Shtëpia botuese Erasmus, falë ndihmës dhe bashkëpunimit të faqes e-zani.com, ka nxjerrë në botim librin me titull Besimi, arsyeja dhe shpallja: pikëtakimet e reja.
Ky libër është një përmbledhje esesh të autorit Tim Winter (Abdal Hakim Murad), i cili është një nga personalitetet më të shquara myslimane në Perëndim. Profesor dhe imam i xhamisë së Kembrixhit, autor i shumë eseve dhe librave akademikë, ai spikat për mendjemprehtësinë dhe thellësinë e mendimit të tij teologjik.
Libri është i pajisur me një parathënie të gjatë, të cilën autori ia ka dedikuar lexuesit shqiptar. Ky libër përmban ese me tema të ndryshme teologjike. Disa prej tyre janë me karakter thellësisht islam, si p.sh. Pluralizmi në Këndvështrimin Islam, Muhamedi në këndvështrimin Islam, Ibrahimi në këndvështrimin Islam dhe Arsyeja si balancë.
Disa ese të tjera fokusohen rreth krishtërimit, si p.sh. Rënia e Trinitetit (një artikull ky i cili ndonëse ende i pabotuar në gjuhën angleze është ofruar në mënyrë ekskluzive nga autori për botimin shqip), dhe E vërteta kuranore dhe domethënia e “dhimma-s” (Një ese kjo ku autori shqyrton mënyrën se si konceptohen të krishterët në Islam dhe historinë e manifestimit të këtij konceptimi përgjatë historisë Islame”), po ashtu edhe Quicunque Vult: udhëtimi i një të riu në Islam (një ese e shkëlqyer, ku autori shpjegon historinë e konvertimit të tij në Islam).
Gjithashtu, libri përmban edhe ese kushtuar dialogut ndërfetar me titull Jezusi dhe Muhamedi: pikëtakimet e reja si edhe Dinjiteti njerëzor dhe respekti i ndërsjelltë. Në esenë e parë autori argumenton se si arritjet e fundit në fushën e studimeve të krishtera dhe islame kanë bërë të mundur refuzimin e pikëpamjeve që shohin një polaritet të pazgjidhshëm ndërmjet Jezusit dhe Muhamedit dhe ofrimin e një pikëpamjeje të re që bën të mundur gjetjen e pikëtakimeve ndërmjet këtyre dy figurave. Ndërsa eseja e dytë është fjalimi që autori ka mbajtur në Vatikan, në vitin 2008, me rastin e iniciativës ndërfetare “Një fjalë e njëjtë ”.
Mendojmë se këto ese, të shkruara në mënyrë të mrekullueshme, do të ofrojnë një material të vyer për cdo studiues serioz të Islamit dhe do të shërbejnë në kuptimin sa më të mirë të temave kyce islame dhe ndërfetare, si edhe do të shërbejnë si një bazë e mirë për ndërtimin e një fjalori dhe mënyre të shprehuri të përshtatshme për publikun e gjerë edhe jashtë rradhëve të bashkësisë islame.
Libri mund të gjendet duke klikuar këtu
Comments
Artikulli “Muhamedi ne kendveshtrimin islam” eshte jashtezakonisht interesant sepse shtillet rreth pikepamjes se Profeti Muhamed eshte ideali i romantizmit evropian. Personalisht, mendoj se duhet lexuar medoemos.
Tingellon si nje liber qe ia vlen ta blesh me vrap. A ka provuar kush te porosise nga jasht shtetit tek faqja ku tregtohet?