Moda e analistëve universalë mbijeton në mediat shqiptare dhe dita-ditës konsolidohet me personazhe të reja, sepse problematikat sociale vetvetiu tolerojnë aventurat analitike pa ndonjë pretendim shkencor. Mirëpo situata ndryshon përballë fushave qartësisht shkencore, siç janë, për shembull, gjuhësia apo historiografia. Nganjëherë këto fusha merren si pretekste për të shprehur indinjatën ndaj tjetrit apo emocionet e përjetimet personale. E tillë është kritika e dom Gjergj Metës ndaj Kristo Frashërit, Jorgo Bulos dhe Rami Memushajt, e drejtë (në teori) dhe, njëkohësisht, kontradiktore (në qasjen ndaj dy shkencave). Fillimisht dom Gjergji pohon:
«Në këto vite tranzicioni, në lidhje me dijen, sidomos atë të shkencës historike dhe gjuhësore, janë mbajtur dy qëndrime: ato konservative, d.m.th. ato të mbrujtura në laboratorët e regjimit komunist, dhe ato të rishikimit të historisë dhe gjuhës shpeshherë, për hir të së vërtetës, pa kritere të vërteta shkencore. Po e nis me të dytët duke i likuiduar me pak fjalë. Sipas këndvështrimit tim në këtë rast ata kanë të drejtë në parim, por jo gjithmonë në kriteret dhe metodën e ndërhyrjes. Ndërhyrja e shtetit nuk është mjaftuar gjithmonë vetëm në financimin e një kauze të drejtë».
Nga ky këndvështrim, qëndrimi i atyre që kërkojnë rishkrimin e historisë reduktohet tek ndërhyrjet nga lart. E gjithashtu, akoma më domethënëse, problemi, sipas dom Gjergjit, lidhet me metodën dhe kriteret, më shumë se me materien që ata kërkojnë të modelojnë. Mirëpo kritikën e tij e mbyll me një shpresë në formë kërkese miqësore:
«Jo pa qëllim përmenda në krye të këtij shkrimi miken time Ledi Shamku – Shkreli, pjesë e mazhorancës […] që do të qeverisë vendin nga shtatori e mbrapa, e cila është ndër ata që gjuhën dhe historinë e dëshirojnë të rishikuar e të ripastruar nga shtrembërimet ideologjike të komunizmit. E si ajo shpresoj të jenë shumë asish që me të kaluarën janë ndarë një herë e përgjithmonë».
Kontradikta qëndron fillimisht tek adresimi i kërkesës: edhe një herë historiografia dhe gjuhësia i lihen në dorë vullnetit politik, e madje të shumicës parlamentare. Por, përpara se të arrijë në këtë konkluzion, dom Gjergji kritikon pikërisht pilotimin shkencor gjatë viteve të regjimit, bartës të së cilit, sipas tij, janë tre profesorët e përmendur:
«Ata [profesorët] duan të vazhdojnë dhe madje ta lënë testament që asnjë presje e vlerësimeve të dala nga shkollat komuniste të shkojë dëm e të rimendohet. Është vënë re kjo gjë kur sa herë janë prekur verdikte të dhëna nga historiografia komuniste, sa herë janë shkundur themelet e sigurive të ndërtuara në katedrat e partisë, aq herë reagimet kanë qenë të menjëhershme dhe të ashpra. Ky është dogmatizëm që në kushte të tjera quhet diktaturë».
Tani, ose duhet ta çlirojmë historiografinë nga politika ose nga ky shkrim duhet të kuptojmë se shkenca është çështje miqësie dhe ndryshon sipas miqve që kanë pushtet. Kontradikta thellohet po të mendojmë se Shamku-Shkreli përfaqëson një forcë politike e cila është zgjatimi i asaj partie – të kritikuar ashpër nga kleriku – që kultivoi tre profesorët, si akademikë dhe si ideologë; se Shamku është nga ata intelektualë me rrobën e pushtetit politik të cilët problemet e shqiptarëve i gjejnë tek rënia e Kostandinopojës. Le të imagjinojmë se çfarë ndryshimesh mund të sjellë mentaliteti i Shamku-Shkrelit.
Por këtu ka edhe një detaj. Dom Gjergji duket se është kundër konservatorizmit në dy shkencat e cituara:
«E vërteta e historisë dhe e gjuhës është një kauzë pa zgjidhjen e së cilës nuk mund të ecim përpara e nuk mund të ketë paqe e pajtim kombëtar, e unë refuzoj, e si unë shumë të tjerë në këtë vend, që kjo gjë u zgjidh në vitin 1972, vit në të cilin u standardizua gjuha e u krijua Akademia e Shkencave».
Shtrohet pyetja, a konsiderohet kjo logjikë si paradigmë nga dom Gjergji? Përgjigjen negative na e dhuron në replikën ndaj Armir Taraj, konkretisht tek fragmenti kur i shtohet «shumë të tjerëve» për të theksuar se «në një gjë unë jam dakord me të [A. Ndrecën] dhe me shumë të tjerë, që Turqia në Shqipëri ka qenë një pushtuese 500 vjeçare», dhe «të ndërrosh termat e historisë në lidhje me pushtimin turk do të ishte sikur tani të vinin italianët e të na thonin: dëgjoni në tekstet tuaja shkruani që me 7 prill 1939 ne erdhëm t’ju bënim një vizitë kortezie». Për saktësim: në vend të fjalës Turqi duhej Perandori Osmane; 4 vite nuk krahasohen me 5 shekuj; një Vaso Pashë – e nuk po zgjatemi –personifikon integrimin natyror në kuadër të sundimit, ndryshe nga sa ç’ndodh nën pushtim; nuk ka pushtim 5 shekullor, ose dom Gjergji ta argumentojë në aspektin semantik dhe historik.
Këtu dom Gjergji, ndonëse kritik i produkteve statike të Akademisë, është akoma më konservator, aq më tepër kur ideja e pushtimit, e rrënjosur në pavetëdijen e tij, është tërësisht produkt shkencor enverist, i masivizuar tek shqiptarët dhe tek autori nga mjetet e regjimit. Rishikimi me harta kohore dhe kulturore – vazhdimi i damkosjes së 5 shekujve, ndërsa, fjala bie, Ernest Koliqi rehabilitohet si burrë shteti, etj. –, zhvendosja e historiografisë nga një pushtet tek tjetri, përzgjedhja “miqësore” dhe jo akademike e shkruesve të historisë, janë elemente aspak shpresëdhënës në evolucionin e mentalitetit tonë. Anatema «profesor komunist» rrezikon të ngjasojë me një lustër demagogjie nëse nuk shoqërohet me braktisje të metodologjisë historike (enveriste) dhe të produktit te saj.
Comments
Spaske pune tjeter ti sa mundohesh me u marre me ndertimin dhe analizen e shrimeve te te tjereve. Mjaftohu me cka thote dhe merr shembul per menyren si e thote dhe nderkohe zgjidh problemin e emrit dhe mbiemrit tend
A ti je tu fol per krize emri? 🙂
Po ti vete nuk ke pune tjeter sa mundohesh me u marre me vleresimin e te tjereve qe analizojne shkrimet e te tjereve? 🙂