Elton Hatibi
Në ditët e para të marsit u bë ndryshimi i radhës në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Me një lëvizje të beftë dhe pa kontestime serioze nga rradhët e besimtarëve, më tepër se një proces institucional organik, ky ndryshim i përngjau rokadës së dy figurave në fushën e lojës së shahut. Përzgjedhja e një personazhi të ri në krye të institucionit fetar më të madh në vend habiti shumëkënd brenda dhe jashtë bashkësisë, por ky moment hutimi shpejt u fashit falë vizitave dhe urimeve të shumta të aktorëve të fuqishëm publikë, ku nuk munguan si në një stafetë sportive trupi diplomatik i akredituar në Tiranë. Më tepër se çallma dhe xhybja e kryetarit të vjetër, dorëzuar simbolikisht bashkë me urimin përkatës për suksese dhe mbarësi, kryetari i ri legjitimitetin publik u duk se e fitoi nga bekimi i autoriteteve të larta politike, e gjitha kjo nën vështrimin dhe praninë e ndërkombëtarëve, sakaq të vëmendshëm për realitetet fetare tek ne.
Prej kohësh, sidomos pas ngjarjes së 11 shtatorit, në marrëdhënien mes pushtetit dhe përfaqësuesve fetarë myslimanë është e dukshme prania e diplomatëve të huaj. Ndodh që autoritetet kanë preferenca ose pritshmëri të tjera prej atyre që ndodhen në sferën fetare, dhe shpesh ky ndryshim midis dëshirës dhe realitetit bëhet shkak për retushimin e këtij të fundit nën patronazhin dhe ekspertizën e huaj. Qasjet e kësaj vëmendjeje të diplomatëve mbeten hipotetike pasi ka një larmi qëndrimesh rreth Islamit sot në botë, por e gjithë kjo shëmbëllen me skemën teorike të “dëshirës trekëndore” të René Girard, ku myslimanët marrin njëfarë vlere sepse dëshirohen nga tjetri, ndërmjetësi, dhe ku autoritetet, përmes përzgjedhjes dhe imitimit të këtij modeli përmbushin hapësirën e veprimtarisë së tyre publike, e cila përfshin si një aset publik edhe Islamin.
Ka shembuj të shumtë se si njerëz me ndikim përmes iniciativës së tyre ose edhe fare rastësisht kanë shërbyer për të modifikuar realitete kulturore në vende të tjera. Njerëzimi kur flitet për religjion apo kulturë i kapërcen kufinjtë artificialë; universalia qëndron mbi të veçantën dhe përpjekja në këtë drejtim është vetë pjesë e saj. Vështrimi në raste interesante nga realitete që kanë modeluar në masë të konsiderueshme tek ne sjelljen e pushtetit me fenë do të na ndihmonte të kuptojmë këtë ndërthurje mes tyre dhe një aktori vital siç janë ndërkombëtarët.
Danilo Kish, në novelën “Luanët mekanikë” përshkruan në mënyrë dramatike organizimin e një ceremonie fetare nga pushteti totalitar sovjetik për shkak të vizitës së një politikani të lartë frëng. Megjithëse socialist radikal dhe joreligjoz, i vetmi personazh historik në novelat e “Një varr për Boris Davidoviçin”, Éduard Herriot, parimisht ishte kundër përndjekjes potenciale të priftërinjve në Bashkimin Sovjetik. Kështu, për të mikluar mysafirin frëng, për t’i rrëzuar cilindo dyshim, me ndihmën e apartçikut Çelustnikov dhe të burokratëve të tjerë partiakë, me shpejtësi organizohet kjo meshë klandestine, bash në katedralen qendrore të shndërruar tashmë në birrari. Çelustnikovi si amator i teatrit që është, i duhet të luajë rolin e priftit dhe për këtë merr këshilla skenike nga grimieri i teatrit. Njëra prej tyre lidhet me mjekrën që i është montuar në faqe; që të jetë e njëmendë, në lëvizje ajo duhet të zhvendoset ngadalë dhe njëkohësisht me bustin e bartësit.
Jemi në një situatë ekstreme përderisa feja është asgjesuar nga sfera publike. Për të përfituar prej saj, nisur nga prania e një rrethane të huaj, ajo duhet rishpikur edhe njëhere, por kësaj rradhe si farsë; mjekrën dhe kamillafin i huazojmë në rekuizitën e teatrit. Rrëmbimi i simboleve fetare dhe performimi me to i praktikave përkatëse për nevoja pushteti këtu merr një dimension të paprecedentë. Pushteti ringjall qoftë edhe për disa çaste praktikat fetare, sërisht në funksion të agonisë të fesë, edhe kjo me efektin anësor të provokimit të njerëzores nga përkujtimi i të shenjtës. Feja në përmasën e saj origjinale, rikthehet edhe një herë nga oponentët e saj. Përfitohet nga forma, ndërsa përmbajtja sidoqoftë e patestueshme mbetet e injoruar, pra e panjohur. E gjithë kjo ngjan paradoks por duke ditur kontekstin historik të stalinizmit, manipulimi i individit dhe i shoqërisë shndërrohen në një zanat të ri me perspektiva të larmishme aplikueshmërie. E shenjta konservohet për t’iu fshehur publikut, ndërkohë që realiteti i ateizmit ekstrem shuhet brenda një perimetri të vogël, pavarësisht se ai në hapësirat publike konsiderohet si e vërtetë e epërme dhe e patjetërsueshme.
Largohemi nga konteksti totalitar stalinist dhe vijmë në një tjetër situatë postrevolucionare e cila plotëson tek ne kuadrin e trashëgimisë së përbashkët historike. William Dalrymple në një artikull në “The Guardian” na rrëfen ndodhinë e shndërrimit të ceremonisë së famshme të dervishëve rrotullues nga një e tillë me përmbajtje religjioze në një tjetër me sfond kulturor dhe turistik. Ndryshimet radikale në Turqinë e Ataturkut sollën ndalimin me ligj të tarikateve islamike dhe Islam zyrtar do të ishte vetëm ai i xhamive, i predikuari nga funksionarët e autorizuar të republikës. E gjithë tradita disashekullore e këtyre vllazërive u rrënua brenda një dekade kur dijmë se lufta ndaj saj arriti deri në atë pikë sa penalitetet përfshinin dhe performuesit me instrumente muzikore që buronin nga kjo traditë. Në mesin e viteve 60, gruaja e një oficeri të lartë amerikan, gjatë një vizite në Konja, interesohet tek autoritetet vendore për dervishët, kaq të pandashëm me historinë e qytetit. Autoritetet të gjendur në siklet, sakaq të intriguar, me ndihmën e një dervishi të harruar, trajnojnë “fetarisht” ekipin e basketbollit të të rinjve për të hedhur vallen mistike. Ky episod shënon dhe lindjen e ceremonisë folklorike të përvitshme, e cila ushtrohet për vizitorët në pallatin sportiv të qytetit.
Në këtë rast Islami i “keq” tolerohet nga pushteti, sepse i zhveshur nga përmbajtja e tij kuptimore nuk mund të rivalizoje “zyrtarin” i cili tashmë i burokratizuar, ka privilegjin e të qenit i vetmi interpretim i duhur për publikun. Pasi modernizimi dhe transformimi social bëhet i dukshëm, format arkaike të sjelljes religjoze, ato të cilat gëzojnë njohje në qarqet kulturore dhe akademike, dhe që pashmanshmërisht identifikohen me shtratin kulturor kombëtar, rivijnë të dekontekstualizuara për qëllime pragmatiste. Kësulat e leshta dhe mantelët tradicionalë plotësojnë një pjesë të mozaikut turistik i cili formësohet krah më krah dhe me bakllavanë, Kalin e Trojës, dhe kishën e Shën Mërisë në Efes.
Dervishi dhe stalinisti do mpleksen tek ne në figurën historike të Baba Fajës së Martaneshit. Në kontekstin revolucionar shqiptar të pasluftës, Baba Faja, me çizme, pisqollë dhe uniformë kaki, baballëkun dhe taxhin mbi krye i sjell nga e kaluara e tij e mëparshme, e pakontaminuar me ideologjinë rishtare komuniste. Ai njihet fillimisht si një lider fetar dhe popullor, karizëm e cila do t’i shërbejë në militancën revolucionare. Më pas ky miksim do t’i sjellë vdekjen në krye të detyrës së re nga dora e bashkëfetarëve të tij, bash aty ku u nis, në mjedisin origjinar.
Sipas një interpretimit mistik, të dëshmitarit Beqir Ajazi, fundi tragjik i dervishit komunist ishte pasojë e një sakrilegji ndodhur në mjediset e burgut, një interpretim që sidoqoftë kushtëzohet nga reflektimi i mëpasëm i tij i ndikuar nga rrjedha e ngjarjes. Në një debat dogmatik mes Baba Fajës dhe Baba Kamberit, dinjitarit të lartë bektashi, e gjitha në lidhje me reformat që duhej të përfshinin fenë, me një gjest kuptimplotë shfronësimi, Baba Faja rrëmben taxhin karakteristik bektashi nga kryet e të burgosurit të pafuqishëm. Më pas historia dihet. Baba Faja do të ekzekutohet në mjediset e Krygjyshatës nga titullari i saj Dede Abaz Hilmiu, të cilit nuk i mbeti veç të vetëvritej. Ky pështjellim dhe vakum autoriteti i cili pasoi skandalin tragjik të masakrës në rangjet më të larta të bektashinjve, desh u pasua nga një tjetër skandal, kësaj radhe qesharak; ministri i brendshëm Koçi Xoxe paska propozur që vendin vakant tek bektashinjtë ta zinte një prift ortodoks, Llazar Popoviçi, kandidatura e të cilit u rrëzua për arsye biografie.
Ne këtë histori tragjike me viktima të ndërsjellta për fenë dhe për pushtetin na mungojnë referenca mbi qëndrimin e të huajve, për pasojë dhe për rolin e tyre përballë kësaj situate konfliktuale. Mbase të huajt kanë asistuar edhe në këtë moment dramatik dhe kanë këshilluar vullnetin e tyre mbi marrëdhëniet e pushtetit të ri me fenë, eksperiencë që aplikohej rëndom në vendet e tyre. Sidoqoftë ky episod tragjik, dhe të tjerë të ngjashëm si ajo e maskaradës me armët në kishë, nuk arriti të jetë shkaku për nxjerrjen jashtë ligjit të bashkësive fetare, moment i cili rezervohet gati dy dekada me pas.
Në kulmin e furtunës antifetare, në një fjalim në Komitetin Qendror të Partisë, Enver Hoxha do të përmendë si shenjë ndërgjegjësimi të vetë klerit për kotësinë e fesë, heqjen publike të çallmës nga një hoxhë në Dibër. Ky do të jetë dhe një shembulli se si duhet të jete fryma e vetë fushatës, ku si porosi me ngjyresë propagandistike nënvizohet kujdesi dhe maturia me ndjenjat e njerëzve. Por në realitet vihet re ndryshimi i sjelljes së klerikëve ndaj pushtetit, ideologjia dhe represioni sistematik ka prodhuar rezultatin e pritshëm. Nuk kemi më sfidantë të cilët në mbrojtje të autonomisë së tyre religjoze nuk marrin në konsideratë brutalitetin e rregjimit. Në kushtet kur pushteti do të ishte më i pavarur nga konteksti politik rajonal, ku me politiken kanë pikëtakim edhe fetë që bashkëndajnë shqiptarët, vjen dhe goditja fatale për bashkësitë fetare dhe institucionet e tyre.
Bashkë me rilindjen e Islamit në realitetin shqiptar, erdhi dhe vëmendja ndërkombëtare e cila simbolikisht shënohet me vizitën e James Baker në xhaminë e Et’hem Beut disa muaj pas fillimit të ndryshimeve politike. Në këto njëzet e kusur vite lirie politike vëmendja e diplomatëve ndaj Islamit ka ardhur në rritje saqë ndikojnë mjaftueshëm në marrëdhënien e tij me autoritetet vendore. Sakaq qasja që kanë përqafuar autoritetet ndaj bashkësisë së muslimanëve është thellësisht ideologjike, prej së cilës Islamit i janë ngjeshur termat “i moderuar” dhe “ekstremist”. Kjo tendencë “reformiste” nga jashtë që qëllimisht eklipson aktorët e vërtetë bashkë me debatin doktrinar brenda vetë bashkësisë, dukshëm është një huazim nga realitete që Islamin e shohin nga një optikë sigurie. Çfarë mbetet jashtë kësaj optike kriminalizuese injorohet ose u nënshtrohet formave politike të spektaklit, ku ai i parapëlqyeri vjen në prag fushatash elektorale, ose në kryespektaklin vjetor, të ashtuquajturin “Ditëlindje e Profetit” ku yje të vërtetë janë liderët politikë. Duket se një fashë e konsiderueshme e përfaqësuesve fetarë myslimanë e kanë përqafuar këtë pozicion të sforcuar që u është rezervuar, ku si shpërblim për besnikëri presin në garë t’u vihet në kokë çallma emblematike e lënë vakant nga hoxha anonim i Dibrës.
_________________________
[i] Faqja online e KMSH ka përcjellë informacion të larmishëm mbi zgjedhjen e kryetarit te ri, si dhe aktivitetin e mëpasëm të këtij lidershipi.
[ii] René Girard ka sjellë një hipotezë të re mbi funksionimin e dëshirës njerëzore. Ai sygjeron se ky mekanizëm nuk shtrihet mbi një plan linear, por subjekti e dëshiron objektin përmes një modeli, duke ndërtuar kështu një skemë trekëndore. Më tepër shih “Deceit, Desire and the Novel” , 1976
[iii] Danilo Kish “Një varr për Boris Davidoviçin”, Çabej MçM, Tiranë, 1999
[iv] Artikulli gjendet ende në: http://www.theguardian.com/books/2005/nov/05/featuresreviews.guardianreview26
[v] Beqir Ajazi “Nga shkaba me kurorë tek drapëri me çekan”, Tiranë, 1999
[vi] Azem Qazimi “Procesi i asgjesimit të fesë në komunizëm”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012
[vii] Enver Hoxha. “Vepra 35”, Shtëpia botuese “8 Nentori”, Tiranë, 1982
Comments
Shkrim jashtezakonisht i qelluar, me shume kuptim, por qe pjese e ketij kuadri te vizatuar jemi edhe ne. Ne jemi pjeserisht “fajtoret” e kesaj gjendje… ve selam
Nje analize e shkelqyer jo vetem per cfare ndodh me KMSH por me fene si kategori sociologjike ne Shqipierne pas komunizmit. Kalon pertej dimensionit te ‘aktualitetit’ per te ofruar ne kaq pak rreshta nje veshtrim socilogjik mbi cfare ka ndodhur me fene ne Shqiperi. Autori duhet sinqerisht te konsideroje ta zgjeroje ne nje studim. Urime dhe e-zanit qe sjell shkrime te tilla.
Analize e shkelqyer, Zoti ia shperblefte autorit. Mesazhi eshte mese i vertete dhe njekohesishti dhimbshem dhe deri diku i frikshem.
Mu kujtua kjo histori me dervishe nga zona e Shkozes se Vlores…
http://islamiim.wordpress.com/2012/04/13/histori-nga-babai/
“Ne fakt, islami i keq tolerohet nga pushtetet…” Ne fakt ne fakt, pushtetet nuk tolerojne ate lloj Islami qe i rrezikon pushtetin dhe pastaj te vrasin si berr neper sheshe
Ton Hatibi, ke bo nji rrtikell me t’ve te hatashem. Po ta lexoje ai robi qe dejton Kmsh, te pakten duhet te turpnohet dhe masanej duhet te mledhe menjen dhe te kuptopje si mund te fitoje legjitimitett dhe te perfaqesoje myslimont. E lexova me andje shume te madhe
Shkrim qe nderon autorin, botuesin, lexuesin,,,,dhe komentuesit