Revolta shpresëdhënëse që nisi në Tunizi në 2011 duket se i ka lënë vendin dhunës dhe dëshpërimit.
Hamid Dabashi*
Ndërkohë që shënjojmë katërvjeçarin e fillimit të Revolucionit Arab, një shkëndijë e vogël rreth botës arabe do të na linte shumë për të dëshiruar nga premisa e parë që kishim për këto ngjarje, të cilat i bekuam me termin “Pranvera Arabe”.
Vetëflijimi i Muhamed Buazizit në 17 dhjetor 2010 dhe vdekja e tij në 4 Janar 2011 dhe kryengritja që pasoi me rënien e Zine el Abidine Ben Ali më 14 Janar 2011 i dha jetë një lëvizjeje të gjerë popullore që fillonte nga Omani dhe Jemeni, në Egjipt, Siri dhe Marok. Tani, pas tre viteve me trazira dhe revolta, gjërat duken se janë ndryshe- Pranvera Arabe duket se është kthyer në një Dimër Arab të parakohshëm.
Në Egjipt, presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike është rrëzuar nga një puç ushtarak edhe ajo që është më shqetësuese është fakti që intelektualët egjiptianë e brohoritën këtë puç. Në Tunizi kemi demonstrata të mëdha popullore që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë që ka dalë nga një parti islamike. Në Libi, sektori publik dhe ai privat kanë filluar grevat e tyre duke i kërkuar qeverisë që të ballafaqohet me milicinë e armatosur. Në Jemen, hija e Al Kaedës duket se është rikthyer edhe një herë. Në Bahrein, të gjitha shenjat e rezistencës duket se janë çrrënjosur nga regjimi sundues, deri në atë pikë sa edhe një ekspozitë arti që përshkruante lëvizjen në Bahrein nuk u tolerua. Çdo shenjë proteste në Arabinë Saudite shtypet në mënyrë brutale, reforma konstitucionale në Marok duket se është bërë sa për sy e faqe, Iraku ende vazhdon të ketë dhunën sektare dhe sa i përket Kuvaitit dhe Jordanisë ato janë ende në gjumë letargjik.
Rasti i Sirisë
Aq sa thashë më sipër nuk janë asgjë në krahasim me masakrën që po ndodh në Siri. Numrat janë tronditës. Sipas Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare pranë Kombeve të Bashkuara, në një popullsi prej rreth 22.4 milion banorë, më shumë se 100.000 njerëz janë vrarë, 9.3 milion të tjerë janë në nevojë emergjente për ndihmë dhe ndodhen brenda Sirisë, ndërkohë që 6.3 milion të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, për qëllime të caktuara e ndërkohë që janë duke u shpërbërë si komunitet, Bashar Asadi vazhdon të qëndrojë i pashqetësuar në karrigen e tij.
Një këndvështrim i shpejtë i fuqive të jashtme që po e kthejnë luftën e Sirisë në luftën e dikujt tjetër na tregon qartazi se ato kanë një qëllim të përbashkët – t’i japin fund revolucionit Arab. Ata kanë ndryshuar në mënyrë të suksesshme mënyrën e diskutimit nga vullneti demokratik i popullit sirian dhe e kanë degraduar atë në një luftë civile. Ky shndërrim i “revolucionit” në “luftë civile” është me shumë mundësi rreziku më i madh që i kanoset revolucionit Arab sot.
Revolucionet janë destabilizuese. SHBA-ja, si një perandori që ka projektet e saj në botën arabe nuk është e kënaqur me këto revolucione që destabilizojnë rajonin, rrezikojnë aleatët e saj dhe potencialisht forcojnë kundërshtarët e saj. Izraelit gjithashtu nuk i intereson një revolucion i tillë. Gjatë procesit të kolonizimit Izraeli ka korruptuar arabët me pushtet, të cilët janë pikërisht ata që revolucionarët arabë po mundohen të rrëzojnë. Shteti i aparteidit preferon më mirë një tiran si Asadi se sa lëvizje të paorganizuara si ajo e Egjiptit apo Tunizisë.
Arabia Saudite është një aleat i rëndësishëm i SHBA-ve dhe Izraelit, meqënëse kundërshton haptazi lëvizjet dhe opozitën popullore. Duke qenë se është një monarki e prapambetur e pa asnjë institucion demokratik, nuk ka lejuar kurrën e kurrës që të ketë ndonjë lëvizje që mund të prekë rrënjët e saj tribale, ajo kundërshton çdo lëvizje popullore që në fakt tregon paqshëm obskurantizmin e tyre politik. Irani, nga ana tjetër, është një mik që fort i ngjan Arabisë Saudite në sjellje. Duke qenë se ka kapërdirë një kulturë politike kozmopolitane dhe duke eleminuar të gjithë rivalët ideologjikë që pas revolucionit Iranian të 1977-1979, rojtarët e Republikës Islamike nuk janë fort të kënaqur me revolucionet që duket se janë rikthyer në skenë këto kohë. Në fillim ata i quajtën këto lëvizje si “Zgjimi Islam” e më pas kur egjiptianët u revoltuan kundër Vëllazërisë Myslimane, ata e mësuan leksionin dhe kështu i lanë terren të lirë një të moderuari si Hasan Rouhani që të bëhej president dhe filluan negociatat me “Djallin” për të ardhmen e tyre.
A është Turqia vendi i rradhës?
“Derin deveti”, i cili është fshehur në mënyrë të suksesshme pas fasadës demokratike të Turqisë, kanë një mision unik në ADN-në e tyre politike: atë të lojtarit kryesor në rajon, natyrisht për interesin e tyre – dhe ky interes nuk ka asnjë princip: ata bashkëpunojnë me Izraelin, mohojnë gjenocidin armenas, shtypin kurdët në kërkesat e tyre për autonomi, marrin pjesë në të gjitha ndërhyrjet e NATO-s në Mesdhe dhe në çdo trazirë kërkojnë të shohin interesin e tyre direkt ose indirekt. Një sukses potencial i revolucionit arab, sikundër pamë në lëvizjen e Parkut Gezi, mund të jetë një model edhe për një revoltë turke gjithashtu.
Rusia dhe Kina, në dy mënyra të ndryshme, por komplementare, janë aleatë strategjikë në oportunizëm, së pari në këndvështrimin politik dhe së dyti në atë ekonomik. Ato nuk janë aleatë të asnjë revolucionari, sepse Rusia dhe Kina bëjnë pazar dhe negociojnë me SHBA-në për një copë më të madhe torte që ato tentojnë të marrin në cilindo konflikt apo kaos që ndodh nëpër botë.
Edhe pse këta lojtarë mund të duken si kundërshtarë dhe në grindje me njëri-tjetrin, në fakt, ata janë mëse të bashkuar për të bërë çfarë është e mundur për të shuar këtë revolucion. Interesat e përbashkëta të këtyre forcave kthyen një demonstratë popullore në një luftë civile në Siri, në të cilën ka dy anë që janë të ndarë dhe që duhen gjykuar.
Ndërkohë që Irani, Rusia dhe Hezbollahu ndihmojnë Asadin; SHBA, Izraeli dhe Arabia Saudite, bashkë me vendet e tjera të Gjirit, ndihmojnë dhe mbështesin një ushtri të tërë më luftëtarë mercenarë, që mbështesin një grup islamist apo një tjetër. Ata të gjithë janë mercenarë edhe pse luftojnë në emër të grupeve islamike. Fabrikimi i një lufte mes Shiave dhe Sunive është një pretendim i sajuar. Në fakt kjo është një betejë mes Arabisë Saudite dhe Iranit – njëri i mbështetur nga Rusia dhe tjetri nga SHBA-ja dhe Izraeli; një betejë e sajuar për të tërhequr mendjen nga çështjet reale: sikurse Revolucionet Arabe.
Që në fillimet e tij, revolucioni arab ka pasur dy lloje reagimesh: Grupi i parë është i atyre që s’kanë patur besim në vërtetësinë e këtij revolucioni se në fakt kjo lëvizje është një gjë e krijuar nga amerikanët dhe grupi i dytë i atyre që u investuan totalisht në këtë revolucion, kurrë shikimi i tyre nuk u errësua në këtë rrëmujë dhe u përpoqën ta çonin deri në fund këtë betejë pa iu dridhur qerpiku.
Nuk e trashëguam këtë botë postkoloniale brenda një nate të vitit 2011. Na janë dashur vite të tëra dhune nën tiranitë qeveritare dhe 200 vite të imperializmit evropian për të na sjellë në çastin kur Buazizi i vuri flakën vetes. Nuk do të duhen edhe 200 vite të tjera për t’i vendosur gjërat në vijë e nuk mundet dot asesi që disa forca kundër-revolucionare që vijnë nga Uashington DC, Tel Aviv, Riadi apo Teherani të paketojnë interesat e tyre dhe të zhduken më pas pa lënë gjurmë brenda natës.
Korruptimi i strukturave civile
Rezistenca ndaj këtyre kundër revolucionarëve rajonalë apo globalë duhet të jetë një forcë lokale – pra e krijuar nga vetë sirianët – me një dëshirë për një tranzicion demokratik. Kështu që ka ardhur koha për një formacion vullnetar, sindikata punëtorësh, organizata për të drejtat e grave dhe asamble studentësh.
Në Siri, sikundër kudo gjetkë, kafshët që qëndrojnë në krah të Asadit dhe mercenarët që luftojnë kundër tij nuk janë të aftë për të qeverisur. Sirianët, si pjesa tjetër e arabëve dhe myslimanëve, duhet të përpiqen të përkthejnë vullnetin e lirë të lëvizjes së tyre demokratike në institucione në shenjë rezistence ndaj tiranisë– ndërkohë që tani, ata që nuk njohin asnjë gjuhë tjetër përpos gjuhës së dhunës janë të zënë duke diskretituar dhe shkatërruar njëri-tjetrin.
Çështja e kurdëve është shumë e rëndësishme këtu. Kurdët sirianë kanë, tanimë, një shans historik për të krijuar një shembull të një qeverisjeje demokratike nëse i japin fund abuzimit të cilitdo lojtar që dëshiron të përfitojë nga aspirata e tyre për një Kurdistan të bashkuar. Nëse ata e lënë pas dore këtë ëndërr dhe i kanalizojnë aspiratat e tyre në një vullnet demokratik në të mirë të popullit kurd, që është i shpërndarë në Iran, Irak, Turqi dhe Siri, ata mund të shndërrohen në faktor.
Debati sirian ka sjellë një shenjë në revolucionin arab dhe më gjerë. Tanimë vende si Afganistani, Irani dhe Maroku drejtojnë gishtin nga Siria për t’u justifikuar se të gjitha këto revolucione qenë të kota, se qeveritë sunduese bashkë me dhunën që këto qeveri ushtrojnë janë më të mira se sa masakra që po ndodh atje. Në fakt ky është një kryqëzim i stisur. Zgjedhja kurrë s’ka qenë mes një masakre që ne po e shohim me sytë tanë në Siri dhe një elite të korruptuar apo një shteti të nëndheshëm që sundon në Marok apo Turqi, në Afganistan apo Iran deri në Arabinë Saudite. Zgjedhja është mes vullnetit të njerëzve dhe lëvizjeve të tyre revolucionare përballë komplotit të forcave kundër-revolucionare për t’i dhënë fund këtyre aspiratave.
Mes këtyre dy forcave ajo çka ka ndryshuar thelbësisht është vullneti i masës për demokraci: 422 milionë arabë dhe 1.3 bilion myslimanë. Ajo dëshirë për liri është momenti kryesor i historisë sonë bashkëkohore – e nuk mund të zhbëhet dot.
Përktheu: Xhodi Hysa
______________________________
*Hamid Dabashi është profesor Hagop Kevorkian i Letërsisë Krahasuese dhe studimeve për Iranin në Universitetit e Kolumbias në New York. Përkthimi i veprës së tij Pranvera Arabe; Fundi i Postkolonializmit është skeduluar për t’u publikuar në 2014.
Comments
per pak po te mos kishte ca pasaktesi do te kishte marre noten 10 thjesht per informacionin qe percjell jo me shume.