Në Kajron e Pas Revolucionit





Besnik Sinani

 

Nga dritaret e një kafeneje në sheshin Tahrir në Kajro shihen punonjës që po lyejnë muret e mbuluara me grafiti e slogane nga ditët e revolucionit që solli fundin e rregjimit të Husni Mubarak në Egjipt, kulminacioni i të ashtuquajturës Pranvera Arabe. Pjesa e sheshit përballë Muzeut të Egjiptit, i cili mbart disa nga objektet arkiologjike më të vyera në botë, gjendet i rrethuar nga një gardh që përpiqet të kufizojë hapsirën e protestave të përjavshme e në krah të muzeut gjendet ndërtesa tashmë e djegur që kish shërbyer si selia e Partisë Demokratike Kombëtare e Presidentit Mubarak.

 

E megjithatë, disa grafiti i kanë mbijetuar përpjekjeve të  Egjiptit për të nisur një fazë post-revolucionare, si portreti i një djali të ri, i cili me furçën e piktorit duket të jetë në dyluftim me shkopat e gomës së ushtrisë e policisë. Të tjera duken të jenë mbivendosur më vonë, si ajo që shkruan: “We are proud of our Prophet Muhammad,” e thënë në një sërë gjuhësh të botës, e cila duket të ketë pasuar filmin e fundit kundra Islamit të prodhuar në Kaliforni nga një egjiptian i besimit të krishterë. Megjithë përpjekjet për të sjellë sheshin qëndror të Kajros në një stad “normaliteti,” grupe të ndryshme politike, aktivistësh rinorë, islamistësh, sindikalistësh, e gjithëfarë lloj organizatash politike kthehen çdo të premte në shesh për të shpalosur kërkesat e tyre, për të celebruar lirinë e re të shprehjes politike apo edhe zhgënjimet me kahjet apo ritmin e ndryshimeve të revolucionit.

 

Vetë Muzeu i Egjiptit vlen në fakt si metaforë për Kajron. Ai është një thesar unikal i kujtesës botërore, tërësisht befasues, por në të njëjtën kohë është i mbajtur keq, i palyer e me objekte të ekspozuara pa kujdes. Vetë Kajro është e varfër, e lodhshme, depresuese po aq sa është aristokrate dhe inspiruese. Në një radhë ndalova buzë një autostrade për të bërë një fotografi nga larg të kalasë së Salahudinit, heroit mysliman të luftës kundër kryqzatave, e ngritur një mijëvjeçar më parë e me xhaminë imponuse të Mehmet Ali Pashës në majën e saj, themeluesit të dinastisë shqiptare që sundoi Egjiptin për një shekull e gjysëm. Por poshtë saj shtrihet pjesë e varrezës gjys-shekullore të Kajros – e njohur si Qyteti i të Vdekurve – por që tani është populluar nga të varfër të ardhur në Kajro nga katër anët e Egjiptit në mungesë të mundësisë për të mbijetuar gjetkë.

 

Vetë kalaja është indikues i thurjes strukturore të politikës egjiptiane. Siç vërejta më sipër, Muzeu i Egjiptit, me gjithë vlerën e tij unikale është i mbajtur si mos më keq. Në të kundërt, muzeu i ushtrisë, në një nga ish-pallatet e Mehmet Ali Pashës në kala, është i mbajtur me kujdes e punonjës të pastrimit – nën mbikqyerjen e personelit ushtarak – fshijnë pluhurat nga topat e luftës së vitit 1972 kundra Izraelit. Ndërkohë që në Egjiptin e ri ka një ligj që kërkon heqjen e emrave të familjes Mubarak e fotografive të tyre nga shkollat dhe institucionet që ishin pagëzuar me emrat e tyre, në muzeun e ushtrisë piktura të mëdha të Mubarakut, të ngjashme në format, frymë e realizim me pikturat e shokut Enver të soc-realizmit, dekorojnë muret e këtij tempulli të ushtrisë.

 

Ushtria është një realitet mbi-realitetin egjiptian. Mendohet të jetë korporata më e madhe në biznesin egjiptian, por nuk pranon të hapë defteret ekonomike për autoritetet e shtetit. Në një vend ku rrugët, muret e lagjeve e gati çdo gjë përreth teje indikon dekadencën e një vendi që për dekada nuk ka patur qeverisje të mirëfilltë, stadiumet, klubet, hotelet, institucionet e ushtrisë dallohen në rregullin pretorian që ngrihet mbi mjerimin e pjesës tjetër të Egjiptit.

 

Kjo duket të jetë arsyeja se pse edhe ata që kanë shpresa të mëdha tek Presidenti i parë i zgjedhjeve të lira, disidenti islamist, Muhamed Mursi, pranojnë se përplasja e përballja me ushtrinë do jetë përherë e vështirë. Pushteti i ushtrisë është arsyeja edhe pse grupe sekulare liberalësh mbështetën Mursin në zgjedhje kundra kandidatit të ushtrisë, kryeministrit nga koha e Mubarakut, Ahmed Shafik. Gjithsesi, duket që ushtria prej kohësh po ndjen presionin popullor e këto kohët e fundit qyteti është mbushur me postera që kërkojnë të humanizojnë profilin e ushtrisë në popull. Presidenti Mursi, para pak kohësh, shkarkoi edhe kreun e këshillit të lartë të ushtrisë, Muhamed Tantaui. Posterat elektoralë për Shafik dhe Mursi vazhdojnë të furnizojnë ikonat politike në ballkone shtëpishë, qepena dyqanesh e dritare kafenesh, a thua se zgjedhjet nuk kanë mbaruar e a thua se përplasja prototipe që ka uzurpuar jetën politike të Egjiptit prej dekadash ende nuk ka përfunduar.

 

Ajo që Muzeu i Egjiptit dhe Piramidat në Giza ofrojnë nga Egjipti antik, gjendet në Khan Khalil për Egjiptin mesjetar, pazari i vjetër i Kajros pranë të cilit gjendet edhe Universiteti i Ezherit, universiteti më i vjetër në botë dhe qendra skolastike më e rëndësishme e Islamit. Vetë xhamia kryesore e universitetit, më shumë se një mijë vjet e vjetër, është një nga monumentet më brilante të Kajros fatimide, dinastisë së shiave që sundoi Egjiptin gjersa ra në sundimin e një sulltani të ri kurd, Salahudin Ejubit. Ai vetë hyri në histori si çlirimtari i Jeruzalemit nga kryqtarët si dhe hyri në historinë evropiane si hero i tolerancës fetare pasi hapi qytetin për pasues të të gjitha feve.

 

Brenda në xhaminë e Ezherit, në cepa të ndryshëm nën kolonada gjenden karriket e larta ku prej shekujsh ulen ulematë më të njohur, lektorët e ligjit të Zotit. Përreth ulen nxënësit e tyre, që aspirojnë të jenë ulematë e ardhshëm. Këtu, nën këto kolonada, kanë ndodhur disa nga debatet më të rëndësishme në skolastikën e Islamit, debate të cilat vazhdojnë të informojnë edhe sot rrugëtimin e besimtarëve të thjeshtë në kërkim të takimit me Zotin ashtu si dhe komentarët e bibliotekës së lashtë universitare dhe rishqyrtimet e teologëve. Përballë xhamisë së Ezherit gjendet xhamia e Husejnit, e emëruar kështu pasi në të gjendet edhe varri i Husejnit, nipi martir i Profetit që luftoi kundra vendosjes së monarkisë së parë në botën islame. Heroizmi i tij është përjetsuar në gjuhën shqipe në poemën e Naim Frashërit, Qerbelaja.

 

Nga xhamia e Husejnit futesh në rrugicat e ngushta të pazarit ku gjenden edhe disa nga monumentet më befasuese të periudhës së mamlukëve, skllevërve ushtarakë të shtetit mesjetar, të cilët nga skllevër u kthyen në sundimtarë të Egjiptit dhe Sirisë për disa shekuj, gjer në ardhjen e osmanllive: xhami, banja, konaqe mistikësh, jetimore, spitale, medrese e varre monumentale – disa prej të cilave gati një mijë vjeçare – dëshmojnë për madhështinë e arkitekturës mamluke si dhe për madhështinë që mamlukët donin të projektonin në shekuj.

