Orges Hato
Kur themi se realiteti bëhet i rëndë mund edhe ta kemi fjalën, përveç erës, për peshën e ngjarjeve, llojin e tiparet e ngjarjeve, të cilat ngjeshur-ngjeshur formojnë një lloj tradite, si për shembull dhjetë burra që pijnë dhjetë muaj rrjesht derisa quhen mëhallë burrash, me zë, figurë, vodkë e kuvend. Në Shqiperi flas! Kështu që ka një lloj relativiteti mes asaj që quhet normë dhe asaj që mund të quhet virtyt ose ves, ku të treja shkëmbehen hipnotikisht me njëra-tjetrën herë si virtyti normë, e herë si normë vesi, në varësi te hapësirës ku ndodh veprimi dhe vëzhgimit. Pra dallimi mes mëhallë burrash apo mëhallë pijanecësh ështe shumë i relativizueshëm, ose më saktë, i shkëmbyeshëm sipas vështrimit të blerësit.
Thënë më shkurt, ngjarjet bartin fuqi identifikuese të realitetit të cilat kodifikohen nëpërmjet përmendoreve, këngëve, pllakatave, festave, ritualeve etj. Kërkoj shumë ndjesë që po përmend fillimtas emra historikë, të njohur ose të panjohur, pasi nuk dua të dukem sikur po shfaq përmasat e bibliotekës e kujtesës sime, por nuk shmang dot dallimin aristotelian mes historianit e poetit, ku ky i fundit del perherë më i rëndësishëm se i pari. Arsyeja është shumë e thjeshtë: historiani rend pas ngjarjeve të ngushta e të imëta, rezultatin e të cilave mund ta përmbysë koha. Ndërsa poeti ka aftësinë ta universalizojë subjektin, atë që historiani nuk e bën dot. Duke folur për ngjarjen si instrument identifikues të realitetit, e historianin si dëshmues të saj, dhe poetin si relativizues të vetë historisë, pyetja që shtroj është: a kemi mundësi të synojmë një identitet për realitetin shqipfarësh sipas ngjarjeve të deritanishme? Ndoshta flas për ngjarjet politike!
Do të përqëndrohem në dy ide esencialisht kriminale, por shumë të dobishme për temën. E para mbi radikilizmin pulitik (satirizim pop-kulturor në formë); dhe e dyta, mbi vrasjen strukturore të shoqërisë, si formë eleminimi me gjak të padukshëm. Të dyja shumë të domosdoshme për elitat pan-politike shqiptare. Këto ditë, një mbështetëse partiake me emrin Kadaife (emër i vertetë) më tregonte se e kishin kalitur me gjithë shërbet të llogariste me bojë e letër numrin e mbështetësve simotra në lagjen iks të një qyteti të madh. Mosgarantimi i provës së kësaj pune mund t’i kushtonte vendin e punës, të ardhurat, e mbi të gjitha, lumturinë e qenies e cila është ngushtësisht e lidhur me të ardhurat. Nuk ka nevojë të pyesim se cilës parti i përkiste sepse për çdokënd që mendon se ajo (Kadaifja) ishte demokrate, po ju them qe nuk ishte ashtu; sikundër nëse mendohet që ishte socialiste, po ju them qe nuk ishte ashtu. Ajo qe është më e rëndësishmja është koncepti i radikalizimit politik si formë mbijetese. Kapni vetëm koreografinë e elitave politike; radikalizimi i mbështetësve u siguron atyre mbijetesën sepse mbajnë punën e të ardhurat, pasi elitat duhet të vetradikalizohen në mënyrë që të sigurojë fitoren. Kështu që, radikalizimi politik është ngjarje gravitacionale që identifikon realitetin e Shqiperisë. Çështja është, se si mund të vihet në veprim një fitore e radikalizuar, cilado palë qoftë që i fiton zgjedhjet?
Le ta kthejmë përmbys idenë e radikalizmit politik për të parë reflektimin e nëndheshëm të tij. Radikalizmi politik nuk mund të ndodhë pa ndihmën e krimit strukturor. Për shembull, përfytyro që nuk grabitesh nga maskat në rrugë, por nga struktura; jo nga një i panjohur me fytyrë të mbuluar, por nga zyrtari me kravatë, fytyrë publike, i cili ose e cila ironikisht respektohet, jo si pasojë e pëlqimit të merituar, por e dëshirës së nevojtarëve për të zgjidhur telashet. A nuk barazohet konceptualisht ky fenomen me sociocide, nga latinishtja, ekzekutim të shoqërisë? Ai u referohet atyre ngjarjeve kur shteti ekzekuton shoqërinë e vet në mënyre të tillë që ajo të mos riprodhojë vetveten. Radikalizimi i Kadaifes, dhe i gjithë pastiçierisë shqiptare, si formë e ruajtjes së mirëqenies, e konverton shqiptarin në shqipvrarë, në llojin e njeriut të Agamben-it, i cili është i vdekur sado biologjikisht i gjallë. Nën këto lloj dritë-hijesh, shqiptari lëviz duke qëndruar pa patur mundësi të riprodhoje vetveten. Mbase duhet eksperimentuar poeti tek vetvetja, për të universalizuar imagjinatën si subjekt lirie, pa radikalizuar historinë tonë si identitet të dhimbshëm, fatkeqesisht ndërtuar me mund vetëvrasës për kushedi sa vjet, se s’më kujtohet.
Comments