Në një intervistë për gazetën Express – që mund të quhet tashmë Organ zyrtar i lëvizjes antivehabiste (ose më mirë antimuslimane) shqiptare – Blerim Latifi na ofroi një ekspoze të mjaftueshme të mentalitetit të elitave të reja që po orientojnë politikat shtetërore e kulturore mbi fenë në Kosovë. Për informacion, z. Latifi është mësimdhënës në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë dhe njëkohësisht këshilltar politik në Kryeministri, ndonëse buçet nga padituria e prapambetja, intelektuale e kulturore në gjykimet e tij. Mënyra sesi i përdor e shpjegon konceptet mbi fenë, laicizmin (laicitetin), të drejtën, shtetin, tregon se nuk ka të qartë as gjërat më elementare në këto fusha, dhe se është krejtësisht i papërditësuar për prurjet në fushën e mendimit, këto 200-300 vitet e fundit, por operon me teori që janë nxjerrë demode që nga shek. XVIII- XIX. Gjithashtu, ai tregon mentalitetin totalitar, redukcionist, arrogant e paternalist që karakterizon këtë kategori intelektualësh, që armën e suksesit në fushën e medias kanë injorancën.
Padituria si privilegj
Kështu psh. z. Latifi nuk e di që kemi të paktën disa modele kryesore mbi laicitetin, të cilat nuk na thonë aspak se ka ndonjë rivalitet dhe antagonizëm midis fesë dhe shtetit, siç mendon ai duke kërkuar që shteti të bëjë çmos të përzejë fenë nga jeta publike, por përkundrazi, përpiqen të vendosin një raport të drejtë midis tyre. Sipas modelit amerikan, laiciteti nuk është gjë tjetër vetëm se një ndarje midis shtetit dhe fesë, jo për të penguar fenë të merret me punët e shtetit, por për të penguar shtetin të fusë hundët në punët e fesë. Wall of saparation (muri ndarës midis shtetit dhe fesë), i sanksionuar në kushtetutën amerikane, nuk është gjë tjetër vetëm se një barrierë që shteti i vendos vetes për të mos u ngatërruar në punët e kishës, gjë të cilën, siç e ka sqaruar vetë Thomas Jefferson, kisha mund ta kalojë por shteti jo.
Z. Latifi nuk kupton se laiciteti në thelb nuk është antifetar, por përkundrazi, një mjet që në thelb e mbron të drejtën e individit për të besuar, mbron diversitetin fetar, duke mos lejuar ndonjë prej feve të përdorë pushtetin në dëm të të tjerave dhe pikërisht për këtë arsye merr kuptim si garant i lirisë së individit për të besuar dhe si barazlargim i shtetit prej të gjitha besimeve. Kjo është edhe arsyeja përse baballarët e kombit shqiptar, rilindasit tanë, e përvetësuan laicitetin si një instrument themelor për të ndërtuar një shtet. Kjo vinte sepse, duke mos pasur një fe të vetme (sic funksiononte tek fqinjët, e cila u bë motori i nacionalizmave ballkanikë), laiciteti do të shërbente si një mjet i domosdoshëm për të frenuar rivalitetin midis komuniteteve fetare.
Pra, shteti është laik, jo pse nuk e do fenë apo se mendon se feja dhe vlerat e saj duhen përjashtuar, por sepse kështu garantohet më mirë liria e të besuarit dhe bashkëjetesa midis grupeve shoqërore, në një shoqëri me pluralitet besimesh e botkuptimesh. Po të ishte kështu nuk do të kish përse të ekzistonin grupimet politike konservatore e demokristiane, të cilat natyrisht nuk bien aspak ndesh me laicitetin e kushtetutave demokratike perëndimore. Z. Latifi ruan ende në mendje pikëpamje shekullariste antifetare që vijnë që nga revolucioni francez, të cilat na i servir si definicione të panegociueshme të laicitetit. Kjo tregon mendësinë totalitare nga zënë rrënjë gjykimet që ai ka mbi shoqërinë dhe tema të tilla dhe kjo shpjegon edhe arsyet përse debate të tilla po zhvillohen në një frymë të tillë konfliktualiteti që e ka polarizuar keq shoqërinë shqiptare në Kosovë. Shpjegimet marksiste që ofron pastaj mbi fenë si «opium i popullit», vetëm sa tregojnë sesa i intoksikuar është me ideologji totalitare antifetare, të cilat e bëjnë diskursin e tij thjesht qesharak. Në mungesë dëshire për t’u zgjatur, autorit i sugjerojmë të lexojë Raymond Aron «Opiumi i intelektualëve» si pasqyrë për të kuptuar se kush është vërtetë i droguari në këtë mes.
Gjatë të gjithë pjesës së parë të intervistës, z. Latifi shqetësohet sepse disa zëra “ekstremistë” (siç i quan ai, pa na i sqaruar se kush e çfarë janë), po përpiqen të na prishin laicitetin, duke ëndërruar për ndërhyrje të fesë në punët e shtetit. Edhe në qofshin të vërteta këto, edhe në qofshin shumë të përhapura, edhe nëse marrim konceptim më antifetar të laicitetit të pranuar nga ndonjë ent serioz akademik, z. Latifi duhet të kuptojë që laiciteti nuk mund të shkelet dot nga individë privatë, por mund të shkelet vetëm nga shteti. Subjekti që ka për detyrë të ruajë laiciteti është vetëm shteti, ndaj, edhe nëse pranojmë konceptet e tij mbi laicitetin, atë nuk mund ta shkelin hoxhallarët e “katundeve”. Cfarëdo që mund të ketë në mendje një individ apo një grup shoqëror, ai nuk mund të shkelë laicitetin, nëse shteti nuk e lejon. Atëherë cfare laiciteti po shkelin një, tre a katër hoxhallarë lagjesh që lëshojnë perla aq të dëshiruara nga gazeta Express për t’i botuar, me qëllim që të provokojë reagime antimuslimane?!
Në qoftë se z. Latifi kupton me laicitet, të drejtën e shtetit për të mos lejuar asnjë donkishot të ëndërrojë epokat e veta kalorsiake, më duket se ëndërra e z. Latifi është gjithashtu një epokë kalorsiake, krejtësisht intolerante, arbitrare e totalitare. Ajo është po aq shkatërruese sa edhe ato të radikalëve islamikë që edhe mund të ekzistojnë në Kosovë, ndërkohë që është shumë herë më e rrezikshme për shkak se nuk bëhet në dhomën e gjumit, por në majat e institucioneve shtetërore që konsultojnë Kryeministrin. Endërra e tij jo vetëm që është e veshur me pushtet, por është e mbushur me intolerancë, duke shkuar deri aty sa u futet muslimanëve nën jastëk, për t’u prishur gjumin me alarme të rreme e provokacione të ulta.
Në fakt, favorizimi që po i bëhet katolicizmit përballë diskriminimit të islamit, tregon se është shteti dhe njerëzit e tij, siç është vetë z. Latifi, ata që po shkelin laicitetin në Kosovë. Dhe shkeljet e tyre janë nga ato më të rëndat, të cilat përbëjnë arsyen themelore të ekzistencës së laicizmit, duke kaluar deri në cënim të bashkëjetesës.
Avokat i paanshëm fondamentalizmit katolik
Gjatë të gjithë intervistës z. Latifi nuk përpiqet aspak ta kuptojë drejt realitetin dhe të shohë se nuk ka vetëm një problem në kosovë, por vallja është e dyanshme. Ai, si dhe shumë të tjerë, nuk do të kuptojnë se ekstremizmi islamik, ashtu si kudo në botë, është më shumë një pasojë, një kundërefekt i një realiteti armiqësor ndaj islamit, të ushtruar nga pushteti. Në botën arabe ekstremizmi buron si pasojë e një realiteti neokolonial, ku reagimi natyrisht ka ardhur për shkak të politikave agresive kolonialiste kundër muslimanëve. Edhe në Shqipëri e Kosovë, ekstremizmi dhe radikalizmi, vijnë pikërisht nga një politikë koloniale që pushteti politik e kulturor po ushtrojnë ndaj muslimanëeve.
Natyrisht që reagimi është i gabuar, por nuk mund ta trajtosh pasojën pa trajtuar shkakun. Nuk mund ta trajtosh ekstremizmin islamik në Kosovë pa vënë re gjuhën antiislame që po artikulojnë çdo ditë mediat, politika, dhe intelektualë të ndryshëm, siç është edhe rasti konkret. Pengesat që muslimanëve u bëhen për t’u shkolluar, për të ndërtuar objekte kulti teksa falen nëpër rrugë e trotuare, për t’u punësuar nëpër institucionet publike, diskriminimi institucional e ligjor, e përpjekjet e përditshme për t’i defaktorizuar, teksa shohin hapur, ditën për diell, se shteti po favorizon një komunitet tjetër, atë katolik, të cilit i ndërtohet një katedrale supergjigande që rri bosh e mbushet vetëm nga politikanë të lartë si Jahjaga & co; të cilit tekstet shkollore i ofrojnë bujarisht fjalë të mira krejt të kundërta nga çfarë thonë për islamin; të cilit mediat i rezervojnë mundësinë të shprehet në formën e vet më të mirë për t’u bërë faktor në shoqëri, në mënyrë që ti zerë vendin fesë së shumicës… Natyrisht që kundër-reagimet nuk pritet të jenë gjithmonë ato të duhurat. Radikalizmi musliman në Kosovë nuk është gjë tjetër veçse, mbi të gjitha, produkt i një klime konfliktuale të përhapur prej kohësh nga elitat, politike, kulturore e ato të shoqërisë civile, gjë që ky blog e ka denoncuar vazhdimisht prej kohësh.
Nga ana tjetër, vetë z. Latifi, dëshmon anshmërinë e vet, teksa, duke denoncuar me kaq ashpërsi radikalizmin Islamik (megjithëse ai mbetet ende periferik në realitetet fetare muslimane), nuk nguron t’i bëjë avokatinë radikalizmit katolik, i cili, sipas tij, është një komunitet që përbën një «minoritet shumë të vogël në Kosovë», që nuk është «në gjendje të diktojë debatin publik, e as të shkaktojë përçarje, as fetare e as ideologjike». Në fakt, radikalizmi islamik është komunitet akoma edhe më i vogël (nëse ekziston vërtetë ndonjë komunitet i tillë) sesa komuniteti katolik, por, çduditërisht qenka në gjendje të bëjë kaq shumë probleme!
Në fakt, siç i rrjeshton vetë disa nga shkaqet e përhapjes së radikalizmit (financimet e huaja, varfëria ekonomike, paqartësia ideologjike e politikës etj.) me fjalët e veta, vërteton se rrethanat në Kosovë i favorizojnë komunitete të tillë të vegjël. Natyrisht, orientimet dhe mbështetja e politikës, financimi i huaj (goxha i fuqishëm), nuk i mungojnë komunitetin katolik, teksa shohim shumë figura publike ta kenë me qef të pozojnë duke u lutur në Kishë, ndërsa askush nuk duket ta bëjë këtë në xhami.
Nga ana tjetër z. Latifi nuk vëren diskursin ekstremisht radikal, përçarës e atakues të krerëve më të lartë të Kishës Katolike kundër shumicës muslimane, gjë e cila tashmë artikulohet në teza historike e sociologjike që synojnë revansh fetar mbi shumicën muslimane. Nëse z. Latifi nuk i hyn në sy fondamentalizmi ekstremis i krerëve të institucioneve më të larta kishtare, por merret me zëra hoxhallarësh periferikë, kjo tregon një ç’balancim të madh dhe pa dyshim, të qëllimshëm. E për sa kohë ashkla bëhet tra në syrin e muslimanëve, e qime në syrin e katolikëve, analiza të tilla vetëm sa i fryjnë edhe më tepër zjarrit të polarizimit, duke e përkeqësuar klimën e marrëdhënieve ndërfetare në Kosovë, si dhe marrëdhënien e shtetit me fenë. Nga kjo kokëfortësi, dritëshkurtësi e papërgjegjshmëri e shtetit, hubasin vetëm qytetarët e Kosovës, muslimanë ose jo, të cilëve u duhet të jetojnë në një mjedis jomiqësor e të padenjë për një shoqëri që krëkon të ndërtojë lumturinë e saj, pas sakrificash të mundimshme përgjatë një historie të hidhur.
Comments
“Marksi duket se ka pasur të drejtë: feja është opium për popullin.” Me verte e ka ky?!?!?!?!?!? Komandant”Gjarpri” e paska leshu helmin me dozazh te larte, para te cilit opiumin e parapelqej vullnetarisht.
Nje shkrim shume i qelluar i autorit.Mirepo,subjekti i ketij shkrimi,per fate te keq,leje qe eshte keshilltare sepse kjo detyre i meriton gomaret si ky po ky kreten edukon gjenerata e gjenerata studentesh.A e pyet ky komunitet shumice ne Kosove ku i shkojne leket nga taksat e tyre dhe a mos ndoshta si eshte populli ashtu edhe udheheqesia.
Ne lidhje me fene, perendimi eshte gjithmone antidemokratik. Keshtu politika ne Kosove dhe Shqiperi eshte ekstremisht kunder fese se popullit. Madje ne Shqiperi edhte Komuniteti Musliman eshte kunder botekuptimit fetar te muslimaneve praktikante.