 

I jam mirënjohës historianit Yosef Rapoport, pa leximin e librit të të cilit ky udhëtim nuk do ishte animuar nga gratë e Kajros mamluke dhe martesat e divorcet e tyre, nga sulltanët e ulematë, gjyqtarët e historianët sqimtarë që mbajtën e lanë shënime për tregtitë personale, vakëfet, sulltanët e bëmat e tyre, martesat e vajzave të tyre e pajat me shumë sunduqe ashtu si dhe të vajzave puntore që qepnin e lanin rroba, udhëtarë të famshëm, gjyqtarë, sufinjë të devotshëm e teologë që grindeshin me njëri-tjetrin.

 

Pazari i vjetër është një nga eksperiencat e domosdoshme si dhe më të lodhshme të Kajros. Kushdo mundohet të të tërheqë në dyqanin e vet, të të shesë çdo kotësi si një artifakt të mirëfilltë antik, papiruse dy-lekëshe e sigurisht edhe sapunin për djath. Më kujtohen me këtë rast dy vargje të Ervin Hatibit mbi turistët që pak a shumë thotë: Ne jetojmë gjithë vitin me atë që ata tërë vitin kursejnë.

 

I mbushur me suvenire është gati e detyrueshme të shkosh në Fishaui, një nga kafenetë më të famshme të Kajros, qoftë për të çplodhur këmbët e për të marë një pushim nga eksperienca intensive e kalimit midis pazarit. Vendas e turistë ndalin aty për të pirë çaj, kafe apo nargjile. Edhe pse u ktheva disa herë në këtë kafene, nuk e kuptova asnjëherë se ku fillonte kafeneja e ku mbaronte pazari e në fakt pazari të ndiqte nga pas në duart e shitësve ambulantë që të sillnin para syve qilimë, limona, kuti pecetash letre apo kapse flokësh.

 

Kajro është tejet e madhe e ka zyrtarisht 18 milionë banorë. Ndërkaq mësohesh me faktin se do kalosh orë të tëra në taksi i bllokuar në trafik. I dorëzohem një klisheje gazetareske për të pyetur taksistët se çfarë mendojnë për gjendjen e vendit, politikën, revolucionin e presidentin e ri. Njerëzit flasin për revolucionin e përgjithësisht besojnë se si njeri fetar, Muhamed Mursi nuk do jetë një president hajdut. Përtej kësaj bindjeje, askush nuk duket të jetë i sigurtë për të ardhmen. Biseda zbret shpejt nga politika e emrat e mëdhenj tek hallet e përditshme në rrugë, tek mungesa e punësimit, të ardhurat e pakta e pasiguria për të ardhmen.

 

Po të shohësh poshtë nga tarraca në kalanë e Salahudinit, poshtë këmbëve gjendet një nga lagjet më të varfëra të Kajros, me anët e rrugës mbushur me burra të papunë që pinë çaj e nargjile. Pak më tutje gjendet xhamia e Sulltan Hasanit, i cili në shekullin e 14të vendosi të ndërtojë një nga xhamitë më të mëdha të Kajros dhe u rrëzua nga pushteti pak muaj pas rrëzimit gjatë ndërtimit të një prej minareve. Në krah të saj është ngritur një xhami monumentale nga pinjollët e fundit të dinastisë shqiptare e ku gjendet edhe varri i Mbretit Faruk – mbretit të fundit të Egjiptit që u rrëzua nga një puç ushtarak i oficerëve të lirë në vitin 1952. Eshtrat e tij u kthyen në Egjipt nga Italia. Në të njëjtën xhami është varrosur edhe një nga mistikët e mëdhenj të Islamit, Ahmed Rifai, mbi varrin e të cilit u ndërtua xhamia e re e së fundi aty gjenden edhe eshtrat e shahut të fundit të Iranit, në varrin e të cilit gjendeshin lule të freskëta përkrah fotografive ku shahu dhe e shoqja më shumë se monarkë të Lindjes së Mesme, ngjanin me aktorë të filmave të viteve ’70. Jo larg prej aty gjendet edhe xhamia e Sejidina Zejneb, mbesës së Profetit Muhamed, e cila gjeti strehim në Kajro pas përpjekjeve të pafat të vëllait të saj për të sfiduar pushtetin e umajadëve. Më tutje ngrihen kryqet e kishave kopte e më tutje, zbehtë, duken varret gjigande të faraonëve në Giza.

 

Kajro është e mbushur me shumë nostalgji e memorie mbretërish e shenjtorësh e bashkë me tempujt, librat, varret e minaret e kullat e kambanoreve që lanë pasë, gjurmët e perandorive po aq sa rrënimet e tyre vazhdojnë i japing frymë këtij qyteti. Gjashtë dekada më vonë, këngët e Um Kulthum vazhdojnë elektrifikojnë ajrin me nostalgjinë e një dashurie të humbur diku në rrugët e këtij qyteti që arabët e quajnë um el dunja – nëna e botës.

 

Tetor 2012.

Comments

    • Pyetja e vertete arnaut eshte mos Vellazeria Ben ndonje puc kundra politikave demokratike per te cilat ka luftuar prej dekadash.

      • Vellazeria u pa qe kur deklaroi sapo erdhi ne pushtet se stock exchange eshte hallall… Vellazeria nuk eshte alternative ndaj sistemit boteror, eshte thjesht akomodim brenda padrejtesise sistemike… C’ta besh demokracine parlamentare ne nje vend te varfer ku vota blihet me premtime per nje vend pune apo ushqime… revolution aborted?

        • O Sara, te lutem, mendoj se nuk ka vend te thuash se vota u blekerka me vend pune dhe ushqime ne nje vend qe sapo ka dale nga nje regjim diktatorial dhe nga nje front opozitar dikur i persekutuar dhe nga nje popull qe do t’i duhej te votonte ose per Vellazerine ose per pasuesit e Mubarakut. E thene nga ne shqiptaret, eshte ironi e pakendshme. Vellazeria nuk ka dale si alternative ndaj sistemit boteror, por si alternative e vendit te vet. Pastaj, nese diku ka dale si lajm se eshte dhene miell e makarona ne shkembim te votes, ka edhe te tjera informacione qe na thone se eshte vetem nje manover per te zbeh fitoren e vellazerise.

        • per Saren…..vellazeria eshte grup mysliman , dhe gjithmone ka dhene miell e vaj edhe kur nuk ka pasur zgjedhje apo thene shkoqur fare : ne 80 vite opozite..ka dhene ne ramazan kur nuk kishte zgjedhje , ka dhene mish kurbani kur nuk kishte zgjedhje…me kujtohet nje shkrim te gazeta shqip e para 1 viti ku kishte nje artikull goxhainteresant:- opozita e vetme kunder mubarakut dhe ushtrise eshte vellazeria myslimane me nje eksperience mbi 80 vjet , ne rradhet e saj gjen shkencetare dhe ekonomiste te afte, nje organizate e mire organizuar , eshte si nje qeveri ne hije , ka rrjetin e saj te SHOQATAVE HUMANITARE , spitale dhe shkolla, gjithmone ne lufte ku ka pasur jo pak te burgosur dhe shehide ne dekada , kane financat e tyre ( zekati i pasurise dhe sadakate ) etj etj se nuk me kujtohen te gjitha..” sic e shikon ato vaj e miell, e pensione per te varferit i kane dhene gjithmone sepse eshte detyre e myslimanit per te ndihmuar te tjeret ….nese do thuheshin keto jashte nje fushate zgjedhore hajde de, por ato po thuhen vetem tani ne fushate zgjedhore.. ne zgjedhjet e para e te lira ne te gjitha sindikatat te cilet jane njerez te arsimuar dhe nuk kane nevoje per miell e vaj, u fituan te gjitha nga vellazeria myslimane?…cfare do thuash kur ne te gjitha votimet ne internet se si kane per te votuar per kushtetuten per ” dakort” apo ” kunder”..te gjitha dalin ne shumice derrmuese me ” dakort”..te gjithe jane qe dine shkrim e kendim , nuk jane fukarenj qe mund ti blesh me nje vaj e nje miell..
          Sara shpresoj te mos jesh ti qe ndeze zjarrin te artikulli ” turpi i qendrimit shqiptar ndaj palestines” ku ngaterrove nje dynja te tere dhe rrije e beje sehir , sepse te duhet tu kerkosh ndjese personave qe i nenkuptove ne artikull..nuk kisha per te komentuar se nuk me intereson, por vetem se pashe emrin\pseudonimin tend..

          • ma beni hallall se nuk kam patur mundesi te shkruaj me pare per keto komentet ketu me siper.

            1. Kur permenda demokracine dhe dhenien e ushqimeve, nuk iu referova thjesht Egjiptit, iu referova problemit te pranuar sot kudo ne diskursin politik qe demokracia parlamentare eshte sot ne krizen me te thelle te besueshmerise. e nje aresye kryesore per kete eshte ekzistenca e varferise e pabarazise sistemike qe e ben aplikimin e demokracise parlamentare nje shaka te hidhur. Nese nuk ekzistojne kushtet dhe hapesirat qe njerezit te jene ne gjendje te analizojne ne menyre kritike kushtet sistemike qe i lene disa te varfer, pa mundesira zhvillimi, punesimi, arsimimi etj.. e te artikulojne zgjedhjet e tyre bazuar ne kete te analizuar kritik; por ne vend te kesaj ia delegojne gjithe procesin atyre qe “kane me shume mend”, rezultati eshte ai qe kemi pare kudo: nje grup njerezish qe perdorin pushtetin dhe e perjetesojne veten ne pushtet ne emer te njerezve. Keshtu edhe komenti im qe vota mund te blihet me nje thes miell apo me premtime per nje vend pune nuk i referohej specifikisht ndonje ndodhie me vellazerine, por ishte nje koment i pergjithshem per paperputhshmerine e demokracise me varferine e pabarazine. Nuk ka asnje mundesi qe te flitet per ndonje proces te mirefillte demokracie kur mungojne kushtet baze qe sigurojne nje pjesemarrje domethenese. por ketu asnje njeri nuk mund te fajesoje vellazerine pasi nuk eshte pergjegjese per keto kushte, pasi vendi sapo doli nga sistemi i organizuar nen Mubarakun, qe integroi Egjipitin ne sistemin neoliberal boteror dhe ketu vijme tek pika e dyte.

            2. Asnje nuk pret prej vellazerise te sjelle nje alternative boterore. ajo qe pritej nga ata mijera njerez qe dolen duke protestuar kundra Mubarakut dhe sistemit te padrejtesise e perjashtimit social, te mungeses se punes se denje, te krijimit te nje klase qe perdor pasurite kombetare per interesat e saja, e qe luan ne burse me ato pasuri, te nje sistemi qe privatizon sherbimet jetike, te nje sistemi qe i heq te drejten e vendim-marrjes per te ardhmen e sektoreve strategjike njerezve dhe ia le ate ne dore atyre qe kane interesa private e organizmave si FMN-ja e BB etj… Kjo eshte aresyeja qe ata mijera njerez dolen ne shesh per te thene mjaft. Ata dolen ne shesh dhe qendruan aty duke u perballur me dhunen barbare te Mubarakut edhe pse vellazeria nuk iu bashkua ne fillim. Ata dolen atje per nje sistem tjeter, per nje sistem qe i jep dinjitet jetes se tyre. Kjo eshte ajo cka kerkuan egjyptianet e tunizianet e kjo eshte cka inspiroi edhe levizjet ne Spanje, Portugali e gjetke. Keshtu ndersa vellazerise nuk iu kerkua nje alternative boterore, gjaku i atyre qe u vrane dhe u sakatuan ne Egjipt kerkon nje alternative pertej stock exchange (ose me qarte tregjeve te spekulimit financiar qe jane pergjegjeset kryesore per krizen e fundit fiannciare qe i ka bere te varferit me te varfer e te pasurit me te pasur), nje alternative pertej FMN-se dhe BB, nje alternative pertej privatizimit te sistemit shendetesor e arsimor, nje alternative pertej punes qe pasuron nje pakice dhe i le pergjithmone te varfer pjesen tjeter, nje alternative pertej vendim-marrjes nga nje grup i vogel qe kane intereresa private ndersa marrin vendime per gjithe shoqerine. Njerezit duan te jene pjese e procesit qe vendos per te ardhmen e tyre. njerezit nuk duan nje tjeter Mubarak qe thote une e di me mire se cfare ju duhet juve. Kjo eshte pjesa e diskursit politik emancipues qe nuk po arrijme te degjojme ne Vellazeri.

            3. Anonim jam teresisht e paqarte se cfare po kerkon te thuash me insinuimin qe une po beja sehir e paskam pas per qellim per te ngaterru dynjane me komentin tim ne artikullin per Palestinen.. huh duhet me pas shume guxim me diskutu qellimin tim me komentin (une nuk kam shkruar ndonje artikull per kete ceshtje edhe pse e mbeshtes plotesisht ate artikull ne cdo germe te tijin) qe kam bere e madje qe paskam pas ne mendje edhe ca persona…. do ishte mire me e mbajt diskutimin ne kete forum ne nivelin e debatimit te ideve dhe jo te nieteve te dikujt qe as nuk e njeh e ndoshta as ke per ta njohur ndonjehere. Nese ai artikull paska ndez zjarr, bravo kujt e ka shkruajtur se ndoshta ka nevoje per pak zjarr per t’u ndricuar komuniteti yne. selam dhe ma beni hallall por nuk do kem me mundesi per t’u pergjigjur ne kete debat.

        • Sigurisht Sara, sepse vellezerit kryesore dhe me me influence jane biznesmene te fuqishem kompanite e te cilave vleresohen ne burse.
          Une e kam te veshtire te kuptoj si zbatohet sheriati nderkohe qe merren miliarda dollare borxh me interesa nga FMN dhe BB. Uroj vetem qe vellezerit te mos e shnderrojne Egjiptin ne nje han pa porta per politikat neoliberaliste te perendimit duke e perdorur sheriatin si fasade njesoj sic ndodh ne Saudi.

  • dinatsia fatmide njihet ndryshe mes sunijbe edhe umnejdije, kjo per shkak te origjines se tyre qe ne fakt skishte te bente me Fatimen dhe as ehli bejtin.
    fatimidet apo ubejdijinet nuk ishin thjesht shia ishin ismaili batini dhe eshte fakt se edhe pse e sunduan egjipitin me force dhe dplomaci per dy shekuj deri me ardhjen e Salahudinin nuk arriten dot ti imponohen sunizmit atje qe nje kaste e izoluar sunduese.
    shprehja se Husejni u ngrit kundra monarkise se pare eshte term i pasakte dhe eshte kendeveshtrim subjektiv nga prespektiva e sotme kush e lexon gjithe historine e jetes se Husejnit r.a dhe ngjarjeve te atyre diteve e kupton sepse u vra dhe u ngrit Husejni, por gjithsesi nuk qe aspak qellimi kundra vendosjes se monarkise, keshtu qe beni mire qe elemente te pershkrimit te historise islame ti beni me tone disi me tracicionale islame larg gjuhes perendimore shpesh tejet subjektive.
    gjithesi ne fund do te thoja bere mire qe na ngjalle mallin per ate vend qe tash duhet te rimarre rolin qe i takon ne balle te puneve.

    • Nuk e njoh mjaftueshem historine e periudhes se vendosjes se dinastise se Umajadeve dhe terhiqem duke pranuar se eshte pershtypje nga aq lexime sa kam patur mundesine te bej. Leximi kryesor ka qene historia e Sujutit te cilen e kam lexuar para shume vitesh dhe nuk me gjendet prane per konsultim. Kjo nuk me rezulton, gjithsesi, ne mendimin se “tonet tradicionale” – si perqasje ndaj historise, do ishte nje zgjidhje definitive ne kuptimin e periudhave historike. Burimet tradicionale ne shume raste mveshin ngjarjet me konsiderata pertej mirefilli “te tregimit te asaj qe ndodhi.”

      Emertimi ‘Fatimid’ gjendet ne tabelat qe shenojne lagjen ne vete Kajron – si Kajro fatimide. S’kam c’te te them, argumentin e ke me bashkine e Kajros.

      Artikulli eshte deskriptiv, pak a shume ne zhanrin e pershkrimit te udhetimeve, as shterues e aq me pak analitik i periudhave te caktuara historike apo zhvillimeve politike. Per keto te fundit – per te cilat mund te shkruaj ne menyre me te informuar – kam shkruar me pare dhe jane postuar edhe ne kete faqe, por jo ne kete artikull.

      Ti shkruan: “gjithesi ne fund do te thoja bere mire qe na ngjalle mallin per ate vend…” Nese ka ngjallur ndonje ndjesi, cfaredolloj, perfshi per ate qe nuk ka qene e kesisoj nuk ka ndonje mall, atehere artikulli e ka bere punen e vet. Sa per “ballin e puneve” e cilave “pune” nuk di c’te them: nuk kam ndonje opinion per kete pune.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *