Parathënie e botimit të tretë*

 

Pa e shqyrtuar orientalizmin si ligjërim, ndoshta nuk mund ta kuptosh disiplinën kolosale e sistematike me të cilën kultura evropiane gjatë periudhës pasiluministe ka qenë në gjendje ta menaxhojë – madje ta prodhojë – Orientin politikisht, sociologjikisht, ushtarakisht, ideologjikisht, shkencërisht dhe përfytyrimisht.

Edward W. Said

arratisje 3.ballinaLibri Arratisje nga Lindja: orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja u botua për herë të parë në vitin 2006 dhe u ribotua një vit më vonë. Orientalizmi shqiptar ka qenë pjesë edhe e dy librave që Enis Sulstarova ka botuar më pas – Në pasqyrën e Oksidentit në vitin 2010 dhe Jam Evropë! në vitin 2012 – si edhe temë e disa artikujve të botuar në revistat shkencore e kulturore brenda e jashtë vendit. Në këtë kuptim, te botimi i tretë i Arratisjes nga Lindja autori është përpjekur të sintetizojë këtë punë studimore dhe angazhim të gjatë publik. Ndërsa argumenti qendror dhe pjesa më e madhe e materialeve tekstuale të analizuar në libër kanë mbetur të pandryshuar në të gjitha botimet, varianti i fundit e mban mbiemrin “i ripunuar” në ballinë, sepse në të janë rishikuar kryesisht kapitulli teorik e kapitulli përmbyllës, si edhe janë shtuar shembuj të orientalizmit në kapitujt e tjerë, sikurse janë përmbledhur disa nga shembujt e mëparshëm për të shmangur përsëritjet e panevojshme.

Në njëfarë mënyre, barra për të shpjeguar se çfarë është ligjërimi orientalist dhe varianti i tij shqiptar, është bërë më e lehtë tani që lexuesit kanë në gjuhën shqipe disa libra të Michel Foucault dhe librin e Edward Said, Orientalizmi, që ka rëndësi parësore për shtratin teorik e metodologjik të studimit tim. Orientalizmi gjendet në dy botime në gjuhën shqipe: njëri është përkthim i Xhevat Lloshit, ndërsa tjetri i Nolian Seitajt. Gjithashtu, janë kryer edhe studime të tjera mbi orientalizmin shqiptar nga Alba Cela, Dukagjin Gorani, Ardian Brisku, e ndonjë tjetër.

Nëse botimi i dytë i librit, ai i vitit 2007, si të themi, u “imponua” nga debati thellësisht orientalist për identitetin evropian të shqiptarëve që lindi nga polemika Kadare-Qosja, botimi i ri i librit po bëhet në një kohë kur kemi rigjallërimin e orientalizmit dhe islamofobisë në emër të betejës kundër të ashtuquajturit neo-osmanizëm, apo kundër “nostalgjisë osmane”! Çfarëdo justifikimi gjeopolitik që të nxjerrin intelektualët shqiptarë për këtë rishpërthim të orientalizmit e tyre – p.sh. lufta globale kundër terrorizmit, politika e jashtme agresive e Turqisë në Ballkan, ngecja e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian etj. – nuk mund të pranohet, të paktën sipas standardeve perëndimore, të cilat përditë kërkojmë të zbatohen në vendin dhe shoqërinë tonë, që ligjërimet publike të prodhojnë e të qarkullojnë normalisht dhe pa përgjegjshmëri etiketime fyese, paragjykuese, deri edhe raciste, jo vetëm për popuj e kultura të tjera që rëndom quhen inferiore, sepse nuk paskëshin rrënjë po aq të vjetra evropiane sa tonat, por edhe për ata shqiptarët “e tjerë” që nuk qenkëshin si “ne”, sepse qenkëshin me mendësi “lindore”, “orientale” e “anadollake”, apo me “gjak të shprishur” në vena, të cilëve po qe nevoja do t’ua gjurmojmë prejardhjen familjare deri te kolonët turq që sulltani solli në Arbëri!

Ndaj edhe ribotimi i librit Arratisje nga Lindja vjen paralelisht me theksimin e kritikës ndaj shfaqjeve më të fundit të orientalizmit bashkëkohor shqiptar. Ndoshta një pjesë e lexuesve pas leximit të librit nuk do të jenë në një mendje me përfundimet e autorit, por, të paktën, falë tij do të jenë bërë më të vetëdijshëm për “historinë e së tashmes” së orientalizmit shqiptar, pra me mënyrën se si ai është normalizuar në përfytyrimet tona kolektive për identitetin tonë kombëtar.

Ky ribotim nuk do të realizohej pa nxitjen dhe mbështetjen e Arlind Novit dhe të kolegëve të tij në shtëpinë botuese “Pika pa sipërfaqe”.

 

* E përpunuar për blogun

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *