Në Shkupin e statujave dhe rokerëve





AleksandriE Mërtiri

“Nëse je skulptor, eja në Shkup se ka punë sa të duash”, – më thanë dy miq kur mbërrita në këtë qytet, – “qeveria po i bën paratë e buxhetit statuja e monumente”. Impakti i parë që krijon sapo mbërrin në qendër të Shkupit është shokues. Sheshi “Makedonija” ngjan me një galeri arti gjigande, ku gjen më shumë skulptura se njerëz.

Çmenduri monumentale

Në fakt, gjithçka dëshmon për një histeri kolektive që në Maqedoni po merr përmasa të frikshme. Për një vend kaq të brishtë, me ekuilibra të kërcënueshme, në kushtet e një popullsie heterogjene dhe konfliktuale, kjo është gjëja e duhur për të shkuar në greminë. Pompimi i një madhështie të rreme, që kultivon karshillëkun etnik, diskriminimi i shqiptarëve që po rrit tensionet, teksa, më anë tjetër, diplomacia fodulle që po sjell marrëdhënie të rënduara me të gjithë fqinjët përreth, janë veprimtaritë shtetërore që plotësojnë në mënyrë perfekte skemën e vetëvrasjes kombëtare. Të gjitha këto janë shkatërruese për çdo shtet të ngritur mbi themele multietniciteti.

Ikonografia më e fundit e nacionalizmit shtetëror maqedonas po kapet fort me thonj pas antikitetit, si të vetmin burim për të kërkuar një madhështi që i mungon. Aleksandri i Madh mbretëron madhështor në mes të sheshit, mbi piedestalin e vet cilindrik, rrethuar me luanë e luftëtarë. Përmasat e monumentit janë të frikshme, aq sa nga afër nuk mund të dallosh asgjë. Drejtuar diagonal nga ana e shqiptarëve, ai duket se po bën një lëvizje, sikur po e kthen kalin drejt Urës së Gurtë të Vardarit, andej nga kalohet për në Çarshi. Fytyra e Kalit të tij është kthyer tashmë me përpikëri drejt urës, teksa vetë kalorësi, duket se po vërvit shpatën për të orientuar marshimin drejt saj. Përreth tij, një çorbë sllave heronjsh me helmetë ushtarake, skeptër priftëror, bastun e kapele allafrënga, shoqërojnë heroin e lashtësisë, duke sjellë një mish-mash elementesh identitare, që nuk dihet se çfarë synojnë të prodhojnë ekzaktësisht.

Projekti i qendrës së Shkupit është duke u shtrirë tashmë nga ana shqiptare. Një sërë ndërtesash, si Teatri Kombëtar, Muzeu Arkeologjik, Muzeu i Holokaustit (në kujtim të lagjes hebraike, që ka ekzistuar dikur aty përreth), por edhe monumentet po marshojnë tashmë vërtetë përtej Vardarit. Në dalje të urës që lidh e ndan maqedonasit me shqiptarët, nga ana shqiptare qëndrojnë si postobllok me sfurqe në duar e shpinë nga lumi, katër shenjtorë bizantinë, – nga dy për çdo anë, – të cilët duken sikur kërkojnë të ndalojnë shqiptarët të kalojnë përtej; dhe, vërtet, fare pak prej tyre e bëjnë këtë. Ura e Gurtë duket e njëkahshme, e hapur vetëm për të lejuar Aleksandrin të kalojë këndej dhe jo Skënderbeun e sheshit të vogël të anës shqiptare në kah të kundërt. Pak metra më tej, pas një kompozimi që paraqet mëmësinë në katër gra helene, – njëra prej tyre shtatzënë, të tjerat me nga një fëmijë në duar, – ngrihet Filipi, rrethuar gjithashtu me luanë dhe ujërat e shatërvanit që nuk ia mbërrijnë dot lartësinë. Ai duket se po ia bën me shenjë të birit në kahun tjetër të lumit.

Pështjellimi që të krijon kjo katrahurë heronjsh realë e fantazmagorikë, është i frikshëm. Pesha e madhështisë së falsifikuar rëndon përdhunshëm mbi sheshin, ku njeriu ndihet si mizë. Kudo në botë, monumentet sillen në përmasa më pranë njeriut real, duke i integruar me njerëzit, në mënyrë që të duken sa më të natyrshëm. Por, në Shkup heronjtë janë monstruozë, ashtu siç duket të jetë edhe perceptimi që nacionalizmi maqedonas po krijon për vetveten. Kushdo e di që lidhja e pretenduar midis maqedonasve të dikurshëm dhe sllavëve serbo-bullgarë të sotëm që përbëjnë këtë sajesë identitare, është një marrëzi qesharake, por ja që shteti këtu e ka seriozisht këtë estradë. Një qendër, ende në tulla e llaç, që po përpiqet në mënyrë patetike të konstruktojë një identitet që i mungon, kjo është ajo që dëshmon qartazi ky realitet.

Rrethimi i Çarshisë 

carshia e shkupitKur i afrohesh Çarshisë së Shkupit, e kupton më qartë të gjithë histerinë hijerëndë të monumenteve të qendrës. Hijeshia e saj, natyraliteti, historia që bart brenda, të bën të kuptosh sa të kompleksuar janë maqedonasit prej faktit që kanë aq shumë mungesë historie përballë shqiptarëve. Për këtë arsye, nevoja për të falsifikuar historinë që u mungon, i shtyn ata të rendin turravrap drejt fabrikimit të heronjve kontrabandë.

Çarshia duket e ngrohtë, mikpritëse, njerëzore. Rrugët e kalldrëmta, bartin brenda tyre, jo vetëm histori dhe identitet, por edhe një trashëgimi që ende ka peshë mbi banorët. Një mori objektesh që vijojnë nga 500 vjet e këtej si hane, hamame, qendra të vjetra tregtare e objekte kulti, frymojnë brenda saj, teksa jeta vijon të zhvillohet me ritmet e reja. Ajo shkrihet me jetën e qytetit, duke i bërë vend të resë në mënyrë krejt organike. Vitrinat e dyqaneve të vjetra ekspozojnë natyrshëm produkte nga më të larmishmet, që nga ato tradicionale e deri te markat më ekstravagante të botës së modës dhe asgjë nuk stonon.

Çarshia është monumenti më i madh i Shkupit dhe pazari më i madh në Ballkan. Përveç kësaj, ajo është një monument që jo vetëm vizitohet, por jetohet. Ajo shkrihet me jetën e përditshme dhe madje e dirigjon atë. Çarshia ka qenë për disa shekuj zemreku i jetës urbane kudo në Ballkan, ku e gjithë jeta, që nga urbanistika e deri te regjimi ditor e racionalizimi i kohës, vërtitej rreth saj. Studime nga antropologë të ndryshëm e shohin Çarshinë e Shkupit si një objekt me vlera të jashtëzakonshme, jo vetëm muzeale, por edhe sociale që vijon ende të ushtrojë peshë të fuqishme mbi jetën e qytetit (të pjesës shqiptare), ndonëse zëra studiuesish shqetësohen me faktin që shumë objekte po humbasin, kjo falë edhe politikës armiqësore të shtetit maqedonas.

Duel i Iskanderëve

Jo vetëm Gruevski, por edhe Ali Ahmeti e politika shqiptare po përpiqet ta adaptojë të njëjtin profil megalomanie. Nëse gjithçka është e kuptueshme për maqedonasit, kjo bëhet edhe më qesharake te shqiptarët. Mendjelehtësia qëndron jo vetëm për faktin se kjo politikë po i futet një beteje imazhesh në kushte pabarazie të plotë financiare, – shqiptarët nuk kanë as hapësirë urbane të rivalizojnë në këtë fushë, për shkak se jetojnë të ngjeshur, rras e plas, në një hapësirë me dendësinë më të madhe në Ballkan, – por mendjelehtësia bëhet e madhe kur mendon se sa absurde është të konkurrosh me statuja, kur ke një pasuri të tillë historike e kulturore si Çarshia dhe objektet përreth.

Sheshi SkenderbeuAli Ahmeti ka ndërmarrë një projekt për të ndërtuar një shesh të quajtur Skënderbeu, i cili në fakt nuk është gjë tjetër, por kati i dytë i një lokali, që mendohet të vijojë deri në kahun tjetër të një rruge me gjashtë korsi që kalon pranë Çarshisë. Fillimisht ideja ka qenë për një shesh të vogël, por oreksi është rritur rrugës dhe, në pamundësi të sheshit, u sajua ky projekt, ku heroi duket si i rrëzuar në kanal, teksa sheshi ngrihet përbri mbi supet e tij. Vizitorët aty mund të shohin vetëm kryet e Kastriotit me përkrenaren dybrirëshe, ngase trupi i tij dhe kali janë nën nivelin e «sheshit». Nëse adashi i tij nga ana tjetër e Vardarit lartësohet aq shumë sa humbet mbi të ndenjurat e kalit që ia zënë tërësisht pamjen, ky i yni është i vetmi monument që shihet nga lart e jo nga poshtë. Këto janë paradokse shqiptaro-maqedonase.

