Të zgjedhësh të keqen





 kuti votimiFatjon Nanaj

Në kohë fushate qytetarët shqiptarë duket sikur fitojnë vëmendjen që normalisht duhet të meritonin. Duket sikur njëherë në katër vjet bëhen edhe ata të rëndësishëm. Të kuptohemi, të rëndësishëm jo në sensin e qenies njerëzore me dinjitet dhe të aftë për të gjykuar racionalisht, por thjesht e vetëm si votues, pra si pjesëmarrës të një procesi manipulativ nga i cili ndodh të përcaktohet edhe fituesi i zgjedhjeve. Them proces manipulativ sepse klasa jonë politike është kujdesur që gjatë këtyre 20 viteve të shkatërrojë çdo element të identifikimit ideologjik, diçka më se thelbësore kur bëhet fjalë për alternativa të ndryshme qeverisëse. Edhe pse kemi parti të majta dhe të djathta vështirë të thuhet se programet e tyre janë në koherencë me atë që pretendohet se përfaqësojnë. Ilustrimi më i qartë për këtë është mbështetja e Partisë Demokratike për komunitetin LGBT ndërkohë që e djathta kudo konsiderohet si përfaqësuese e qëndrimeve konservatore pro familjes tradicionale. Në krahun tjetër na ofrohet një shembull po aq “tronditës”. Një parti e majtë si ajo socialiste premton se do të privatizojë shërbimin doganor dhe këtë e justifikon me efikasitetin në luftën ndaj korrupsionit. Sigurisht që edhe neo-liberalisti më ekstrem do të mendohej dy herë përpara se të lëshonte një fjali të tillë. Ndoshta pikërisht për këtë arsye sot votuesi tipik është përgjithësisht militant – d.m.th person që niset nga interesa të ngushtë personalë dhe materialë,  ose nostalgjik – person që e bën zgjedhjen e tij për inerci ose sepse vazhdon të besojë se bindjet e tij përfaqësohen nga ndonjëra prej forcave politike. E megjithatë, diku të strukur, me mendje të pandarë, janë edhe ata të heshturit, pasivët, apo elektorati pa ngjyrim partiak (jo domosdoshmërisht ideologjik), që në fakt mund edhe të mos e quanim fare elektorat  përderisa nuk ka asnjë shtysë për t’u sjellë si i tillë. Është kjo pjesë e shoqërisë mbi të cilën bie përgjegjësia e krijimit të një balance të mirëfilltë shoqërore. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se elektorati pa ngjyrë do të luajë mirë pjesën e tij duke krijuar këtë balancë, porse ai është “shpresa e vetme” që një shoqëri si e jona mund të përjetojë një grahmë gjykimi racional. Prej kësaj shtrese pritet vendosja e disa standardeve apo kufijve për sa i përket sjelljes politike, përtej të cilave askush nuk mund të shkelë. Pritet që përtej ngjyrimeve politike, asnjë parti që nesër pretendon të marrë pushtetin të mos shndërrohet në një organizatë që korrupton shtetin, sepse nëse partia është e militantëve apo nostalgjikëve, shteti është i shqiptarëve dhe mbron interesat e të gjithë individëve.

Për të mos u bërë i bezdisshëm me gjëra që e kanë fundin të qartë, shqetësimi im qëndron tek muslimanët si komunitet dhe tek ndikimi jo i pakët (sipas mendimit tim) që mund të luajmë në ruajtjen e kësaj balance shoqërore. Apriori po i konsideroj muslimanët (këtu nënkuptoj ata që kanë kontakt me xhamitë) si pjesë të elektoratit pa ngjyrë. Sigurisht që ky supozim injoron një numër të madh muslimanësh që janë të përfshirë në strukturat e partive të ndryshme. Por qëllimisht dua të tregohem idealist dhe t’i përjashtoj muslimanët nga virusi i militantizmit. Le të mendojmë për një çast se ne, muslimanët e Shqipërisë, jemi gjakftohtë, racionalë dhe plotësisht të ndërgjegjshëm se me votën tonë mund të kthejmë në realitet shpresën e krijimit të një ekuilibri të domosdoshëm shoqëror. Pra le ta konsiderojmë veten jo pjesë të skeptikëve, siç i quajnë disa, por pjesë e qytetarisë që mendon përtej komfortit personal dhe që nuk pranon ta shesë votën apo të tradhtojë ndërgjegjen për një vend pune (në mos edhe më pak se kaq). Thënë kjo, çasti i të vërtetës mbërrin. Si mundemi ne ta luajmë këtë rol, ose më shkoqur, ç’peshore, kriter a standard duhet të përdorim për të bërë zgjedhjen tonë në mënyrë që t’i tregojmë kufirin të keqes, d.m.th të imponojmë më së paku paprekshmërinë e atyre vlerave dhe normave që mundësojnë kohezionin dhe paqen sociale? Formula e ofruar deri tani, e që është shndërruar në refrenin e thuajse çdo fushate elektorale është parimi i “të keqes më të vogël”. Ky parim, i farkëtuar fillimisht si një përqasje pragmatiste e politikave të SHBA-ve ndaj diktaturave të vendeve të botës së tretë gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, sot është kryesisht i aplikueshëm në rastet e kandidatëve apo rivalëve politikë gjatë fushatave elektorale. Por si në çdo aspekt tjetër të kësaj bote të lidhur e të ndërvarur nga mijëra fije, termi “fillimisht” nuk nënkupton se ishin amerikanët të parët që aplikuan këtë mënyrë të menduari. Ata thjesht formalizuan praninë e kësaj doktrine në kurrikulat akademike të shkencave politike. Doktrina e të “keqes së domosdoshme”, siç mund të ripërkufizohet me fjalë të tjera i njëjti parim, është përdorur gjerësisht edhe nga studiuesit apo dijetarët islamë në lëmin e fik’hut, shumë më herët se të ajo të zyrtarizohej në tekstet e shkencave politike. Pikërisht për këtë arsye, të përballur me trysninë e xhematit që kërkon njëlloj orientimi fetar për të bërë zgjedhjen e duhur, ose edhe me dëshirën e prijësve fetare për të orientuar xhematin,  shpesh “elita” jonë fetare, pra hoxhallarët ose predikuesit i janë referuar këtij parimi. Madje mund të themi që se ky ka qenë argumenti i vetëm në dukje racional dhe i qëndrueshëm që është (keq)përdorur.

Porse argumenti i të keqes më të vogël, siç edhe pasojat e aplikimit të tij kanë treguar vuan nga disa pasaktësi. Më troç mund të themi së është një argument i pavërtetë, apo një falsitet logjik që në të vërtetë prodhon pasoja të kundërta me ato të dëshiruarat. Pikë së pari, sfida kryesore ka të bëjë me metodologjinë dhe mjetet që ne përdorim për të matur të keqen. Si mund ta dimë cila është e keqja më e madhe dhe më e vogla, sidomos në rastin e politikës shqiptare ku të gjithë notojnë në batak dhe është e pamundur të paraqitesh i papërlyer, përveç ndonjë force të re politike të pasprovuar më parë e që nuk e ka origjinën në ndonjë skizëm të luftës për pushtet brenda partive ekzistuese. “Të dallosh të keqen nga e mira duhet mençuri, por të dallosh të keqen nga një e keqe tjetër akoma më e madhe duhet urtësi”, thotë një shprehje që me sa duket tenton të na ndërgjegjësojë për faktin se në rastin e dytë kemi të bëjmë me një çështje shumë më komplekse që kërkon marrjen parasysh të shumë faktorëve për të arritur në një vendim të matur. Një tjetër vështirësi lidhet me faktin se shpesh ky lloj kategorizimi i të këqijave lidhet me pritshmëritë që kemi për njërën apo tjetrën forcë politike. Dhe kur themi pritshmëri mbetemi në nivelin e parashikimit, pra kurrë nuk mund të jemi të sigurt për rrjedhojat e zgjedhjes tonë, edhe nëse do të ishim në gjendje të identifikonim me saktësi të keqen më të vogël.

Megjithatë jam i mendimit se dobësia më e madhe e kësaj mënyre të menduari është natyra thellësisht pragmatiste e këtij parimi. Rendja pas të keqes më të vogël thjesht për të shmangur një të keqe më të madhe nuk e frenon të keqen. Për më tepër që e keqja, nëse nuk luftohet, ka tendencën të shpërhapet, të shndërrohet në element të gjithpranuar shoqëror derisa duhen përpjekje titanike për ta çrrënjosur. Nëse i referohemi Kur’anit, cilësia që e dallon xhematin e Muhamedit a.s është “urdhërimi për të mirë dhe lufta ndaj të keqes.” Pra të bësh mirë nuk mjafton, por duhet të luftosh të keqen. Përqasja jonë banalisht pragmatiste, na detyron që sa herë që “sakrifikohemi” duke zgjedhur të keqen më të vogël për të shmangur një më të madhe, në zgjedhjet e ardhshme të përballemi me një të keqe të vogël më të madhe se e keqja e vogël për të cilën votuam katër vite më parë, sepse e keqja e vogël që votuam dikur tashmë është trashur dhe rritur. Tërthorazi dhe pa e kuptuar ne jemi kontribues në përhapjen e të keqes dhe jo në ndalimin apo luftimin e saj. Sigurisht që nuk pretendoj se detyra jonë është të zhdukim të keqen(nuk do të mundeshim edhe po të donim), por ama nëse duam t’i japim kuptim jetës tonë dhe të jetësojmë parimet Kur’anore që besojmë nuk mund të dezertojmë nga përballja me të keqen. Dhe pikërisht këtu mbërrij tek shqetësimi im kryesor. Në këndvështrimin tim, predikimi i të keqes më të vogël është dorëzim pa kushte ndaj të keqes. Është njësoj sikur ne muslimanët kemi ngritur duart lart, krejtësisht të paaftë për të reaguar, të mposhtur moralisht dhe psikologjikisht i jemi nënshtruar realitetit që na e imponojnë të tjerët ndërkohë që përpiqemi të shpëtojmë ç’të mundemi në pritje të zgjedhjeve të ardhshme kur do të na duhet të cedojmë një pjesë tjetër të territorit (lexo vlerave dhe parimeve ) tonë, derisa të mbetemi krejtësisht të zhveshur. Pra më shumë se keqpërdorimi i këtij parimi është përgjumja jonë që duhet të na shqetësojë. Nuk mund të shndërrohemi në dëshmitarë pasivë të asgjësimit tonë duke iu nënshtruar të keqes, sado e vogël të jetë ajo dhe pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që mund të kemi mbi mënyrat dhe rrugët që duhen ndjekur për qeverisjen e vendit. Cilado qoftë alternative ekonomike dhe zhvillimore që mbështesim, e keqja mbetet e keqe dhe duhet luftuar.

Argumenti i të keqes më të vogël shpesh është ilustruar edhe me shembuj nga tradita profetike. Shembulli më i famshëm që ofrohet është marrëveshja e paqes së Hudejbijes që Profeti a.s nënshkroi me politeistët dhe për të cilën shokët e tij nuk ishin dakord fillimisht. Sipas analizave që i bëhen kësaj ngjarjeje Profeti a.s pranoi të nënshkruante marrëveshjen për t’i dhënë kohë komunitetit të besimtarëve në Medinë që të fuqizohej, duke e shtyrë në një të mëvonshëm përballjen me pabesimtarët. Nëse Profeti a.s nuk do ta kishte nënshkruar këtë marrëveshje ndoshta komunitetit i Medinës dhe shteti që Profeti a.s krijoi do të ishte shuar që në gjenezë. Megjithatë paralelizmi mes Hudejbijes dhe situatës tonë sot më duket i sforcuar. Profeti a.s pranoi një humbje të çastit, të përkohshme, për t’i krijuar mundësi muslimanëve të forcoheshin dhe të rivendosnin drejtësinë. Pra edhe pse duket sikur ai iu dorëzua një të keqeje dhe pranoi të bënte marrëveshje me politeistët, është fakt se ai vazhdoi të punojë për të arritur qëllimin e tij dhe në fund muslimanët fituan. Sigurisht që Hudejbija nxjerr në pah largpamësinë e Profetit a.s. Ndërkohë që në një situatë krejt të ndryshme gjendemi sot. Ne jemi të gatshëm të pranojmë një të keqe më të vogël, me iluzionin se po shmangim një më të madhe. Kjo mënyrë të menduari është kryekëput dritëshkurtër, sepse nëse Profeti mendonte si të mposhtte të keqen nesër, ne mendojmë si t’i shmangemi një të keqeje të madhe sot. Nëse rruga e tij ishte përballja në çastin e duhur në mënyrë që fitorja të ishte e sigurt, rruga jonë është shmangia e përjetshme, dorëzimi pa kushte.

Për ta përmbyllur dua të përmend edhe argumentin e lejimit të së ndaluarës në kushtet e nevojës ekstreme. Mishi i derrit është i lejuar për të shmangur një të keqe më të madhe, humbjen e jetës kur nuk ka mënyra të tjera për t’u ushqyer. Mendoj se edhe ky paralelizëm për të përligjur argumentimin e “të keqes më të vogël” gjatë votimeve është i pasaktë. Nuk gjendemi në kushtet e nevojës ekstreme, për më tepër që duke votuar të keqen më të vogël nuk ndihmojmë veten, por thjesht i shmangemi dëmit të menjëhershëm ndërkohë që në shtrirje më të gjatë kohore pasojat janë shumë më të rënda. Duke u bazuar në arsyetimet e mësipërme mendoj se nëse duam vërtet të tregohemi racionalë atëherë zgjidhja më e drejtë është vota e bardhë. Fundja pse duhet të votojmë të keqen e vogël kur vota jonë ndihmon në trashjen e saj aq sa na duhet të cedojmë gjithmonë e më shumë? Për më tepër të mos harrojmë se dy partitë e mëdha nuk janë e vetmja alternative, pavarësisht shanseve të partive të tjera të vogla për të konkurruar me to. Ndoshta mes atyre shumë partive gjendet edhe një alternativë që gjithsecili me gjykimin e tij mund ta konsiderojë të mirë. Atëherë pse të mos votojë për të? E mira ka nevojë për punë dhe kultivim, përndryshe kurrë nuk do të rritet e forcohet që të konkurrojë me të keqen. Edhe pse një votë më shumë mund të mos i japë fitoren një partie të vogël,  duhet të kuptojmë se sfida jonë kryesore është refuzimi i të keqes, pra kurrsesi nuk duhet dhe nuk mund të pranojmë të identifikohemi me të keqen, sado e vogël qoftë ajo. Ndoshta kjo është mënyra më e mirë për të vepruar, dhe jo duke ndëshkuar të keqen e madhe dhe shpërblyer të voglën. Të mos harrojmë se të zgjedhësh të keqen e vogël do të thotë që sërish po zgjedh të keqen.

Comments

  • Selam Aleikum!

    Duhet qe keshilli i hoxhallareve te beje punen e vet dhe te dali me nje deklarate qe te orientoje xhematin se si duhet te votoje dhe kete ta argumentoje. Mos e lini xhematin te orientohet sipas oreksit te secilit qe ka bo nje pazar personal dhe mundohet te argumetoje te keqen me te vogel.

    • Bismil-lah,
      Jo more na dashke qe hoxhallaret te orjentojne xhematin me ane te nje deklarate,
      A e din ti more zoteri, se shume nga hoxhallaret jane te zene me fushaten elektorale (ca hapur e ca fshehtas),,,???!!!!
      Kane kohe ato more per orjentime apo deklarata ???!!!!
      Ne fund te fundit xhamati i “orjentuar” eshte,,,
      Sidoqofte po ve doren ne zemer dhe po te “orjentoj” une me deklaraten time:

      Muslimanet shqiptare dhe te gjithe votuesit e tjere shqiptare duhet (jane te detyruar) te votojne sipas shtresave:
      1.Shtresat me pak te ardhura per partite e qendres se majte (socialdemokracine sic quhet tek ne.)
      2.Shtresat e mesme per partite e qendres (Liberal demokracine)
      3.Shtersat e pasura per partite e qendres se djathte (Popullore, Konservatore, Republikane etc.)

      Per muslimanet nese partite qe jane ne tregun politik te Shqiperise nuk japin garanci (te gjitha polet)atehere organet kushtetuse Muslimane te Shqiperise (Keshilli i Sheriatit – qe nuk ekziston dhe do ta krijojme pas 20 vjetesh) merr vendimin per krijimin e Klubit Musliman Shqiptar (si institucion i pavarur) i cili ka si detyre te themeloje parti politike mbeshtetur ne Kushtetuten e vendit per te perfaqesuar interesat e muslimaneve dhe te vendit.
      Fi Emanil-lah

  • Analize shume e mire, deri ne piken ku nxjerr partite e vogla si te lara, para te medhave te pista.

    Cilat jane keto te voglat? Partia e kreshikut, e bamirit, e shpetim idrizit apo e arben frrokut? Apo partite kriptoislamike me dy anetare, me njerez qe mund te jene te mire ndoshta, por s’i njeh askush per asnje pune, per asnje veper ne publik?

    Vota e ndershme, ajo e qytetarit dhe jo e militantit, mund te jete vetem negative. Vota duhet dhene ose per te ndeshkuar PD-ne, ose per te frenuar PS-ne, me qellimin per te mbrojtur sa me shume sistemin qe mundeson nje minimum lirie dhe mireqenieje. Pike. Nuk ka asnje alternative tjeter. Dhe kjo situate vote negative nuk eshte e vertete vetem per Shqiperine, po per shumicen e vendeve ne Europe. Konkretisht na duhen sa me shume analiza shkencore, praktike, per te kuptuar se cila nga dy alternativat negative mundeson mbrojtje me te madhe te lirise dhe mireqenies se pergjithshme.

    Po kete analize me duket se nuk ua kerkojme dot hoxhallareve, se hoxhallaret ne pergjithesi nuk jane as ekonomiste, as sociologe ose e thene me sakte nuk jane te interesuar dhe informuar per perditshmerine e kesaj dynjaje.

    Ne baze te formimit qe kane, hoxhallaret duhet te perpiqen vetem te edukojne xhematin me vlera dhe parime, dhe po qe se edukohet besimtari, nuk ka nevoje per barinj qe neser te thone” beni si them une, mos beni si bej une”.

    Nese xhemati ka kultivuar vlera, nuk ka bir nene te dale neser edhe t’i thote te votoje per antivleren. Gjithsesi, dy besimtare, ne emer te vlerave mund te votojne te dy per dy parti te ndryshme, dhe kjo eshte komplet normale dhe komplet e mirekuptueshme ne Islam. Askush nuk mund te detyrohet te votoje apo veproje pertej asaj qe personalisht i duket e drejte. Ne fund Zoti do na gjykoje te gjitheve per sinqeritetin.

    Ka dy arsye pse hoxhallaret duhet t’i rrijne larg zgjedhjeve. E para pse shume prej tyre nuk e ndjekin politiken ne nivel ditor, lere me pastaj ne plan rajonal, strategjik, dhe nuk keshtu nuk mund te kene asnje opinion te sakte per votimet, pervec paragjykimeve apo legjendave urbane.

    E dyta, ata nuk mund te pafajesojne fetarisht asnje nga partite, pa rene ne gjynah. Mbeshtetja per nje parti nga njerezit e fese mund te interpretohet ne popull si mbeshtjetje morale, dhe kjo automatikisht ua humb peshen morale njerezve te fese pastaj. Partite politike ne Shqiperi jane jashte cdo lloji minimal morali, dhe per to votohet vetem nga halli. Hiq fanatiket partiake, vetem kush ka ndonje interes ekonomik voton per njeren nga ato, apo kush beson se strategjikisht pengon ndonje te keqe me te madhe ne horizont. Po per kete horizont duhet folur haptas, qe ta gjykojme c’eshte. Eshte diktatura? Eshte mafia shteterore? Eshte varferia? Dhe pastaj te shohim nese me vota mund te frenohet kjo.

    Kisha ortodokse apo katoliket nuk dalin te udhezojne njeri per ke te votoje. Katoliket dolen me deklarate vetem per te keshilluar kunder shitjes se votes. Kurse ne qe fetarisht nuk e pranojme idene e klerit, lere me pastaj te klerit te pagabueshem, duam te detyrojme veten te ndjekim hoxhallaret ne politike. Po te kene mundesi hoxhallaret, te gjithe apo nje pjese e tyre, le te ulen te shkruajne nje fetva, nje opinion mbi politiken shqiptare, dhe te gjykoje gjithkush opinionin e tyre a eshte realist, a eshte i informuar e pastaj ta kemi si reference, krahas opinioneve tona personale, apo te atyre te analisteve politike.

  • Ndaj pyetjes “për kë sugjeron të votojmë në këto zgjedhje?” përgjigjja që më rezulton më e arsyeshmja është: Nuk duhet të mbajmë përgjegjësi as për lënien e Berishës në pushtet dhe as për sjelljen e dyshes Rama – Meta në pushtet.

  • Your email address will not be published.