Fjolla_Spanca_946711930Fjolla Spanca

 

Gjatë luftës së Krimesë Zonja me llambë ose infermierja e famshme britanike Florence Nightingale u zhvendos në Turqi për të mjekuar viktimat. Tregohet se ajo u shërbeu ushtarëve britanikë të plagosur po aq sa edhe ushtarëve turq, pa bërë asnjëherë dallime mes tyre. Kur shkeli në xhami herën e parë, themeluesja e infermierisë moderne gjeti diçka për të cilën ishte vënë në kërkim prej vitesh. Pasi përjetoi disa ndjesi të mistershme, Nightingale tha se ndryshe nga tempujt e tjerë xhamitë kanë diçka më të veçantë. Gjithfarë i kapi syri nën minare ajo e përktheu si manifestim të barazisë njerëzore, përtej gjinisë, racës, kulturës a gjuhës, atë barazi që s’e kishte hasur askund dhe e cila e shtyu të mendonte se gratë tashmë kanë vendin/hapësirën e tyre.

Kanë kaluar shumë vite qëkur Florence gjeti “Qaben”. Sot e asaj dite xhamitë kanë mbetur hapësira shpirtshmërie enigmatike. Ata që futen brenda tyre zihen ‘mat’ prej një ‘ëndjeje’, e cila thërret vazhdimisht për kthim a rikthim…, por, mbi të gjitha, ndjesia e lirisë dhe përmallimi për veten e humbur që të jep ky vend është sa çudi, po aq edhe rutinë për natyrshmërinë e njeriut. Dorën në zemër, sa më shpesh të vizitosh xhamitë, aq me tepër thellohet misteri për të Mbinatyrshmen. Kjo mbase prej faktit që një tempull i tillë ruan fshehtësi të mëdha, lutjet më të sinqerta e sytë më të pangopur në kërkim të Dritës. Bile xhamia ta kujton realitetin e shpirtit që nuk ka gjë nën sundim. Përkundrazi, gjithçka rrotull është në shërbimin e tij dhe ku njerëzit pranohen si krijesa të bukura të Vullnetit Qiellor, të cilët janë lehtësim e prehje për njëri-tjetrin.

Të strehohesh në një hapësirë rrethuar me mure të trasha, brenda të cilave zhurma dhe qetësia bashkëjetojnë me afresket shumëngjyrëshe, do të thotë të piqesh mes frikës, dashurisë e dijes. Frika prej të panjohurës dhe Paralajmërimit përkthehet në druajtje të vazhdueshme, krahas dashurisë, e cila mbillet nga prania e plotë e Sinqeritetit dhe lëshimi i shpirtit për soditje në të katër anët e pafundme të Hyjnisë. Kurse dija shpirtërore përtej materiales kërkon me ngulm të Pafundmin, Absolutin e Përhershëm.

Martin Lings, kur shkruan për xhaminë, si përfaqësuese e lulëzimit të plotë të artit islam, vë në pah kontrastin ndërmjet zhurmës e agjitimit që lihet pas me të hyrë në xhami dhe heshtjes së prehur paqedhënëse që ofron hijerorja falë mureve thirrëse për tek patundshmëria e vetes. Lingsi i përshkruan hyrjet në xhami si impresionime të thella nga zbrazëtia e vetë xhamisë dhe si kundërhelm ndaj ‘plotësisë së rreme të botës’ edhe si simbol te boshllëkut të brendshëm të dëlirësisë.

Gjithsesi këto mbeten përvoja aq personale, për të cilat vështirë shkruhet në mos ato zbehen ose banalizohen nga prirjet për t’u përthyer si moralizma për shoqërinë. Përtej shpirtërores, ka kohë që xhamitë në Tiranë nuk e kanë më lezetin e dikurshëm, pra nuk janë më paqëtueset e grave, e ndoshta as të burrave. Sa herë bie rruga me u futë brenda, të zihet fryma tek vëren ndryshimet, parregullsitë e dëmin që kanë shkaktuar njerëzit, qoftë edhe në muret e xhamisë. Me gjithë ‘Mbani Pastërtinë’ në abdes’hane e dhoma faljesh, vizitorët, qofshin besimtarë a kalimtarë rasti, ndjejnë mungesën e kujdesit për tempullin me ojna e bojna!

 

‘Jemi në xhuma’

Ani pse kryesisht jo të mirëmbajtura, gjatë javës xhamitë vizitohen rregullisht, sidomos në kohë lutjesh. Ndryshe nga ditët e tjera, xhumaja i mbledh besimtarët lart e poshtë (lexo: burrat dhe gratë). Të premten pothuajse gjysma e burrave rrinë kokulur. Kjo pamje, edhe e rrejshme qoftë, falë një lloj respekti të ndërsjellë. Syri kënaqet nga fytyrat e qeshura të grave fisnike, që përshëndesin me “PAQE” e plot mirësjellje lirojnë vendin pranë vetes, të japin shami hua a të falin kapëse flokësh, çiltërsisht e me dashuri. Instinktivisht lind një lloj afërsie, dashamirësie, paçka se muhabetet përreth të shastisin. Përrotull fëmijët lodrojnë në të katër anët, ca shoqe ulen ngjitur për të ndërruar llafe e ca të tjera këqyren prej grave andej pari tek fluturojnë çantat e dorës nga njëra anë tek tjetra, si dhe, normalisht, celularët nuk pushojnë së rëni.

 

“I’m Muslim, and I am proud”

Për çdokënd që është në përpjekje për t’u ambientuar me një rreth social sa të virtytshëm po aq të çuditshëm ka përherë çaste dobësie ndaj padrejtësive që i bëhen. Mungesa e konceptit hapësinor dhe sakrificës, sidomos te besimtarët (mësim ky i pastër abrahamik), e ngurtëson skajimisht Islamin kundruall praktikës kolektive. Habitshëm gjithë ata njerëz që bërtasin për bashkim këmbësh, ngritje duarsh a lëvizje gishti, përfundojnë duke zënë hapësirën e tjetrit gjatë namazit. Vizitorët që shkelin në një xhami për së pari ngelin pa u falur ose përfundojnë në shkallët e xhamisë të hutuar, në mos të ofenduar rëndë prej qortimeve të serta që marrin. Me gjithë idhnimin që ndjehet, mbyllja e syve ndaj lulëzimit të mosdijes në doza të mëdha, s’para jep rezultate të mira. Bile, është gati e pamundur të mos ndjesh shikimet e çuditshme mes njerëzish rrotull. E sikur të mos mjaftonte kjo, veç pak minuta pas mbarimit të ritualeve, akoma pa u kryer lutjet, ndërkohë që hapësira rrotull shndërrohet në ujëvarë uratash e përshëndetjesh, nga anën tjetër nisin ose vazhdojnë kërkimet në gjetjen e nuses a dhëndrit për filanin e fistekun. Pra, xhamia multi-funksionale e muslimanit ‘modern’ tani kryen funksione disadimensionale pa përjashtim.

 

Martesa, grosha dhe fshesa

Xhamitë tash janë kthyer në vendtakime, sidomos për gratë, të cilat llafosen deri në dakikun e fundit e më pas marrin rrugën për në shtëpi, ku i pret grosha e fshesa. Ndërkohë, burrat janë larguar shpejt e lehtë, sepse kanë një punë për të mbaruar dhe nëse duan të ndërrojnë llafe kanë hapësira të tjera ku takohen, ndryshe nga nënat, bashkëshortet, motrat a bijat e tyre, që vrasin mendjen për shqetësime gati të panjohura prej sojit tjetër.

Këto të fundit (gjithmonë duke shmangur përgjithësimet), ndonëse të përzëna nga vetja ose në pamundësi për të qenë udhëtare në kërkim të dijes shtypen nga ngushtësia e mendjes së turbulluar; kërkojnë çlirim nëpërmjet martesës, groshës dhe fshesës. Nuk e di nëse fajin e kanë burrat, por zhurma që krijohet në xhami (vendi ku gratë takohen më shpesh) ta kujton pazarin e çarshinë. Një pjesë e konsiderueshme shpërfillshëm kallëzojnë indiferencën e tyre kundrejt njëra-tjetrës. Të zëna ngushtë nga veprimet e tyre, që vijnë prej mungesës së përqendrimit, o ‘kërkojnë të falur’ o të këqyrin vëngër.  Gjithsesi ky gjest nuk të qetëson sa të shqetëson dija e pakët dhe mirësia e zbehur. Padyshim, ky realitet është shqetësues. Parë mbrapsht në kohë, gratë në Islam ishin pasqyra të Dëlirësisë, të devotshme në nxënien e dijes, edukese të shkëlqyera, bashkëshorte shembullore dhe, mbi të gjitha, nëna të mëshirshme!

Gjithsesi, xhamitë e anëve tona tregojnë se si gratë nëpër vite kanë kultivuar ‘mitin e djalit’. Me ose pa vetëdije, ato kanë shtypur veten, kanë mbyllur portat e Dritës dhe janë kthyer në qenie mekanike, duke harruar marrëdhënien dhe detyrimin e tyre ndaj Krijuesit.

Ironikisht, xhamitë e shtypura në zemra shpërfaqen jashtë nesh. Ato nuk janë më mexhliset brenda së cilave gratë e burrat prekin qiejt, nuk janë as ‘Qabet’ e barazisë e të lirisë. Shtëpitë e Zotit në tokë po ngurtësohen duke u kthyer në monopol të individëve mendjengushtë. Janë thyer pasqyrat ku njerëzit shihnin vet-Veten si amanet prej të Dërguarit, paqe pastë mbi të.  Kështu, pa u kapur për teori, nëpërmjet të cilave e keqja e madhe për shoqërinë është burri, xhamitë ta kujtojnë të keqen e pafundme që vjen prej injorancës dhe egos së shfrenuar. Përtej burrave dhe grave, Islami po kthehet në ritual të ngurtësuar e të mbyllur, larg Islamit si sistem i jetës, nëpërmjet të cilit Krijuesi ka derdhur mëshirë mbi botët.

 

 

Comments

  • te me fali shkruesja e artikullit , dhe adminet qe i kane ironite ne maje te gjuhes , shkrimi eshte pershkrim per cilin realitet; shqiptar, ballkans, turk apo arab?
    eshte artikull i perkthyer apo perjetim i autores? i kohes sone apo i koherave perpara?
    te pakten mua nuk me rezulton mjedisi im rreth e rrotull me kete pershkrim…

    • nese adminet ketu e paskan ne maje te gjuhes ironine, komentues si ty e kane ne maje te gjuhes paragjykimin.

      Robi Zotit lexon e pastaj komenton..
      Me siper citohet vendi, koha dhe mjedisi 🙂
      ..”Përtej shpirtërores, ka kohë që xhamitë në Tiranë nuk e kanë më lezetin e dikurshëm,”..

      Une lexova, pastaj komentova 😉

      Urime autores!
      Paqe nga xhamia perballe 😉

  • Nje shkrim qe ne vend qe te te ftoje fisnikerisht ne zhgjidhjen e ndonje problemi qe shqeteson autoren, te fton ne “mekat”, cytje qe fillon me pandershmeri, dhe vazhdon me fyerje per grate e tjera.
    Ne fakt nuk mund ta kuptoj se si qendrojne keto 2 pjese te shkrimit, (citoj) “Syri kënaqet nga fytyrat e qeshura të grave fisnike, që përshëndesin me “PAQE” e plot mirësjellje lirojnë vendin pranë vetes, të japin shami hua a të falin kapëse flokësh, çiltërsisht e me dashuri. Instinktivisht lind një lloj afërsie, dashamirësie,” dhe pak me poshte (perseri citoj) “Vizitorët që shkelin në një xhami për së pari ngelin pa u falur ose përfundojnë në shkallët e xhamisë të hutuar, në mos të ofenduar rëndë prej qortimeve të serta që marrin. Me gjithë idhnimin që ndjehet, mbyllja e syve ndaj lulëzimit të mosdijes në doza të mëdha, s’para jep rezultate të mira. Bile, është gati e pamundur të mos ndjesh shikimet e çuditshme mes njerëzish rrotull”.

    Per respekt po e postoj kete replike ne kete forme, por te lutem te kesh me teper respekt ndaj autores dhe shkrimit, duke evituar etiketat e panevojshme, nese ke deshire te kontribuosh, siç shpresoj, ne permiresimin e hapesirave tona te kultit dhe te diskutimit. Tjeter eshte mospelqimi dhe kundershtimi i argumentuar e tjeter eshte ironia pa humor.

    shpresoj ne mirekuptim
    flm

    • Mesa duket ty nuk te intereson e verteta qe pershkruan mjaft saktesisht dhe estetikisht autorja, por te intereson qe nepermjet kundersulmit ta nxjerresh ndeshjen barazim, duke cenuar autoritetin e autores. Sport i njohur ky, i luajtur shemtuar prej te gjithe atyre qe jane burim i vulgaritetit dhe shemtimit qe kane pesuar xhamite tona. Ti duhet te jesh nga ato grate qe te cajne derrasat neper mafile, qe ushtrojne dhune verbale e teologjike per t’iu imponuar te tjereve botengushtesine ku jeton vete dhe po e shnderron gjithashtu edhe kete hapesire debati ne mafil.

