Vehap Kola
Të duash të keqen nuk është thjesht të kërkosh të arrish atë që nuk është e mirë, fjala bie një mëkat, por shumë më tej se vetëm kaq: të duash të keqen do të thotë të dëshirosh që ajo të triumfojë mbi të mirën dhe të sundojë. Pa u ndalur këtu, e mësipërmja do të thotë të dëshirosh që ajo të gjykojë se ç’është e mirë e ç’është e ligë në botë dhe të përcaktojë kriterin e gjykimit se ç’është e vërtetë e ç’nuk është e tillë. Me gjasë, kjo është sëmundja më dhimbësjellëse dhe e pashërueshme e zemrës së një njeriu. Kurani këtë e quan zotmohim, rebelim, largësim (nga Zoti) dhe, në një perspektivë të përtejbotshme, Zoti i lë ata njerëz të ikin pas dashurisë së tyre (tjetërfar nga Zoti).
Është pikërisht ky kurthi më dinak në të cilin rrezikojnë të bien edhe muslimanët e Shqipërisë në rolin e tyre si zgjedhës në zgjedhjet e kësaj radhe: të duan të keqen. Të bësh këtë nuk është e justifikuar nga asnjë ‘gjë’ për të vetmen arsye sepse është e urryer nga vetë Zoti. Edhe sikur ato ‘gjë’-të të ishin parime themelore, situata të skajshme të jetavdekjes, mundësi që vetëm njëherë vijnë për të kthyer botën në binarë, për të ndriçuar zemrat e njerëzve, e të tjera si këto, nuk do ta justifikonin atë dashuri, për të vetmen arsye sepse nuk munden ta bëjnë një gjë të tillë. Se të bësh një gjë të tillë ka një parakusht, i cili është: të mos jesh asnjëra prej ‘gjë’-ve të mësipërpërmendura dhe më tej.
Se ç’shqisë a mekanizmën e çon besimtarin besimpatundur drejt gjykimit se ç’është e keqe në këtë botë e dimë të gjithë. Pas gjithë atij rendi të gjatë të kritereve të arsyetimit që kanë zhvilluar dijetarët e “bazave të të gjykuarit” në Islam, jo për nga rëndësia e pakët, sepse do të ishte e para si e tillë, po e shkruaj ashtu si është: zemra e besimtarit. Nëse ndokush nga ne është i pakënaqur me saktësinë e shikimit apo pastërtinë e dëgjimit, apo akoma kullueshmërinë e gjykimit të zemrave të besimtarëve, nuk ka pse ta nisë këtë fushatë për drejtësimin e zemrave pikërisht në kohë fushate. S’do mend se neve, muslimanëve shqiptarë, në mos edhe atyre joshqiptarë, na mungon modeli i njeriut të gjallë, i zemrës së udhëhequr nga Zoti. Kjo do thënë me zë të lartë dhe do lutur Zoti që të na e udhëheqë drejt Tij. Pikëpyetjet që lindin nga përvoja jonë shpirtërore e paarrirë dhe foshnjarake, nuk mund të ngrenë pikëpyetje më të mëdha mbi “parimet e të gjykuarit”. Nëse ne nuk dimë të gjykojmë ç’është e keqe, më e keqe apo më pak e keqe, kjo le të pranohet kokulur se është papjekuri e jona, e jo të hidhet hije dyshimi mbi mundësinë e një gjykimi të drejtë. Por nëse papajtueshmëria me parimin lind nga dashuria për më të keqen, atëherë kjo do të ishte e pafalshme. Vetë kjo dashuri është një pluhur i rëndë verbues për zemrën dhe tulatës për mendjen, duke e bërë të pamundur përfytyrimin e mundësisë së një gjykimi të drejtë dhe hetimit të së keqes më të vogël.
Një tjetër argument që dua të trajtoj është se sulmi i hapur mbi ‘elitën’ fetare të vendit është provuar si kundraproduktiv dhe destruktiv, në fakt. Në rastin e muslimanëve të Shqipërisë, të papërfaqësuar dhe të paudhëhequr siç janë, shpeshherë të bindur se udhëheqësit e tyre fetarë janë të kompromentuar nga interesa të ngushta klanore dhe synime personale, të pasigurt nga duart dhe mendjet, aq më pak nga gjykimet e tyre, është e domosdoshme të kuptohet se shpëtimi është vetëm nga Zoti. Me shpëtim nuk kam ndërmend një projekt input-output, tipik për logjikën shkak-pasojë të muslimanëve bashkëkohorë, sipas të cilit pastrimi i vazhdueshëm dhe gjithnjë më i plotë i komunitetit të besimtarëve do të sillte, si rrjedhojë, edhe zëvendësimin e rradhëve të ‘elitës’ fetare mbi bazën e parimit të përfaqësimit. Kjo nuk duket aspak e mençur për shkak të kontrollit që mund të ushtrohet mjaft thjesht nga vetë ‘elita’ përmes një zinxhiri mekanizmash që janë provuar efektivë. Për këtë arsye, them se pluskimi nga kjo thellësi ka vetëm një mundësi: pranimin e lutjes nga Zoti. Dhe kjo kërkon që njerëzit të bëjnë mirë detyrat që duhet të bëjnë.
Duke mos dashur të humbas temën, dua të dal kundër idesë se secili nga ne, në gjykimin e tij, mund të arrijë në një vendimmarrje të drejtë. Së pari, neve nuk na mungojnë edhe ata disapak njerëz të pakompromentuar, të paakuzuar dhe të paangazhuar, me të cilët mund të këshillohemi dhe të gjykojmë, jo mbi bazën e interesave personale, se çfarë vendimi të marrim në këto zgjedhje. Institucioni i këshillimit gëzon një pozitë të lartë në fenë tonë saqë i paraprin edhe kërkimit të ndihmës për udhëzim nga Zoti.
Edhe njëherë dhe në fund të herës, rreziku më i madh për sekënd prej nesh mbetet ‘të duash të keqen’. Kjo dashuri, sado e pandjeshme, apo qoftë edhe e përngjarë me dashurinë për ‘Vëllain e Madh’ oruellian, është verbuesja e zemrave në gjykimin ç’është e mirë e ç’është e keqe, ç’është e vërtetë e ç’është iluzore në këtë botë. Por në fund të fundit, fjala e Zotit është më e larta.
Comments