indexBesnik Sinani  

A po rrezikon Islami ekuilibrat e siguruara nga sekularizmi ne Shqipëri? A ka një anësim filo-islamik të politikës shqiptare? Një artikull i gjatë i Piro Mishës Feja, Laiciteti dhe Hapërira Publike, i financuar nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, më shërben si ilustrim për të adresuar së pari kriteret e pabalancuara të ligjërimit mbi fetë, dhe së dyti për të komentuar mbi mungesën e observimit të mirëfilltë mediatik të opinionbërësve të këtij ligjërimi paragjykues, gjë që krijon hapsirën për opinione të pabalancuara dhe që ushqejnë frikërat e rrezikut islamik.

 

Ndryshe nga sa premton në titullin dhe parathënien e artikullit të tij të gjatë, Piro Misha, i rikthehet problematizimit dhe stigmatizimit të Islamit mes shqiptarëve. Pra, edhe pse premton se “objektivi i këtij studimi është të japë një pasqyrë sa më të saktë të mënyrës sesi media shqiptare (kryesisht ajo e shkruar) ka pasqyruar e trajtuar temën e raporteve mes laicitetit (shekullarizmit) dhe vendit që feja (apo simbolet e saj) zënë apo duhet të zënë në hapsirën publike shqiptare” Misha nuk u qëndron korrekt kritereve që ai vetë ka vendosur në përzgjedhjen e materialit mediatik dhe fokusi i autorit mbetet, jo feja në Shqipëri, por Islami.

 

Siç pritet në një ndërmarje të tillë, Misha cakton një hyrje në artikull me titull Feja dhe Politika. Habitshëm, gjithsesi, në këtë hyrje nuk gjejnë vend, fjala vjen, replika e debatuar në shtyp midis kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe ish-Presidentit Topi, në tetor të 2011, një replikë me tone të ashpra krahinore dhe fetare, e cila u komentua në shtyp jo vetëm nga autori i këtyre rradhëve (gazeta Shekulli 2011.10.25) por edhe nga një nga opinionistët më të njohur në vend, si Fatos Lubonja. Në artikullin e Mishës nuk gjejnë vend as zërat në media nga bashkësia katolike, përfshi politikanë e ambasadorë, që në përgatitje të zgjedhjes së presidentit, kërkonin që presidenti i ardhshëm të ishte katolik. Të dy këto raste përbënin shembuj të propozimeve të ngritjes së politikave mbi baza identitetesh fetare, por gjithsesi nuk gjejnë vend në këtë artikull të Mishës. Po atëherë çfarë gjendet nën hyrjen Feja dhe Politika.

 

Aty gjendet pjesmarja e Berishës gjatë një ceremonie për nder të Profetit Muhamed, një deklaratë e Berishës sipas së cilës Bektashinjtë themeluan doktrinën e shqiptarisë, dhe një gossip mediatik sipas së cilës Shpëtim Idrizi i ka dërguar një SMS Berishës ku thotë: “Allahu qoftë me ne.” Nëse fokusi është tek qoka të tilla politike, atëherë ndoshta do kish qenë me vend të flitej edhe për vizitat e komentet pikante të Berishës në Vatikan, apo qoftë fjalën e ish-Presidentit Topi në tetor të 2011 (Shqip, 2011.10.01) në Konferencën e Ipeshkëve të Evropës e mbajtur në Tiranë, ku Topi deklaroi se ishte Papa Klement XI ai që projektoi zgjimin kombëtar të shqiptarëve!!! Sipas cilave kritere Misha përfshin disa evente të pjesmarjes së politikanëve në eventet fetare por injoron të tjera? A i ka qëndruar Misha besnik kritereve të përzgjedhjes së materialit mediatik, kritere deklaruara nga ai vetë në këtë artikull?

 

Komentatorë më të balancuar kanë vënë në dukje se Berisha është një politikan pragmatist, që kërkon të marrë vota ku të jenë, me një qëndrim agnostik, pa deklaruar antarësim në asnjë lloj denominacioni. Por nëse do gjykonim vetëm sipas raportit të Mishës, të bazuar në përzgjedhjen e tij të materialit mediatik, krijohet përshtypja e një kryeministri filo-islamik. Përpjekja për të njollosur Berishën duke e ‘islamizuar’ është përdorur në shumë raste nga politikanë të opozitës, por një artikull që vjen me pretendimin e të qenit një studim i fesë në hapësirën mediatike nuk do duhej të ndikohej nga parapëlqimet politike të autorit.

 

Misha trajton edhe premtimin – ende të parealizuar – për lejen e ndërtimit të një xhamie dhe e interpreton si flirtim të politikës me Islamin (dhe kufizohet vetëm tek e djathta) pa vënë në dukje se, teksa xhamia mbetet premtim, në qendër të Tiranës janë ngritur dy katedrale. Leja e ndërtimit të xhamisë është trajtuar nga Kerem Oktem i Universitetit të Oxfordit si ilustrim, jo i statusit preferencial të myslimanëve në politikë, si bën Misha, por si ilustrim i margjinalizmit të myslimanëve. Autorit duket sikur i ka shpëtuar konteksti, edhe kur ky kontekst është në formën e dy katedraleve masive në mes të Tiranës.

 

Por edhe kur zgjedh të meret me gazeta periferike, si fjala vjen gazeta Sot, ai vendos të citojë një figurë kontraversiale si Olsi Jazexhi, por nuk gjen asgjë tjetër për të raportuar nga një gazetë ku është bërë thirje që myslimanët të dëbohen nga Shqipëria, që të ndalohen praktika islame si thirja e ezanit, është celebruar masakra e Sebrenicës apo është brohoritur si hero Ander Breivik meqënëse luftoi kundra islamizimit të Evropës. Asnjë nga këto nuk ftojnë interesin e Mishës por ai vendos të sjellë në këtë raport “Islamikun” e tij të preferuar, Olsi Jazexhi.

 

Duhet shtuar se Misha ka një histori të përdorimit të këtij emri. Në librin e tij Arratisja Nga Burgjet e Historisë, Misha citon Jazexhiun si njeri të paguar nga qarqe islamike. Misha nuk ofron asnjë evidencë për këtë, në një kohë kur i vetmi sponsorizim i njohur për Jazexhiun ishte nga qeveria italiane, që i paguante bursën e doktoraturës në Itali. Shkrimet e tij i paraqet të prodhuara nga ekipe të mirëfinancuara por përsëri nuk ofron asnjë evidencë. Përsëri, si në përzgjedhjen mediatike, ashtu si në etiketimet që vendos për myslimanët, Misha nuk është i interesuar në një studim të balancuar, por në përpjekjen për të trembur publikun me fantazmën e rrezikut islamik në Shqipëri.

 

Në artikujt e tij prej shumë vitesh, ashtu si në librin e tij Arratisja Nga Burgjet e Historisë, Misha ngre alarme të rrezikut islamik, vendos etiketime dhe gjeneron frikën për rrezikun e supozuar të Islamit në Shqipëri. Në këtë aspekt nuk ka asgjë të re në këtë artikull. Autori e prezanton artikullin e tij si studim, por në të mungon qoftë edhe një qasje minimale metodologjike apo qasje e domosdoshme e terminologjisë. Në një kohë kur të gjithë studiuesit e sekularizmit pohojnë se ky është një koncept fluid dhe në transformin, Misha i referohet modelit të mbretit Zog, gjë që do duhej të ishte e mjaftueshme për të vënë në dyshim besimin e Mishës në idealet demokratike.

 

Por ajo që duhet vënë në dukje është se një literaturë e tillë islamofobie, e cila nuk i qëndron dot testit të një raporti të balancuar, bëhet e mundur në një terren ku qëndrimet ad hominem nuk kapen e demaskohen në shtyp, ku përgjithësimet dhe reduktimet nuk vihen në shënjestrën e kritikës intelektuale dhe artikuj propagandistikë të ndikuar nga preferenca politike dhe përzgjedhje të pabalancuara materiali shiten për studime. Shkeljet e kritereve bazë të studimeve e artikujve kalojnë pa filtrin e kritikës pikërisht sepse shkrimi i pabalancuar ndaj Islamit në Shqipëri është prej vitesh i toleruar.

 

Comments

  • Misha duket se adreson e-zani.com kur flet per blogje islamike qe kundershtojne hapur parimin e laicitetit. Meqe ai ka permendur kete faqe dhe autoren Loela Xhafa – sigurisht sipas menyres se vete te perzgjedhjes, kjo tregon qe ai ose nuk di te lexoje cfare kemi lexuar prej vitesh ne kete faqe ose qellimisht ben prezantime te gabuara, dhe me duket se eshte kjo e dyta. Dikush duhet t’i shpjegoje ketij zoterise, nese nuk e di akoma, se te flasesh per forma me humane te laicitetit, forma te gjendura sot ne vende perendimore, nuk do te thote te jesh ‘haptazi kundra laicitetit.’ Nuk me duket se Misha vuan nga aftesia per te kuptuar por nga aftesia per te qene autor i ndershem.

    Gjithashtu Misha flet per ‘blogje periferike e pa influence.’ Nuk e di ku e ka fjalen zoteria, prape, por autoret e ketij blogu i kemi lexuar ne shtypin kryesor te Shqiperise, Kosoves e Maqedonise e kesisoj i duhet te shpjegoje periferiken zoteria.

    • Si mund te jete i ndershem nje person qe publikon libra, brenda nje kolane me emer “emocional”, ne forme llogoreje intelektuale ndaj nje feje? Ai botoi Tursun Beun pikerisht per ta katranosur ne parathenie, duke i diktuar lexuesit si duhet ta veshtroje kroniken. Pra Misha, qe thith fonde per nje shoqeri te hapur, faktikisht e mbyll rrethin brenda perimetrit te vet, ku trashegimia islame dhe osmane jane te rrezikshme. Ka 23 vite qe i bie te njejtes kembane, me nota te ndryshme, por gjithmone nepermjet injektimit te frikes kolektive, fillimisht nga arabet dhe me pas nga terrorizmi, me vone, kur ngeli pa “armiq”, filloi te perkthente/imitonte ne shqip ca analiza me telenovelen neo-otomane (as neo-osmane jo). Kur ngelej “thate” perdorte debatin me Jazexhiun. Ne thelb problemi qe kane shqiptatret e Mishes eshte feja islame, as hurmat e arabise, as shamiat e zeza, as hallva turke, as individet te veçante, as hija e minareve qe nuk duken nga pallatet e shqiptarit te modernizuar.
      Pastaj, nje vend, mediat e te cilit ftojme Mishen per te komentuar historine e periudhes osmane, ka humnera intelektuale qe ne vetvete shpjegojne fatkeqesine (tone) kolektive dhe vete vleren qe merr Misha nga kjo shoqeri.

    • Kete studim, Misha e ka botuar si nje liberth te vogel. Ne te ka permendur me emer edhe E-zanin, ne nja dy vende, por per gjerat me te parendesishme qe jane diskutuar ketu. E njejta gje ndodhe edhe per artikuj te shumte te botuar ne shtypin e perditshem te disa prej autoreve qe jane bashkepunetore te kesaj faqeje.
      Strategjia e studimit eshte tek perzgjedhja e referencave: Nese per disktime joserioze i referohet burimeve autoritative te mendimit dhe opinionit publik, per diskutime serioze i referohet burimeve me pak autoritative dhe me periferike.

  • A ka ndonje reagim te KMSH-se e hoxhallareve ndaj ketij pseudostudimi? Apo ende jemi duke iu gezu xhamise, s’kemi kohe te merremi me gjera te tilla…

    • Tani, KMSH nuk eshte aspirine qe fuknsionon per çdo shqetesim.
      T’i leme cinizmat.
      Reago ti dhe ne te japim hapesiren.

  • Raporti qe u nis Pirro Misha gjermaneve, ne fakt ka si fokus kryesor Kosoven dhe rrezikun qe vjen nga bashkimi i saj me Shqiperine. Gjate gjithe raportit behet kujdes te paraqitet qarte ndarja Shqiperi-Kosove. Shqiperia liberale paraqitet si nen kontroll, sa i perket Islamit, ne kontrast me Kosoven konservatore, ku si zerat ne shtyp ashtu dhe anketat flasin per nje identitet me te forte musliman. Domethene Islami sherben per te bere te rrezikshem bashkimin kombetar.

    Ja disa nga titujt e kapitujve te raportit:

    “Gallup: Kosovarët qytetarët më religjiozë të Ballkanit, ata të Shqipërisë më joreligjiozët”

    “Shqetësimi për praninë në Kosovë të lëvizjeve radikale islamike”

    Nuk kane nevoje gjermanet te lexojne deri ne fund raportin, se qe ne faqen 3 jepet alarmi, qarte e paster.

    Ndonese Kosova eshte shtet tjeter, hulumtimin e shtypit kosovar e ben nje perkthyese e To-Channel-it me nje emer tjeter te panjohur. Ato nuk kane mbledhur asnje artikull ku identiteti islam shahet e fyhet ne shtypin kosovar, dhe sherben si argument politik atje, po kane grumbulluar kryesisht pasqyrime te ngjarjeve nga islamofobe e kato-laike te njohur kosovare. Faqe ekstremiste si zemrashqiptare, revista drini etj. ku feja politizohet e muslimanet fyhen qe ne tituj deri me fjale rrugacerore, nuk i kane bere pershtypje ketyre hulumtueseve.

    • Ajo qe te vjen keq eshte se kete prodhim frike rreth rrezikut islamik te bashkimi te Kosoves dhe Shqiperise Misha e mbeshtet ne nje artikull te nje autori serioz si Ardian Vehbiu. Vehbiu flet per ‘ritje dramatike te elementit islamik!’ ne rast te bashkimit te Shqiperise me Kosoven. Me duket si shfaqje e hapur jo vetem e islamofobise por edhe e gego-fobise.

  • Natyrisht, leximi i debatit publik mbi fene, qe ben Misha, eshte me shume konstruktim i diskursit fetar ne kete vend. Ai perzgjedh zerat ekstremiste si Jazexhiu, kur duhet te ngreje alarmin per ekstremizem fetar ne Shqiperi, pastaj zerat bosh, si KMSH-jam, kur deshiron t’i lere pa pergjigje akuzat ndaj Islamit, perzgjedh tema pa rendesi, kur deshiron qe (sa per sy e faqe, te citoje disa emra autoritative ne debatet publike), e nga ana tjeter, perzgjedh zerat me te forte qe denoncojne problemet e Islamit shqiptar, teksa harrojne zerat ekstremiste anti-islame e perfaqesues te feve te tjera, ashtu sic le ne harrese edhe zerat qe po u imponojne fene e krishtere shqiptareve, nepermjet institucioneve shteterore, mediave etj.
    Kjo eshte menyra sesi konstruktohet historia, dhe kjo eshte menyra sesi konstruktohet edhe realiteti, dmth perceptimi publik mbi realitetin.

  • Duhet me ja cu kete kritiken e Besit Fondacionit qe e ka financu kete studim se keto studime shkojne diku e merren si referenca

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *