Alkimia që zgjoi qytetarinë shqiptare





protesta

E. MËRTIRI

Vendimi për të sjellë në Shqipëri armët kimike siriane provokoi atë që pakkush mund ta mendonte: ngritjen e të gjithë shqiptarëve më këmbë për të mos e lejuar një gjë të tillë. Një valë protestash të papara ndonjëherë, të cilat shumëkush i cilësonte si të ngjashme me ato të vitit 1990 kundër regjimit komunist, shpërthyen në çdo skaj të vendit, ndërsa Tirana u fut në manifestim non-stop, gjatë të cilit qytetarët (kryesisht të rinjtë) e gdhinë gjithë natën përpara dritares së zyrës së kryeministrit, duke shprehur vendosmërinë të qëndrojnë aty me ditë e javë, derisa ai të heqë dorë nga ky vendim.

Veshi i kryeministrit

Pas dështimit të tij të turpshëm, Rama u përpoq ta kurojë me sa mundej imazhin e vet, duke mos u paraqitur si humbës, por, duke u shfaqur në profilin e liderit që dëgjon zërin e qytetarëve, dhe di të tërhiqet, edhe kur ka të drejtë. Kjo tregon se nuk duket të ketë kuptuar atë që ndodhi dhe mundësitë që gjithçka të përsëritet sërish, në çdo rast. Gjuha e arrogancës në fjalimin e tij prej më shumë se gjysmë ore, të mbushur me fyerje, mllef e mallkime dhe aspak ndjesë, nuk tregon për ndonjë reflektim. Pothuaj gjatë gjithë fjalës së tij ai u mor me të vetmen gjë që di të bëjë, të sulmojë opozitën, ndonëse, në fakt, kësaj radhe betejën nuk e kishte me të, por me qytetarët. Përkundrazi, opozita ishte thuajse krejtësisht jashtë rrjedhës së ngjarjeve. Ajo u përfshi vetëm kur karroca e kish marrë tatëpjetën, e nuk kishte më kuptim të heshtte edhe ajo. Ndërkohë, Rama nuk ngurroi të falënderojë pikërisht ata që e rrëzuan, duke u rrekur t’i paraqesë si të tijët, si produkt i një shpirti revolucionar të instaluar prej tij, gjatë periudhës kur ishte në opozitë, megjithëse protestat e tij ishin në fakt një shëmti e modelit të vjetër militant, korruptiv e agresiv, pa asnjë sensibilitet shoqëror jashtëpartiak.

E gjithë kjo tregon se Rama nuk e ka marrë aspak leksionin. Fjalimi i tij shërbeu më shumë për t’u zgjidhur gojën mbështetësve të tij, që qëndruan prej javësh të heshtur, pa ditur ç’të thonë, dhe nuk shfaqi kurrfarë pendese, qoftë edhe thjesht për rrugën e ndjekur. Menjëherë pas këtij fjalimi, militantët e PS-së filluan të mbushin hapësirën virtuale e mediatike me vlerësime e superlativa, duke e parë atë si një shpërthim brilant oratorie dhe ndjeshmërie.

Në fakt, nëse fjalimi vlerësohet si një hartim gjimnazi, natyrisht që, me pak hatër, mund të merrte notën 10. Por, nuk është kjo ajo që pritet prej një lideri, një kryeministri që ka vepruar në injorim total ndaj popullit të vet. Fjalimi i Ramës ishte më shumë një nënshtrim inatçor ndaj vullnetit të qytetarëve, të cilët e vunë me shpatulla për muri. Rama nuk e dëgjoi aspak zërin e qytetarit, por këmbënguli kokëfortë e shpërfillës në heshtje të plotë, derisa presioni filloi të marrë përmasa të papërballueshme. Kryeministri dëshmoi se nuk ka veshë për të dëgjuar gjë përveç presionit. Nëse do të ishte njeri me dëgjim të fortë, do të kishte reaguar në kohë, e jo kur gjërat filluan të përshkallëzoheshin në ato përmasa. Në të vërtetë Rama nuk dëgjoi zërin e askujt, përveç zërit të frikës kur ndjeu se toka po i rrëshqet nën këmbë.

Në fakt, Rama dëshmoi atë që ka shfaqur rëndom politika shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve: largimin nga qytetari dhe nënshtrimin ndaj ndërkombëtarëve. Importimi i lëndëve të tilla vrasëse është tregues i pengmarrjes së shoqërisë shqiptare nga klasa politike. Kërkesat e qytetarit nuk kanë aspak rëndësi në një vend ku vota blihet me para në dorë, ose kontrabandohet nga pazaret e aleancave të partive. Për shkak të nevojës për mbështetje ndërkombëtare në kushtet e humbjes së legjitimitetit në vend, të huajt kanë më shumë rëndësi për politikanët shqiptarë sesa ata që u kanë dhënë mandatin për të qeverisur. Kjo do të thotë se Shqipëria është shndërruar prej tyre në një vend ksenokratik e aspak demokratik. Politika shqiptare është vetë peng tek të huajt. Është peng i konfliktualitetit dhe korrupsionit të vet, ndaj dhe nuk ka kurajën të sillet me ta si partnere, por vetofrohet me zell në rolin e vasalit, që është gati të bëjë gjithçka për eprorin e vet.

Protersta_armet_kimikePanik dhe indinjatë

Lajmi për demontimin e armëve kimike në Shqipëri shkaktoi sa indinjatë aq edhe panik. Bëhej fjalë për mbi një mijë ton lëndë helmuese të paasgjësueshme, të një rrezikshmërie të lartë, të cilat kërkonin një nivel të lartë teknologjik dhe kushte të larta sigurie. Nga mbështetësit e Ramës thuhej se teknologjia do të na vinte nga amerikanët, por siguria, në një shtet të papërgjegjshëm si ky, me precedentë të mëparshëm tepër tronditës, nuk dukej se kishte ndonjë garanci. Ekspertët flisnin se demontimi i armëve të tilla nuk lejohej të bëhej pa një rreze prej, të paktën 30 km, nga qendrat e banuara, ndërkohë që Mjeksi (një prej vendeve të përfolura për këtë proces) ishte vetëm 5 kilometra larg qytetit të Elbasanit, pa llogaritur këtu fshatrat që janë fare pranë uzinës ushtarake të demontimit që ngrihet atje, e pa llogaritur infrastrukturën portuale e rrugore, nëpër të cilën do të bëhej transporti i këtyre armëve. Në fakt, ndoshta shumë pak mund të dinë se çfarë rreziqesh sillte vërtetë ky projekt, por megjithatë kishte arsye të forta për të mosbesuar në garancitë që jepte qeveria, në ato pak prononcime të saj.

Fakti që askush në Europë nuk merrte përsipër një operacion të tillë, ndërsa disa shtete me kapacitete të mëdha teknologjike, si p.sh. Norvegjia, hoqën dorë nga një mendim për ta bërë këtë, natyrisht që të bën skeptik e mosbesues. Jo vetëm kaq, por shumë vende nuk kanë pranuar as të lejojnë që anijet transportuese të kalojnë në ujërat e tyre, për shkak të rrezikshmërisë. Ndërkohë, mbulimi me heshtje që Kryeministri i bëri kësaj çështjeje që kur plasi në media e deri ditën e fundit, ngriti dyshime të mëdha, të cilat natyrisht rritën shqetësimin e qytetarëve. Të gjitha këto, shoqëruar me heshtjen e kryeministrit që vijonte nga dita në ditë, krijuan panik, i cili u përhap e u rrit me ritme të jashtëzakonshme.

Megjithatë nuk është vetëm frika ajo që i ngriti njerëzit në këmbë. Një mobilizim i tillë popullor kërkon një farë organizimi dhe angazhimi, të cilin nuk mund ta ndërmarrin njerëz në panik. Ajo kërkon një motivim të fortë moral dhe një grup qytetarësh të angazhuar e solidarizuar me kauzën për të cilën ngrihen. Kështu, dimensioni më i rëndësishëm që i dha shpirt reagimit shoqëror ishte dimensioni moral. Shumë qytetarë u ndjenë të fyer e të përçudnuar nga ky lajm. Shqipëria po bëhej kosh i plehrave të Europës dhe shqiptarët u ndjenë të trajtuar si kafshë, siguria e të cilëve nuk kishte ndonjë rëndësi. Fakti që ishim i vetmi vend në Europë që mori përsipër një projekt të tillë, na bënte të ndjeheshim qesharakë. Nga ana tjetër arroganca e Kryeministrit, i cili në mënyrën më të papërgjegjshme e kishte nisur këtë histori në kokë të vet, duke injoruar krejtësisht shoqërinë, ligjet dhe çdo detyrim tjetër publik, prodhoi indinjatë masive.

Që prej publikimit të këtij fakti në media, gjithçka u mbulua në heshtje, në kundërshtim me detyrimet ligjore për transparencë, aq sa edhe ministrat, madje edhe Presidenti i Republikës, që është edhe Kryetari i Forcave të Armatosura, ndaj të cilit bie detyrimi kushtetues t’i raportohet për gjëra që kanë lidhje me sigurinë kombëtare, nuk dinin asgjë për këtë angazhim. Rama po e trajtonte si dele popullin e tij, duke marrë një angazhim që të gjithë e perceptonin si një shërbim ndaj amerikanëve për përfitime personale politike, duke fituar simpatinë dhe mbështetjen e tyre. Kjo ishte irrituese dhe, natyrisht, një arsye më shumë për të lëvizur vendit. Arroganca e pushtetit është gjithmonë një motivim i fuqishëm për çdo reagim qytetar.

protesta500Shqipëria del nga koma

Shoqëria shqiptare është treguar apatike gjatë këtyre viteve të demokracisë. Që pas vitit 1992 nuk ka pasur asnjë reagim qytetar në përmasa të konsiderueshme dhe me një nivel të tillë solidariteti. Të gjitha protestat masive kanë qenë të organizuara nga partitë politike, dhe janë vënë në funksion të tyre. Shqiptarët gjatë këtyre viteve nuk janë ngritur për asgjë, përveçse kur ka kërkuar PD-ja apo PS-ja. Madje, edhe për partitë gjithnjë e më pak njerëz janë të gatshëm tashmë të dalin në shesh. Partia Socialiste është detyruar t’i paguajë me para në dorë protestuesit e saj gjatë viteve të fundit, ndërkohë që PD-ja i ka detyruar njerëzit të dalin në mitingjet e saj, duke i kërcënuar me humbjen e vendit të punës.

Shqiptarët nuk kanë protestuar gjatë këtyre viteve, qoftë kur u janë shkelur të drejtat e tyre, qoftë kur janë ndeshur me abuzime spektakolare me pushtetin ose institucionet publike. Politika, mediat, shoqëria civile, nëpërmjet përhapjes së dukurive të tilla degraduese, si korrupsioni masiv, politizimi i skajshëm, turbullira ideologjike etj., kanë kultivuar mosbesim e indiferencë, deri në apati kolektive. Kjo e ka bërë Ramën të mendojë se askush nuk do të ngrihet kundër kësaj nisme, teksa, përfshirja e amerikanëve në lojë, do t’i hapte krahun për të vepruar i lirë nga ana e opozitës, e cila nuk do të guxonte të angazhohej në një reagim kundër tyre. Dhe, vërtet, deri kur lëvizja qytetare mori përmasa masive, opozita qëndroi e heshtur. Ajo reagoi vetëm pasi qytetarët ishin karikuar dhe përmasat e reagimit nuk e justifikonin heshtjen.

Historia tregoi se Rama gaboi. Në fakt askush nuk mund të parashikonte se kjo lëvizje do ta zgjojë këtë nivel sensibiliteti e solidariteti, madje edhe distancimi e barazlargimi nga politika. Protestat filluan me zëra të mekur, por çdo ditë e më shumë ato u zgjeruan duke marrë përmasa mbarëkombëtare, ndonëse edhe mediat nuk i dhanë vëmendjen e duhur fillimisht. Rrjetet sociale kanë qenë ato që kanë motivuar më së shumti qytetarët, duke i detyruar edhe mediat të rrisin vëmendjen, derisa, më pas, detyruan edhe opozitën e shumë politikanë të pozitës të reagojnë, përfshirë këtu, në fund, edhe vetë Kryeministrin. Shqipëria ishte zgjuar tashmë pas kaq vitesh. Ajo ndodhej në shesh dhe po shfaqte vendosmërinë e saj pa asnjë patericë partiake dhe, madje, në mënyrën më civile e serioze.

Përtej organizimit të disa përfaqësuesve nga shoqëria civile në ditët e para, të cilët shumica dolën vetë jashtë loje për shkak të interferimeve politike që kishin me njëri-tjetrin, gjithçka më pas e morën në dorë të rinj, kryesisht të panjohur. Madje, një ditë para tërheqjes së Kryeministrit, ata nuk lanë askënd të mbajë fjalim, ndërsa përzunë nga protesta liderët e PD-së që u përpoqën t’i bashkëngjiten e reaguan kundër Kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, të kontrabanduar nga Sazan Guri, për të mbajtur një fjalim të shkurtër mes fërshëllimash. Përtej incidenteve të tilla, që ia shtuan edhe më shumë besueshmërinë dhe dinjitetin, kjo protestë u bë krejtësisht e qytetarëve, pa asnjë përkatësi partiake.

Antiprotesta

Përveç inkursioneve të tilla, kjo lëvizje u sulmua edhe mediatikisht. Shumë aktorë publikë e akuzuan atë si të papjekur, të manipuluar e instrumentalizuar, madje e akuzuan edhe për antiamerikanizëm. Për disa ditë me radhë ajo ishte qendra e vëmendjes dhe shumë aktorë i janë qasur, qoftë duke dashur ta përvetësojnë e instrumentalizojnë, qoftë duke dashur ta delegjitimojnë duke e përbaltur. Megjithatë sulmet nuk bënë gjë tjetër, vetëm sa i njollosën vetë akuzuesit, duke i bërë të dalin shëmtuar. Manifestimi ishte i tillë sa në fund, askush nuk thoshte dot një gjysmë fjale për të. Vetë Rama, ambasadori Arvizu, e deri te Gramoz Ruçi, që mbahet si «dora e hekurt» e nomenklaturës së vjetër (ish-zëvendësministër i Brendshëm në kohën e revoltave studentore në 1990 dhe ministër i Brendshëm gjatë revoltave në Shkodër ku u vra Arben Broci), u shprehën me vlerësime të jashtëzakonshme për to. Shija e këtyre ditëve ka qenë vërtet e mirë, aq sa asgjë nuk mund ta prishte imazhin e tyre.

Mbi të gjitha lëvizja dëshmoi qytetari që nuk e kemi parë në asnjë prej mitingjeve partiake, të ngarkuara me agresivitet, militantizëm e provincialitet. Ajo që spikati në momentet kyçe të saj ishte fakti që sheshet u mbushën kryesisht nga një shtresë e mesme, kryesisht e paangazhuar në frontet midis palëve politike. Përveç të rinjve, gjimnazistë, studentë, të cilët ishin edhe pjesa më e zhurmshme dhe më e gjallë, por edhe kjo mjaft e përmbajtur dhe aspak agresive, pjesa tjetër e turmës ishte krejtësisht e qetë dhe e civile. Duket se, për herë të parë, sheshi nuk i përkiste periferisë, por shtresës më të përgjegjshme dhe më të kulturuar të qytetarëve.

Protestat arritën t’i zgjojnë shqiptarët, të paktën për disa ditë. A është ky zgjim, vetëm një shëtitje somnambulike, për t’u rikthyer përsëri në letargjinë normale, kjo mbetet për t’u parë, por sidoqoftë, ndër të tjera, kjo ngjarje ka zgjuar shpresën te shumë njerëz, të cilët po fillojnë të besojnë se akujt mund të thyhen. Sigurisht, këtu nuk ka vend për ekzaltime e romantizma revolucionare, por gjasat janë që precedenti i armëve kimike, ta shkundë apatinë dhe t’i bëjë njerëzit më të gatshëm të reagojnë ndaj padrejtësive. Të paktën sot ka shumë njerëz që besojnë se mund t’ia dalin.

__________
Revista “Shenja”, 01.12.2014

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *