Armët kimike dhe shndërrimi në VIP





Protesta kunder armeve kimike

e-zani

1. Për vite me radhë jemi përpjekur masivisht të zhvishemi nga stereotipi me të cilin bota e huaj na ka përfytyruar, ai i një kulture të lënduar nga gjakmarrja dhe nga ligjet arkaike kanunore, ose të paktën ne nuk jemi identifikuar në këtë portret. Mjaft vëzhgime perëndimore e kanë reduktuar Kanunin tek hasmëria, duke dëshmuar cektësinë e këndvështrimit dhe forcën e stigmës. Tashmë ky është imazhi ynë dhe shqiptarët që nuk e pranojnë kanë shpikur stereotipe të ngjashme, por brenda llojit, për të shoqëruar identifikimin kolektiv të disa zonave të caktuara. Kështu pra, e një zone ose e një shteti qoftë, gjakmarrja na dha famë.

2. Paralelisht fama e viteve ’90 u konsolidua nga kriminaliteti i eksportuar, kryesisht trafiku i drogës, i klandestinëve dhe prostitucioni. Kushdo mund të kujtojë që për italianët, qytetarët e vendit perëndimor të dyndjes shqiptare, albanese nënkuptonte – dhe pjesërisht vazhdon ende – të ardhurin me gomone, në një stad zhvillimi kulturor të denjë për zoologjinë, të gatshëm për të shkelur ligjin. Mbase prostituta shqiptare, e zëvendësuar nga kontingjenti akoma më lindor, humbi gradualisht nga ngjyrat e stereotipit shqiptar, por ngeli struktura e trafikut, gjithnjë më “shqiptare”. Kjo deri në atë masë sa, më në fund, kinematografia perëndimore na dhuroi karikaturën Taken, me skenografi dhe prodhim të gjeniut Luc Besson.

Ky qe një film, një trillim, me disa njolla stereotipale. Ndoshta fama e krijuar nga filmi është më masive, por fama që i dhamë vetes me Lazaratin është fatkeqësisht më reale. Këtu stereotipi është i merituar në kuptimin që shteti ka dështuar përpara krimit, i cili, sikur të mos mjaftonte, shfaqet kolektivisht i pranuar si normalitet. Në këtë mënyrë konsoliduam famën e plantacionit evropian të drogës dhe bashkëjetesës me krimin.

3. Kjo është famë në të cilën shtetit i duhet ta ndajë lavdinë me aktorë të tjerë, kurse fama e re e fituar nga gatishmëria e shkatërrimit të armëve kimike siriane është totalisht shtetërore, madje e koalicionit qeverisës. Fillimisht Rama deklaroi se nuk do ta humbasim rastin e volitshëm të tregojmë se ç’jemi në gjendje të bëjmë, e më pas u detyrua të tërhiqet i hidhëruar, i brengosur që nuk e pastruam Shqipërinë! Pa infrastrukturën e duhur portuale, pa rrugët e mjaftueshme, me një koeficient sizmik të lartë, me përqindje gjithashtu të lartë të ujërave nëntokësore, me rrjet energjitik akoma problematik, me popullsi dendësisht të përqendruar në Ultësirën Perëndimore, pa struktura ushtarake të gatshme dhe në gjendje për sistemimin, çmontimin dhe, çka është më e rëndësishmja, kontrollin e (përhershëm) lëndëve kimike, me një të kaluar iluzore të asgjësimit të armëve kimike kur dihet mjaft mirë që ishin lëndë helmuese, me tradita tragjike si Gërdeci, me opinionin masivisht kolektiv se klasa politike, që do të kontrollojë mbarëvajtjen e depozitimit të armëve kimike, është një kastë e korruptuar, e paskrupullt, që e ka transformuar Shqipërinë në një feud plutokratësh, pa më të voglin besim kombëtar… pas 23 viteve zhgënjime tek etika e klasës drejtuese, normalisht që do mund të merrnim vërtetë famë botërore si vend i shndërruar në një spital psikiatrik modern.

4. Shtojmë këtu edhe imazhin si vendi i të përulurve, sepse asnjë shtet në botë, me parametrat dhe traditën tonë, nuk i pranonte dot 300 gram lëndë kimike për kokë apo me shumë se 30 kg për km2.  Nuk kishim dyshime se ambasada amerikane ndodhet në Shqipëri për t’i shërbyer interesave personale të atij vendi, se në të vërtetë miqësia e pretenduar është një marrëdhënie e ftohtë interesash, por nuk është parë ndonjëherë që ambasadori amerikan të deklarojë haptazi, në një televizion kombëtar, se mbështetjen e kryeministrit e kishin “blerë” me kohë, se opozita shqiptare i “tradhtoi amerikanët” kur kaloi “vijën e kuqe”. Të paktën, qoftë edhe për hipokrizi gjeopolitike (jo diçka e pamundur dhe e panjohur për Arvizun), a ekziston ndonjë “vijë e kuqe” që Amerika nuk duhet të shkelë, thjesht për të mos shembur mitin e shtetit që “na do të mirën”? Ndonëse Arvizu pohoi se protesta është diçka pozitive, nga ana tjetër e gjykoi “të pahijshme” kundërshtimin e opozitës! Pati edhe nga ata që thanë se ky është «besim amerikan» ndaj nesh, apo «sprovë ndërkombëtare» për të testuar Shqipërinë. Nëse është kështu, Amerika nuk i beson asnjë shteti më shumë se vetes, e për rrjedhojë armët mund t’i çojë në shtëpinë e vet, ku ka kushte, mundësi dhe kapitale për t’i çmontuar e, pse jo, për të bërë pazare me ato lëndë duke i tregtuar përsëri.

Por jo, ne duhet të jemi vend i famshëm edhe për ndërhyrjen muskulore, dashamirësisht kërcënuese – Arvizu deklaroi se kishte lajmëruar Uashingtonin për lëvizjet e opozitës (!) – të ambasadave të huaja. Në këtë mënyrë na plotësohet imazhi ynë ndërkombëtar. Të paçim sa malet o Edi Rama e rrofsh edhe ti o xhaxhi Arvizu!

***

Sidoqoftë, me këto ngjarje diçka ndryshoi rrënjësisht. Pas dy dekadave nga lëvizjet tashmë legjendare të përmbysjes së regjimit enverist, shqiptarët u rizgjuan, pa shtysa politike. Mbase paradoksalisht do të duhej të falënderonim turbullirën që mbajti në këmbë Rama, nga e cila mori hov protesta masive e urbanizuar dhe familjare. Aludimi i Ramës për vrasjet përpara kryeministrisë më 21 janar ishte vërtet mosrespektues dhe retorikë tallëse, po të krahasojmë vetëm fytyrat e atyre që protestuan. Deri më tani, përfshi 21 janarin tragjik, ishim mësuar të shikonim në llogoren e turmave protestuese individë me rroba të errëta, me xhupa të fryrë, me surretër të vrazhdë si shpresa e tyre, aspak idealiste e aspak publike, porse thjesht vrastare e demokracisë, e lirisë së individit, e peshës dhe e seriozitetit të rebelimit të njeriut. E kjo për një vend pune të premtuar, për ca lekë, për ndonjë liçencë zhvatjeje, e më radhë.

Kësaj here protestoi Shqipëria e mirë, ajo e rinisë në mendime e jo në moshë, Shqipëria qytetare. Ishte protestë familjare dhe largpamëse, individësh të shqetësuar për të ardhmen, por edhe të irrituar tej mase nga katër elementet e famës së renditur më lart. Nuk pati liderë, siç kërkoi ndonjë media të sajonte. Ishte protestë të barabartësh, ku nuk ofroheshin vende pune, as dymijëleksha, e ku nuk kërcënohej njeri për të dalë në miting, sepse nuk ishte miting. Mitingaxhinjtë, madje, u fërshëllyen në mënyrë të merituar, pasi janë përgjegjës të shndërrimit të shqiptarëve në turmë të përgjumur, të humbjes së besimit tek vetja, të dorëzimit të brezit të ’90-s.  

Për herë të parë nuk pati nevojë të hapeshin depot e armëve, të tentohej hyrja me dhunë në institucione, të kërkohej gjak, e madje as dorëheqja e kryeministrit. Aq sa politika mbeti pa fjalë: opozita nuk dinte ç’të kërkonte ose, më saktë, ishte e tepërt e inkoherente, pozita u bë gjithashtu inkoherente me premtimet e veta dhe nuk dinte ku ta gjente armikun. Mos vallë ishte populli? Pa armë, pa dhunë, pa ambicie, por me nurin e së ardhmes në fytyrat e tyre, protestuesit e detyruan kryeministrin të qëndiste një hartim tërheqjeje.

Flamuri dominues qe ai kombëtar, si rrallëherë i pashoqëruar me flamuj vendesh të tjera: si rrallëherë jemi ndjerë krenarë për atë flamur që shpesh na e kanë përdhosur apo vetë e kemi barazuar me një zhele dekorative përpara së cilës mund të vendoseshin interesa vetjake.

Ata njerëz, të cilëve duhet t’u përulemi, kërkuan dinjitet. Një fjalë dhe e drejtë që e kishim harruar. Dinjitet përballë heshtjes së pakuptimtë të qeverisë, dinjitet përballë botës, dinjitet përballë kastës politike në përgjithësi. E mbase dinjiteti qe elementi më kuptimplotë dhe më i fortë i amalgamës së protestuesve. Më në fund iu tregua botës së civilizuar, ndryshe nga të thënat njëzetvjeçare, se jemi si ata, se kemi dinjitet kolektiv, se mund të triumfojmë mbi kastën, se duam barazi ndërkombëtare, as më shumë e as më pak, se e duam vendin tonë, se është i të gjithëve e jo i një bande të ndryshkur në pushtet, se nuk jemi strucë, hiena apo lepuj, se e meritojmë emblemën e flamurit, se kërkojmë një famë tjetër nga ajo në të cilën politika dhe papërgjegjësia e një mase (e jona edhe kjo) na kanë zhytur.

 

Comments

  • Falemnderit e-zani, per cdo germe te ketij shkrimi.

    Ndryshimi qe ka ndodhur lyp ndryshim nga gjithkush tashme. Tashme tabani nga ku duhen ngritur supozimet dhe qasjet eshte i ri, dhe per here te pare eshte mbi nivelin e detit.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *