toleranca fetareRubin Gashi

Ditët që shkuan, lajmi për miratimin e projektligjit për zhurmën mjedisore në Kosove ngjalli diskutime të nxehta, siç është bërë traditë për çdo muhabet mbi fenë. Ligji u raportua fillimisht nga Gazeta Express me titullin: “Ja kush votoi pro dhe kundër ligjit që ndalon zhurmën e ezanit” për t’u përfolur më pas nëpër portale dhe rrjete sociale si një ligj që “ndalon ezanin”. Një pjesë e komunitetit mysliman në rrjetet sociale nxituan t’i kundërvihen me kritika votuesve të ligjit që “ndalon ezanin” dhe reaguan emocionalisht pa njohur ende përmbajtjen e saktë të tij, të tjerë nga afetarët shprehën gëzim e entuziazëm për këtë ndalesë.

Zhurma kundër ezanit

Reagime të tilla nga ana e myslimanëve janë deri diku të kuptueshme, por mbesin në nivele emocionale, pa gjetur gjuhën e duhur të reagimit. Të kuptueshme, ngase atje jashtë, në terrenin e opinionit publik, ka kohë që qarkullojnë zëra të cilët kërkojnë dhe dëshirojnë të shohin ndalimin e ezanit, duke e parë dhe trajtuar atë si shëmtim të hapësirës publike. Ky qëndrim ndaj ezanit (por edhe kambanave) mund të trasohet edhe në analet e orientalizmit shqiptar, si psh. tek Migjeni në poezinë “Blasfemia”: “Zani i hoxhës dhe i priftit (shfaqen) në një kangë të degjenerueme…”. Po kështu ai shfaqet edhe tek orientalizmi bashkëkohor, i rrëshqitur në islamofobi, si në rastin e shprehjeve përbuzëse të Maks Velos për “….ato minare që duken si raketa Irani…”. Në të njëjtën mënyrë ai shfaqet në një seri shkrimesh në media e në rrjete sociale, ku tregohet disponim për të “ndaluar çjerrjet e hoxhës”, apo “kasnecët” e minareve apo “këto thirrje arabe”.

Përballë shprehjeve të tilla sistematike të ngarkuara me islamofobi që mishërojnë një pozitivizëm social militant mbi të cilin ndërtohet ideja e “spastrimit të fetares” nga sfera publike, disa nga besimtarët myslimanë janë të prirë të jenë dyshues e skeptikë ndaj hartimit të ligjeve të tilla. Një ateizëm militant, por edhe një laicizëm ideologjik, i kundërvihet me muskuj luftarakë prezencës së fesë në hapësirën publike.

Për shembull, tek faqja ateistët.org ka një sektor diskutimi mbi temën “Si mund të luftohet ‘thirrja e hoxhës'” dhe në komente portalesh mund të lexohen masivisht fyerje të tilla si “pëllitjet e minareve” , “zërin e shëmtuar të xhamive” etj. Këto qendrime, që në paradigmë i nënshkruhen idesë “spastruese”, vijnë edhe nga zëra brenda Universitetit të Prishtinës, nga profesorë të rinj të cilët ndaj feve kultivojnë çdo lloj mendimi përveç atij liberal, ndonëse veten e mbajnë për të tillë. Nën ketë qiell mund të lexohet edhe një pjesë e intervistës se Blerim Latifit, botuar fillimisht në Gazetën Express ku ai shprehet se feja është diçka private që duhet të qëndrojë në xhami, apo shkrimi i Sibel Halimit tek Koha Ditore, ku kërkohet që “Shteti i Kosovës duhet të ruajë ‘sekularitetin’ e hapësirës publike” (!) (në një kohë kur në një debat televiziv nuk ngurroi të shprehë shqetësimin se “hoxhallarët nëpër xhami po flasin edhe për moralin”). Natyrisht, si ushqyes i reagimeve emocionale ndaj projektligjit, mund të konsiderohet edhe vetë ministri Dardan Gashi, propozuesi i projektligjit, i cili, edhe pse është në cilësinë e funksionarit të një shteti laik, nuk heziton të bëjë interpretime teologjike mbi çështje të caktuara.