      Nese nuk e ke kuptuar shkrimin, autorja ndan dy lloj grashe: Ato qe te ofrojne vertete ngrohtesi e te kenaqin syrin kur i sheh me thjeshtesine, hijeshine, qytetarine e dinjitetin qe rrezatojne dhe ato te tjerat qe ti po u del ne mbrojtje (pasi mesiguri ben pjese edhe vete), te cilat te bejne t’ia mbathesh me vrap prej xhamive me injorancen, arrogancen, katunarnine e vulgaritetin agresiv qe reflektojne. Varet ku e fut veten per te percaktuar edhe qendrimin qe ke ndaj ketij shkrimi!

  • Flm per kete shkrim. Fatkeqesisht edhe shumica e xhamive ne Nju Jork nuk jane shume me mire. Te merr malli per nje hutbe te hajrit. Hapesira e grave ose ne kat te fundit ose pas perdes ne nje qoshe. Ato xhami ku edhe hapesirat edhe dija jane me pak nivel te kenaqshem jane me kokrra. Shenje e koheve tona me sa duket

  • Sipas meje, eshte shkrim i vertete dhe i sinqerte! pertej faktit qe perjetimi i besimit dhe i ndjenjes qe te jep xhamia eshte tejet personal, besoj se autorja ka gjetur kornizen qe i prek te gjithe. Dhe, per me teper realisht po strukturohet nje realitet i tille ne sistemin e jetes, dhe ne praktiken tone te islamit. Kam nje lloj pritshmerie qe ne te ardhmen do kete me shume shkrime te kesaj natyre.

  • urime ezani! ne vend te replikave per cdo koment, tani i keni dhene te drejten vetes per te censuruar.

    une nuk e di ku e paskam fyer autoren, po jam mese e bindur se per keto rreshta duhet pendim i sinqerte jo vetem nga shkruesja, po dhe sidomos nga botuesi/promovesi i ketyre rreshtave ” gratë në Islam ishin pasqyra të Dëlirësisë, të devotshme në nxënien e dijes, edukese të shkëlqyera, bashkëshorte shembullore dhe, mbi të gjitha, nëna të mëshirshme!”

  • es selam alejkum,

    nuk e kuptoj dhe natyrisht nuk e pranoj qe te censurohem, sidomos ne nje faqe qe ka pretenduar dhe eshte shquar per lejimin e lloj-lloj opinionesh.

    Kritika ime ishte kryesisht per fyerjen on-block te te gjitha grave qe frekuentojne xhamite, sikur ketyre muslimaneve sot ju mingojne cilesite e besimtareve te para, sic shprehet autorja ” Parë mbrapsht në kohë, gratë në Islam ishin pasqyra të Dëlirësisë, të devotshme në nxënien e dijes, edukese të shkëlqyera, bashkëshorte shembullore dhe, mbi të gjitha, nëna të mëshirshme! ”

    Eshte e turpshme qe nje besimtare, per me teper femer, te shprehet keshtu per te te gjitha besimtaret e tjera.
    Perballe kesaj fyerjeje, nuk me ngelet tjeter qe te kerkoj prej jush botimin e plote te kritikes sime, si edhe kerkimin e hallalit nga autorja per kete paragjykim, njolle dhe pergjithesim per mungese vlerash, ndaj nesh!!

    Pa llogaritur si fyerje,”perzenien nga vetja”, e ftojme autoren qe kur te kete uri bujrum per nje pjate groshe ne nje shtepi te pastruar mire!

    U hoqen etiketat dhe jo qendrimi. Ti vijon perseri me akuza turpi dhe herezie, per te cilat, nder te tjera nuk jam dakord sepse e ke dekontekstualizuar fjaline. Por nese ke ndonje mendim-oferte ndriçuese, te kundert me autoren, sille te shkruar si artikull, me pseudonim po deshe, dhe pastaj ke te drejte te flasesh per censure etj. Ketu po ben polemike dhe viktimizim joproduktiv.

    • Moter Lejla!

      Shof shume mllef ne komentin tend. Autorja ka perdor nje lloj metafore kur ka permendur groshen dhe fshesen. Pastaj realiteti jone pa pergjithesime eshte pikerisht ky qe permend autorja, ku xhamite nuk kane hapesira dhe estetiken qe duhet te kishin dhe gjithe pershkrimi qe ka bere ka qene i njejti perjetim qe kam pasur une personalisht ne gjithe keto vite te mijat ne praktikimin e fese paversisht se ne dy pjese te ndryshme te xhamise une tek pjesa e poshteme (tek burrat) dhe autorja tek pjesa e siperme (tek grate).

  • Te me fale autorja dhe administratoret e blogut, por edhe komuniteti i lexuesve te e-zanit per nderhyrjen.
    Ka nje problem me shkrime te tilla, te cilat ne pamje te pare duket se kritikojne haptazi besimtarët dhe besimtaret per situaten e krijuar ne xhamia, madje here here, perfshi edhe kete rast, duket se percohet akuza qe mungesa e spiritualitetit neper muret e xhamive dhe ne ajrine e tyre por edhe ne sjelljet e besimtareve eshte pike se pari faji i besimtareve. nuk e di a eshte e sakte adresa e aludimit te hedhur nga autorja e ketij shkrimi (te pakten si e kupton lejla me siper, por edhe une vete) apo nga autoret dhe autorët e shkrimeve te tjera te ngjashme, por problemi mua personalisht me duket se eshte paksa me i gjere. duket se autorja le jashte vemendjes faktin se ne, te pakten ketu ne shqiperi, por edhe ne kosove, fene e kemi marre nga burime qe nuk permbushin kushtin e te ulurit gju me gju me dijetarin apo me hoxhen qe kupton realitetet e kohes sone, dhe pak a shume jemi nje lloj (s’me kujtohet mire se kush e ka krijuar per here te pare kete term) ‘shtatzanie e padeshiruar’ dhe rrjedhimisht shume gjera ne komunitetet e bashkesite tona nuk kane per te qene pasqyrim i meshires se Zotit ne toke. Por ama, bashkesia e besimtareve ketu ne shqiperi, por edhe ne kosove, pavaresisht ngam mijera e mijera gabimet qw bartin mbi supe, do pergezuar per guximin qe kane treguar ne flakjen tutje te viteve te ateizmit dhe te luftes se hapur ndaj fese, dhe, qofte edhe ata qe akuzohen se nga mjekrat u kullon letyre, duhen levduar per forcen shpirterore per te refuzuar mungesen e permendjes se fjales se Zotit ne hapesirat publike, edhe pse ndoshta e kane zevendesuar ate me shembelltyren jo me te mire te Profetit te Zotit (saus), por qe ne qellimin e tyre dukshem kane patur ngritjen e nje bashkesie qe t’i perngjaje sadopak nje kombi qe meriton faljen e Zotit. Shkrime te tilla ngjajne si klithma qe leshohen ndaj nje femije qe eshte akoma i parritur per t’u marre ne pergjegjesi per ato gjera qe atij i kerkohen, per te mos folur pastaj qe shkrime te tilla shpeshhere nuk vijne nga lidere komunitare, por nga pjesetare te xhematit qe kane nje kontribut jo nga me te vyerit. kritika eshte me e mire kur behet ne menyren me te sjellshme.
    selam e me te mira
    (ju kerkoj hallallin dhe nje here)

  • “Kanë kaluar shumë vite qëkur Florence gjeti “Qaben”. Sot e asaj dite xhamitë kanë mbetur hapësira shpirtshmërie enigmatike. Ata që futen brenda tyre zihen ‘mat’ prej një ‘ëndjeje’, e cila thërret vazhdimisht për kthim a rikthim…, por, mbi të gjitha, ndjesia e lirisë dhe përmallimi për veten e humbur që të jep ky vend është sa çudi, po aq edhe rutinë për natyrshmërinë e njeriut. Dorën në zemër, sa më shpesh të vizitosh xhamitë, aq me tepër thellohet misteri për të Mbinatyrshmen. Kjo mbase prej faktit që një tempull i tillë ruan fshehtësi të mëdha, lutjet më të sinqerta e sytë më të pangopur në kërkim të Dritës. Bile xhamia ta kujton realitetin e shpirtit që nuk ka gjë nën sundim. Përkundrazi, gjithçka rrotull është në shërbimin e tij dhe ku njerëzit pranohen si krijesa të bukura të Vullnetit Qiellor, të cilët janë lehtësim e prehje për njëri-tjetrin.”

    Per mua shkrimi i Fjolles,eshte ku. Prekes deri ne ate pike sa te te beje te harrosh gjithe hidherinin per kete fare realiteti ku jetojme. Keto vargje jane nje kontribut i vyer do t’i thosha komentueses se mesiperme. Nuk jane vargje lideri dhe as nuk kane tentuar te jene. Jane fjale te sinqerta zemre te nje vajze me jo pak intelekt e shkollim. Mos kujtoni se eshte e lehte te dalesh ketu me emer e mbiemer dhe te thuash nje te vertete qe ndoshta mund te ndryshoje per mire, ne dashte I Madhi Zot, realitetin tone. E pse jo edhe me deshiren si femer qe kete “shtatezanine e padeshiruar” (term monstruoz per te pershkruar islamin)ta ktheje ne nje “bekim prej Allahut”.
    Me leje te Fjolles do te bej nje pershkrim te vogel te nje xhamie te vogel qe e kam shume perzemer.
    Xhamia e Kokonozit. Ne zemer te qytetit, strukur mbas teneqeve dhe zhurmes se tregetareve. Nje rruaze ngjyre turkuaze e fshehur si nje oaz sekret per te eturit e Drites. Sapo hyn ne oborrin e saj vogel te mbushur me djem, vajza, pleq e plaka fisnike e qytetare, e ndjen veten si ne nje kopesht Parajse. Edhe me bukur eshte bere tani ne pranvere qe kane celur lulet. Ve doren ne muret e saj dhe ndjej jete. Me tregon historine e dhimbshme dhe te bukur qe ka jetuar. Do t’ju ftoja kete xhuma ta falni aty dhe te kuptoni se sa kohe keni humbur mes turmes e zhurmes. Mbyllur neper furriket e vilave trekateshe(se per grate vec furrike rezervohen dhe dalje nga porta e pasme gjithashtu, mundesisht te ruajtura mire edhe nga ndonje roje privat policy sicurity, qe nese ben gabim te dalesh nga porta kryesore vjen si rrufe e te tregon vendin me intonacionin e duhur te zerit) multifunksionale e zeroshpirterore. Duajeni veten pak me shume o nena, o motra, o gra e vajza, mos lejoni te dilni nga porta e pasme si me qene me zgjebe. Mesoni te hyni e dilni nga xhamia si njerez, kokeulur e me droje ne zemer e nuk ka nevoje per porta shtese e per qyre ku here punon e here jo autoparlanti qe te lidh ne namaz me pjesen tjeter te xhematit.

    Fjolla te pergezoj e dashur dhe te uroj vec gezime ne jete! Me thene te verteten do te doja te uroja edhe qe shkrime te ketij formati ne sistem krahasimi te mos ishim me te detyruar as t’i shkruanim e as t’i lexonim gjekundi por me sa duket do te duhet pak me shume kohe qe gjerat te ndryshojne per mire.

    Selame!

  • “e padeshiruar” eshte perdorur per t’iu referuar bashkesise se muslimaneve ne shqiperi dhe kurrsesi islamit ne teresi. termi nenkupton te justifikoje gjithe ate katrahure qe permban edhe shqetesimin e autores se shkrimit. sado monstruoz qe mund te duket, termi eshte perdorur per te thene se bashkesia jone, ndryshe nga cdo bashkesi tradicionale apo bashkesi jotradicionale qe kane hoxhallare dhe dijetare qe sqarojne realitetet ku jetojne bashkesite ne fjale, ne nuk kemi asnje te tille. per me teper, fene ne nuk e kemi marre si trashegim nga paraardhesit tane, me nje korpus te qarte literature, apo me nje korpus te qarte tradite kulturore te vendit, sic ndodh ne shoqerite tradicionalisht muslimane, qofshin keto edhe joarabe, madje as nga institucione arsimore dhe edukimi, si ne rastin e britanise, shba, frances etj te cilet kane nga nje tim winter, hamza yusuf apo te tjere, por ne ketu fene e kemi marre nga libra te shkembyer dorazi, me te ashtuquajturit ‘nxenes dije’, ne nje ambjent ku perkatesia jone muslimane me gjithe ritualet qe kjo permban nuk eshte pranuar dhe eshte tentuar te refuzohet, qofte ne ambjentet familjare, qofte ne ligjerimin publik. nga autorja ne fjale dhe autoret dhe autorët e tjere kerkohet qe te pakten te shfaqin nje lloj mirekuptimi ndaj ketij realiteti, dhe te mos perpiqen te qortojne dhe fajesojne,por te ngrejne nje ligjerim qe priret te ndreqe dhe te rregulloje. nuk vihet ne diskutim qe jane fjale zemre dhe shqetesimi i autores eshte real, por konteksti ku jane ngritur ‘perdet e mafilit’ kerkon nje shpjegim disi me te gjere. kjo situate, ne gjykimin tim, nuk ka ardhur prej deshires per te futur ne thes grate e as per te nxjerre ne pah ndonje shemti qe mund te flere brenda nesh, por si pasoje nje mungese te theksuar te dijes per te rregulluar ambjentet ku ne marrim dhe jetojme fene tone. prandaj, kritika ne kete rast dhe raste te ngjashme nuk duhet te jete tipikisht e ngarkuar me nota dhe nuanca qortim apo qofte dhe pebuzjeje, por me simpati per ata qe kane bere aq sa kane ditur, dhe me keshilla per ata, duke mos i fyer.
    selam
    Zoti e di me se miri, dhe Ai na falte per gabimet tona

  • Islami ne Shqiperi dhe bashkesia muslimane e jona me gjithe problemet e veta akoma pulsojne jete. Dhe sa eshte gjalle nuk e meritojne te quhen “shtatezani e padeshiruar”. Me ke gjynah qenkan mbarsur per tu quajtur keshtu? Halli qe ka bashkesia jone nuk eshte edhe aq i ndryshem nga bashkesite e vendeve te tjera. Per mua eshte nje problem global ky i te mos pasurit nje pari, i mos te degjuarit te dijetareve dhe i te berit vetegjygjesi. Dijetaret qe permend me siper jane kritikuar jo rralle here madje dhe ashper po nga pjestare te bashkesise se vet,qe e mendojne ndryshe nga ata dhe arrijne te inponohen ne nje rreth te caktuar duke shpallur kalifat me vete. Madje eshte kthyer ne nje sport aq te preferuar ky shenjestrimi dhe sharja e dijetareve, sa populli i jep te drejten vetes t’i gjykoje i t’i vare ne litar sa here qe i shohin se i dalin nga skema qe kane ne koke. Rasti me i fundit ishte per nje gje aq siperfaqesore sa nuk meritonte as vemendje e nderkohe u be nje zallamahi. Eshte fjala per pjesmarrjen ne klipin e kenges “Happy British Muslims” te dijetarit Murad Hofman. Nuk lane gje pa e share e pa i thene. Mund te kalonte si cudi e rradhes, si nje vendim personal i tij, i nje dore muslimanesh te lumtur dhe i ideatoreve me Guy Fawkes Masc(qe nuk kishte lidhje me titullin e kenges). Shume mire debati mund te ishte fokusuar te prania e maskes dhe pyetjes se perse mbajne masken e hakmarrjes nderkohe qe predikojne I’m happy. Por i gjithe halli ishte pse kane dale me kercy femrat me shami ne video. Ky eshte mjerimi. Dhe eshte gjithandej. Te pakten ne Shqiperi edhe per ca kohe e degjon akoma ezanin te kendohet. Neper Europe endet robi i permalluar per ate ze mrekullor.
    E per t’ju kthyer perseri situates se muslimaneve ne Shqiperi. Ka me shume se njezet vjet qe e degjojme kete punen e trajtimit me simpati, butesi, te mbyllesh nje sy e mundesisht qe te dy dhe prandaj dhe situata ka ardhe deri ketu. Deri me sot u synua sasia, tanime duhet me punu per cilesine. Nderkohe qe mund te ishin bere te dyja pernjeheresh. E nuk do ishim tani ketu duke bere teori e duke thur andrra n’beze. Perdet e mafilit dhe perdet ne tru nuk bien vete. Nuk eshte fizikisht e mundur qe te bien pa patur nje force shtytese. Nese per nje perde mendafshi mjafton nje fllad ere, per nje doku do te duhet nje furtune e per nje gipsi nje ciklon. 😀

  • Nje shkrim qe ia vlen te lexohet dhe rilexohet. Vleresime per autoren. E ftohte ne logjike dhe e ngrohte ne zemer.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *