images4. Vendin e katërt e meriton gazetari i mirënjohur Armand Shkullaku, kësaj radhe në uniformën patriotike, filoevropiane, antierdoganiane. Pasi bëri karrierë si rapsod i qeverisë Berisha, e pasi ky i fundit u shfaq dukshëm si aleat i ngushtë me politikën turke, Shkullaku i sotshëm kritikon rëndë kryeministrin Rama në lidhje me qëndrimet e fundit pikërisht në drejtim të Turqisë, të publikuara pas takimit në Prizren.

«kryeministri i Shqipërisë me entuziazmin që shfaqi në Prizren ndaj vëllait të madh turk, ngriti pikëpyetje të madhe për modelin që ka për zemër në drejtimin e shtetit. Erdogan dhe partia e tij janë shumë larg modeleve perëndimore për të cilat thotë se synon Edi Rama. Në Turqi, të drejtat e njeriut kanë ardhur duke u tkurrur, opozita ndihet e shtypur dhe burgosjet e gazetarëve e kanë kërcënuar seriozisht lirinë e shprehjes. Shteti është në duart e një njeriu dhe bizneset private goditen në mënyrë selektive».

Është e njëjta Turqi ku Berisha zbulonte lidhjet e gjakut dhe Shkullaku i atëhershëm, e nuk është një kohë aq e largët, nuk merakosej aspak për të drejtat e njeriut në atë masë sa ta denonconte Berishën për dalldisje të pakursyer, madje deri në përmasat e servilizmit, ndaj një lideri autoritar, oriental (etj.), siç na qenka Erdogani.

«Kryeministri i Shqipërisë sigurisht nuk ishte ftuar për të mbajtur qëndrime kritike ndaj homologut turk dhe për interesa strategjike të Shqipërisë i duhet të ketë raporte sa më të mira me Ankaranë. Por kur ato kalojnë kufijtë normalë të marrëdhënieve ndërshtetërore, kur kthehen në deklarata dashurie dhe historie, kur përzihet gjaku dhe politika, nuk kanë asgjë të përbashkët me diplomacinë moderne perëndimore. Deri tani, Edi Rama na bëri vetëm me një vëlla, të shohim se ç’do të na sjellë më vonë».

Më shumë se një vëlla, Berisha i Shkullakut i dha një populli këtë status, ndërsa gazetari, me sa kuptohet, në ato vite nuk e kishte zbuluar akoma moralizmin iluminist dhe eurocentrik.

3. Vendi i tretë i takon një informatoreje të pazakontë, deputetes Alma Lama e cila na dhuroi panikun turk të radhës. Tani u frymëzua Lama për të dërguar letra të hapura dhe për të nënvizuar rrezikun turk në Kosovë. Iu deshën 18 muaj për të shkruar 2 faqe A4, për të gjykuar të rrezikshme informacionet diplomatike që ajo bën publike. Nuk kemi arsye të mos i besojmë fjalëve të deputetes, megjithëse ka po aq arsye, pikërisht në vonesën e saj, për të mos i besuar ose, së paku, nuk kemi asnjë arsye t’i konsiderojmë të sinqerta emocionet e saja pasi, meqenëse pjesëmarrëse në atë delegacion si përfaqësuese e qytetarëve kosovarë, zonja deputete duhej t’i bënte publike menjëherë ndërhyrjet e kryeministrit turk, ato që sot i quan abuzive, të rrezikshme e deri helm.

«Ne nuk kemi asnjë të drejtë t’ju gjykojmë ju dhe partinë tuaj për axhendën islamike të cilën e keni proklamuar hapur, i takon popullit të Turqisë ta bëjë këtë vlerësim, mirëpo unë personalisht dhe si unë ka me mijëra shqiptarë, nuk mund të heshtnim nëse këtë axhendë ju apo kushdo tjetër do të përpiqet ta sjellë edhe në Kosovë. Unë i kam parë shenjat, diçka e tillë po ndodh, islami politik ka nxjerrë kokën edhe në Kosovë dhe po bëhet gjithnjë e më agresiv».

Pse heshtët për 18 muaj pra? Ku qëndron dhe si identifikohet “islami politik” në xhaminë e premtuar dhe akoma të pandërtuar të Prishtinës? Deputetja paguhej për t’i shërbyer popullit e jo ta varroste të vërtetën për ta ringjallur në fushatën e karrigeve. Në të kundërt duhet të përgjigjet përse e mbuloi helmin për një vit e gjysmë. Ky është detyrim institucional. E aq më keq nëse ka qenë e detyruar. Në artikullin e saj nuk lexuam gjëkundi ndonjë kërkesë ndjese për vonesën në kryerjen e detyrës, çka dëshmon se deputetja nuk ka qenë aspak e shqetësuar për helmimin e qytetarëve se sa për ekuilibra të cilat duhej t’i garantonin me pragmatizëm poltronin personal, që në momentin e lëkundjes e mbrojti me antibiotikun ndaj Turqisë dhe fesë pushtuese islame.

2. Vendin i dytë e fiton me dinjitet të plotë Mustafa Nano, njëri nga altoparlantët e zhurmshëm të karikaturës së Rilindjes majtiste, tani i forcuar si gegë i adoptuar, por vetëm pasi nuk kurseu asnjë artikull për të dëbuar gegën Berisha. Nano, dhe, kujdes, ky është modeli publicitar i gazetarit të suksesshëm, merr të mirëqena pohimet çuditërisht të vonuara të Lamas, madje deri në detaje.

«Është një gjë që ndodh prej kohësh si shenjë e miqësisë që ekziston mes dy vendeve, dhe e vëmendjes që Turqia, e drejtuar nga Erdogani apo nga të tjerë, ka ndaj Shqipërisë. Por Lama na bën me dije se shqetësimi kryesor i të zotit të shtëpisë në atë takim ka qenë xhamia e Prishtinës. Si pa dashje, ai kish folur dhe për një vizitë që i kish bërë kohë më parë, për t’iu ankuar, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava. Erdogani e kish pritur Tërnavën, dhe kish folur me të veç për xhaminë».

Ky është nivel gazetarie. Më shumë se gazetari, në fakt, nëse lexoni me vëmendje, duket si përrallë. Erdoganit i paska shkarë goja dhe «si pa dashje» paska folur për një takim me Naim Tërnavën në të cilin Lama nuk ka qenë e pranishme, por me sa kuptohet, përsëri pa dashje, Erdogani paska rrëfyer se biseda me Ternavën paska qenë veç për xhaminë, në një kohë që Lama nuk pohon aspak diçka të tillë, porse thjesht: «nga ky takim mora vesh gjithashtu se edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava kishte ardhur tek ju dhe ishte ankuar për punën e xhamisë». Vështirë të imagjinohet se çfarë dhunimi mund t’i bëjë informacionit dhe profesionit të gazetarisë ky takëm që nuk ka as analizë kritike ndaj burimit e as vërtetësi në ato pak fjalë që përçon. Kur Tërnava i afrohet politikës, merr anatemat e laicitetit. Kur shpjegon historinë i ka gati edhe kritikat përkatëse. Po tani, edhe ndërtimin e xhamisë nuk duhet ta kërkojë? Sikur shteti kosovar të lejonte ndërtimin e Xhamisë së domosdoshme të Prishtinës me po aq zell sa lejoi ngritjen e Katedrales mbase nuk do të ishte e nevojshme të kërkohej ndërmjetësimi i huaj.

Pastaj Nano sjell në skenë edhe politikën greke: «këtë fokusim në çështje të fesë në marrëdhëniet me shqiptarët e kanë demonstruar edhe grekët» ngaqë «kanë dhënë herë pas here plot shenja se janë shumë të interesuar mbi mbarëvajtjen e kishës ortodokse shqiptare, e cila asëll-asëll është autoqefale; dhe ‘autoqefale’ mund të përkthehet, pa bërë ndonjë gabim, edhe ‘sovrane’». Dhe gazetari i shquar ndalet me kaq, harron t’i kujtojë publikut se kur ambasada amerikane përpiqej të ndërhynte në restaurimin e xhamisë së kalasë së Shkodrës me pretekstin që në mesjetë kishte qenë kishë, duke anashkaluar se më herët mund të ketë qenë tempull pagan – por amerikanët e kanë pasion të shkuarën deri në një farë pike sepse vetë jetojnë në tokat e spastruara nga indianët –, asnjë moralist nuk sakrifikoi qoftë ndonjë rresht si qëndrim qytetar në të cilin të nënvizohej ndërhyrja e një shteti të huaj në ndërtimin e një kishe katolike, për më tepër mbi një xhami. Ky është gazetar, madje ndër ato VIP.

1. Vendi i parë, që fiton klounin e artë, i shkon gazetarit të Koha Ditore Enver Robelli me artikullin Fakirë fetarë dhe ekspertë të mishit të kalit.

Pasi e fillon në sulm duke akuzuar Naim Ternavën me etiteka të forta, fakt ky normal për faqet e Koha Ditore që garon(te) përkrah Xhabir Hamitit, aventurohet në gjeopolitikë me premisën që lajmërimi i bërë nga Tërnava «se Siria së shpejti do ta njohë Kosovën duket absurd», pasi

«ky vend është zhytur në luftë civile dhe tani për tani nuk ka qeveri legjitime. Diktatori Bashar al-Asad mbështetet nga kryetari rus Vladimir Putin, ndërsa SHBA-ja, disa vende të Evropës Perëndimore dhe Turqia, Asadin e shohin si kriminel lufte dhe fajtor për mijëra viktima civile. Së fundi regjimi i Asadit është akuzuar se ka përdorur gaz lufte për të vrarë civilë».

Me pak fjalë, Tërnava është injorant. Që lufta civile nuk dëshmon delegjitimitetin e qeverisë apo të shtetit – e për këtë konflikti në Kosovë është dëshmitar më se i afërt – , që shtetet e renditura në akuzë të Assadit kanë mbrojtur lloj lloj diktatorësh, çka tregon se nuk mjafton gjykimi i tyre, dhe që i vetmi vend i cili ka eksperimentuar dy herë bombën atomike mbi civilë – meqenëse vrasja e tyre qenka tregues i orientimit gjeopolitik të Robellit – është pikërisht i pari në anën e “bardhë” të listës, janë disa njohuri banale për çdo gazetar sado i rëndomtë qoftë formimi i tij: për aq sa vizita ka bërë Nënë Tereza tek diktatorët e Amerikës Latine nuk do të kishte hyrë në Parajsë dhe me vizionin e Robellit, madje, duhet të turpërohemi nga ky fakt. Ndryshe paraqitet çështja pastaj nëse këto elemente anashkalohen me synim denigrimin e myftiut Tërnava, por vetëm gazetari nuk është.

Nga njëra anë Robelli e zhvlerëson Assadin si kriminel e nga ana tjetër shkruan se «e udhës do të ishte që Tërnava si udhëheqës fetar të deklaronte publikisht se shkuarja në luftë në Siri nuk ka të bëjë asgjë me fenë islame, por ka të bëjë shumë me agjendat e terrorizmit ndërkombëtar». Do të thotë që koncepte si umma, sheriat dhe teokraci, të përdorura nga Robelli, përzihen nën çadrën e terrorizmit, e cila, për të kallur akoma më frikë e neveri, dekorohet në artikull me emrin e al-kaedës: umma + sheriat + teokraci = terrorizëm. Të mendosh se Bosnja mbijetoi edhe nga sakrifica e atyre që shkuan të luftonin në emër të konceptit islam të fjalës umma – sepse ka edhe qindra konceptime të tjera jo më pak kombsheshuese, siç është bashkësia evropiane ku kosovarët do të jenë vëllezër me ato të Shqipërisë po aq sa edhe me serbët –, mbase (edhe) me ndonjë dëshirë për të zbatuar sheriatin dhe për të ndërtuar një teokraci, kjo në ëndrrat më të pamundura, pa prodhuar terrorizëm e asgjë të ngjashme me krimet serbe e kroate.

Por patosi kulmon në CV-në përshkruese të imamit Shefqet Krasniqi.

«Në këto troje qëmoti nuk kemi pasur këso [Sh. Krasniqi] ndotësi të ambientit publik, një moçal pisllëqesh në kajde të insanit, që keqpërdor çdo mjet të komunikimit publik për të shpërndarë fëlliqësitë që i burojnë nga truri i kalbur, fanatik, i prapambetur, agresiv, shpifës dhe në thelb heretik».

Pastaj vazhdon me «edepsëz», «mashtrues», «urrejtjenxitës»,  me ato «që kanë raporte të mira me autoritetet serbe të sigurisë», «që përziejnë gishtat me kontrabandistë armësh»,  aq sa përcaktimi i fjalëve të imamit si «marrëzi» duket gati përkëdhelës. Me sa duket për Robellin këto fjalë nuk përmbajnë aspak urrejtje.

Akuzave për kontrabandë armësh dhe bashkëpunim me Serbinë i takon mbase direkt të interesuarit t’i zgjidhë në gjykatë. Ne vetëm mund t’i kujtojmë një gazetarie me kaq zell moralist se konkretisht padronët e saj, e nuk po shkojmë më larg, janë pasardhës, e madje produkt e rezultat, i bashkëpunimit me regjimin e Titos, me vëllezërit serb, me shkrirjen në strukturat e atij sistemi që “pushtoi” Kosovën për disa dekada, që tentoi ta spastronte etnikisht pasi kishte vrarë sa e sa bijë e bija të saj, personazhe që ndërtuan dhe mbajtën gjalle umman jugosllave. Surroi dhe jo Krasniqi e as Tërnava, për të mos cituar baxhanakun e tij Fadil Hoxha, ka qenë disa herë ambasador i atij regjimi e deri nëpunës i lartë i Sekretarisë Federale të Punëve të Jashtme nga ku kalonin faturat e kontrabandës shtetërore të armëve me vendet e Botës së tretë apo konsolidoheshin marrëdhëniet me diktatura të ndryshme.

Vërtet, siç pohon Robelli, «na duhen imamë», por na duhen edhe gazetarë, e meqenëse na ka rënë lotaria e palaçove jemi të bindur që edhe këto çmime kanë gjetur bartësit e duhur.

 

Comments

  • Shpresoj ta mbani me te vertete te perjavshme kete analize. Vetem materiali i gazi-tareve qe nuk mungon ne shtypin shqiptar!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *