Gazitari: Henri Çili gjeniu i vitit





blushiE-zani

Henri Çili është shquar për nuhatjen në zbulimin e penave më të fuqishme të publicistikës shqiptare dhe ndejseve më premtuese të politikës. Nuk është rastësi që të gjithë autorët e botuar nga ai shiten me mijëra kopje, në një treg ku libri më i mirë nuk shet dot disa qindra. Një sërë emrash që na kanë mahnitur me penën e tyre kanë parakaluar në vitrinën e tij: Spartak Ngjela, Preç Zogaj, Maks Velo, Alfred Peza, Blendi Fevziu, Mustafa Nano, Sokol Balla…, i gjithë mainstreami, deri tek metodologjia e Dasara Malltezit dhe kopertinat e Grida Dumës. Vetëm libri i vet nuk i eci siç duhej, me gjithë parathënien e një antagonisti sezonal që vdes të kujtohet një çikë si publicist.

Dikush mund të thotë se është Çili që i bën të suksesshëm këta libra dhe jo vlera e tyre reale, por vetë ai e ka mohuar në shkrime të mëparshme duke thënë se vepra e mirë e krijon vetë suksesin, pavarësisht se marketingu mund t’i ndihmojë ca. Pra në thelb, merita e Çilit nuk qendron në faktin se i bën këta autorë të jenë të suksesshëm, por se ka aftësinë të përzgjedhë e të nuhasë ata që do të bëhen të tillë.

Një nga zbulimet më të mëdha të Çilit është pa dyshim Ben Blushi, i cili shfaqet tashmë edhe me skeptrin e profetit. Libri i fundit na habiti të gjithëve me aftësitë profetike, pa të keqen e referencave të fillimshekullit të kaluar, për të parathënë gjëra që askujt nuk i kishin vajtur ndonjëherë në mendje. Megjithatë, edhe këtu Çili ia ka kaluar autorit. Vlerësimet e tij për veprën janë edhe më mahnitëse se sa vetë vepra dhe vetë parashikimet e nostradamusit të Partisë Socialiste. Në katër paragrafë Çili ka koncentruar formulën që zbërthen gjithçka që mund të ketë arritur të shprehur pena njerëzore.

Elementi i parë është që në Shqipëri, Ben Blushi bën pjesë në radhët e atyre politikanëve që numërohen me gishtat e dorës, të cilët mendojnë, jo vetëm mendojnë, por dhe e ndajnë atë që mendojnë me publikun, dhe jo vetëm e ndajnë, por e lënë atë të shkruar çka është shumë e rëndësishme. Ky është avantazhi i parë.

Pra avantazhi i parë që ka Blushi është se jo vetëm mendon, por edhe e ndan me të tjerët, dhe jo vetëm e ndan, por edhe e shkruan atë që ndan! Mbetemi gojëhapur se si ia del Blushi t’i bëjë të gjitha këto njëherësh, aq sa arrin ta bëjë Çilin xheloz, siç shprehet vetë më poshtë!

Së dyti. Kur lexoja dorëshkrimin e këtij libri, disa ngjarje nuk kishin ndodhur akoma, disa parashikime nuk kishin ndodhur, siç është arrestimi për veprimtari xhihadiste të disa të rinjve apo propozimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë për legalizimin e hashashit. Që do të thotë, mprehtësia për të kapur fenomene të së ardhmes së afërt apo të largët është e jashtëzakonshme.

Në fakt ajo që ka «parashikuar» Blushi është se feja do të vijë duke u bërë gjithnjë e më ndikuese në të ardhmen, dhe arrestimi i 6 njerëzve në «të ardhmen e tashme», gjatë kohës që vepra ishte në shtyp, tregon sa i saktë ka qenë Blushi në parashikime. Aftësia e Çilit këtu për të kuptuar se për çfarë ekzaktësisht e ka pasur fjalën autori është e hatashme.

Së treti. Meqenëse jemi në strehën e një librarie, në strehën e një universiteti që është Shtëpia botuese universitare, unë kam dhe një zili personale, besoj do ta kenë dhe shumë kolegë të mi pedagogë, sepse libri është mjaft i mirë, i mbështetur metodologjikisht për të gjitha ato që quhen stilema krijuese, pra ka idetë fillestare shumë të veçanta shumë origjinale, çka e bën një akademik në vetvete dhe një akademik që dallohet ndër të tjerët.

Ajo që na lë pa gojë këtu (pa i hyrë diskutimit mbi origjinalitetin e veprës), e që na ka lodhur për ta vërtetuar, është pikërisht metodologjia e librit në prizmën e Çilit. Libri është një rrëfenjë me hamendësime, paraqitura siç ia ka rrokur truri autorit, për të mos thënë penda, duke u futur në një sërë horizontesh ku dukshëm Blushi nuk ka as njohuri minimale. Por jo, çështja qenka shumë më e thellë dhe këtu paskësh pasur një metodo-logji. Kjo pikë e Çilit mbetet ende mister dhe u takon brezave që do të vijnë ta vërtetojnë.

Së fundmi dua të shtoj se ky libër bën pjesë në llojin e publicistikës tonë politike, që në gjykimin tim nis herët si tentacion me, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” e Sami Frashërit, “Problemet shqiptare” e Mit’hat Frashërit, “Vija e Teodosit” e Aurel Plasarit, “Shqipëria ç’mund të jetë” e Ardian Klosit, apo “Reforma shqiptare: shmangia e karakterit tiranik të politikës” e Spartak Ngjelës. Shkurt është një arkitekturë e mendimit politik dhe shoqëror, e cila duke parashikuar të ardhmen në fakt na flet shumë për të sotmen.

Vlerësimi i fundit është edhe më gjenial për shkak të mjeshtërisë së përcaktimit të kategorive. Mekanizmi i Çilit për të maskuar vlerësimin është gjetja e vërtetë. Ajo e përfshin autorin në një kategori aq të gjerë sa nuk ka mundësi që vlerësimi të jetë i pavërtetë. Duke nisur me Sami Frashërin apo Mit’hat Frashërin (në fakt duhej të thoshte Mehdi Frashërin) steka ngrihet aq lart sa gjithçka bëhet e pabesueshme, por duke e ulur dorën tek Spartak Ngjela në fund (i botuar ky gjithashtu nga Çili) pohimi bëhet plotësisht i saktë. Kjo është njësoj sikur të themi se p.sh. Çili vetë hyn tek ata filozofë të mëdhenj në botë, duke filluar nga Platoni e Aristoteli e duke përfunduar me Nard Ndokën. Fjalia e fundit përforcon thellësinë dhe misterin e kësaj retorike që e tregon të tashmen duke folur mbi të ardhmen, të cilën e krijon duke u nisur prej të tashmes. Rikthehemi këtu tek misteri metodologjik, i pashpjegueshëm për nivelin e sotëm të mendimit shqiptar, duke ia lënë brezave fatin për ta zberthyer.

 

 

Comments

  • Cili eshte legen dhe kete e dijme te gjithe ama mund te themi se teza e Blushit per perfshirjen ne politike te muslimaneve ne nje forme osenje tjeter besoj se do e shohim shpejt te permbushet duke ditur se jane te pakten dy persona te projektuar me lidhje te mirefillta fetare qe po angazhohen direkt me PD

    • Nuk i late njehere keto muhabete idiote! Leri mer njerezit se e shohin vete njeri-tjetrin. Konspiracionet jane ose per burra shume-shume te mencur dhe super te informuar. Ose jane per idiotet qe nuk kane menyre tjeter si ta shpjegojne boten.
      Nga shkrimi nuk paske vjele asgje, mesa shoh, perderisa e devijon temen!

  • pse s’perdor ndonje llagap tendin, zotrote? ky eshte i zene prej kohesh nga keto ane. gjej ndonje tjeter, sidomos kur flet per konspiracione. selam

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *