Kohët e fundit ka pasur një rritje të beftë në numrin e krimeve të dhunshme të urrejtjes ku viktimat janë marrë si muslimanë ose si nga Lindja e Mesme. Sunando Sen, një burrë hindu me origjinë nga India, u shty nga dikush para një treni që po hynte në stacion në qytetin e Nju Jorkut, ku ai vdiq. Kameron Muhamed, një Amerikan katolik me prindër nga Trinidadi, u qëllua në fytyrë para një dyqani Walmart në Tampa, Florida. I pandehuri për këtë akt tha se ishte ofenduar ngaqë e kishte parë Muhamed duke ecur me një grua të bardhë. Ai e pyeti viktimën nëse ishte nga Lindja e Mesme, pastaj e qëlloi me një armë me saçme. Më vonë ai i tha policisë se nuk donte t’ia dinte nëse viktima e tij nuk ishte musliman, duke thënë: “ata janë të gjithë njësoj”.
Këto dy sulme në Nju Jork e Florida ndodhën vetëm disa ditë nga njëri tjetri. Ata vijnë pas një vargu shokues sulmesh të ngjashëm në muajt e fundit: disa dyqanxhinj nga Lindja e Mesme u vranë një Nju Jork Siti, një burrë musliman u godit me thikë pas shpine në Kuins, një burrë tjetër në Kuins u rrah brutalisht pasi sulmuesit e pyetën nëse ishte “hindu ose musliman”, pati të shtëna në një xhami në Çikago dhe një sulm me bombë acidi në një xhami tjetër në Çikago, dy sulme zjarrvënëse e shkatërruan një xhami në Xhoplin, Misuri, dhe gjithashtu ndodhi sulmi masiv me armë në tempullin Sikh në Uiskonsin, i cili vrau 6 besimtarë.
Shumica e këtyre sulmeve janë nënvlerësuar si puna e disa individëve me probleme mendore, dhe jo si simptoma të problemeve më të gjera sociale. Mungesa e kujdesit të barabartë ndaj kujdesit mjekësor ne ShBA, veçanërisht kujdesit të shëndetit mendor, mund fare mirë të jetë pjesë e shpjegimit për shtimin e këtyre sulmeve. Por provat janë shumë të qarta se njerëz që “duken si muslimanë” janë nën sulm të qëllimshëm në ShBA. Retorika e urrejtjes dhe profilimi rracial/etnik duhen kuptuar si faktorë kontribues në shpjegimin e vazhdimësisë se akteve të dhunshme të urrejtjes.
Politikat diskriminuese
Është shumë e lehtë të mospërfillet ndonjë krim urrejtjeje si vepra e një individi “të çmendur”. Rracizmi shpesh nënvlerësohet si vepra e “disa mollave të prishura”, edhe pse kërkimet sociale kanë treguar vazhdimisht se rracizmi ekziston brenda strukturave të shoqërisë Amerikane. Ndërsa është e vërtetë se disa nga pjesëmarrësit në sulme urrejtjeje vuajnë nga sëmundjet mendore, ky fakt në vetvete s’mund të shpjegojë shtrirjen e sulmeve të urrejtjes.
Statistikat zyrtare të FBI-së mbi krimet e urrejtjes të publikuara muajin e kaluar tregojnë se numri i sulmeve të urrejtjes mbi muslimanët ka qëndruar i lartë që prej një ngritjeje në 2010 që bashkëqëndroi me nxitjen e frikës në gjithë vendin rreth ndërtimit të një xhamie në Manhatan. Shumë prej sulmeve të fundit kanë ndodhur pak pas disa fjalimeve anti-muslimane të mirë-publikuara, ndonjëherë të ardhura direkt nga zyrtarë të zgjedhur.
Kongresistja Mishel Bakman madje kërkoi një investigim të infiltruesve muslimanë në qeverinë federale sipas stilit të McCarthy-it, dhe ajo i mëshoi tezave të saj edhe pasi liderë republikanë si Senatori nga Arizona Xhon McCain u distancuan prej saj.
Ish Kongresmeni Xho Walsh nxiti frikën islamofobe kur tha se “Muslimanët janë këtu duke u munduar të vrasin Amerikanë përditë” dhe paraljamëroi pa pasur prova se një sulm terrorist do ndodhte shpejt në Çikago që “do ta bëjë 11 shtatorin të duket si lojë fëmijësh”. Pak pas këtyre deklaratave, 2 xhami në zonën e Çikagos pësuan sulme të dhunshme urrejtjeje.
Retorika e urrejtjes dhe politika diskriminuese ndaj muslimano-amerikanëve mbeten të përhapura në ShBA. Një fushatë urrejtjeje e e mirë-financuar është duke vendosur reklama pankartash anti-muslimane nëpër vende të dukshme anembanë vendit, duke përfshirë sistemin e metrosë në Nju Jork Siti dhe Uashington D.C.. Një operacion tjetër i sofistikuar ka promovuar histerinë anti-sheriat gjithandej nëpër Amerikë dhe si rezultat gati gjysma e shteteve të Amerikës kanë kaluar ligje të panevojshme që “ndalojnë sheriatin”.
Departamenti i policisë së Nju Jorkut u angazhua në profilimin klandestin të muslimano-amerikanëve në restorante, xhami, dhe kampuse universitare nëpër gjithë verilindjen e Amerikës. Administrata e Sigurisë së Transportit u akuzua nga një prej agjentëve të saj se po angazhohej në profilim rracial të pakontrolluar në aeroportin Logan të Bostonit, dhe pavarësisht premtimeve për të investiguar, nuk ka patur ndryshime.
Lidhja mes kësaj retorike urrejtjeje, politikave diskriminuese, dhe numrit në rritje të krimeve të dhunshme të urrejtjes është e lehtë për tu vënë re. Ndoshta është më i vështirë për tu parë impakti i shkurtimeve afatgjata në infrastrukturën e shëndetit mendor. Në 2011, Aleanca Kombëtare për Sëmundjet Mendore (NAMI) gjeti shkurtime masive buxheti për shërbimet publike të shëndetit mendor: mbi 1.6 miljardë dollarë që nga 2009. Kjo është mi shkurtimet e vazhdueshme të buxhetit gjatë 10 viteve të fundit në shumicën e shteteve. NAMI parashikon se këto shkurtime “vënë dhjetëra mijëra qytetarë në rrezik të madh.”
Infrastruktura e shëndetit mendor
Kaiser Family Foundation zbuloi se ka pasur një zhvendosje të madhe nga trajtimi i pacientëve në institucione drejt ilaçeve nga 1985 në 2005. Rrënjët e kësaj zhvendosje fillojnë me një ligj të 1963 që u përpoq të lëvizte kurimin prej institucioneve shtetërore drejt ambienteve private, por në vend të kësaj, “pacientët më të sëmurë kanë filluar të shfaqen në burgje dhe streha për të pastrehët me një frekuencë që pasqyron atë të viteve të fundshekullit 1800” sipas një analize të kohëve të fundit në Nju Jork Tajms.
Lajmi i mirë është se programi i Obamacare vendos kërkesa të shtuara të shëndetit mendor mbi operatorët e sigurimeve shëndetësore, por shumë më tepër punë duhet për të kthyer mbrapsht dëmin e shkaktuar ndaj insfrastrukturës amerikane të shëndetit mendor. Në kërkim të rrugëve për të parandaluar sulmet e urrejtjes, zgjerimi i aksesit ndaj kujdesit të shëndetit mendor do ishte një hap i madh përpara.
Për më tepër, më shumë punë duhet urgjentisht për të forcuar mbrojtjen e të drejtave civile në ShBA. Është e vështirë të dihet shtrirja e vërtetë e krimeve të urrejtjes ndaj amerikanëve arabë, muslimanë, Sikh, dhe jugo-aziatikë, kryesisht për shkak të praktikave të vjetra dhe inkonsistente të FBI-së. Ligji që qeveris mbledhjen e statistikave të krimeve të urrejtjes nga FBI-ja nuk është ndryshuar që më 1990.
Një nga simptomat e të dhënave të papërshtatshme është mungesa e një kategorie për krimet e urrejtjes ndaj Sikh-ëve. Kështu sulme si ai në Uiskonsin cilësohen si “anti grup tjetër” ose ndoshta si “anti muslimanë”. Statutet federale të krimeve të urrejtjes janë përditësuar vetëm dy herë që nga 1968, dhe dënimet e shtuara për krimet e urrejtjes aplikojnë vetëm për çështjet federale. Mbrojtje të shtuara dhe financim më i mirë për edukimin e nevojshëm për parandalimin e krimeve të urrejtjes duhet të aprovohen urgjentisht.
Në përfundim, ndoshta rruga më premtuese për ndryshim vjen nëpërmjet kërkimit të llogarisë prej zyrtarëve të zgjedhur dhe figurave të tjera publike për retorikën e tyre të urrejtjes dhe mbeshtetjen nga ana e tyre të politikave diskriminuese. Disa anëtarë anti-muslimanë të Kongresit humbën karriget e tyre në zgjedhjet e 2012, megjithëse Kongresistja Mishel Bakman arriti të rizgjidhet me një avantazh shumë të vogël.
Përpjekjet prej mbështetësve të të drejtave civile për të “emërtuar dhe turpëruar” nxitësit e urrejtjes janë shtuar kohët e fundit, dhe CAIR (Council of American Islamic Relations) në Çikago ka filluar një fushatë për të rimarrë fjalën “xhihad”. Aktivistë politikë muslimano-amerikanë kanë kandiduar me suksese për poste publike vitet e fundit. Ndërtimi mbi këto suksese duhet të ndihmojë në kufizimin e retorikës së urrejtjes, politikave diskriminuese, dhe krimeve të urrejtjes.
*Erik Love studjon mbrojtjen e të drejtave civile në ShBA. Ai është Asistent Profesor i Sociologjisë në Kolegjin Dikinson dhe anëtar i Institutit për Studimin e Politikave Sociale
Marrë nga Al Jazeera
Përktheu A.T.
Comments