Laicizëm antifetar

Të gjithë këta nuk e kuptojnë se parimisht shteti nuk ruan ‘sekularitetin e hapësirës publike’, gjë që do e shnëdrronte atë në një shtet militant që e vendos veten në luftë ndaj paradigmave të ndryshme mbi jetën, por përkundrazi shteti përpiqet të ruajë sekularizmin e vetvetes, në mënyrë që të ruajë larminë dhe heterogjenitetin e kësaj hapësire duke ruajtur distancën e tij neutrale ndaj paradigmave fetare apo sekulare mbi mënyrën e jetesës. Qëndrime të tilla si ato të fondamentalizmit laicist të mësipërm, shprehen si forma dëshirore për zbrazjen hapësirës publike nga feja, duke aluduar në mënyrë implicite krijimin e një “religjioni civil”. Këto qendrime shërbejnë si palë polarizuese në debatet mbi fenë dhe ushqejnë diskursin reaksionar të fetarëve, për të zhvilluar më pas një cikël vice-versa. LISBA

Megjithatë qëllimi këtu është të dalim përtej këtyre pikturave bardh e zi dhe, përtej refuzimit apriori kategorik të ligjit, të ofrojmë një shikim kritik dhe të ngremë disa pikëpyetje mbi atë që e konsiderojmë si pjese problematike sipas leximit tonë. Meqë në Parlament pritet të ketë seanca dëgjimore mbi këtë projektligj, nëse dikush është i interesuar, atëherë kjo mund shërbejë si një pistë për krijimin e një kornize ligjore më akomoduese, e cila mund të bëjë të mundur zbutjen e antagonizmit drejt një zgjidhjeje që eventualisht krijon mirëbesim tek të interesuarit. Një gjë e tillë do ta bënte ligjin vërtetë funksional duke zgjidhur problemet mbi çështjen e ndotjes akustike si çështje e rëndësishme për jetën publike, por pa cënuar edhe lirinë fetare dhe traditën.

Diskutimi për ligjin mbi zhurmën akustike dhe përmendja fillestare e ezanit nën këtë çadër është bërë qysh në vitin 2012 kur deputeti i LDD-së në Prizren, Lulëzim Kabashi pati ngritur shqetësim rreth zërit të lartë të emetuesve elektronikë të ezanit. Atëherë sikur tani, ligji u përfol në formën e njëjtë dhe diskutimi kishte një fokus të veçantë në reduktimin e fuqisë emetuese të zërit të ezanit përmes zmadhuesve të zërit dhe Bashkësia Islame e Prizrenit pati reaguar në mënyrë pak agresive duke e konsideruar apriori çështjen e ngritur si luftë kundër ezanit. Ndërkaq, këto ditë kemi parë edhe deklarimin “muskuloz” e me tone nervoze të partisë LISBA, e cila konsideronte ligjin si “luftë kundër myslimaneve”, qëndrim ky që përshfaqej si antitezë e qëndrimit bashkëpunues të shprehur nga Bashkësia Islame e Kosovës, e angazhuar të punojë dhe të ofrojë rekomandimet e saja në hartimin dhe implementimin e këtij ligji.

Për të parë se a ka diçka të vërtete në idenë e “ndalimit të ezanit” më poshtë do të sjellim një analizë të shkurtër të projektligjit në disa pika të rëndësishme dhe do të përmiqemi të ofrojmë disa rekomandime të mundshme.

Vakumi që le ligji

Meqë projektligji duket të jetë përgjithësisht i formuluar mirë dhe i rëndësishëm për nga natyra, ajo në çfarë do të fokusohemi janë disa nene dhe paragrafë të cilët kanë të bëjnë me çështjen e zërit dhe mjeteve për zmadhimin e zërit nga objektet fetare. Projektligji në fjalë e definon “zhurmën në mjedis” si “çdo tingull, i padëshiruar apo i dëmshëm i krijuar në hapësirat e jashtme, nga aktivitetet njerëzore duke përfshirë edhe zhurmën e krijuar nga mjetet e transportit rrugor, hekurudhor, ajror si dhe zhurmën e krijuar nga aktivitetet industriale apo burimeve mekanike; ” (Neni 3. Paragrafi 1.1) dhe askund në ligj nuk përmendet “ezani” në mënyrë eksplicite, pasi që projektligji nuk është për praktika specifike, por për amplifikimin e zërimit në kuptimin e përgjithshëm. Ligji nuk ndalon diçka të veçante, por përpiqet që të rregullojë fuqinë e zërimit apo zhurmën në hapësirën publike dhe konsideron si burim të zërimit apo zhurmës, ndër të tjera, edhe pajisjet akustike të objekteve fetare (Neni 4 paragrafi 2).

Ndërkaq, Neni 2 paragrafi 2.7 konsideron se dispozitat e ligjit nuk zbatohen për zhurmën e lëshuar “nga zërimi i ziles ose pajisjeve elektroakustike, në kohën e riteve në ditët e festave fetare, në pajtim me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës”, që bën të qartë se ligji do këtë zbatim për të gjitha rastet tjera përpos rasteve të festave.

Ambiguiteti fillon në momentin kur ligji fillon të merret me çështjen esenciale të zhurmës, me nivelin e zhurmës apo me atë që projektligji quan “vlerë kufitare e zhurmës”, e cila përcaktohet nga autoriteti kompetent në mënyrë që të konsiderojë më pas masat e zvogëlimit të zhurmës. Kështu Neni 15 i projektligjit, në paragrafin 2 thotë se «Ndalohet shkaktimi i zhurmës në mjedis, mbi vlerat e përcaktuara kufitare», por ligji nuk përcakton askund «vlerën kufitare të zhurmës». Sipas projektligjit, në të njëjtin Nen në paragrafin 3, autoritetin e përcaktimit të «vlerës kufitare për zhurme» e ka Ministri, i cili nxjerr një akt nën-ligjor për këtë, varësisht prej burimit të zhurmës. Ky është njëri nga problemet që mund të paraqesë projektligji në fjalë. Në një vakum të tillë normativ, Ministri mund të përcaktojë vlerën kufitare në mënyrë krejt arbitrare përmes ndonjë udhëzimi administrativ. Kjo mundësi dëshmohet edhe nga fjalët e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i cili në seancën mbi projektligjin u shpreh:

“Unë po e bëj një ndërhyrje sepse ky ligj nuk është kundër askujt. Ky ligj nuk është as kundër ezanit të hoxhës nëse ai e thirr pa mjete zmadhuese. Prandaj bëjeni diferencimin. Nuk është ashtu siç po thoni”.

Duke aluduar mbi mundësinë e ndalimit të thirrjes se ezanit me zmadhues të zërit, z. Krasniqi le të kuptohet se ideja e «amplifikimit» të zërit apo e kufizimit të zërit, për disa e dikë mund të implikojë edhe ndalimin e përdorimit të mjeteve elektronike për thirrjen e ezanit dhe jo thjesht përcaktimin e kufijve të zërimit elektronik. Në një kontekst të tillë, është e nevojshme që kjo çështje të diskutohet me seriozitet dhe të ofrohet qartësi dhe garanci mbi respektimin e të drejtës fetare. Nëse në këtë kontekst, me “kufizim të zhurmës” dikush implikon kufizimin e tërësishëm të emetimit elektronik të zërit nga objektet fetare, në linjën e aludimit të Jakup Krasniqit, kjo natyrisht duhet refuzuar.

Në të njëjtin Nen (15), paragrafi 4, përshfaqet edhe një problem tjetër, i cili legjitimon potencialisht ndalimin e thirrjes të ezanit në formatin e tanishëm në kohë të caktuar, qoftë edhe në kufij të limituar të zhurmës së zërit elektronik. Paragrafi thotë «Ndalohet kryerja e punëve,veprimtarive dhe aktiviteteve, që me zhurmën e krijuar pengohet qetësia dhe pushimi i njerëzve, në vende të hapura nga ora 22:00 – 07:00.» që praktikisht do mund të lexohet në mënyrë implicite si ndalim i kambanave apo thirrjes publike të ezanit në atë që konsiderohet «koha e natës» , që korrespondon psh. me thirrjen e ezanit të mëngjesit.

Në legjislacione të ndryshme gjithandej, kur bëhet fjalë për emetimin e tingujve që burojnë nga mjetet elektroakustike të objekteve fetare, ka rezerva të cilat bëjnë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm për arsye se në këto çështje ka një dimension fetar. Në raste të tilla, politika të tilla negociohen në konsultim me komunitetet fetare për të arritur kompromis të kënaqshëm për palët dhe për të mirën e përgjithshme. Zakonisht në Kosovë dhe Shqipëri, thirrja e ezanit në mëngjes bëhet duke e minimizuar fuqinë e zërimit dhe kjo ndodh dhe ka ndodhur psh. me direktiva nga vet Bashkësia Islame e Kosovës. BIK-u është i hapur dhe besimtarët duhet të jenë të vetëdijshëm se në kohët e hershme të mëngjesit, zëri i ezanit duhet të jetë simbolik, aq më shumë kur në atë kohë edhe frekuentimi i xhamisë është më i ulët.

