e sovjetikë, bie në sy një lloj apologjie për Lasgush Poradecin, të braktisurin e regjimit që ngriti Kadarenë në majat e Olimpit.
Më 1944, kur komunistët morën pushtetin në Shqipëri, poeti më i madh i vendit dhe një nga më të mëdhenjtë e kësaj pjese të Europës, Lasgush Poradeci, ishte 48 vjeç. Përveç veprës poetike, që ngjante edhe më luksoze në sfondin disi të ashpër të letrave shqipe, kishte gjithçka tjetër për përhiroren (aureolën) e poetit: Studimet shumëvjeçare në Austri, një lloj prarimi elitar, dy-tri histori dashurie, fejesën me një nxënëse të Institutit “Nëna Mbretëreshë” dhe, kryesorja, një fantaksje, që me pak mirëdashje mund të quhej krisje prej poeti e me pak keqdashje, çmenduri. Ishte kjo e fundit që, me sa duket, e shpëtoi.
Izolimi si i çmendur e shpëtoi, dhe kështu poeti e refuzoi regjimin, nuk u pajtua me të, nuk iu nënshtrua, nuk u bë pjesë e dhunimit të shqiptarëve. Po Kadareja, si shpëtoi? Si u integrua aq mirë në strukturat elitare, kulturore e politike? Përgjigja e tërthortë e shkrimtarit tonë të madh është funksioni në shërbim të bashkëqytetarit Enver, me justifikimin sqarues se nuk qe edhe aq oborrtar sa ç’mund të mendohet dhe akuzohet, madje vepra e tij ishte kritikë e kamufluar plot metafora. Ç’e do se nuk i pa njeri! Jo të gjitha ama. Për shembull, vjersha Në mesditë Byroja politike u mblodh i solli probleme, sepse përveç përshkrimeve epike të Enverit akuzohej rëndë burokracia, dhe sot Kadareja pohon se:
shkaku i vërtetë i tërbim-zemërimit […] ishte pjesa ku flitej për ‘duart e përgjakura të zyrtarëve’ (burokratëve). Në qoftë se ka diçka që një regjim tiranik nuk duron, është pikërisht gjaku që ka derdhur, pra ‘duart e lyera me gjak’.
E habitshme se si një akuzë kaq e rëndë të ketë tërhequr vëmendjen e klikës enveriste vetëm për korrigjim të shkrimtarit. Kështu të paktën shprehej Mehmet Shehu:
Ismaili ka gabuar, por… ta ndihmojmë të korrigjohet.
Shoku Enver,
E lexova me vëmendje poemën e Ismail Kadaresë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Jam dakord me konkluzionet tuaja. Ai, këtu, sipas mendimit tim, gabon […]. Nga do ta kthesh, Ismaili ka gabuar. Po unë mendoj se duhet të luftojmë akoma, përsëri e përsëri, për ta shpëtuar Ismail Kadarenë, se mendoj se mund të shpëtohet […]. Mund edhe të gaboj kur them se Ismail Kadareja mund të shërohet, por unë e kam akoma këtë bindje, sepse Ismaili i ka kënduar partisë, luftës nacionalçlirimtare, popullit jo një herë dhe ka bërë vepra të mëdha në këto drejtime. Poema e tij “Përse mendohen këto male” është me partishmëri të lartë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Qyteti i gurtë” janë nga romanet më të mirë si nga përmbajtja ashtu edhe nga ana artistike. “Dimri i vetmisë së madhe” me gjithë boshllëqet ideologjike, është një vepër e madhe që ngre shumë lart luftën e partisë kundër revizionizmit dhe është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i partisë dhe i popullit […]. Ai, ndoshta ka dashur të fusë në vjershë luftën kundër grupit të komplotistëve dhe kundër burokratizmit. Por në këtë orvatje dështoi. Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do t’i kuptojë gabimet e rënda.
Shikoni fjalinë e fundit: “Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do t’i kuptojë gabimet e rënda”. Ndërsa tani po sjell shembullin e një poezie tjetër të titulluar Saharaja:
Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.
As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur.
Kjo vjershë do të lexohet si alegori e Shqipërisë. Kështu e interpreton ekspertët letrarë (Myzafer Xhaxhiu dhe Koçi Petriti) dhe mbi këtë qasje ngrihet akuza e prokurorisë për autorin, Vilson Blloshmi. Shpallet vjershë “nihiliste, pesimiste, përmend mërzitjen, vdekjen, mohon jetën”.
Akuza plotësohet me leximet e veprave të ndaluara të autorëve Chateaubriand, Stendhal etj. Mes librave të ndaluar në zotërim të Blloshmit renditen Muhameti, profeti ynë dhe Thelbi i qëllimit dhe udha e shpëtimit, të cilat në botëkuptimin e Kadaresë së pas ‘90 janë vepra të “kulturës otomaniste”, dhe duket e habitshme se si zotërimi dhe leximi i tyre përbën krim në një regjim kaq filo-oriental/otoman sa ç’mundohet ta etiketojë Kadareja.
Vjersha e Blloshmit është komentuar fjalë për fjalë, me një spektakël hipotezash. E pra asnjeri nuk tentoi ta korrigjonte këtë njeri, që nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj regjimit e as nuk u hoq si i çmendur. Këtë e pagoi me jetën e tij as tridhjetëvjeçare, kur u gropos natën, bri lumit, nga një mori shërbëtorësh të atij klanit që Kadareja e zbukuronte për turmat. Fatin e tij e ndau me Genc Lekën, vepra e të cilit u analizua si armiqësore nga ekspertiza e Diana Çulit, një tjetër penë e rehabilituar nga “fama”.
Pa i mohuar shkrimtarit tonë të madh talentin e penës, ajo që irriton është rehabilitimi si antikomunist luftarak (me metafora), kundërshtar e kritik, e deri si viktimë fatkeqe. Jo, kjo jo. Është e tepërt. Është tallje me të “çmendurin” Poradeci, me ata si Blloshmi, që regjimi na i ktheu në një grumbull kockash, ose me grumbujt e dinjiteteve të detyruar, për mbijetesë, të emigrojnë a të turpërohen në protesta e greva urie. E në mos qoftë kështu, të paktën lë shijen e kulmimit të vlerës së “bir-kurvizmit”, që, e stërvitur në vitet e regjimit, është vlera më frytdhënëse në shoqërinë tonë post-enveriste. Po fundja, edhe nëse të qenurit i shkathët gjatë regjimit, duke u bërë rapsod i tij, transformohet në vlerë, mes këtij statusi dhe atij të viktimës nuk vendoset shenja e barazimit, për ndryshe duhet të besojmë se shqiptarët vegjetojnë pa memorie në “sokakun e budallenjve”.
Comments
Hidhini nje sy pak kesaj:
http://respublica.al/artikuj/2014/06/16/drejtuesi-mysliman-shqiptar-ne-maqedoni-foto-kalamajsh-me-pistoleta-ne-facebook
Kur ka lajme si ky kaq shume perdite, ndoshta duhet bere pak ekonomi, duhet ulur numri i titujve me budallenj, pabesi dhe agresivitetet te ketij lloji, per te ballancuar imazhin e pergjithshem te muslimaneve. Tension gjithandej.
Ismail Kadareja nuk eshte me lajm per gafat qe ben, bile gafat ka per t’i shtuar dita-dites se tashme eshte ne pleqeri te rende, dhe rreth vetes ka vetem servile qe nuk guxojne ta korrigjojne dot as ta keshillojne.