H. Omari
E kur i thamë engjëjve «përuluni Ademit», të gjithë u përulën, përveç Iblisit i cili refuzoi për mendjemadhësi dhe u bë prej mosbesuesve (II, 34). Tha [Krijuesi]: «çfarë të pengon të përulesh, në kundërshtim me urdhrin Tim?». U përgjigj: «jam më i mirë se ai [Ademi]» (VII, 11). Duhet të përulem përpara atij që ke krijuar nga balta? (XVII, 61).
Në fokusimin kritik të Panoramës u vendos sot ish-ministrja Majlinda Bregu dhe sfilata e saj përpara Parlamentit me Jaguarin XF. Panorama aludon se të ardhurat e ministres, 1.3 milionë në vit, janë të pamjaftueshme për koston prej 60-90.000 euro të Jaguarit XF.
Pra, zonja Bregu i bie që të ketë blerë një makinë shumë të shtrenjtë, gjithmonë nëse e ka blerë të re, sepse e përdorur çmimi mund të përgjysmohet. Kjo nuk është hera e parë që zonja Bregu komentohet për blerje të ekzagjeruara, çantat, këpucët dhe veshjet e saj janë shpesh objekt i komenteve, sepse çmimet janë shumë të shtrenjta. Madje, ajo u përfol në media se çanta e saj “Channel” ka çmim shumë të lartë, që mund të shkojë deri në 20 mijë euro. Dhe natyrshëm lind pyetja nëse ajo blen një çantë me çmim të tillë, sa mund ta ketë blerë makinën?
Kjo është pyetja, e ligjshme, e Panoramës, megjithëse ka diçka akoma më tragjikisht “shqiptare” në sjelljen e ish-ministres.
Bregu nuk ndryshon aspak nga shumica e kastës së politikanëve. Ajo ka zgjedhur ta ngushëllojë nevojën e dallimit nga tjetri jo përmes arrogancës, cinizmit, ironisë, siç është bërë e modës në retorikën e elitave tona, e në këtë aspekt është deri edhe për t’u admiruar, por përmes imazhit. Njohja e identitetit tonë nga të tjerët është nevojë njerëzore thelbësore, e si e tillë e ligjshme dhe e kuptueshme. Madje sipas Hegelit (Phänomenologie se Geistes, 1807), për arritjen e këtij objektivi, njeriu është i gatshëm të rrezikojë edhe jetën, ndryshe nga kafshët që vrasin (vetëm) për ushqim dhe vetëmbrojtje. Format e pranueshme të këtij prezantimi tek tjetri janë krenaria dhe vetëvlerësimi, të cilat kur tejkalojnë në atë që Tommaso d’Acquino quante «praesumtio alios superandi» (në një pretendim superioriteti) transformohen në njërin nga elementet më karakteristikë të shqiptarëve me pushtet, në mendjemadhësi.
Kundërshtimi i parë ndaj Hyjnisë me të cilin përballet njeriu i verseteve të mësipërme, indirekt, sepse përmes djallit, është mendjemadhësia, e konceptuar më pas si mëkat apo antagoniste e virtytit të thjeshtësisë/përulësisë. Mendjemadhësia, pastaj, ashtu si në rastin e Iblisit, shpie shpesh herë në shkeljen e rregullave, të normave etike, të barazisë përpara ligjit – sakral ose profan –, të cilat duket se vlejnë vetëm për masën e ndodhur në këmbët e arrogantit. E intensiteti i mendjemadhësisë është në përpjesëtim të drejtë me fudullëkun, jo më kot të nënvizuar nga urtësia popullore.
Të shkosh në një zyre publike, ku pretendohet se i qahen hallet popullit, me makinë që kushton sa 80 vitet e një pensionisti tipik shqiptar është, për të mos e gjykuar më tej, joproduktive për imazhin politik, pa çka se mund të kombinojë me çantën ose buzëkuqin. Ja që pushtetari shqiptar e koncepton postin publik si sfilatë mode e identitetit të vet, në kurriz të qytetarit i cili është njëkohësisht votues. Duket politikisht joproduktive, pasi mund/duhet të shkaktojë irritimin e votuesit, por në Shqipërinë që voton gjarpërimet e LSI-së asgjë nuk përbën skandal dhe normalisht që politikanit i tolerohet spektakolarizimi i ekzibicionizmit vetjak. Kjo nga shumica dhe jo, fatmirësisht, për aq sa mund të vlejë një pikë ujë në det, nga tërësia e shqiptarëve.
Vijim i këtij teatraliteti, më shumë se Jaguari XF, është targa e makinës së Bregut. Quajeni numër simetrik, i njëtrajtshëm, i bukur, fashion ose VIP, “222” i shtohet listës së targave të pronarëve të tjerë që janë karakteristika trishtuese dhe fatkeqe e këtij vendi, ku targa konceptohet njëkohësisht si mjet identifikimi i mjetit dhe i zotëruesit. Në bumin kaotik të diferencimit social të pas 1990 targa ka hapësirën e vet.
Zakonisht targa të tilla nuk gjenden në një Golf 2 apo në një Fiat Punto, megjithëse periferia e fillimviteve ’90 regjistronte Mercedeza 240 me targa homologe. I sofistikuar, pasi makinat sot janë të modeleve të fundit, folklorizmi i cow boy-ve ka ngelur statik. Targa “simetrike” është stereotip i statusit social, i pushtetit ekonomik, politik apo fizik. Nuk është pra (thjesht) kombinim me buzëkuqin apo me syzet – shfaqje e imazhit personal përmes estetikës së makinës –, porse një kombinim me mundësinë e imponimit publik të forcës: “unë kam forcë më shumë se ti njeri i thjesht, që pafuqinë tënde e shpreh me targa boshe”. Deri edhe policia i eviton ndalesat e këtyre makinave ngaqë në imazhin kolektiv shqiptar transmetojnë pushtet dhe ky i fundit transmeton frikë në vend sigurisë së drejtësisë.
Të marrësh një targë “simetrike” duhen para, në radhë të parë sepse kushton, e në thelb sepse nevojitet statusi, të cilin targa vetëm e shfaq, ndërsa konservimi i tij kërkon mekanizma të tjerë. E pamundur të jetë përherë rastësi që targa të kësaj kategorie zotërohen nga individë të së njëjtës kategori; është po aq e pamundur që kjo kategori t’i nënshtrohet rrallave të administratës dhe përherë fati i lotarisë t’i shpërblejë me numra fashion.
Ajo çka nuk shkon tek ne shkrihet në kazanin e mbushur me funksionarë publikë që tregtojnë targën-pushtet, me klientët e tyre, me publikun ose tjetrin, pa njohjen e të cilit edhe statusi i buruar nga targa nuk do të ekzistonte, me një publik që nuk e tall fudullëkun e targës, me drejtuesit e vendit, nga baza te maja e piramidës, pa përjashtime. Mbase te politika abuzivizmi është më i dukshëm. Nuk po pretendojmë që Kryeministri, Kryetari i Parlamentit dhe Presidenti (radha duhej të ishte e investuar!), të udhëtonin si presidenti francez Françoise Hollande me një Citroën, por të paktën kush pretendon dhe paguhet të ndërmjetësojë integrimin tonë në BE, fillimisht le të integrohet personalisht e konceptualisht në mentalitetin evropian, rrugë e cila, sigurisht, nuk përshkohet me superioritetin e targave.
Comments
E vleresoj komentin e Ezanit ne kete rast dhe mendoj se Ezani do duhej te ishte me aktiv ne komentimin e ngjarjeve sociale ne vend, si psh vdekja tragjike e znj. Qendro, e moshuara qe vdiq nga i ftohti pasi fjeti dy jave ne rruge te madhe ne moshen 80 e ca vjece…
teresisht dakord me A.