Ezani dhe zhurma 

Në mënyrë të përgjithshme ligji mbi zhurmën e ka rëndësinë e vet për të mirën publike. Ai është i rëndësishëm edhe për kufizimin e zhurmave të cilat mund të shndërrohen në pengesë për zhvillimin e ritualeve fetare, por edhe të zhurmës së përgjithshme në hapësirën publike që shqetëson qytetarët. Termi “zhurmë”, si term legal, duket se është marrë si ofendim nga një pjesë e myslimanëve, të cilët shohin e mendojnë se nën këtë term është përfshirë edhe “ezani”. Në fakt realisht “ezani” nuk është i shkrirë në një term siç është “zhurma” dhe zëri që del prej mjeteve elektroakustike të objekteve fetare nuk është apriori sinonim me ezanin apo kambanat si të tilla. Në projektligj “zhurma” përdoret si term legal i cili nuk paraqet sinonim të një vepre, një akti specifik dhe të perveçëm, por si term i tillë ka të bëjë me zërimin në përgjithësi dhe me tejkalimin e limiteve (të papërcaktuara në këtë projektligj) të vlerave kufitare të zhurmës.

Pra, ekziston një moment kur një akt, i cili në vetvete nuk përben “zhurmë” në planin legal të definicionit, mund të shëndrrohet në “zhurmë” jo si përmbajtje, por si tejkalim limiti i emetimit të tingujve si të tillë, çfarëdo qoftë përmbajtja e tyre. Për shembull, nëse dikujt i ofrohet një zmadhues zëri 150 decibel tek veshi i tij dhe i lëshohet ezani, kjo natyrisht që do të jetë zhurmë dhe është irrelevante në planin etimologjik të konsiderohet e tillë përmbajtja e tekstit, i cili emetohet me decibelë aq të larta sa ta shëndrrojë tingullin në zhurmë.

Për fund, duke qenë se në një plan të përgjithshëm, në propozimin e ligjeve të cilat kanë të bëjnë me aspekte të ndjeshme të komuniteteve fetare, këto të fundit janë pothuajse tërësisht të neglizhuar nga ana e ligjvënësve, është tejet e rëndësishme që kjo praktikë e indiferencës të ndryshojë dhe të krijohet një hapësirë e kooperimit dhe shkëmbimit mes palëve. Në këtë aspekt duhet të shikohen praktikat e ndryshme gjithandej dhe të krijohet një horizont mirëkuptimi dhe bashkëbisedimi përgjatë proceseve të krijimit të ligjeve të cilat prekin, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, aspekte të komuniteteve fetare. Sfera publike është sferë e negocimit të vazhdueshëm mes qytetarëve dhe komuniteteve ku negociohen të drejta individuale dhe të drejta kolektive dhe, ashtu sikurse të gjithë aktorët e sferës publike, edhe bashkësitë fetare kanë një rol të rëndësishëm në të dhe meritojnë të konsultohen për projektligje të tillë në mënyrë që të arrihet në përfundime të cilat do të kenë mirëbesimin e qytetarëve.



Comments

  • Kur do piqen keta njerez. Hedh dikush nje provokim dhe keta menjehere: “Eja mblidhuni ketu-ketu”!
    Me vjen per te qesh e per te qa kur shof si reagon LISBA e ndonje hoxhe katuni. Njeni thoe “le te vije ministri ta ndale ezani, po ia mbajti” (?), tjetri thote qe “ezani ka per t’u ndal vetem duke kalu mbi trupat tane”, nje tjeter “Ezani eshte shpirti jone”…!
    Kur do ta kuptojne, se jetojme ne nje kohe e ne nje shtet ku gjerat nuk zgjidhen me trimni e budallik, por me organizim, debat, aksion civil, rruge institucionale, ligjore ne menyre te qyteteruar. Me duket se me aksion civil cdo njeri ne Kosove kupton vetem UCK-ne dhe nuk dine me u sjelle ne kohe paqeje. Raportin me shtetin e kuptojne si raportin me serbin.
    Kthjellohuni o milet!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *