Shtypi i Kosovës, kryesisht gazeta Bota Sot, ka kohë që ka nisur një fushatë kundër Adem Demaçit në terma nga më agresivët. Demaçi ka zgjuar mllefin e gazetës në fjalë, si dhe të disa analistëve në media të tjera, e sidomos funksionarëve të LDK-së, për shkak se ka shprehur krtika dhe rezerva ndaj ish-presidentit Rugova dhe se është shprehur kundër ndërtimit të shtatores së tij, të ndërmarrë nga lideri aktual i LDK-së Isa Mustafa.
Demaçi ka pohuar se Rugova nuk ka qenë një hero lufte. Ai e vlerëson Rugovën si njeri i mirë, por frikacak, gjë që e bëri që në shumë raste të harrojë interesat e kombit e të mos ndërmarrë angazhimet e duhura. Sipas tij, Rugova kishte mundësi t’i bashkohej luftës, por nuk e bëri. Z. Demaçi vlerëson si të gabuar hezitimet e tij për të nderuar heronjtë në Prekat, përpjekjet për të ndalur demonstratat e 1 tetorit 1997 etj. Sipas tij, Rugova është përpjekur gjithmonë të frenojë reagimet e shqiptarëve ndaj politikës serbe, për shkak të mungesës së kurajos që e ka karakterizuar si politikan.
Mospajtimin me qendrimet e Demaçit e quajmë diçka krejt normale, pasi është e natyrshme që gjithkush të ketë mendimin e vet, por termat me të cilat kjo lukuni kalemxhinjsh i kundërvihen një figure të respektuar si ai, janë për t’u shqetësuar.
Haki Rugova i quan deklaratat e Demaçit skandaloze. Natyrisht, është e çuditshme se si njeriu mund të skandalizohet me një gjë kaq normale sa kritikat, e aq më tepër me kritika krejt normale si ato të rastit në fjalë, qofshin ato edhe të gabuara. Kjo tregon për idhujtarinë që po ushqehet në Kosovë ndaj Rugovës dhe barrierat që shumë njerëz të medias e politikës, po synojnë t’i venë fjalës dhe mendimit të lirë.
Analisti Nehat Hyseni, nuk heziton ta akuzojë Demaçin për faktin se në rini ka qenë marksist-leninist e stalinist-enverist. Deklaratat e tij, ai i konsideron si lajthitje të moshës, që vijnë edhe nga përfitimet e ofruara prej qeverisë, për faktin se i paska vënë në dispozicion makinë dhe shofer. Në të njëjtën linjë, një shkrim tjetër e quan atë në titull «Psikopati Adem Demaçi», i cili orvatet t’i shpjegojë deklaratat e tij si probleme të shëndetit mendor, të cilat, sipas tij vijnë nga zilia personale, që autori ia paska hetuar në thellësi të shpirtit. Më tej shkrimi pohon se Demaçi e ka vlerësuar Rugovën në vitin 1990, a thua se veprimtaria e Rugovës ka qenë gjithmonë njësoj, e a thua se njeriu nuk mund dhe nuk duhet të ndryshojë mendim mbi një figurë politike! Ndërsa në fund, rreshton një sërë çmimesh që Rugova ka marrë për akademizëm e për paqe, pavarësisht se këto nuk kanë asnjë lidhje me kritikat e adresuara ndaj tij. Sipas autorit, fakti që ka marrë çmime, shfuqizon kritikat.
Në vijim, Ahmet Selmani e konsideron atë të pasinqertë e të neveritshëm, në një shkrim ku e akuzon në titull si xheloz ndaj të vdekurve, ndërsa një varg titujsh të tjerë ofrojnë zinxhirin e kësaj retorike me shprehje të tilla si, «Demaçi, ky urryes i pangopshëm», «Antiheroi Adem Demaçi» apo «kur ndjenja mund arsyen».
Analisti Jeton Kelmendi madje shkon edhe më larg. Ai kërkon “të hapen dosjet e t’i tregohet vendi Demaçit», duke iu rikthyer edhe periudhës së vlerësimit të tij për Enver Hoxhën, në 1990, kur në fakt, diktatori gëzonte vlerësim të madh në Kosovë, për shkak të izolimit dhe padijes që shqiptarët e Kosovës kishin për «vendin amë» dhe regjimin vrastar komunist.
Nuk dua të gjykoj deklaratat e Demaçit dhe nuk më intereson të bëhem pjesë e këtij debati, për më tepër kur shohim kaq shurdhëri dhe kaq histeri ndaj mendimit të lirë. Ajo që refuzoj me neveri, është dhuna mediatike dhe represioni verbal që qarqe të shumta politike e gazetareske ushtrojnë mbi mendimin e lirë, që del nga hekurat e mitologjisë së prodhuar nga koniuktura. Pikërisht ky agresivitet provincial dhe kjo retorikë çetnikësh, përbën një nga gangrenat më malinje në shoqërinë shqiptare nga të dyja anët e kufirit. Linçimi po përdoret barbarisht si kërcënim, për të frenuar fjalën e lirë dhe kjo dëshmon për shpirtin totalitar që vegjeton në mesin e elitave tona. Sado të gabuara të kenë qenë fjalët e Demaçit gjuha e presionit dhe shantazhit kundër tij, janë mjetet më imorale që sot përdoren masivisht në debatin publik ndër shqiptarë dhe ndaj kësaj gjuhe duhet reaguar me forcë e neveri.
Nëse z. Demaçi ka dosje të pahapura, ato duhet të hapen për hir të së vërtetës, për hir të shëndoshjes së shoqërisë, jo pse ai kritikon idhullin e mendjeve të ngurta në LDK e përreth saj. Hapja e dosjeve është një detyrë shoqërore për vende si Shqipëria e Kosova dhe kjo duhet bërë për të gjithë, e nuk është aspak e ndershme të përdoret për shantazh publik, si mjet për t’i mbyllur gojën njerëzve që nuk na pëlqejnë. Kjo tregon se shoqëria shqiptare është ende mjaft e prapambetur dhe pikërisht kjo mendësi është ajo që e mban peng në skutat e saj primitive.
Comments