Konsumatori qytetar shqiptar





TEG24Enis Sulstarova

Edhe shqiptarët po jetojnë në epokën e konsumit, të paktën një pjesë e tyre që i kanë mundësitë financiare. Ata që nuk kanë paranë, konsumojnë spektaklin e konsumit. Qysh në ditën e hapjes qendra tregtare TEG pranë Tiranës, një nga më të mëdhatë në Ballkan, u vizitua nga dhjetëra mijëra qytetarë, ndërsa kryeministri e cilësoi investimin si një ndër dhuratat më të bukura që i bëhen Shqipërisë në prag të 100-vjetorit të pavarësisë.

Shoqëria e konsumit kritikohet mjaft për egoizmin dhe pasivitetin që përhap në shoqëri. Një tezë shumë e njohur është ajo që vendos përballë konsumatorin me qytetarin. I pari konsiderohet si i prirë për nga interesat vetjake dhe si pre e manipulimit të kulturës së konsumit. I dyti shihet si i angazhuar publikisht dhe politikisht. Nën këtë ndarje ndodhet supozimi se tregtia dhe tregu janë forma të ulta dhe të pamoralshme të veprimtarisë njerëzore, krahasuar me marrjen pjesë në votime, protesta apo aksione të tjera publike e politike. Konsumi konsiderohet i ulët, sepse objektivi i saj është kënaqja e nevojave materiale të njeriut, ndërsa qytetaria aktive konsiderohet moralisht më e lartë, sepse objektivi i saj është e mira e përbashkët. Jo vetëm kaq, por kritika ndaj kulturës së konsumit thotë se konsumatorët i largohen çështjeve publike dhe politikës, duke parapëlqyer të kalojnë një pjesë të mirë të kohës në shitore e qendra tregtare dhe duke rendur pas modeleve të elektronikës, modës së fundit të veshjeve dhe argëtimeve të të reja që ofrohen nga tregu. Sipas kritikëve që qytetarët të jenë subjekte nevojitet që ata t’i largohen tregut. Emblematike për kritikën ndaj konsumit ishte parulla kryesore e disa sindikatave dhe shoqatave më 1 Maj 2009 se dita e punëtorëve nuk mund të ishte ditë normale feste: “Mos bli asgjë, mos shit asgjë, protesto!”.

Mirëpo, një shikim i kujdesshëm e dallon se kjo ndarje hermetike midis konsumatorit dhe qytetarit është e thjeshtuar dhe e pabazë. Janë vetë politikanët gjatë fushatave zgjedhore ata që u kërkojnë qytetarëve që të votojnë duke pasur parasysh interesin vetjak, si p.sh. do të paguajnë më pak taksa, apo do të kenë më shumë investime në zonën e tyre etj. Për më tepër, politika shpesh është një veprimtari e larguar nga e mira e përbashkët dhe e përshkuar nga interesat egoiste. Fjalori i gjuhës shqipe përmban fjalën “politikanizëm” për të emërtuar këtë lloj sjellje joparimore të politikanëve, të interesuar vetëm për fitoren e pushtetit dhe pasurimin e tyre vetjak, pa lidhje me interesat dhe të mirën publike.

Në krahun tjetër, mund të argumentohet se konsumi në vetvete është më shumë se sa një sjellje egoiste dhe mund të marrë parasysh vlerat shoqërore dhe të mirën publike. Me fjalë të tjera, konsumi mund të jetë një sjellje politike. Zgjedhjet që ne bëjmë në blerje kanë ndikimin e tyre në treg dhe përtej tij. Gjithashtu bojkoti kolektiv i mallrave të një vendi të caktuar është shprehje e vetëvendosjes ndaj kolonizimit. Kryengritja amerikane ndaj Perandorisë Britanike filloi me bojkotin ndaj çajit anglez në Boston. Shekuj më vonë, Gandi u bëri thirrje indianëve që të prodhonin vetë në mënyrat artizanale veshjet e tyre, si një hap i rëndësishëm kundër varësisë koloniale dhe drejt pavarësimit ekonomik dhe politik të Indisë. Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje! ka organizuar disa fushata për bojkotimin e mallrave serbe, si një mjet ndërgjegjësimi dhe veprimi politik i qytetarëve shqiptarë për t’u shkëputur nga kolonializmi serb. Bllokimi që kjo lëvizje u bëri mallrave serbe në pikat kufitare të Merdares dhe Dheut të Bardhë në janar të këtij vitit kishte të njëjtin qëllim: vendosjen e reciprocitetit tregtar me Serbinë.