Kur mbërritëm në shesh, bashkë me miqtë nga Shkupi, gjetëm konstruktorët që po ndiqnin punimet. Një nga bashkëshoqëruesit e mi, i përshëndet dhe, duke qeshur, ironizon projektin: «Zakonisht sheshet shtrihen përtokë or vlla, kurse ky i juaji ngrihet në hava!» «Mos harroni votën në fund», – ia ktheu ai me po të njëjtin buzagaz, duke e adresuar me ironi shkakun e kësaj estrade. Në fakt, ky projekt duket si dëshmia më reale e politikës shqiptare. Gjithçka duket e falsifikuar dhe gjithçka bëhet për të gënjyer popullin.

Skënderbeun jemi mësuar ta shohim madhështor në sheshet e Tiranës, Prishtinës ose edhe Krujës, me përkrenaren e harkuar drejt qiellit, mjekrën e derdhur, trokun e kalit me të cilin marshon hijerëndë e shpatëzhveshur drejt historisë… Skënderbeu i Shkupit duket si qyqar i vobektë, përballë shkëlqimit të Iskanderit tjetër përtej Vardarit. Ky i yni, duket si guerilas rebel, që i ka zënë pusi vetvetes, fshehur në llogoren e së cilës i thotë mejdan. Ndërsa edhe emrin ia ka huajtur Aleksandrit, duket se pasuesit e tij, po u huazojnë budallallëkun maqedonasve. Kjo bën që shqiptarët e Maqedonisë të mbeten në hijen madhështisë antike helene të kapërdisur artificialisht mbi germa cirilike. Këtu duket se shqiptarët e kanë kot këtë betejë, sepse skulptura nuk është sport për ta.

Një Republikë informale

Sheshi Skenderbeu 2Politika po bën që shqiptarët të luajnë në terren të gabuar. Ajo po i mëshon konfliktualitetit, të cilin po e përdor si magnet votash dhe nuk përpiqet t’i adresojë problemet në drejtimin e duhur. Në këtë rrugë ajo po i lë shqiptarët në suaza të informalitetit dhe izolimit, gjë që i shkon për shtat krejtësisht shovinizmit maqedonas. Nuk është vështirë të vëresh mungesën e shtetit te shqiptarët, por edhe neverinë e tyre për të.

Duke filluar nga linjat e autobusëve, që nuk respektojnë kurrfarë orari, te bizneset e vogla që nuk të japin faturë tatimore, pirja e lirshme e duhanit nëpër furgonë pasagjerësh, e me radhë… shumë hapësira të tjera të jetës së përditshme funksionojnë në mënyrë ekstraligjore. Gjatë një udhëtimi për në Tetovë, në vend të një stacioni autobusësh ose furgonësh, më drejtuan në një rreth-rrotullim pranë qendrës, ku disa shoferë mund të të shpinin atje kundrejt një shifre fare modeste. Natyrisht, kjo ishte një punë në të zezë dhe gjithashtu jo-komode. Nëse kishe fat, mund të niseshe në çast, por mund të ndodhte edhe që, në pritje të një pasagjeri të vetëm, të gjithë të prisnin me orë. Nëse në makinë mbeste një vend bosh, do të duhet të pritej deri në momentin kur të mbërrinte një pasagjer tek, për t’i shpëtuar të gjithë, përndryshe do të mbeteshe aty. Madje, në një moment, për një pasagjer të tillë, plasi një sherr që për pak sa nuk u shndërrua në përleshje. Dukej sikur shteti e ka ngritur kufirin mbi Vardar dhe këndej nuk kishte as ligj e as shtet.

E njëjta përshtypje të krijohej edhe kur vizitoje pazarin e ri. Një hapësirë tendash e banakësh prej teneqeje, të sajuara me mjete rrethanore, që jo vetëm nuk të fton për të blerë diçka, por si impakt të parë, të provokon vigjilencën për të ruajtur portofolin. Njerëzit janë kudo shumë të mirë e të paqshëm, por ai peizazh gri dhe ajo varfëri që gjëmon përreth, të krijon këtë ndjesi. Të kujton fiks tregun e madh te Medreseja në Tiranë, ku shpërfaqet brutalisht pazari në kuptimin stereotipik të fjalës, si një aktivitet informal, ku qarkullon paraja e pisët e vulgut. Varfëri e skajshme, e cila ka asgjësuar tek individi ndjesinë e të bukurës, vlerës, shijes ose, të paktën, vlerësimit për veten. Një kontrast i dhembshëm, jo vetëm me maqedonasin përtej lumit, por edhe me «turkun» tej zamanit. Krahasuar me Çarshinë e hirshme, pazari aktual të duket një investim perfekt i qarqeve antishqiptare, për të rrënuar imazhin e tyre.

Miqtë nga Shkupi më treguan se politika po pengon që njerëzit të jetojnë normalisht. «Të dyja palët, Gruevski dhe Ali Ahmeti, teksa duket sikur po luftojnë, në fakt po ia mbajnë mirë lojën njëri-tjetrit, duke përfituar prej polarizimit», – u shprehën ata. Ndër të tjera më thonë se shqiptarët nuk kanë asnjë arsye përse të rivalizojnë maqedonasit. «Ne jemi shtetas të këtij vendi dhe duhet të jemi të interesuar që ky vend të zhvillohet», më thonë ata duke shtuar si kusht barazinë midis shtetasve. Për këtë, nuk ngurrojnë të tregojnë edhe shembuj bashkëjetese, në kohë të mëparshme, kur shqiptarët nuk ishin mbyllur ende kaq hermetikisht në geton e tyre. Por megjithatë, shumica e njerëzve të thjeshtë që takova ishin më shumë të interesuar në fitoren e Berishës në Tiranë sesa për punët e shtetit të tyre, ndonëse kryeministri ynë nuk ka shfaqur thuajse asnjë interes për t’i ndihmuar ata dhe nuk ka reaguar thuajse në asnjë rast kur u janë shkelur të drejtat.

Getoizimi i shqiptarëve, më shumë se kujtdo, u shërben politikave shoviniste maqedonase, por këtë valle duket se vetë shqiptarët po e luajnë me dëshirë. Të mbrujtur në kohëra të vështira e të ideologjizuara, shqiptarët janë mësuar prej vitesh ta shohin shtetin si armik dhe i tillë ka qenë në fakt prej kohësh. Është e vështirë për ta të shohin veten e tyre me të drejta të barabarta me maqedonasit dhe kjo i lë këtu ku janë duke refuzuar çdo përpjekje për t’u integruar. Që t’i fitosh këto të drejta së pari duhet të hapesh për t’u përfshirë në jetën publike të vendit ku jeton. Shqiptarët janë shtetas të Maqedonisë dhe duhet ta bindin, pikë së pari, vetveten për këtë, në mënyrë që të ndjejnë se u takojnë të drejta si të gjithë të tjerëve.

Kjo nuk duket dhe aq e pamundur, nëse politika nuk i trazon gjërat. Një mik nga Tetova më tregoi se studionte në Universitetin e Shkupit dhe kjo nuk i kishte krijuar ndonjë problem. «Shumë-shumë, ndonjë prej profesorëve më ul ndonjë notë, më vendosin 9 kur e kam për 10, por vetëm kaq», – u shpreh ai. Sipas tij, ka një hezitim te shqiptarët për t’u hapur përtej rretheve të tyre dhe kjo mbështetet më shumë mbi paragjykime. Natyrisht, bezdisje e probleme mund të ketë kudo dhe në çdo segment të marrëdhënieve me shtetin mund të hasen burokratë, që u nxjerrin pengesa, por gjërat natyralizohen kur njerëzit mësohen me praninë e tjetrit. Diversiteti nuk është një edukatë që fitohet në teori, por në shoqëri, dhe të drejtat e tua nuk fitohen pa luftë për t’u integruar. Nëse shqiptarët do të këmbëngulin t’i thyejnë barrierat, do t’i mësojnë e detyrojnë maqedonasit t’i respektojnë të drejtat e tyre dhe kjo është një rrugë e sigurt për t’u bërë faktor dominues në Maqedoni.

Rock e pleskavicë

Çarshia është zona më kozmopolite e Shkupit. Aty shkrihen me njëra-tjetrën etnitë, turistët, vendasit. Nëse ulesh në cilindo prej lokaleve të saj, do të vëresh se të krijohet një gjendje e çuditshme ku nuk arrin të marrësh vesh se në çfarë gjuhe flitet. Në të njëjtën tavolinë dëgjon të flitet njëkohësisht dy e madje edhe tre gjuhë njëherësh, ku secili individ mund të kalojë lehtësisht dhe pa kuptuar nga njëra gjuhë në tjetrën, në mënyrë krejtësisht të natyrshme. Serbo-kroatishtja, shqipja dhe turqishtja krijojnë një mjedis tri-lingual të pazakontë, ku qëndrojnë të pajtuara gjuhë që rreth 100 vjet më parë ishin më shumë parzmore dhe heshta ndaj njëra-tjetrës. Në fakt, një pjesë e mirë e konflikteve të tilla vijojnë ende, pavarësisht se shumë njerëz kanë arritur t’i thyejnë këto mendësi. Ndërmjet të tre gjuhëve duket se gjallon një meta-gjuhë, ku luhet gjithçka. Ky është trualli i humanizmit, i aftë të kapërcejë dallimet tona kulturore. Ky është trualli, në të cilin është ndërtuar vetë çarshia, si një objekt multikulturalizmi.

carshia e shkupit 2Darkave, prania e maqedonasve në çarshi bëhet edhe më e madhe. Hijeshia e Çarshisë është e ngrohtë dhe tërheq vizitorë të shumtë edhe nga bregu përtej lumit, ku Aleksandri po thur planin për betejën e radhës. Madje disa prej tyre kanë investuar duke hapur dyqane e lokale në të. Megjithëse shumë shqiptarë e shohin këtë si strategji në shërbim të «falangave» maqedonase, në funksion të invazionit të Gruevskit ndaj shqiptarëve, përsëri ata mbeten aty. Madje, interesante është se në mes të Çarshisë janë hapur edhe zyrat e komunitetit LGBT, të cilët funksionojnë aty të patrazuar, ndonëse do të ishte më e kuptueshme të përqendroheshin në «kampin» e Aleksandrit, qoftë edhe për thashethemet antike që qarkullojnë mbi luhatjet e orientimit të tij seksual. Miqtë vendas më thonë se, përveç një rasti në fillim, ku dikush u gjuajti me gurë, nuk shënohet kurrfarë incidenti, ndonëse, duhet pranuar se, si shumë gjëra të tjera, edhe këtë, banorët nuk e shohin me sy të mirë.

Sido që të jetë, freskia e mbrëmjes, mbledh në Çarshi njerëz nga të gjitha racat, kulturat, besimet, idetë, për të ngrënë qebap ose për të shijuar kuzhinën tradicionale shkupjane. Sidomos të rinjtë janë ata që ia japin ritmin e tyre natës së këtij pazari, pasi dyqanet përfundojnë turnin e tyre, disa orë para muzgut. Jeta e natës aty duket diçka më e paqshme, pa abuzimet e metropoleve të mëdha. Ndoshta është vetë terreni i Çarshisë, që nuk mundëson lokale masive, por imponon një natyrë më intime frekuentimi, ndoshta është edhe vetë pesha e këtij monumenti, me historinë dhe trashëgiminë e tij, që imponon një gjë të tillë, por sidoqoftë jeta e natës këtu nuk e ka atë marramendje.

Në një prej rrugicave të gurta, luhet jazz live, prej një band-i të përbërë nga një kitarë, një bas dhe një saksofon, që gërvishtin ëmbël qetësinë e natës. Më tutje një grup të rinjsh luajnë blue’s e rock, në një volum të moderuar, të përshtatshëm për mjedise të hapura. Që në krye, muzikantët shfaqin profesionalizëm, që rrallë e gjen në baret e Tiranës. Interesante të vëresh sesa natyrshëm ngjisin me njëra-tjetrën këto dy kultura në Shkup, ajo e së shkuarës dhe e së sotmes. Teksa Aleksandri i Madh ka rënë tashmë për të fjetur, duke fikur shatërvanët dhe luanët përreth tij janë shtrirë të dremisin, çarshia vijon pulsin e jetës së vet nën ritmet e përmbajtura të jazz-it dhe blues-it, ndërsa shqiptarë, turq e maqedonas shkartisin gjuhët e tyre mes tavolinash.

Revista Shenja 1.7.2013

Comments

  • Kjo ishte analiza per Pulitzer e Shenjes se ketij numri.
    Urimet e mia.

    Shkupi eshte me i riu ne listen e indentiet-formimit, por jo i fundit. Me sa duket njeriu ka uri simbologjie, nese kerkon te jetoje ne grup e jo ne turme.
    Ceshtja eshte se Maqedonia ka disa turma qe kerkojne te behen grupe, e kjo, me gjithe respektin, nuk perputhet fare me integritetin e ketij vendi, i cili heret a vone duhet te ndahet.

  • Your email address will not be published.