Fituesi i Cmimit Nobel për Letërsinë 2006, Orhan Pamuk, shprehet për gazetën gjermane „Süddeutsche Zeitung“ se në rastin e Egjiptit Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tradhtuar vlerat e veta.
Megjithëse grushti i shtetit kundër qeverisë egjiptiane u shpall dhe u pranua si i tillë, e gjithë bota bëri sikur nuk e vuri re – thotë Pamuk. Ushtria egjiptiane vrau civilë të pafajshëm, ndërsa mendimi publik i vendeve të perëndimit ishte i tillë, sikur ata nuk kishin asnjë përgjegjësi për të. Që prej të ashtuquajturës pranverë arabe, ndikimi i perëndimit në vendet arabe ka ardhur duke u ulur – thotë shkrimtari. Të paktën t’i ishte thënë „jo“ grushtit të shtetit, sepse ai nuk mund të jetë mjet i luftës politike. Gjithashtu Pamuk shton se: „Vlerat perëndimore, të tilla si: demokracia, liria e mendimit etj, ose janë, ose nuk janë, sepse ato po i nënshtrohen gjithnjë e më shumë kalkulimeve politike dhe ekonomike.“
Këtë problem shkrimtari e ka shtruar në romanin e tij “Bora”, kur shkruante për marrëdhëniet turke. Por, sipas tij, tanimë është një problem global “shpërpjestimi i idealeve demokratike nga njëra anë dhe interesat perëndimore nga ana tjetër“. Pyetja shtrohet: a vlejnë më idealet e demokracisë dhe lirisë së shprehjes edhe në rastin kur popullsia e një vendi vendos kundër afërsisë politike me vendet perëndimore.
Comments