Sidoqoftë edhe bojkoti i mallrave e ruan një lloj dënimi moral të tregut, sepse nënkupton se tregu në vetvete nuk bën dallime etike, se ai është amoral dhe bojkoti i mallrave të caktuar është një lloj largimi apo abstenimi politik i qytetarëve nga tregu. Krahas bojkotit ka edhe nisma konsumatorësh që tregojnë për një moralizim në rritje të tregut dhe konsumit. Tani produktet ekologjike apo ato të “tregtisë së ndershme”, (të cilat synojnë një fitim më të drejtë për prodhuesin fillestar) kanë një klientelë shumëmilionëshe dhe po shënojnë rritje të madhe në shumë rajone të botës. Në këtë mënyrë, qytetarët anembanë botës pikërisht me anë të zgjedhjeve të tyre gjatë konsumit dëshmojnë prirjet e tyre politike, duke i detyruar korporatat që t’i përshtaten valës moralizuese dhe të shfaqen publikisht si të përgjegjshme ndaj mjedisit dhe shoqërisë. Arsimi, zgjerimi i shtresës së mesme shoqërore, zbulimet shkencore në mjekësi, mediat, shërbimet e shëndetit publik, përparimi teknologjik kanë rritur ndikimin e konsumatorëve në treg dhe deri në mënyrat e prodhimit të mallrave dhe të ofrimit të shërbimeve.

Blej_shqipTregu është i pandashëm nga shoqëria njerëzore, pavarësisht prej nivelit të zhvillimit të saj në histori dhe pavarësisht faktit se sociologët termin e “shoqërisë së konsumit” e përdorin për të karakterizuar shoqërinë kapitaliste të disa dhjetëvjeçarëve të fundit. Edhe pse nuk mund të konkurronte suksesshëm me kapitalizmin, sistemi socialist u përpoq që të krijonte imazhin e konsumit me anë të MAPO-ve (Magazina Popullore), si homologe të qendrave tregtare në Perëndim. Përderisa tregu dhe konsumi zënë një vend qendror edhe për qytetarët në shekullin e ri nuk ka përse qytetaria si praktikë politike dhe përparimtare të veçohet patjetër nga tregu. Tregu mund të jetë një arenë për të zhvilluar fushata publike të qytetarëve, jo vetëm për të drejtat që ata kanë për të marrë mallra dhe shërbime cilësore dhe të shëndetshme nga tregu dhe mbi bazën e të cilave zhvillohen nismat për mbrojtjen e konsumatorit, por edhe për çështje që e kapërcejnë interesin konsumator si të tillë.

Duke vazhduar arsyetimin tonë me këtë  frymë, gjykojmë se janë të duhura, të drejta dhe të nevojshme ato fushata qytetare që kërkojnë ta lidhin çështjen e rritjes së prodhimit shqiptar edhe me nxitjen dhe orientimin e konsumatorit shqiptar drejt mallrave vendase. Në Shqipëri tashmë janë bërë të njohura fushatat mediatike dhe panairet e nismës qytetare Blej Shqip!, sikurse në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje! ka zhvilluar fushatën Duaje Tënden! Qëllimi i projekteve të tilla qytetare është, krahas shtimit dhe përmirësimit të cilësisë së produkteve shqiptare, të edukohet konsumatori që të zëvendësojë, aty ku është e mundur produktet e jashtme me ato vendase. Nisma të tilla vijnë pikërisht në kohën kur edhe shumë firma shqiptare kanë investuar shumë para e mund për arritjen e standarteve evropiane të mallrave të tyre, e megjithatë përballen me një mosbesim nga ana e konsumatorit, i mësuar të vlerësojë pozitivisht markat e huaja. Kjo ka bërë që shumë produkte shqiptare në treg të shiten me emërtime të huaja!

Synimi i nismave të tilla është që tregu të shndërrohet nga një hapësirë e ndërveprimit sporadik për shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve për interesat e palëve, në një mënyrë për të krijuar mirëbesim dhe lidhje afatgjata midis tyre. Sipërmarrjet shqiptare kanë nevojë për konsumatorë besnikë dhe ata mund t’i sigurojnë me anë të produkteve dhe shërbimeve cilësore. Që lidhja kombëtare është një garanci për sipërmarrje të suksesshme, këtë më mirë e dëshmojnë bankat dhe sipërmarrjet private të sigurimeve, të cilat janë përhapur nëpër trevat shqiptare pikërisht duke reklamuar origjinën shqiptare të tyre, edhe pasi janë bërë pjesë e grupeve financiare ndërkombëtare. Nga ana e tij, qytetari shqiptar, përveç gëzimit të të drejtave civile dhe politike, ka të drejtat e tij si konsumator për produkte dhe shërbime cilësore dhe të sigurta, që pajtohen me nevojat dhe mundësitë e tij. Sigurisht që edhe ekonomia kombëtare përfiton në disa plane nga mbyllja e rrethit prodhim-konsum brenda vendit. Paratë e qarkulluara ngelin brenda vendit (Shqipërisë apo Kosovës) dhe investohen përsëri nga sipërmarrjet, duke rritur punësimin. Të ardhurat në buxhet rriten, sikurse edhe investimet publike, duke ndikuar kësisoj në mirëqenien e përgjithshme të shqiptarëve. Duke u forcuar në tregun brendashqiptar, sipërmarrjet shqiptare mund të bëhen konkurruese edhe në rajon e më gjerë. Markat e suksesshme shqiptare i japin edhe botës diçka nga qenia shqiptare, sidomos në qarkullimin global të imazheve.

Sigurisht që pa një ekonomi të fortë kombëtare nuk mund të aspirojmë forcim të faktorit shqiptar në Ballkan. Dihet mjaft mirë se vendet që janë kryesisht tregje për produktet e huaja, ndodhen në një pozitë neo-koloniale dhe nuk mund t’i mbrojnë denjësisht interesat e tyre kombëtare. Zhvillimi i qëndrueshëm vjen nga prodhimi i brendshëm, i cili rrit mirëqenien dhe kapacitetin kulturor të punonjësve.  Prodhimi dhe konsumi i mallrave vendase ndihmon edhe formimin e qeverive të përgjegjshme që kujdesen për interesat e popullit dhe të ekonomisë kombëtare. Në kohën e tanishme, kur politika kryesore qeveritare në hapësirën shqiptare është privatizimi i pasurive kombëtare në favor të sipërmarrjeve të huaja, është e pritshme që qeveritë shqiptare të mendojnë në radhë të parë se kujt do t’ia shesin ato dhe se çfarë mund të përfitojnë për vete politikanët. Shqiptarët me paratë e djersës së tyre të derdhur tjetërkund po konsumojnë mallra të huaj në atdheun e tyre, së bashku me të papunët që konsumojnë edhe ata punën e emigrantëve tanë. Siç shkruan Albin Kurti, “çdo qytetar kudo në botë, sikurse edhe te ne, është gjithsesi konsumator, por në Kosovë qytetarët nuk janë më shumë sesa konsumatorë. Janë njerëz me gojë, ama disi pa duar” (Publikja shqiptare, f. 143). Me sa shkruam më sipër, tregojmë se qytetaria nuk humbet krejtësisht në konsum, sepse për sa kohë që ekziston mundësia për të zgjedhur produkte të huaja dhe ato të vendit, mbetet një zgjedhje politike për t’u bërë nga konsumatori shqiptar. Eshtë detyra jonë që me shtimin e prodhimit kombëtar ta zgjerojmë mundësinë e zgjedhjes në treg.

Sido që të jetë, nuk duhet harruar se kombi ka edhe një përmasë të pamohueshme ekonomik, prandaj ekonomia duhet t’i shërbejë afrimit të shqiptarëve me njëri-tjetrin. Këto  janë arsye pse fushatat “Blej Shqip” dhe “Duaje Tënden” i japin një veti morale tregut dhe nxisin veprimin qytetar në treg e përtej tregut.

Comments

  • @Albin Kurti & co.
    prej Franz Fanon-it
    “Zombies, believe me, are more terrifying than colonists.”
    ― The Wretched of the Earth
    “LugEtërit, besomë, janë më të tëmerrshëm se koloni(ali)stët”

      • Fundja per Albinin thuhen vetem pershtypje dhe aforizma, ndekrohe qe per te tjeret thuhen ngjarje publike. Po keshtu, Albini kundershtohet per ide, ndersa te tjeret per korrupsion e pazare.

        • E drejte. Kete ndoshta ka parasysh edhe autori i shkrimit kur jo rastesisht citon Albin Kurtin si zedhenes te tensionit konsumator-qytetar. Dmth shumica thjesht konsumatore perfaqesohet denjesisht nga politikanet e pazareve, pjesa e paperfillshme e mbetur jane ata qe simpatizojne Albinin, qofte dhe kur nuk ia pranojne krejtesisht idete.

        • Varet se ç’kuptim kemi per ngjarjet.
          Per mua, ngjarje perben çdo fjale e nxjerre nga goja.
          Parimisht me duhet te pranoj se tani per tani VV eshte i vetmi formacion politik relativisht i votueshem ne mes gjithe atij qelbi qeverises. Pra nuk jam dakord me ata te cilet e perjashtojne kategorikisht kete levizje nga alternativa thjeshte per bindje ideologjike. Mirepo na duhet gjithashtu te pranojme qe larg prej tezave fillestare dhe ruajtjes se koherences se brendshe ideore (edhe pse jo shume origjinale), VV si subjekt politik eshte bere inkoherente, absurde. Me te vertete blerja eshte edhe akt politik ashtu siç eshte edhe shitja! E perderisa te gjithe duan te shesin sa me shtrenjte e te blejne sa me lire, vetiu vihemi perballe dy te kundertave dhe e kemi te pamundur identifikimin me te dyja njeherazi.Kurti ka interesin e Kapitalit apo xhepat e qytetarit!

          Tek po shfletoja faqen e VV hasa ne nje rubrike me aparence mjaft interesante dhe me brendesi misto-mitologjike me emer derridjan (mbajme frymen) “dekonstruktime”. Nje ze me poshte me ftonte te zgjidhja dekonstruktimin dhe une zgjodha. Ja disa:

          “Si do t’i financoni projektet tuaja ambicioze? Ku do t’i merrni, ta zëmë, 200-300 milionë euro për krijimin dhe mirëmbajtjen e ushtrisë?
          E rëndësishme është që ne ta kemi të drejtën për ushtri të cilën momentalisht me këtë Kushtetutë nuk e kemi. Nëse do ta kishim të drejtën për formimin e ushtrisë, atëherë këtë do të mund ta bënim shumë lehtë përmes bashkëpunimit me Shqipërinë dhe në bashkëpunimin me shtetet e veçanta të NATO-s, të cilat na kanë njohur. Nuk është shumë e vështirë siç po mundohen ta paraqesin, por këtë po e bëjnë pikërisht sepse nuk po duan të na e lejojnë formimin e ushtrisë. Nëse Mali i Zi mund ta mbajë ushtrinë e vet, pse nuk mundkemi ne ta bëjmë një gjë të tillë? Kosova i ka mundësitë edhe për krijimin e ushtrisë, por edhe për zhvillim ekonomik, i cili do të ua garantojë mirëqenien qytetarëve të saj. Vetëm duhet që të na lejohet që ta bëjmë këtë.”

          Pra hem sovran dhe vetevendoses hem ushtri me paret e botes!Qe vetevendosja e kombeve eshte nje nga mitet me te medhaja te epokes e dinim, por kete lloj promovimi sovranas nuk ma kishin zene syte gjekundi.

          Per te vazhduar me perlen dekonstruktuese:
          “Pse jeni kundër flamurit të ri të shtetit të Kosovës?
          Simboli përfaqësues i një shteti është sublimimi i historisë së përpjekjes për krijimin e tij. Ai është identiteti i kombit, historia e popullit, vazhdimësia e përpjekjes, gjakimi i çlirimit, betimi i ushtarit, rënia e dëshmorit dhe kurorëzimi i lirisë. Ai është flamur i Pirros, Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Adem Demaçit dhe Adem Jasharit. Një simbol i tillë nuk mund të jetë rezultat i një konkursi burokratik. Domethënia e tij nuk mund të krijohet me Corel Draw. Flamuri nuk është çështje e shijes dhe imagjinatës personale të dizajnerit. Çmimi i flamurit tonë është sakrifica, vuajtja dhe përpjekja…”

          kreret ideologjike te VV nuk bejne gje tjeter veçse “keqleximit” te literatures postkolonialiste. Kurti qe i ka aq perzemer citimet nga Said( i cili gjihte jeten e shkriu per çeshtjen palestineze dhe normalizimin e marredhenieve me Izraelin), me pare duhet te beje minimumin e ketij te fundit per normalizimin e marredhenieve me Serbine.

          Mua me duket se VV ne vend te koherences dhe opozites preferon banken maoisto-zhizhekiane te mllefit dhe kanalizimin e tij per arritjen me çdo kusht te pushtetit i cili ka per ti shperfytyruar edhe me shume.

  • Vetevendosjes i kerkojme qimen, ndersa te tjereve nuk ua shohim traun. Megjithate, me apo pa vetevendosje, mendoj se shkrimi eshte i drejte. tregu eshte i lidhur me veprimin qytetar, madje edhe me menyra te tjera nga sa thote Sulstarova. Ca tregohen nazike per te blere atlete qe prodhohen nga femije ne boten e trete apo per te blere kafe te shtrenjte nga kooperativat fshatare te Amerikes Latine, prandaj nuk eshte keq qe te fillojme te vleresojme produktet vendore qe i kemi cilesore dhe s’e kam fjalen vetem per qoften “tymi” apo kukurecet. Kurse ne Kosove eshte e qarte qe produktet serbe financojne terthorazi ndikimin e atij shteti brenda Kosoves dhe kunder sovranitetit te Kosoves (edhe pse dikujt sovraniteti mund t’i duket fjale e madhe).

    • Nuk me interesojne shume te tjeret pasi jane metastaza terminale!

      VV-se ja kerkojme qimen se na dhemb e ardhmja e femijeve dhe perderisa eshte e vetmja force model qe kemi duhet tja shkulim mire dhembet e dhemballet e krimbura qe te mos ngelemi me pas te zhgenjyer e ta quajme farsen e rradhes.

      • Ke shume te drejte ne fakt. Vetetvendosja na ka imponuar gjykim te ndryshem, krahasuar me forcat e tjera, per sa kohe qe sillet si organizem krejt i ndryshem nga te tjeret. Per Vetevendosjen kriteret e gjykimit tashme jane shume te larta, se ajo vete i ka vendosur te tilla. Vetem se nuk duhet te harrojme qe kete luks nuk e kemi fituar, na eshte ‘dhuruar’, per sa kohe qe qendrimet e VV nuk jane pasoje e presionit te votuesit apo opinionit, se votuesi e opinioni dihet ke mbeshtesin masivisht. Nese biem dakord qe VV eshte nje lloj dhurate, nje lloj vullneti kryesisht i pashperblyer i anetareve te saj per rezistence e sakrifice, atehere besoj se edhe kritikat ndaj VV duhet t’i kemi ne nivelin e kesaj dhurate. Kritikat mund te jene edhe te ashpra, edhe konstruktive njeheresh, edhe parimore, por edhe bujare dmth t’i ndihmojne rritjes se nje fryme te cilen po biem dakord se eshte pozitive ne thelb.

        Problemi kryesor eshte se gjerat ne bote nuk mund te jene dot 100% te mira apo te leverdisshme, sidomos kur dikush pret nga larg, pa nderhyrje e perfshirje qe keto gjera te behen te mira apo te leverdishme. Jo vetem ne, qe i shohim punet nga jashte VV, por edhe drejtuesit e veprimtaret e VV kam pershtypjen qe nuk mund te jene te kenaqur 100% me drejtimet qe merr organizata e tyre, pasi nje organizem politik nuk eshte plotesisht i kontrollueshem as nga brenda, per sa kohe qe ekziston ne nje hapesire publike te niveluar nga ideologjite e interesat dominuese. Pritshmerite ndaj VV duhet te jene realiste, sidomos nga ne qe jemi jashte saj e nuk kemi asnje merite tjeter ne arritjet e deshtimet e saj, perpos kritikave apo lavderimeve. Problemi me i madh qe ka VV, eshte pikerisht edhe suksesi i saj me i madh, fakti qe ka mundur te grumbulloje nen flamurin e vet grupe me interesa e perfytyrime kontradiktore, qe jane bashkuar thjesht ne nje frymezim te pergjithshem rezistence e kerkese per dinjitet. Nuk dihet sa do zgjase kjo marreveshje, po dihet mire se ka shume forca te interesuara ta shohin VV te deshtoje, ne menyre qe te perligjet perfundimisht ideologjia e dorezimit. Ne kete menyre, edhe kur bejme komente margjinale si ketu, kemi ne dore t’i ndihmojme sado pak njeres prej dy prirjeve, rezistences apo dorezimit para politikes se pazareve, sigurisht pa demonizuar dhe pa idealizuar bartesit e seciles prej ketyre prirjeve.

        Sa per normalizimin e marredhenieve me Serbine, me duket se Kurti me shoke po kerkojne pikerisht kete, permes reciprocitetit. Koncesionet e njepasnjeshme ndaj Serbise qe dikton komuniteti nderkombetar ne Kosove kerkojne ta kthejne vendin ne nje entitet te paqeverisshem e jofunksional, dicka te ngjashme me Autoritetin Palestinez te Mahmud Abazit qe i tkurret perdite territori nga instalimet e reja te kolonisteve, dhe ne anen tjeter nga separatizmi i Hamasit. Rritja artificiale e problemit islamik ne Kosove, te ciles i ndihojne edhe hoxhallare te entuziasmuar, plus pushtetit ekstraterritorial te komunave serbe eshte replikim i te njejtes skeme si ne Palestine. Te dyja sherbejne per ta tulatur autoritetin e shtetit kosovar midis faktit te kryer te humbjes se kontrollit ne territor, dhe imponimit te luftes kunder ekstremizmit islamik si agjende kryesore, qe te harrohet problemi i pare.

        Edward Said-i qe po permend ka qene kunder marreveshjes se Oslos, qe zevendesoi kontrollin direkt te Izraelit ne Palestine, i cili kishte kosto shume te medha financiare, humane e politike, me kontroll indirekt permes Autoritetit Palestinez pa autoritet te mirefillte. Sot Serbia nuk ka menyre tjeter per te ruajtur kontrollin mbi Kosoven, pervecse me komunat e veteqeverisura, me shqiptare te mire kunder shqiptareve islamiste, me destabilitet, diskredititim te pavaresise, krejt si Izraeli e ben me kolonite e veta, me palestineze te mire kunder palestinezeve islamiste, duke diskredituar keshtu idene e pavaresise. Si Serbia ashtu dhe Izraeli kane mundesi te perhershme, ne varesi te ndryshimit te situates nderkombetare, te rimarrin kontroll direkt, pasi edhe Autoritetit Palestinez edhe Republikes me fusnote te Kosoves jane kushtezuar si hapesira te demilitarizuara. Gjithe shpresa e normalizimit eshte shprese se do kete perhere nje opinion nderkombetar qe do frenoje te armatosurin te qelloje mbi te paarmatosurin. Kjo shprese do ishte e pranueshme vetem nese ne Serbi, ashtu si ne Izrael, nuk do dominonte fashizmi dhe fundamentalizmi, edhe endrra per rikthim ne kufinjte legjendare te kombit.

        Megjithate ashtu si Edward Said luftonte antisemitizmin, edhe Kurti mund te bente me shume per te luftuar racizmin e neveritshem antiserb ne Kosove. Vetem duhet kuptuar qe Saidi, ndonese kishte te drejte, jetonte larg populli te vet qe vuante praktikisht dhunen sioniste. Po ashtu plaget ne Kosove jane ende te fresketa, dhe konkretisht Albin Kurti ka qene deri para pak vitesh i burgosur nga fashistet e Milloshevicit. Mendoj qe te pakten duhet falenderuar per gjuhen teper te permbajtur ndaj serbeve, se viktimat duhen mirekuptuar edhe kur e teprojne.

  • Pa nje rinegocim mbi kuptimin real ne kontekstin aktual te termave “reciprocitet”, “sovranitet” dhe “vetevendosje” nuk mund te kemi realizem! ‘Dhurata’ Kurti-VV (e mbruajtur pa paramendim nga Titoja dhe Enveri dhe amballazhuar me paramendim nga Adem Demaçi) kushedi se ku do te kalbej sot e kesaj dite sikur mos kishte ardhur nga qielli dhurata Klinton-Ollbrajt! te cilen palestinezet e kane te ndaluar ta shohin edhe ne endrra – si jetimi Sulo i “Strehs Vorfnore” gjellen e pasanikeve. Perbuzja qe VV i ben faktorit nderkombetar eshte e papranueshme. Eshte fare e palogjikte ti ankohesh atij qe te shpetoi jeten nga mbytja per rrobat e bera qull! Si Kosova si Palestina kane fatin e keq te jene territore te vogla me nje popullesi te paperfillshme qe edhe sikur te kishin ushtri te mirefillte veshtire se mund ti benin balle forces militare te kercenuesve gjegjes. VV duhet te identifikoje pa ekuivoke se cilet jane aleatet nderkombetare dhe ta pranoje pa rezerva mbeshtetjen e tyre edhe pse kjo do te kushtoje ne “sovranitet” dhe “vetevendosje” perndryshe nuk dihet sesa mund ti beje dot balle situatave te paqendrueshme ne arenen nderkombetare!

    • Serbia ka ushtruar spastrim etnik ne Kosove dhe me gjere ne ish-Jugosllavi dhe tranzicioni i saj ne pjesen e respektuar te komunitetit nderkmbetar po behet me nje shpejtesi te panatyrshme, dhe per kete po ndihmon me se shumti klasa qeverisese ne Kosove, si perfaqesuesja e viktimave me te fresketa te fshizmit serb. Pa kete ndihme me shme se simbolike, fuqitet nderkombetare nuk munden ta perligjin dot rehabilitimin e Serbise. VV po kerkon qe Serbise t’i kerkohet ajo cka zakonisht kerkohet nga shetete qe kane ushtruar pastrim etnik dhe kane humbur luften me pas, te njohe pavaresine dhe sovranitetin e vendit per te cilin e ka humbur luften. vetem pastaj mund te kete normalizim te Serbise ne skenen nderkombetare dhe normalizim te marredhenieve Kosove-Serbi. Kjo eshte minimale si kerkese. Po te grumbullohej ne kete parim minimal gjthe klasa poltike ne Kosove, edhe komuniteti nderkombetar do t’i moderonte qendrimet eksremisht toleruese ndaj Serbise. Nese nderhyrja ne Kosove u be per arsye humanitare, le te vazhdohet te respektohet humaniteti i kosovareve, palget e tyre dhe vullneti i tyre si i barabarte me te popujve te tjere. Kjo barazi nuk mund te negociohet dot parimisht. Praktikisht mudn te pranojme se, duke qene ne nje bote forcash dhe jo vlerash, te mos jemi maksimaliste ne kerkesa, po jo te braktisim thelbin e tyre, si po ndodh ne Kosove.

      Kosova eshte vend i vogel, dhe fqinjesia me Shqiperine e deshtuar e zvogelon akoma dhe me shume, po gjithsesi arma me e forte e te voglit eshte superioriteti moral. Kerkesat kosovare jane morale dhe ne perputhje 100% me vlerat e mirenjohura ku themelohet bashkesia e demokracive dhe keto kerkesa po i artikulon qarte vetem VV. Ajo eshte forca e vetme e mirefillte perendimore ne hapesiren shqiptare, prandaj dhe nderkombetaret bezdisen prej saj, se ajo u ve pasqyren perpara fytyres qe ta shohin sa ‘perendimore’ jane. Sikur gjithe klasa poltike e shoqeria kosovare te bashkohej ne nje fjale, per t’i kerkuar kujestareve perendimore qe te zbatojne parimet qe vete ata predikojne, punet do ishin ndryshe. Ne te kundert, disfatistet dhe te korruptuarit que kontrollojne politiken dhe opinionin ne Kosove bashkohen vetem ne ne denigrimin e VV, duke i mveshur stigma te neveritshme si enveriste, titiste, fashiste e fundamentaliste, pro-serbe etj. dhe vete fakti qe akuzat jane kaq te trasha e kaq kontradiktore, tregon mire panikun dhe pasigurine ku i ka futur VV kundershtaret e vet joparimore.

      VV perfaqeson nje qasje ende minoritare ne Kosove, dhe me perkufizim nuk mund te kerkohet nga nje force e tille te kete te njejtin nivel hipokrizie politike e intelektuale si forcat e medha que negociojne me fuqite e medha per pushtetin. Per momentin VV ka sherbyer si nje think tank militant i cili ka ofruar nje ligjerim dhe metode, dhe e ka bere kete rregullisht duke arritur te imponoje terminologji te re ne politiken kosovare e shqiptare ne pergjithesi. Sot edhe ata qe e kindershetojne VV, e kundershtojne me termat e saj. Kur te vije dita qe qe VV te rritet edhe me shume si force, detyrimisht do te moderoje qasjet e veta, sapo t’i duhet te hyje ne sfera me te larta pushteti. Por sot eshte e turpshme te kerkohet nivelim total i diskursit politik ne Kosove, pa asnje alternative. Albin Kurti u thote shqiptareve qe nuk eshte turp te kerkojne ate qe e ka shumekush ne Europe e ne bote, se skllaveria me e madhe eshte te censurosh aspiratat per hir te rrethanave te momentit. Nuk mundet qe edhe ne nivel aspirate dhe vlerash te jemi konjukturale. Ne terrenin e forcave dhe te negociatave mund te humbesh sot, te fitosh neser (si po fiton Serbia, fill pasi me vendosmeri i beri rezistence vete NATO-s) po parimet dhe idealet nuk i gjen gje nga kjo, sidomos ne se jane te drejta. Serbia nuk i ka cenzuruar aspiratat e veta per Kosoven, vazhdon t’i kete haptas agresive, zyrtarisht. Kjo nuk e pengon qe te fitoje hap pas hapi gjithnje e me shume kontroll strategjik ne Kosove, duke arritur te marre konsensus gati universal per keto arritje fillimisht minimale, konsensus si nga komuniteti i gjere nderkombetar, ashtu edhe nga qeveritaret kosovare. Potencialisht, keto arritje te Serbise ne Kosove jane te pakthyeshme, pikerisht pse kane kete konsensus kaq te gjere. Nen pushtim, shqiptaret kishin mundesi qe te kontestonin gjithe pushtimin, sot e neser nuk do kene mundesi te kontestojne nje territor te depertuar legalisht dhe me pelqimin e tyre nga Serbia.

      Ashtu si shkrova edhe nje koment me siper, Izraeli vendosi qe te terhiqet ne favor te Autoritetit Palestinez ne fillim te viteve ’90, vetem pasi u pa qe kontrolli nga brenda i tokave te pushtuara ishte i kushtueshme si ne finance, jete ushtaresh e civilesh ashtu edhe ne PR para opinionit nderkombetar. Sot Izraeli e kontrollon nga jashte situaten, pa qene nevoja te coje police ne fshatra e lagje armiqesore, dhe pa qene nevoja te siguroje pune e buke per te pushtuarit. I mjafton kontrolli strategjik dhe pamundesimi praktik i materializimit te shtetit palestinez, si entitet sovran. Izraeli te pakten e njeh te drejten per shtet palestinez, jo si Serbia qe ka mberitur ne gati te njejtat rezultate kontrolli indirekt, pa njohur ekzistencen e Kosoves si shtet. Kosova e carmatosur, me territor te copezuar, pushtet te dubluar, me nje fqinj te fuqishem qe ia konteston ekzistencen eshte nje Kosove qe shpreson ne nje status quo te perjetshme qe Bashkimi Europian dhe SHBA do kene perhere fuqi e interes ta mirembajne. Nje shtet nuk mund te funksionoje me kaq pak bazament, dhe nje klase politike apo intelektuale nuk mund te jete kaq egoiste sa t’u transmetoje nje territor te minuar brezave te tjere.

      Nuk jam aq i mencur sa te kem mberritur vete ne keto rezultate. Thjesht lexoj analizat e VV, dhe ma mbushin mendjen me shume se ato te kundershtuesve te saj.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *